
Vendlindja ime është Morina.
AJO ËSHTË DËSHMI E GJALLË
E QËNDRESËS KOMBËTARE SHQIPTARE, NË LUFTËRAT E PAMBARIM...
Dyqind vjet më parë, fshati ynë ishte fshat i madh i Malësisë së Gjakovës. Në trojet e veta, sot Morinë e Epërme, kishte mbi 100 shtëpi...
Historia fillon herët, që në trojet e lira të Ilirisë. Gjurmët e vjetra gjenden në emrat e livadheve, projeve, maleve, rrugëve, etj. Ato ruhen edhe sot...
Kur shkon nëpërmes të saj, njeriu dëgjon zogjtë e shumtë e zëra të tjerë nëpër freskinë e brendshme. Ai ka dëshirë të ecë nëpër fusha e male të Morinës.
Rruga e fshatit të zgjon mendime të drejta për banorët e saj të dikurshëm. Kroni i Jakupit duhet të jetë në mes të saj, sado që tashmë kullon nëpër tokë, sepse kroni është zhdukur.
„Vorret e Mëdha“ gjenden në rrugën për Patok e Molliq.
Në anën e epërme të rrugës, në bisht të Rrungajës, te vargu i gështenjave të Demirajve, në një copë toke të ulët, ruhet guri i të vdekurve, i paprishur...
Toka në Morinë ka mbetur djerrë. Ajo kishte qindra hektarë nën ujë të ujitjes, që merrej pranë Shkëlzenit. Uji merrej nga krojet e bardha të saj, sot krojet e zeza. Sylejman Agë Botusha i la të zeza me „pleqërinë“ e ndarë me sherr në dëm të Morinës. Për atë ujë dhe vadë u vranë 90 vetë, nga Krasniqja, Gashi dhe Morina. Sylejman Agë Botusha e kishte rastin për t`u hakmarrë në Morinën, meqë Avdyl Alija e kishte vënë në shqyrtim, që në Shkup, sepse, së bashku me disa krerë të tjerë, nga Krajli i Serbisë, kishte marrë ari për të pamundësuar luftën kombëtare shqiptare.
Lufta kombit shqiptar shtrihej kudo që flitej shqip. Ajo nisej që në trojet e Plavës e Gusisë, në Shkup dhe Kosovën e gjërë. Zanafilla e kësaj lufte nisej nga Komiteti i Shqiptarëve për Lirinë e Shqipërisë, prej Bajo e Çerçiz Topulli, që më 1900-1905. Lëvizja Kombëtare Shqiptare aty e kishte trupin. Avdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Sylejman Vokshi, Haxhi Zeka, Hoxhë Korenica, Binak Alija, Bajram Curri, Zefi i Vogël, Azem Bejta, etj. qenë bërë një me Malësinë dhe me Morinën e kuqe. Kuq ishte gjaku i saj, derdhur nëpër të gjitha betejat e zhvilluara anë e përtej Shqipërisë. Xhavit Pasha ishte vendosur në Majen e Pllanikut dhe gjuante me topa natë e ditë Morinën, që një pjesë e madhe e tyre binin në Kullën katërkatëshe të Avdyl Ali Veselit. Ishte kullë luftarake, para Kullës së Bajraktarit dhe nuk pranonte kurrsesi të lëshojë kullën, pa përfunduar luftimet apo familja e tij. Kënga e rrumbullaksoi kështu:
„Dul po pvet Sulltan Hamiti
zo kah majti pashë Xhaviti
treqind topa na`j grabiti
n`Qafë të Morinës pasha na i qiti...“
Në Qafë të Morinës malësoret e Gashit, Krasniqes, Morinës, Kastrastit, Shalës, Shoshit, Kelmendit, etj. të udhëhequr nga Zeqir Halili, i bënë qëndresë të fortë ushtrisë turke (Lexonni: Dr. Jusuf Bajraktari, nga Morina, Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912, Prishtinë, 1998). „Grupi i kryengritësve, i udhëhequr nga Bajram Daklani, Zog Avdyli dhe Zefi i Vogël do të sulmonte Çabratin, nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër do të vepronte grupi i dytë i prirë nga Ali e Qerim Binaku dhe bajraktari i Krasniqes, Bajram Mani“ (Po aty, faqe 266-267).

Brenda shtëpisë së Avdyl Alisë do të luftonin të gjithë, edhe gruaja e tij, Gjyle Duçja, e bija e Imer Duçit të Malësisë, nga Berbati. Sejdë (Zog) Avdyli, Ali Avdyli ishin në qendër të luftës. Isuf Ukshini, nga kulla përtej Kronit të Jakupit, pranë arrës në oborr, ishte bashkëluftëtar i njohur dhe shok me të parët tanë…
Nëpër Morinë kalonte Bajram Curri për në Shqipëri, deri në Shpellë të Dragobisë, që e lidhte më së afërmi me Vuthaj, Plavë e Gusi. Qendër kryesore në Rrafshin e Dukagjinit ishte bërë Juniku, fshat midis Pejës dhe Gjakovës, ku ishte mbajtur Kuvendi i Junikut, me 21 deri 25 maj të vitit 1912 (Lexoni: Dr. Shukri Rrahimi, Lufta e shqiptarëve për autonomi, 1897-1912, Prishtinë, 1978) . Në Kuvend të Junikut qe themeluar një Qeveri Kombëtare dhe po udhëhiqte luftën e përgjithshme kombëtare anë e përtej Kosovës, që ishte bërë fushë-betejë për turqit dhe nga hordhitë serbo-malazeze. Deri sa mbahej Kuvendi i Junikut, malësorët e Malësisë së Gjakovës u parashtruan disa kërkesa kombëtare, ndër të cilat vlejnë të përmendim hapjen e shkollave shqipe, të miratuara nga Kuvendi i Junikut (Lexoni: Akte të Rilindjes Kombëtare).
Me 4 nëntor 1912 Gjakova ishte pushtuar nga Brigada e Vasojeviqit dhe e Kolashinit si dhe nga Divizioni II i Drinës. Forcat e armatosura deri në dhëmbë serbe e malazeze ishin përgaditur prej kohësh për luftë. Rrafshi i Dugagjinit dhe Malësia e Gjakovës nuk mundi t`u bëjë qëndresë të fuqishme. Ajo ishte e shpërndarë në disa drejtime.
Në Morinë, pas rezistencës, 13 djemë u vranë, pas plaçkitjes së tmerrshme të fshatit, ndër to gra e vajza të reja, apo fëmijë, që nuk dihet ku e kanë vendin.
Kështu, duke u rezistuar sa mundën, u dogj Ponosheci, Morina dhe fshatra të Rekës së Keqe. Të rinjëve të Morinës, duke rezistuar për të mbrojtur popullatën në kalimin e saj për në Shqipëri, të rënë në këtë betejë, ua përkushtova një epitaf, të pavendosur në varresë, që nuk është zbuluar:
„Kulla e (stër)gjyshit u rrënua pa ju
e prapa kodrës rënkonte
zemra e trollit, Dragobia,
fytyrëprerë mermeri
u nxi nga dhembja për ju-
fidanë pa të cilat s`millej Liria!...“
Sipas të dhënave, Ali Avdyl Alia, ka rënë në Ponoshec, duke u kthyer nga Gjakova, më 1911. Kulla e Avdyl Alisë është marrë nga Vasojeviçi, e cila, është djegur dhe rrënuar. Të tre bunarët e kësaj kulle janë mbushur me gjëra të kullës e të tjera. Njëri ndër keto bunare shumë të thella, është minuar. Dhe, nuk dihet se cili është minuar...
Lufta e Morinës nuk ka marrë asnjëherë fund. Të kujtojmë vitet: 1900, 1905, 1909, 1910, 1911, 1912, 1913, 1014-1919, 1920-25, 1941-45, 1968, 1980... Këto janë vitet e një rezistence të mbijetuar, për të mbjellur lulëkuqen e pranverës së vitit 1981, që dha shembullin e një rezistence të madhe kombëtare...
Në vitet 1998-1999, Morina e dha një kontribut të veçantë në luftën çlirimtare të çlirimit të Kosovës. Pa kontributin e saj, në kufi të Shqipërisë, nga e cila u futën qindra luftëtarë të Kosovës dhe armatimet e shumta të luftës, vështirë se do të ishte organizuar. Edhe ne, kemi dhënë një kontribut të veçantë në këtë luftë...
Në krahasim me rajonet e tjera, Morina ka pasur luftë të dyfishtë:
-me Ushtrinë e ish-Jugosllavisë, dhe
-me Njësinë Speciale të Beogradit.
Shtëpia e jonë ishte bërë qendër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...
Kjo është një epope e veçantë e kësaj lufte. Dy fotografi të sjellura këtu, nga shtëpia jonë, dëshmojnë shumë…
(Nga dorëshkrimi i autorit për Morinën)