Gëzim AJGERAJ:

 

DRITËHIJET E MËRGATËS SHQIPTARE NË ZVICËR, NËN DIOPTRIN E SKICAVE AUTOBIOGRAFIKE, STUDIMEVE DHE AKTEVE NDËRKOMBËTARE 

 

Brahim AVDYLI, ”MËRGATA SHQIPTARE E ZVICRËS DHE ROLI I SAJ“, Studime, skica autobiografike dhe akte ndërkombëtare, Botoi SHB “Brezi `81“, Prishtinë, 2011, faqe 250, ISBN 978-9951-424-36-3

 

Duke e lexuar si tërësi librin e studimeve, skicave biografike dhe akteve ndërkombëtare „Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj“, del para të vërtetës së pamohuar, se është fjala për një veprimtar të madh të çështjes kombëtare. Edhe po të mos e kishe njohur autorin e librit, me ato që thotë ai, e sheh tërësisht një veprimtar të denjë të çështjes kombëtare, një aktivist të lartë të Partisë së Unitetit Kombëtar Shqiptar-UNIKOMB, një ideator të palodhur për bashkimin e popullit dhe kombit shqiptar, përmes një rezistence të mirëfilltë aktive dhe çlirimtare, apo siç e thotë ai „për të organizuar rininë luftarake në të gjitha trevat ku bukës i thonë bukë e ku aspirohet për çlirim e bashkim kombëtar“[1]).

Po të ndalësh në skicat biografike, është e pamundur të mos i shohësh „vitet e thyerjes së madhe dhe lëvizjes gjithëshqiptare“ në një periudhë prej 20-30 vitesh përplasje me çdo çmim të autorit të veprës nëpër duart e zgjatura të UDB-së dhe nëpër ndërskëmbëcat e vëna kudo nga shqipfolësit, për të bërë përpjekje për ta vrarë apo për ta larguar përfundimisht nga Zvicra. Ne e dimë se nuk ishte asnjë gazetë shqiptare as e huaj e gatshme të shkruaj për peripecitë e mëdha jetësore të autorit dhe të 3 provave të atentatit në Zvicër. Këto raste na tregojnë me të vërtetë poetin, shkrimtarin, organizatorin dhe veprimtarin aq të denjë të çështjes kombëtare, z. Brahim AVDYLI, të vuajë, të përpëlitet dhe të mos pushojë prej vitit 1981, si një ndër dhjetra iniciatorët e demonstratave të vitit 1981 me Kadri Zekën, si anëtar i LNKçVSHJ-së së Jusuf Gërvallës, e deri në 3 provat e atentatveve në Zvicër. Këto janë pak për një veprimtar të palodhur si Brahim AVDYLI, për të cilat nuk i është kushtuar as edhe një minutë.

Ne i kemi lexuar rrëfimet. Ai nuk i kishte vetëm këto prova të atentateve. Tre plumbat e parë janë zbrazur në Kosovë, (fakte dhe detaje që i jep autori në libër, e që për natyrën e recensionit nuk do të lëshohemi në emra), ku ishte e hapur dosja e tij „si armik i përbetuar të Jugosllavisë“. Në Armatën Jugoslave nuk e kishte dhënë fare betimin. Aty vjen prova e dytë për ta vrarë në orën 24, në shtrazën e municionit të artillerisë, në Prilep të Maqedonisë, gjë që nuk pati sukses, por që e kishte zbrazur ushtari serb një karikator të automatikut. Në këtë armatë ishte zënë me burg shoku i tij i ngushtë Naim Krasniqi, gjë që nuk e thotë autori, sepse nuk flitet për Gjermaninë. Tri prova të tjera i kanë ndodhur në Shqipëri, ku pothuajse gjysma e qytetarëve saj ishin kthyer me sy nga Jugosllavia (siç thotë autori) dhe ia rekomandonin autorit me provokime të një pas njëshme si „mike të shqiptarëve“, ndërsa po bëheshin përpjekje për të organizuar kryengritjen çlirimtare në Kosovë me të gjitha trojet shqiptare të Jugosllavisë, nën dhunën e egër serbo-sllave.

Mjafton të dimë këtë periudhë kritike deri në përfundimin e luftës çlirimtare në Kosovë, ku autori na i jep edhe listën e publikimeve shkencore në fund të librit, të cilat i kujtojmë nga revista e tij periodike gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, „Zëri i Kosovës“, „Zëri“ apo ndonjë numër i gazetës „Kombi“. Ende na kujtohen shkrimet e tij „Ora e fundit për opsionin e fundit“, gazeta „Kombi“, Tiranë 12 gusht 1992; „Nëpër udhëkryqet e Lindjes dhe Perëndimit“, Revista „Zëri“, Prishtinë, Dhjetor 1992; „Filozofia e durimit dhe tiparet e përgjithshme të një demagogjie“, gazeta „Zëri i Kosovës“, Zvicër, 1 janar 1993, dhe „Qëndresa“, Zvicër, janar-shurt 1993; “çlirimi dhe bashkimi i kombit-imperativi më i lartë për të gjithë shqiptarët“, „Qëndresa“ në Zvicër, shtator 1993; apo „Mobilizimi mbarëshqiptar dhe çështja jonë kombëtare“, e botuar në vazhdime në revistat çlirimi“- organ i LNçK jashtë vendit dhe „Emigrati shqiptar“, Tiranë, në vitin 1999.

Po të mos i kishim njohur këto detaje të jetës së palodhshme tij dhe të mos ia kishim ditur përkushtimin e pandërprerë për çështjen kombëtare, duke marrë këtu edhe intervistat e tij të dhëna në Radio Tirana dhe gazetat e Shqipërisë, ndër to po e përmendim intervistën me veprimtarin e çështjes kombëtare, të dhënë në 2 vazhdime të Gazetës ASD, „Një popull që nuk di të mbrojë të drejtat e veta, historia i bëhet njerkë dhe e harron përgjithmonë“, atëherë nuk do të kishim kuptuar drejtë të dhënat biografike të tij në këtë libër, të cilat do të duhej ti shkruante tjetërkush, po të mos ndërlidheshin kryekëput me ngjarjet e dhëna nga mërgata shqiptare e Zvicrës.

Është e patjetërsueshme që të mos jepen këto skica biografike, sepse ato i ndërlidhin ngjarjet dhe i japin siç kanë ndodhur me të vërtetë. Janë pjesëtarë të jetës së përgjithshme të veprimtarit nëpër peripecitë e shumta të tij në Zvicër dhe zëdhënies së tij të paevitueshme, të dokumentuara nga dy letra të mëdha në këtë shtet, të marrura si përgjigje nga Radioja gjermane dhe retoromane e Zvicrës dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Flavio Cotti, që i drejtohen atij si veprimtar kombëtar dhe Kryetar i UNIKOMB-it, dhe na e japin të madh autorin e veprës ashtu siç ka qenë. Fotografitë në fund të veprës me të gjithë ata që i nxjerrë ai, që nuk janë në të njëjtën parti, por kanë domethënie të caktuar për çështjen kombëtare, kush më shumë e kush më pak, të dhënë në konkretësi Salih Sejdë Bukollën, Rexhep Qosjen, Agim Vincën, Xhavit Hoxhën, Antonio Bellushin, Din Mehmetin, Azem Shkrelin, Kadri Rexhën, Bajram Kosumin, Hajdin Abazin, Nuhi Bytyqin, Agim Ramadanin, Avni Deharin, etj. e deri në fjalimin e tij të 30 vjetorit të demostratave të vitit 1981 dhe të pjesëmarrësve të tyre kryesor, si Hasan Malajn, Saime Isufin, Faridin Tafallarin, Ramadan Pllanën, Asllan Dibranin dhe autorin e veprës në fjalë, janë fotografi dëshmuese pa komente, të cilat, ne i kuptojmë si duhet. Pa këto nuk ndriçohet mërgata shqiptare e Zvicrës në „vendin kryesor të skenës botërore“. (Faridin Tafallarin dhe Brahim Avdylin i kam shokë, por ata janë shokë në mes vete dhe njihen që moti).

Tani, po i kthehem Zvicrës, të cilën ai na e pasqyron me nivel të jashtëzakonshëm shkencor. Lexuesit e shumtë e kanë njohur si poet kombëtar, por një pjesë e ka harruar atë si gazetar dhe nuk e njeh si shkencëtar. Brahim AVDYLI na e shkruan dhe e njeh Zvicrën në nivelin e shkencës dhe e trajton si shkencëtar i mirëfilltë, për çka bien ngadalë përdhé pseudoshkencëtarët, madje edhe të Zvicrës nga 76 veprat e studiuara dhe të dhëna në literaturë, disa nga ky shtet apo përëndimi. Gjurmët e para shqiptare na e japin pasqyrën e shkurtër prej gjenezës së shqiptarëve dhe të Zvicrës, që dalin me gjurmë të hershme pellazge, e neve nuk na flenë lehtë në tru, sepse jemi „mësuar“ me „histori“ tjetërfare të mbjellur nga ideologjia gënjeshtare serbo-sllave. Zvicra nga kohë të lashta quhej Retija. Retija e vogël është sot te Prizreni. Më duhet të lexoja edhe njëherë, dy herë dhe së mbrami të vi te e vërteta, se Retët kanë qenë një fis i veçantë pellazg, që nuk e thonë në Graubünden shkencëtarët Zvicëranë, dhe askush nuk ua vë veshin atyre. Ata „i harrojnë“ qytetarët, sepse janë „të zënë“ me propagandë kundër të huajve dhe shqiptarëve, për të cilët thuhet se kanë ardhur në vitet e 60-ta apo të 70-ta.

Mësohemi të themi heshturazi „populli zvicëran“, por nuk e kuptojmë se ky emër, siç na e thotë autori i veprës, është vënë nga Shvici, pra nga „Schwytz“-i, prej nga e ka marrë tërë emrin „Schwitzerland“, e më vonë u quajt „Schweiz“, duke mos e kuptuar se Etruskët, Arianët dhe Retët kanë qenë tre popujt që e kanë themeluar Zvicrën, që janë fise pellazge. Aq më pak na bie në kokë e dhëna shkencore për Retët, që janë ¼ e Zvicrës dhe nga fillimi i saj janë aty, një pjesë të ardhur nga reto-romanët. Ata luftuan për gjuhën e tyre dhe u njohën së fundit si gjuhë e katërt e Zvicrës.

Gjithashtu, jemi mësuar me të ashtuquajturit „dijetarë“ që na i japin „të dhënën“ se retët „kanë ardhur në Shqipëri e Kosovë me romanët“, pa e ditur rolin e tyre, dhe i lidhin gabimisht me rumunë (jo ciganët, rom). Retët janë Kuretët e vjetër, mbrojtësit e Zeusit fëmi, kur „u rrit Ai“, emri që iu kishte dhënë Kretës në Greqi (vendi i parë Kuretëve), që na e thotë simbolikisht autori në pjesën e fundit „Shpëtimi i rinisë shqiptare në Zvicër“ për Zeusin dhe Greqinë, pa e dhënë prejardhjen e tyre. Ne nuk do ta kishim kuptuar se Brahim AVDYLI e njihte mirëfilli të vërtetën shkencore dhe nuk i njeh disa „shkencëtar“ shqiptar, të cilët, japin të dhënën që „jemi prej ilirëve“. Retët apo Kuretët ishin popullsi pellazge, të ardhur edhe përmes romakëve, duke u sjellur në vende të ndryshe të Evropës, siç kishin qenë den-babaden bujq dhe blegtor, por duke i ruajtur emrat e vjetër për shqiptarët, si „albanatscha“. etj. Këtu kishin ardhur shqiptarët-pellazgët, pra ilirët, etruskët, arianët dhe retët, që në kohët e lashta që nuk mbahej mend nga njerëzit e këtushëm. Fjalët e tyre shqipe kuptohen edhe sot prej shqiptarëve. Flamuri kombëtar shqiptar ka shpëtuar këtu prej vrasjeve, ndjekjeve dhe shkatërrimit të shumtë nga armiqtë shekullorë. Shqiponja dy-krerëshe, në fushën kuq e zi, është vizatuar në xham, në vitin 1519/20[2]), në Rathaus të Bazellit, për çdo Kanton të Zvicrrës apo në Katund, siç thuhet reto-romanisht dhe në shqipen e vjetër. Këto janë shqiponjat tona, por edhe me një krye sikur te Habsburgëvet, që është i të njëjtës prejardhje kombëtare. Gegët dhe Toskët janë vëllezër, thotë autori. Të tillë jetojnë edhe sot.

Ne nuk do ta kishin thelluar mendjen tonë dhe ta kuptojmë autorin se Retët, alias Kuretët, ish trualli i vjetër i tyre Greqia, që quhej më parë Pellazgia, ka ikur prej Greqisë së atëhershme të okupuar prej egjiptianëve, libianëve të afrikës dhe sirianëve, që po shpikej me gënjeshtra nga pakica në krahasim me shumicën pellazge, që fliste edhe atëherë një gjuhë. Kjo është pjesë e vogël në këtë vepër që do të merret me mërgatën shqiptare të Zvicrës në kohën e fundit dhe nuk ka kohë të merret me shpjegime shkencore nga gjeneza e deri më sot, sepse kjo është e madhe, por autori do të na e thotë në ndonjë vepër të tij të mëvonshme. Lidhja e kombeve dhe çështja shqiptare, bazat e mërgatës shqiptare, si dhe krijimi i organizatave dhe klubeve shqiptare në Zvicër e marrin një pjesë të konsiderueshme të veprës në fjalë.

Shqiptarët që prej kohëve të vjetra, nga themelimi, janë në Zvicër. Rrënja e jonë merret nga pellazgët hyjnorë. Zvicra shtetërore na kundërshton sado pak dhe na jep informata të gabuara për shqiptarët. Shqiptarët në Zvicër jepen në vazhdimësi nga koha e Skëderbeut. Këtë nuk e dinim ne që ishim rrasur me gabime prej pseudoshkencëtarëve. Kur lexohen këto gjëra në një libër shkencor, të studimeve politike dhe shkencore, na nxjerrin para një fakti të kryer shekuj me radhë në këtë shtet, që ne prapë nuk e kishim njohur si të tillë. Zvicra është e themeluar prej nesh, por që nuk flasin shqip. Janë këto familje të tëra që janë edhe sot familje që e ruajnë emrat e tyre shqiptar, si psh: Familjet Kurti (Curti), Burri, Rasi dhe Rassi, që janë më tepër se 500 familje nëpër tërë Zvicrën. E lexojmë dy-tri herë dhe më në fund i kuptojmë. A mund të jetë Zvicra si „albaner“? Jo, ashtu nuk duan ta kuptojnë institucionet shtetërore të Zvicrës. Ata janë pranuar me vështirësi si „kosovarë“ të rinj. Por, në të vërtetë, janë shqiptarë, ilirë, pellazg.

Pastaj na i jep autori të gjitha organizatat, shoqatat, klubet dhe personalitetet me adresat e tyre të vërteta, siç kanë qenë dhe janë ato, duke përfshirë edhe ato fetare, katolike dhe muslimane, sunit dhe sheit; ambasadat e Shqipërisë, të Kosovës dhe Maqedonisë, madje ato që na prezantojnë në OKB, ku autori ka qenë dhe e ka vendosur një fotografi në vepër. Në vijim është një provë e larmishme gjithëshqiptare, që autori nuk i ndanë siç „deshën“ të ndaheshin shqiptarët e Shqipërisë, të Maqedonisë, të Kosovës, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Këtë na e shpjegon më mirë pjesa për unitetin e kombit shqiptar dhe përçarjet sistematike të tij. Ne nuk e duam zgjidhjen e çështjes kombëtare, pra bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të vetëm kombëtar dhe mashtrohemi pas zgjidhjeve pjesë-pjesë siç dëshironin armiqtë tanë kombëtar dhe jepeshim pas çështjeve të lirive qytetare, socialeve dhe njerëzore, sipas ndarjeve administrative të tokave shqiptare. Toka e ruajtur me mund në mes të 5 shteteve të organizuara në kulm kundër shqiptarëve mbeti e ndarë. Një gjuhë e kemi ruajtur deri sot, shqipen, nga ilirishtja-pellazgishtja-thrakishtja e vjetër. Autori duhet të na e japë më konkretisht çështjen strategjike dhe veprimin tonë politik nëpër veprimin antikombëtar të Londrës së lidhur nyje me sllavët dhe Rusinë. Kjo e la pa zgjidhur çështjen kombëtare gjithëshqiptare. Ai merret me politikën ndërkombëtare dhe rolin që Zvicra dha kontribut të veçantë, falë edhe kontributit të autorit. Zvicra është e lidhur në skenën botërore dhe marrëdhëniet politike ndërkombëtare. Pak flet dhe shumë vepron. Është e pavarur dhe neutrale. Nuk përzihet dhe nuk deklarohet. Zvicra ka rëndësi të veçantë për SHBA-të, NATO-n, BSBE-në dhe botën demokratike.

Evropa u krijua. Me shqiptarët…

Pra, të gjitha këto detaje lexoni me vëmendje, siç na porositë autori. Njëherë, dyherë, triherë, për të kuptuar shumë fakte dhe detaje, ndoshta edhe të pa thëna e të pa njohura deri më tani. Autorit i dëshirojmë suksese të reja…


[1] Fjala e Brahim Avdylit, me 5 korrik 1992, Glatbrug (Cyrih), dhënë në veprën e A. Deharit dhe D. Hajdinit „Arif Seferi, në shërbim të popullit“, SHHSH „P.Bogdani“, Biel-Bienne 1993.

[2] ) Hans Peter Treischler & CO „Abenteur Schweiz/Geschichte in Jahrhundertschriten“, Dreizehnte Buchgabe des Migros-Genossenschaftes-Bundes, Limmatdruck AG, Spreitenbach 1991, faqe 122-123.