
Brahim AVDYLI
duke lexuar poezinë "Shkruar me lotë",
me ftesën e pjesëmarrjes së KK "Bardhosh Gërvalla", të Ludwigsburg-ut/D
dhe të LSHAKSH-së në Gjermani
SHKRUAR ME LOT
- Tre dishepujve,
të vrarë në Untergrupenbach,
me 17 Janar 1982
1.
Kam shkruar
këtë letër të gjatë
deri në fund të këngës
me lotët e derdhur pikë-pikë
përpara botës së shurdhtë
edhe njëherë bëhem fëmijë
"kush të vrau o Jusuf Gërvalla" [1]
i marrtë Mortja
me gjirin e shterur
Kokrra e Kripës le të pëlcas
fuqishëm midis tokës
derisa Bekimi i Nënëmadhes
të bëhet bekim i përjetshëm
si pemë e pjekur
e trojeve tona...
2.
Nuk e di
në cilin varg për Ju do të vdes
kur të shpie në vend amanetin tuaj
e trojet shqipe
do të ulen këmbëkryq
në një sofër të madhe të pishave tona
si gjënë e shenjtë
që nuk harrohet
të qajmë dhimbjen tuaj
si është e mundur
të ndahen tokat tona
kuçedrat në çdo anë
na kanë rrethuar
shqyejnë sa mundin trojet tona
rrënojnë kullat me fëmijë
pluhur i bëjnë sikur të mos jenë
gjuha e bukur të mos ekzistojë
nëpër ato pjesë të gëlltitura...
Tani Zoti të dëgjojë
ankesën me lot
zëdhënës të tjerët janë bërë
pëshpëritin
në çdo varg që e nxjerrin
duke ndihmuar
pa pushim
copëtuesit e tokave tona
3.
E kush ka guxuar
t`u vrasë
me gojë të mbyllur
kanë mbetur miqtë
pranë thirrjeve tuja
as klithja nuk u dëgjohet...
Anash
do ta hedhë këtë fletë
të shkruar në paharrim
jeni vet Dielli
që ngrihet ngadalë
gjelat në mëngjes kur këndojnë
nga Burimi
do të vijë Drita e juaj
për të pushtuar të gjitha Zemrat
mbase
do të shkruhet përgjithmonë
emri i juaj i pavdekshëm
në fletën e madhe të Qiellit
[1] Varg nga kënga e parë, e kënduar për vrasjen e tyre të dhimbshme.