
Gani BYTYÇI:
POETIKA E LIRIKËS SË DHEMBJES
Fjala e rastit në përurimin e librit me poezi "Arena e dhembjeve", Meshari, Prishtinë 2017, të poetit Brahim Avdyli, në manifestimin promovues të QSHKI „BESA“, në Kreuzlingen/TG
Portreti krijues i Brahim Avdylit është një mozaik, që ndërtohet e shtrihet në disa fusha krijimtarie, por vokacioni i tij i parë dhe i përhershëm, gjithësesi është dhe do të mbetet poezia. Ai është ndër poetët më të mirë të gjithë mërgatës shqiptare.
Poeti Brahim Avdyli, tani po e përmbush harkun kohor prej 4 dekadash, që kur merret me krijimtari letrare. Këtë herë, ai na vjen me një përmbledhje poezish, me titull mjaft simbolik "Arena e dhembjeve", për të cilën mund të mendojmë së është vazhdim i poezisë postmoderne, po që në të vërtetë, ai me këtë përmbledhje na e sjellë një lirikë, nga ato lirakat më dramatike e më tronditëse.
Me këtë përmbledhje, na e sjllë në vargje atë dhembjen, të cilën kur e lexojmë këtu, e kuptojmë se atë të gjithë e kemi, të pranishme në brendinë tonë, kush më pak e kush më shumë. Është kjo dhembja drithëruese, që na e jep përditshmëria kozmopolitike, siç do ta quajë figurshëm poeti. Është dhembja, të cilën na e jep vetmia, sëmundja, dëshprimi, melankolia, mungesa e frymës së atdheut, gjithandej dhembja therëse të cilën na e jep mungesa e njeriut, e familjarit, e të dashurit. Që na e jep mungesa e frymës njerëzore aq të nevojshme e aq të domosdoshme për ekuilbrin shpirtëror e emocional të çdonjërit prej nesh.
Motivi poetik si lirikë e dhembjes
Motivi i poezisë së Brahim Avdylit është përditshmëria e jetës sonë. Ai është familja dhe shoqëria me të gjitha emocionet dhe tronditjet e dramat që na japin ato. Është e kaluara e sotmja dhe e ardhmja. Ai është historia e gjeografisë së etnisë dhe Atdheut të tij. Është pushtimi, tkurrja, shkatërrimi, zbrazja e hapësirës gjeografike të Kombit tij. Është motivi historik, ai gjuhësor, është gjeneza kombëtare, rrënja e gjaku i tij. Ai qëndron si druri, si shkëmbi i lidhur për truallin, për tokën e vet.

Brahim Avdyli është një lirik i shqetësimit tronditës. Është poet i dhembjes drithëruese, është lirik me të gjitha elemntet dramatike e tragjike deri në trishtim të jetës në vargje.
Mungesa e Atdheut si dimension i dhembjes
Ka më shumë se tri dekada që poeti jeton jashtë Atdheut. Ndaj dhembja nga mungesa e tij është e përhershme dhe shqetësuese deri në trishtim. Kur ia kthen shpinën Atdheut, poeti pikëllohet deri në dhembje trishtuese. Këtë dhembje e trishtim ai e shpreh me vargjet:
„E mban fort
Zemrën tënde
Që të mos dalë prej krahërorit…“
Dhe vazhdon:
„Ëndër e zhgjëndërr
Përplasen nëpër brigje
Bashkë me reshjet e forta të dhembjes…“
Të ndalemi një çast tek këto vargje, miq të nderuar. Këtu, sikur janë ngatërruar ëndrra dhe jeta aq sa nuk dihet ma se cila është futur brenda tjetrës: jeta është futur në ëndërr apo ëndrra është bërë jetë! Kuptojmë vetëm atë se edhe njëra edhe tjetra përplasen brigjeve të dhembjes. Dhe kjo jetë ëndërr apo kjo ëndërr jetë, këtu përplaset si shtrëngatë, rrëbesh, stuhi, furtunë që përmbyt e rrënon gjithçka, të shpirtit tonë.
Në vargjet e mëposhtme:
„Jam në atdheun e dytë
kënga është tjetër…“
Me këto vargje, poeti sikur pajtohet me mungesën e Atdheut, të cilin e kthen në varg e në dhembje:
„Nuk e di a jetoj
apo kam vdekur nëpër vargje…“
Më tej, poeti sikur na thotë se njeriu mërgimtar, e ka humbur edhe nocionin, ndjesinë për kohën dhe hapësirën:
„Aspak nuk e kuptoja
në cilën kohë luaja
me këngët e mërzitura
askush nuk i dëgjonte
askush nuk i këndonte…“
Por e gjithë kjo, ani pse dhembje therëse e pafundme, nuk është as pesimizëm as dhembje e pashpresë. Poeti, shpresën sikur e mban të mbyllur diku thellë në brendinë e tij, për të cilën mendon se një ditë ajo do t`ì kthehet:
„shpresoj se do të vijnë
një ditë mjellmat
e të kërkojnë një jetë të pakryer…“
dhe vargjet tjera, ku shpresa dhe optimizmi, sikur vijnë e bëhen më të dukshme e më të fuqishme:
„ndoshta
prapë i kërkoj, librat e lëna përgjysmë
gjatë largimit, nga jeta e përkohshme…“
Poeti është racional ndaj dalë nga dalë e duke fituar betejat, ai sikur tërhiqet nga dyluftimi me jetën, pra tërhiqet nga arena e dhembjeve dhe përpara vetes e përpara nesh nxjerr shpresën reale me vargjet:
„Mëngjeseve, zgjohem e dal përsëri
në dhomë të pritjes,
e ulem
para tryezës së kohërave…
Për dritarët e hapura të ditëve
futet shëndetshëm Dielli,…
e unë, vërtet do të ik përtej të mundshmes
e do të kthehem
me dellin e ëndrrave të mia.”

Lirika familjare apo pengu i dhembjes
Të ndalemi pak tek poezia “Në bulëzimin e këngëve” (mbesës Leonitës). Janë këto vargje, që të përshkojnë më shumë se dhembja, më rëndë se trishtimi, që të djegin më shumë se zjarri, që të pushtojnë më fuqishëm se dashuria, më mbytëse se harrimi, më ankthshëm se vdekja, ngase në këto vargje poeti ka futur gjithë dhembjen e trishtimin, mungesën e harrimin, dashurinë e ngrohtësinë, që na i jep e na i merr jeta. Është tronditja që na godet nga mungesa e pranisë dhe malli e dashuria për ata që i kemi kuptimin e ekzistencës sonë, kuptimin dhe motivin e dashurisë, përmbajtjen e përditshmerisë, ata që janë kuptimi i jetës dhe i vdekjes sonë, fëmijët, familjarët, të dashurit tonë!
Mungesën e fëmijëve e dhembjen që jep ajo, poeti i shpreh me këto tri vargje antologjike:
„Me lot në faqe i mati lëvizjet e tyre
me të hollat që më mungojnë
më shumë se frymëmarrja ime…”
Ndërkaq, mungesën e mbesës Leonitës, poeti e shpreh me këto vargje tronditëse:
„Më duket
sikur më shikon
me pikëllim
përtej rrugëve të largëta,…
Ku e di çka kërkon
përtej bjeshkëve,
në qiellin e fëmijërisë,…
dridhem
e plasi
në dhembjen
e mungesës sate!“
Kjo është vetëm një pjesë e motivit, preokupimit, shqetësimit e dhembjes lirike të Brahim Avdylit e që tek ne na vjen si refleksion i dhembjes poetike, artistike.
Dhe krejt në fund, të themi se poeti Brahim Avdyli, shtegton nëpër të gjitha plagët e stinëve dhe atyre ua merr të idhtët nëpër vargje. Ai ndërron ngjyrë e thinjet me përplasje. Kur erdhi në jetë, babai i shenjtë i kohërave e këshilloi, prandaj (ai) diell e hënë i mbanë mbi vetull, diell e hënë i ruan nën sqetull!
Poetët e kanë (edhe) këtë privilegj, e kanë këtë magji!
Ju falemnderit!
Kreuzlingen, 05. 05. 2018