NË VEND TË DASHURISË

 

 

Fusha e ndjenjave

shtrihet

pranë lumit të gjakut

 

përtej

bjeshkëve të dhimbjes

nën dritën që perëndon

duket vdekshëm

 

fusha e ndjenjave

përpëlitet

nën hënë e nën diell...

 

çuditërisht

më është vrarë koha

diku

njeriu i stepur

duket sikur jep shpirt

pas një kodrine dhimbjesh

 

e nëpër errësirë

nuk duket asgjë

plafi i saj mbulon hapësirën

 

frymën ua zë

këngëve të paralajmëruara

ende pa bulëzuar...

 

dashuria lemeriset

nën fjalë të pathëna!

 

 

PIKËLLIMI

 

 

Kur ndodhesha larg nga këtu

kur ndodhesha në perëndim

kur vërdallesha rrugëve të botës

për një metelik

 

ju të ulur mbi fron

ndoshta ëndërronit llullën e fildishtë

gjarprin e verdhë të perëndimit

 

e përmalloheshit për mua

në pamundësi për të më gjetur

 

Tani

jam në vendlindjen e përbashkët

me ëndrrën e madhe të Atdheut

 

aty ku e kam harruar një varg

 

e më kot ëndërroj

që t’ju shoh

pikëllohem

besoni!

 

 

NJË LETËR ME PAK FJALË


- Një poeti të panjohur

 

1.

 

Poet

i nderuari mik

 

e mora letrën tënde

me pak fjalë

 

një shkreptimë dashurie

zhgunit të pistë

të kësaj nate

mbi Evropë

 

të falem

 

2.

 

Liria është gjak

që rrjedhë nga pak

përderisa jetojmë

në këtë botë të përkohshme

me të drejtën e fjalës

nëpër dhimbje

 

është vet jeta

që marrim frymë me të

derisa të vdesim

 

duke e lëshuar

për të fundit herë

 

i nderuari mik

poet

 

3.

 

Ti kursyeke fjalët

e pse

 

për Atdheun

të Bukurën

për Njeriun e mirë

as fjalën e gjakun

s`do të kursejmë

 

derisa të marrim frymë

për të fundit herë

 

andaj kësaj udhe

do të takohemi diku

patjetër

 

lamtumirë

i nderuari mik

poet

 

 

KAM ZBRITUR NGA YJET [1])

 

 

Jam në Zvicër

por kujtoj se jam në Morinë

dhe e shoh veten fëmijë

nëpër arat me misër

 

loz me rrezet e ngrohta të Diellit

që rriten në bukë të kallinjve

 

Kalliri zgjatet e buzëqesh

me vesën e mëngjeseve

sikur më përshëndet dhe dua ta përqafoj

 

jam vet fëmijë që lozë me rrezen mbi tokë

 

herë në Einsiedeln[2]

bëhesh birrë e misrit të artë

herë bëhesh miell i bluar dhimbjesh

për t’u bërë misërnike

në shitoret e vogla të malit

e në kodrinat e diellit...

 

Vjen dita kur konservohesh e grirë

për të ushqyer sërish Lopët e Diellit...

 

Tani

nuk e di mirë se në cilën kohë jetoj

në cilin shekull

 

mijëra herë

paskam zbritur rastësisht nga Yjet

 

Thurau, 21.06.2013

 

 

TRANDJE

 

 

Më duket

se guri

derdh lot mbi sipërfaqe

 

dridhet e rënkon

trandet

e lëkundet prej dheut...

 

Befas i fshij sytë

qetësohem nga lëvizjet

jashtë meje

 

athua

e rëndë është pesha

kur guri qanë

pranë meje

 

përderisa

e trishtueshme është jeta

me vetminë

 

 

PENG KUJTIMI

 

 

Ke mbetur

peng kujtimi -

 

këmisha e shqyer e lëkurës

nga asnjë krijues

i jetës sate

nuk qepet

 

e ti dënes i vetëm

dhe bie më poshtë se dhimbja

e vargut të gjurmëve

të çasteve të bjerrë...

 

Kot përplasesh

me durimin e humbur

duke numëruar

mijëra goditje

pa shpresë

 

sytë e qiellit

janë errur në shtrëngatë

të lotëve të mallit...

 

Dil nga plaga e shpirtit

dërgoje deri në fund

këngën e dhimbjes!...

 

 

FLATRAT E QIELLIT

 

1.

 

Kur flatrat e qiellit

mbyllen

mbrëmjes së vonë

i ruhemi

 

dyer dhe dritaret

i mbyllim

 

përpiqet Demoni

të ngjallë të Ligën

në përpjekjet e pandalura

 

e të dërgoj

në falimentim

Krijuesin e Universit

 

2.

 

Qeni leh

me lëvizjet e padukshme

nëpër natën e pabesë

 

kush e di sa shpirtra të ligj

kalërojnë

nëpër hapësirën e pafund

 

me të pathënat e mbyllura

në kujtesë...

 

3.

 

Kur biem të flemë

e lusim Zotin

të ketë mëshirë

 

enët e palara

vetëm me një shtagë

i mbyllim

 

të fshirat e mbrëmjes

i lëmë pa nxjerrë

prej shtëpisë...

 

dhe me Yje

Zoti na ruan

 

4.

 

Kur hapen

flatrat e qiellit

me agun e freskët

të mëngjesit

 

përsëri lindin shpresat

 

Yllit i përfalemi

i përfalemi Diellit

 

në periudhën e pafundme

të  I l i r i s ë ...

 

 

Teatër i dhImbjes së pafund

 

1.

 

Gjakova është vendi i dashur i fëmijërisë

me të gjitha ndarjet pa fjalë e me sytë e përlotur

nuk kam kohë të ndalem me therjet e dhimbjes

me mendimet e djegura nëpër ikjet e befta

 

është botë e veçantë e përplasjeve të mëdha

brenda zemrës tërmetet prore rrënojnë

prapë një vistër i përtëritjeve ngrihet me diell

 

brenda një çasti shprehen të gjitha stinët

nuk ndalen bubullimat e mëdha të vendlindjes

duke i ndjekur vetëtimat e përdala të brejtjes

 

se Gjakova është vend i shpalljes së dhimbjes

marr frymë thellë nëpër damarët e qenies sime

 

e lëshoj rëndë në përkushtimin e një vargu

një pikë loti më rrjedhë bebëzave të heshtjes...

 

2.

 

Dita dhe nata nuk e kanë të njëjtin kuptim

e keqja dhe e mira mbeten prore në dyluftim

vetë i mbledh cuklat e fijeve të këputura

të gjej fillet e dhimbjes që piketon gjak

 

gjak gjakova dhe gjaku që nuk ndalet kurrë

për një ditë të bukur ulur këmbëkryq nën bli

me plisin e bardhë të një plaku të ndjenjave

 

gjithmonë e shoh të ulur në pikëtakimet tona

të asaj malësie që i jep shpirt e madhëri

 

gjak i kuq është prore gjaku i shenjtë i lirisë

në Malësinë e Gjakovës bulëzon në çdo gem

 

edhe fëmijët që vinë të shëndetshëm pas këngës

i ndjej të qajnë thekshëm me lot të përzier gjaku

prandaj m`i ngritin peshë flokët deri në vdekje

nëpër muranat e dëshmorëve të dhimbshëm të lirisë...

 

3.

 

A e dini ju sa herë jam rrëzuar nëpër metropole

duke qarë me zë kalldrëmin e rinisë në Gjakovë,

kanë mbetur në kujtesë kinemaja dhe teatri i gjallë

që lozin tragjikomedinë e dhimbjes së pandalur

 

do të rrëzohem prapë në Paradeplacin e Cyrihut [3])

në Rapersvil, në Stutgard, Mynhen dhe gjetiu

trotuareve të pagjetura përmallshëm nëpër ëndrra

 

liria është ndjenjë që çel sythin e përmbajtjeve

me pranverën rritet e me dimrat e shumtë zbehet

rreth e rreth zgjerohen në pafundësi këngët e saj

që si fëmijë të rritur dhimbshëm më rrëqethin

 

prore i kam kënduar por çuditërisht më janë zhdukur

ka mbetur diku në ndërdije ai zë i qartë kënge

se Gjakova është teatër i shpalljes së dramave

 

e i dhimbjes së pafund të përkryer të burrërisë

 

 

PËRTEJ VDEKJES

 

 

Ku ka qenë

shtëpia e njeriut të egër

ku ka qenë shpella e dhimbjes

 

a në portin e skijimit me susta

deri te shpati i lartë i shkëmbinjve

apo deri te pishat e freskëta të maleve

 

në fushat e golfit nëpër blerinë

apo nëpër basenet e larjes në djerrinë

të malësorëve të përhershëm ...

 

Schönboden[4] është një kilometër e gjerë

maje Alpeve të dhimbjes Wildhaus[5]

 

vinë turistët e xhepit të fryrë

nëpër shtëpitë e vjetra

kërkojnë të gjejnë

shpellën e pa treguar me fjalë

 

le të buzëqeshë përballë tyre

Hotel Restorant Sonne[6]

në “Togenburg”[7]

bëhen picat e flakta

 

unë e marr

këngën time përtej vdekjes!

 

 

QEPALLAT E KUJTESËS

 

 

Qetësia shpirtërore

e merr veten me ty

pranë lumit me ura të hekurta

 

Aty përpjekën flatrat e qiellit

zogjtë nëpër pemë këngë gazmore këndojnë

Turnhalle[8] luan pas nesh lojëra të rritës

është vera e ngrohtë dhe i ngjallë shpresat...

 

Disa herë mbi kodër

e kam vizituar deri në derë Burg [9]-un tënd

pesë kat i ka dhimbja ime e parëzuar

kulla e stërgjyshit tim e kishte një kat më pak

përballë u qëndronte topave të kobit ...

 

Tani Casablankën [10] e lash pas vetes

Buri Finanzberatung [11] nuk e di prejardhjen

pellazgët kanë ardhur këtu para lindjes së Krishtit

njërën germë të mbiemrit e ka humbur

në kush e di në cilën skaj

derisa me serbë luante symbyllas

 

Çudi e kaloj urën e hekurt

për të parë parkun e shqetësimeve të mia

derisa përpiqem të qetësoj me lojë Pranverën

lumi i verdhë e çanë tokën në dysh

përballë kullës së paepur në kodrinë

 

Hotel Thurpark[12] e ka harruar kur e ka thurur qytetin

në kujtim të 1100 vjetëve të ndërluftimit

 

mirë bën që ky qytet feston për fëmijët

ushtarëve të lodhur me punë e të rënë dëshmorë

ua ndërton edhe një përmendore

për tokën e lënë kujtim

 

tani qetësia ime le të dëgjojë kroin

që rrjedhë nga qepallat e kujtesës...

 

Wattwil, 21.06.2013

 

 

GOMMISWALD[13])

 

 

Gu (o)m (m)is-wald

shtrihesh gjerë e gjatë në tri drejtime

 

rashë qindra herë nëpër ty

të pashë nga lartësia jote

 

liqenin e Schmerikonit deri në Rapperswil

me restorantet varg e vijë si yjet

nëpër Kaltbrunn e Uznach [14]...

 

Kudo e kërkoj bunarin e thellë të ujit [15]

e shoh një “P” me krihet e shqiponjës

atëherë i kujtoj ilirët nëpër hapësirën tënde

 

Shenjat e tyre i mbajnë të gjithë banorët

fshihen pas frazash e fjalish të dialekteve

 

asgjë nuk duan të dinë

për domethënien e prejardhjes së largët ilire

për simbolin e Diellit të vizatuar në çdo shtëpi

 

nëpër fushat malore dhe majat e maleve

barin e deleve të Diellit e shoh si nën Shkëlzen

dhe yjet e shumtë e stërpikin tërë natën...

 

Kudo kërkova punë edhe në majën e vargmalit

dhe u përcolla pastaj nëpër vorbullën e lotëve

pse nuk më jepni pak nga mundi im i përditshëm

 

askush nuk më do edhe pse i shoh rreth meje

me bukurinë e përkryer...

 

Tani të kisha një gomë të madhe

sa vargmalet e tua, Gommiswald

botën do ta ndryshoja tërësisht për të mirë

 

do t’i bëja njerëzit e mundur në heshtje

të kuptonin pak nga pak nga bota ime

 

çuditërisht gabim flisni

gabim shoqëroheni

gabim jetoni

 

dhe nëpër gabime vdisni ...

 

Ricken, 21.06.2013

 

 

KOKA E LUANIT

 

1.

 

Leu trim

Llavë e ujqërve

Luan

 

tre emra pellazgë

përpëliten

nëpër Alpet tona

 

Është zhdukur

nga pakujdesia

deri në xhungël

 

të pashkelur

nga qytetërimi

 

simbol i mbetur

mbi portën

e Mikenës

 

e iu flet shekujve

jam këtu

roje e pavdekshme

e fuqisë...

 

2.

 

Kush e di

trimi Leu

Luan

mbret i lashtë

i tokës

pellazge

 

e dhjetëmijë vite

numëron

i pafjalë

mbi portën tënde

Evropë

 

thotë Leu

llavë do të bëhem

kur s`më përfill

kur nuk flet

s h q i p...

 

kur fare

nuk më njeh ...

 

 

 

SUFERINAT E DHIMBJES

 

 

Gjurma e shkrimeve niset nga lashtësia

me kalanë që nuk rrëzohet aspak me fjalë

ndër ne kënga e pavdekshme e ringjallë

energjia e pashtershme e kësaj mbijetese

pikon me qumështin e viteve të dhimbjes

nëpër gjëmën e djalit të vogël e bonjak

nuk ka si të lëmojë gjysmën e trupit të amës

derisa ajo nuk flet dhe është e ftoftë si vdekja

kështu përherë nëpër legjendën e stërlashtë

vjen e na e rritë prore mbi gur një lule-pemë

Fati i Rozës kthehet fuqishëm në Rozafat

ushqehet djaloshi prore me lotët ndër faqe

e neve na jep të thithim gjithë atë helm

brez pas brezi duke e përkundur vet rriten

nëpër regëtimat e heshtura flijuar në kohë

Kambana e vargjeve ushton nëpër shekuj

nëpër sytë e nënës zanë e qenies sonë

që na jep gjithnjë qumështin e njomë të viteve...

Gurëzimi na rritet dikur nëpër Urën e Fshejtë

dy brigjet e këngës sonë të na i përputhë

me jehonë të pashtershme të shkëmbinjve

në pikë të Qiellit mbërrijnë e të na kthehen

derisa thithim nektarin e lulebjeshkëve...

 

dhe çdo gjë fillon me gurët e kalave tona

që mbetën gjallë me fëmijët tanë e rindërtohen

nëpër suferina të pambaruara të Këngës!

 

 

ZOGJ TË PIKËLLUAR

 

1.

 

Ju shoh përherë të pikëlluar

nëpër fshatrat malore

rreth kodrave tona

a bregut të liqeneve

si fëmijë të mi të këputur prej zemre

 

Një lot u vardiset

në bebëzat e thara të shpirtit

magma të zemrës

ndizen flakë e gjëmojnë

 

shkrihet murana e hekurt

e shtatëqind rrufé me godasin

në harfën time të këngës ...

 

2.

 

Jeta e juaj

është Bibël e dhimbjeve fëmijërore

 

jeta e juaj digjet përherë

metaforikisht

në kuptimin e së bukurës

të dhembshurisë

të mallit

e pikëllimit të pashuar

 

mjellma të shpirtit tim -

ju bijë të Sy-thit

të Adamit me të cilin fillon jeta

nuk e di

në cilin shekull të mallkuar jetoj

 

jam mijëra vjet jete

para lindjes së Bakut

dhe mbetem

me gojën e tharë të pëshpëritjeve

 

nuk mund ta gjej fillin e parë

jemi të përgjumur pip në këmbë

nuk e vërejmë Diellin

 

në miliona plagë shpirti

dhimbja lulëzon

prore e ndej veten Josip

e dua të shtrëngoj me zemër Klemestrën

 

ti më vjen me sytë e përlotur

je Noema bijë e Sellës

Zotneshës pellazge...

 

fëmijë të braktisur përherë

zogj mjellme

në të gjithë shekujt ...

 

3.

 

Nëpër sytë e mi

ngjallet pikturë e pavdekshme pikëllimi

më le të çmendem

bukuria me emër të rrejshëm

 

kuptimësia e së bukurës rilind

nga veza e pa numër e dhimbjes

çuditërisht ndjehem

në shekujt e tanishëm

 

shihem i ngrirë në piklën e bardhë të lotit

që pikë ngadalë

nga bebëzat e ngrira

 

herë u ngjanë fëmijëve

që shndërrohen në pulëbardha të lotëve

e përplasen

me dhimbjen bregut të këngës

 

e herë prindërve baballarëve

që zvogëlohen në mjellma të vajit

 

pastaj reshin me shi

duke më përcjellë

në krojet e pandalura të lotëve

 

deri në zhdukjen e maleve...

 

4.

 

Ndonjëherë

shndërrohem në mjellmë

për t`u takuar me ëndrrën time

 

në thellësinë e ujit të zi

nga shtrëngata shekullore

vetëm për një çast të shkurtër

 

pastaj për t`u sjellë vërdallë

nëpër shekuj vuajtjesh

 

mbi dallgët e zemrës

dhe për të lundruar nëpër kohë

 

nuk kam ku të ulem mbi valë

e të marr frymë

 

a mos kam ardhur gabim

në këtë strofull jete

 

sa çel e mbyll sytë

ju notoni nëpër liqenin e zemrës

 

fëmijëria e juaj e pikëlluar

është me krahët e fluturimit

nëpër dallgët e trazuara

 

derisa shpirti pëlcet ...

 

5.

 

Kështu

mbeteni prore

zogj mjellme

nëpër vargjet e mia

 

fëmijë

të braktisur

përherë ...

 

 

ZOGU I NËMUR

PREJ QIELLIT[16])

 

 

Kudo nëpër Evropë

vajton përherë me pikëllim

e askush nuk të kupton

ty zog i nëmur prej qiellit

 

Dhimbjen tënde e deshifroj

për të vetmin vëlla të vogël

që të lanë më tutje mbi tokë

të vajtosh dhimbjen tënde

pranë nesh

 

mbi qafë të rri e varur

shara ku peri rrinte

derisa thurje

çorapë të leshta...

 

e kur të dëgjoj më vjen të qaj

me lot të tharë

midis bebëzave

 

të dytë jemi të dënuar

jam shqiptar

ti e ke gjuhën time

 

mija njerëz na kalojnë anash

dhe nuk duan të na kuptojnë

as të na njohin

 

nëpër male

le të pëlcasin çakejtë

 

asnjë fjalë nuk e njohin

as nga mitologjia,

as nga gjenealogjia

 

qielli ynë është i pa skaj...

 

A e di o Gugu Isuf

se pellazgët dhe ilirët

ishin të parët në Evropë

 

prandaj ti

zog i nëmur prej qiellit

përherë vajton

s h q i p ...

 

 

ORA E SHTËPISË

 

1.

 

Ora e shtëpisë

ka trajtën e gjarprit

nën trarin kryesor

e vëzhgon shtëpinë

 

Fishkëllima e tij

është thirrje kushtrimi

që përbënë

në tri ndarje

vlerat e familjes

 

2.

 

Është shpirt

i mbetur gjallë

ndër vite dhe shekuj

 

për të mbrojtur mikun

e për të shkatërruar

armikun

 

edhe pjesëtarët

që shpërfillen

nën kaptimin e djallit

 

që nderin e moralin

e dhunojnë pafalshëm

 

 

3.

 

Atëherë zbresin

sa çel e mbyll sytë

 

e zeza është kob për ata

që dhunojnë bukurinë

dhe armiqtë e tjerë

 

që vinë të porositur

edhe nga Iblisi

për të zhdukur prore

shembullin e mirë

 

e bardha është paqe

për të gjithë shenjtorët

 

edhe për fëmijët

lulet e përtëritjes

 

4.

 

Në tulla të oxhakut

mund të qëndrojë ora

 

në djep të fëmijëve

kur nuk janë të lidhur

që ta mbrojnë

nga Satani

 

ata që nuk kanë fuqi

vetë të mbrohen...

 

 

5.

 

Ora e shtëpisë

i ngjanë hyjneshës së vatrës

 

është gjarpër i veçantë

që i ndjekë brejtësit

 

ata që zhbirojnë

nga kërshëria e tyre

dhe dëmtojnë...

 

6.

 

Mund të kthehen

në një qenie tjetër

në qenie mitologjike

 

në formën e gruas

t`i ngjajnë Zanës

 

është pra

gjarpri i shtëpisë

ora e shtëpisë

bardhë e zi

 

derisa nuk shuhet

shtëpia ...

 

 

ENIGMË E PËRJETSHME

 

1.

 

Mblidhesh në spirale

ethesh për ne

 

e ngrihesh

me kokën e goditjeve

në bishtin

e përpëlitjeve

 

2.

 

Kur të shoh

më thahet pa shpirt

një fjalë në gojë

 

e regëtimat e qenies

ndrydhen të heshtura

 

mitologjitë e globit

mblidhen

në botën e sertë

 

athua

ku do të jetë

dënimi i Zotit

 

3.

 

Herë bëhesh

shtagë e gjatë

dhe mbi ty mbahet bota

për të mos rënë

skrupull

me dhimbjet e viteve

 

e herë-herë

sa qel e mbyll sytë

bie mbi jetën

e shpërfillur

 

aty ku nuk të mendon njeriu

dhe e ka lëshuar

rrugën e zotit ...

 

4.

 

Qindra poezi

mund të shkruheshin për ty

 

edhe po të gënjenim

për të paqenën me fjalë

apo të përkryerën

 

kur të takojmë

të mbledhur lakuriq

rreth pritjes

 

ngjitesh më lartë

me kokën përmbi heshtje

e hidhesh si shpatë

 

na rrëqeth

me ngjyrat e tmerrit

 

ngadalë

pështillemi larg

e largohemi

përtej vdekjes

 

5.

 

Njëmijë vjet

jeton me dhimbjet

e vetminë

 

të ka plasur gjuha

nën gur

nën dushk e shi

nën dhé

 

duke pritur jetën

të soset

nën helmin tënd

 

6.

 

Helm

është vet jeta

 

katran

i mbyllur në gur

 

enigmë

e përjetshme ...

 

 

KTHIMI I PËLLUMBAVE

 

 

U kthyen pëllumbat

nga Drita dhe Qielli

duke pëshpëritur

dhimbjen pëllumbore...

 

Nuk e di cilën ngjyrë e kishin

herë më dukeshin të bardhë deri në të zi

herë më dukeshin të zi në të bardhë

e herë ndërronte rreze dielli në sy

derisa e mbulonin Qiellin

me krahët e përpëlitjeve

 

A e dini ndokush dhimbjen e tyre

apo dhimbjen time të ma tregoni

nuk kam fjalë për këtë këngë përpëlitëse

me ajrin e mbarsur të lindjes

me ajrin e mbarsur të jetës

 

Ejani pëllumba ejani

me gugutë tuaja të këndshme

nuk më jeni ndarë prej fëmijërisë sime

dhimbjen tuaj të qetë e të butë

e kam qarë në qendër të vrapimit

rreth Diellit edhe pse i zjarrtë

 

jeni tre kujtoj apo tre miliardë

që lëshoheni nga Degët e Lisit

 

të zgjatura nëpër hapësirën e Diellit

kur ta pushtoni rrezen e shkruar

nga Dodona e parë

na e sillni atë fjalë

tërë njerëzimi do ta kuptojë

pëshpëritjen e kthimit tuaj

 

pëllumba të pandalur të shpresave

pëllumba të fatthënave ...

 

 

LEJLEKËT E DHIMBJES SIME

 

 

Nga ditët e para të jetës

vinë këta lajmëtarë

të ditëve të mira

 

dhimbjen e pashpjeguar

e godasin me sqepin e parë

në mes të moçaleve

 

do të përtërijnë kudo gjelbërimin

me gjuhën e pafjalë të pranverës

 

Kur toka e përplasë nga kurrizi

vdekjen e bardhë e të ftohtë

që dridhi dhimbjet e një kohe

vinë këta lajmëtarë të parë

 

me krahët e qiellit zbresin

shpresat tona të përlotura ...

 

Lejlekë të dhimbjes sime

m`i sillni të varura

pranverat në qafë

 

merrni një dhimbje fëmijërore

e sillni një buzagaz të freskët

me durimin tuaj diellor ...

 

Ju udhëtoni gjatë

për të tejkaluar nga dhuna

 

dhe na mësoni

të kthehemi prapë me Lirinë

 

 

LEJLEKËT E ËNDRRAVE

 

 

Çdo gjë fillon me ëndrrën

edhe kur nuk mund t`u bëjmë

me stërmundimin jetësor

si diçka të qenë

 

kur hapen krahët e hapësirës

u nxjerrin juve në sipërfaqe

si pjesë e reales që vjen

me ngjyra të paqes

 

ne u përkulemi përpara

sikur në vendlindje

edhe në Zvicër

sytë e dritës ua ruajmë

 

u thërrasim përtej fjalës

na e sillni një dhëmb të ri

kur ua hedhim të vjetrin...

 

dhe çdo gjë fillon me juve

lejlekë të ëndrrave tona.

 

 

SHTEGTAR I LIRISË

 

 

Me flatrat e qiellit

udhëtoni larg

për të ikur nga dhuna

për të gjetur pranverën

 

ne jemi lelekët[17] e parë

prej emrit të Karianëve

pellazgëve parahelenë

dhe paralajmëtarëve

të ditëve më të mira

 

Bëhemi së bashku

me lejlekët e sotshëm

e dalim kudo

nëpër botën e dhimbjeve

për ta mundur dimrin

nëpër Evropë

dhe dëshirojmë Lirinë

 

bëhemi shtegtarë

me ngjyrën e bardhë

si drita e Diellit

që vizëllon të buzëqeshë

larg përtej shekujve

 

Nuk e di nëse jemi

në jugperëndim të Azisë

apo njeriut me qime

të rruzullit tokësor

 

lelegë apo lejlekë

duke ikur nga vuajtjet

me flatrat e lirisë

 

EMIGRIMI I LIRISË[18])

 

Kur largohej nga boshti kryesor liria

derisa emigronte tërësisht nga vetvetja

për të shpëtuar kokën nga të krisurat

isha në rrugë të përhershme me të papritura

 

Liria merrte pamjet që nuk i duheshim

dilte në anën tjetër të fjalës kur nuk e priste

merrte frymë shpejt e shpejt si e dalë mendsh

për të ikur nga vitet e shumta që e ndiqnin

 

Dikush e krahasonte me pamjen e palirisë

ia numëronte të gjitha të dhënat një nga një

e lente ashtu të zverdhej nëpër skajet e botës

pa pasur forcë të mjaftuar ta thotë të vërtetën

 

Ky ishte emigrimi më gjatë i lirisë së brishtë

mileniume të bërë pa të me pëlcitjet e këngës

që lëngonte pa zë të qartë pa shkronja të vetat

duke pëshpëritur gjuhë të huaja e armike

 

Ajo kalonte gjithmonë nga gjeneza e fjalëve

në përmbytjet nën ujë nëpër dallgë e nëpër valë

nëpër shtegtimet e pambarim nëpër tallazet e pafund

me plagët e mëdha të shpirtit që prore i digjnin

 

derisa dukej se jepte frymën e fundit të shpirtit

derisa zhvishej nga të gjitha germat që shtriheshin

derisa edhe emri i zbehej tërësisht nga mbetja e gjallë

derisa vaji i dhimbjeve i mblidhej shuk në fyt...

 

E gjëja veten diku pranë cicërimeve të fjalëve

në emigrimet e pafundme nëpër lot të bërë skllotë

me peshën e dhimbjeve tona sa të gjithë shekujt

me etjen e gjallë të rrezes që pleksej pas kodrash

 

e shpirti na kthehej dikur në dritë të përjetshme ...

 

 

QYQJA E MALEVE TONA[19])

 

1.

 

Kush është ai fatkeq

që i dëgjon

qyqet e natës

tek vajtojnë

nëpër shpellat e maleve

edhe kur duhet të flenë

 

tërë jetën thonë

në një degë të thatë

nëntë vëllezërit e saj

edhe më të voglin prej tyre

Ali Bukurinë

e vetmja motër i vajton ...

 

2.

 

Aq e bukur është

sa të vjen keq

që nuk i ndalë lotët

ndër mija vite

 

të befason kur e sheh

me kokën shqiponjë

sytë të rinj dhe petakë

 

 

trupin pedant

e lara-lara

gjer në bishtin e gjatë

 

Herë-herë i quanin

qyqet e varreve

 

duke i numëruar varret

me miliona dhimbje

mbi troje...

 

3.

 

Nuk kanë mundësi

ta përkthejnë me lot

hartën e pakryer të Atdheut

 

të shpërndarë kudo

me lotët e kristaltë

që vardisen një nga një

në tokat shqipe

si në lulen e saj

 

dhe kur e dëgjojmë qyqen

trupi na rrëqethet

me “kuku”-të e saj

 

a janë nëntë vëllezërit

që i mori vdekja

si në një përrallë

 

apo qindra kreshnikët

me plisa të bardhë

që vdekja ndër varre

i palosi

 

ku shpeshherë qanë ...

 

4.

 

Duket sikur andej

u ngrit Ali Bukuria

për besën e dhënë

 

nëntë ditë larg dhimbjes

nga dhimbja e pashpresë

 

mbi atin e bardhë

të vetmen motër

ta merë në gjini

 

nuk dëshironte të shohë

atë murtajë të dhimbshme

që po na godiste

në gem të historisë

 

dhe nuk është e vërtetë

që të trishton në gjumë

me emrin e lig

 

dhe lotët që s`pushojnë

të bukurisë që fluturon

nëpër dhimbje ...

 

5.

 

Ajo vajton

për atdheun e humbur

e që lotët e kristaltë

nuk mund ta lidhin

hartën e vërtetë

 

prandaj nuk janë

për t`i gjuajtur me pushkë

në derë të shtëpisë

me lotët varg

 

lotët e kristaltë

janë paralajmërim

tepër i trishtë

që zbret nga qielli

 

të lënë në derë

motin e thatë!

 

6.

 

Mos na provoftë Zoti

varret e të vdekurve

t`i numërojmë me sqep

 

as vajtimin e bukur

tepër të trishtë

t`a kultivojmë ndër vargje!...

 

 

PËRFYTYRIMI I DETIT[20])

 

 

Shpesh më fanitet deti

si sofër e madhe

shtruar nën hënë

 

përreth të heshtur

përtypen shkëmbinjtë

kafshoren duke e njomur

në atë verdhësi të largët...

 

Asgjë nuk më duket

më e pikëlluar

se shkëmbinjtë e kërrusur

në vetveten

e gropëzave të tyre

 

po të isha gomë

e fatkeqësive të botës

hijen e mosbesimit

do ta zhbija

 

dhe trishtimet e shtruara

në atë sofër!...

 

 

FRYMA E FUNDIT

 

 

Nga të gjithë fqinjët

toka e shqipes

është shkelur dhimbshëm

 

do të pëlcasë

e shtrënguar

e shkelur me shkelmat

e dhunës së përdalë

 

frymën e fundit

e mbledhë

nëpër oqeanet e lotëve

e dhimbjet e vdekjeve

 

pikën e fundit të durimit

nga fundi i asgjësë

në minutat e mbetjes gjallë

për ta nxjerrë …

 

Atëherë

e mbledhë veten

si mbiqenie

 

shtrydhë së fundi zemrën

të lëshojë

ulërimat e shpirtit

 

këngën e zjarrtë të lirisë ...

 

 



[1] Mbiemri „A-v-d-yl (l)“ për poetin nënkupton një person që ka zbritur

nga Ylli dhe jeton në mes të njerëzve. Thuhet se njeriu i parë ka zbritur

nga ylli Sirius. Emri Avdyl nuk është i njëjtë me emrin Abdyl-Abdul,

që është shkurtesë e emrit turk Abdullah.

[2] Qytezë e lartë në Kantonin e Schwizit, në Zvicër.

[3] Sheshi i Paradës në Cyrih të Zvicrës

[4] „Toka e bukur“, emër i një pjese të tokës, gjermanisht.

[5]„Shtëpia e njeriut të egër“, toponim  i vendit në Kantonin e

 St. Gallës, në Zvicër.

[6] „Sonne“, do të thotë Dielli.

[7] „Togenburg“, do të thotë „Kështjella e Togës” dhe është toponim

 i vendit, në St. Gallen. Këtu, emri i picerisë, me të njëjtin emër.

[8] Turnhalle do të thotë Sallë gjimnastike.

[9] Burg do të thotë Kullë.

[10] Casablanka do të thotë Shtëpia e Bardhë.

[11] Buri Finanzierung do të thotë Financimi Buri.

[12] Thurpak do të thotë parku i thurur, që ka kuptimin prej pellazgo-shqipes thurë-bëj mur, gardh rrethues.

[13] Toponim vendi dhe vendbanimi, që autori e lidhë me „gummi-gomë“, që do të thotë pylli i gomave.

[14] Katër toponime vendbanimesh, në Kantonin e St. Gallenit.

[15] Toponimi „kaltbrunn“, do të thotë „bunari i ftohtë”.

[16] Çmimin i parë në "Sofrën Poetike" të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë "Papa Klementi XI Albani", në Suedi (SHSHASHS), në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Shqiptare "Migjeni", në Boràs, Suedi, me 29 mars 2014.

[17] Lelegët e parë janë fis i pellazgëve të vjetër në jug të Meadrit,

një nga shtatë mrekullitë e botës, që janë shuar nga të ashtuquajturit „grekë". Nga disa shkencëtarë lelegët konsiderohen si pjesë

e popujve mesdhetarë, jo indoevropianë, që e mbanin edhe Durrësin

e vjetër nën vete....

[18] Kjo poezi ka qenë në zgjedhje për tri shpërblimet „Frank Bardhi“ të Lidhjes Ndërkombëtare e Poetëve Galaksia Poetike „Atunis“, në Bruksel. Mirëpo, për pak nuk i ka përmbushur votat e menjëhershme.

[19] Shpërblimi special i Jurisë në Orën e madhe Letrare të Shoqatave e Lidhjeve të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë të Evropës, në Artanë

të Kosovës, me 05.08. 2013. Por, ky shpërblim nuk u dokumentua,

pra nuk iu dha ashtu siç ishte shpallur.

[20] Kjo poezi ka qenë bashkë me poezinë “Kujtimet e kësaj bote” në Konkursin Letrar të Manifestimit poetik Tradicional të Mërgatës Shqiptare, të LSHAKSH-së në Gjermani, krahas pjesëmarrësve të  Kosovës dhe Austrisëku e mori Çmimin e parë për poezitë e lexuara në atë manifestim, më 23.03.2013, në Koblenz të Gjermanisë.