
Avni DEHARI:
Dhembja e fjalëve të pathëna
Poeti shqiptar nga Kosova, Brahim Avdyli, me poezitë e para është paraqitur aty nga fundi i viteve 70 të shekullit të kaluar në gazetën “Bota e re” dhe në revistën “Zëri i rinisë”, që dilnin në Prishtinë. Në vitin 1983, ai doli me përmbledhjen poetike me titull “Nën hijen e Alpeve”, që e botoi shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë. Libri, që u prit shumë mirë nga lexuesi dhe nga kritika letrare, hyri në përzgjedhjen e ngushtë për shpërblimin “Hivzi Sylejmani”, që u themelua po atë vit, për librin më të mirë të autorëve të rinj.
Për poezi të goditura e të gdhendura Brahim Avdyli deri më tani disa herë është shpërblyer me çmime letrare. Në konkursin për festat e nëntorit, të organizuar nga “Zëri i Kosovës”, organ i LPK-së, në vitin 1997, u nderua me vendin e dytë. Në Takimet Pranverore të Krijuesve në Diasporë, që u organizuan më 2001 në Bazel, e fitoi çmimin Pena e Artë. Shpërblimin e parë “Agim Ramadani” e fitoi në konkursin e Qendrës Kulturore Shqiptare për Poezi, në Cyrih, më 2009. Shpërblimin e dytë për poezinë më të mirë e mori në konkursin letrar, më 2010, në Orën Tradicionale Letrare të LSHAKSH-së (Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe e Krijuesve Shqiptarë) në Koblenc të Gjermanisë dhe shpërblimin e parë në konkursin e së njëjtës Lidhje më 2011.
I lindur në fshatin Morinë të Malësisë së Gjakovës, ky i ri, me poezitë e botuara deri atëherë dhe me përmbledhjen “Nën hijen e Alpeve”, nisi ta sfidonte realitetin, që e trajtonte ashtu siç ishte e jo siç e paraqiste elita e shtetit të kohës. Rruga e qartë, që kishte përcaktuar, guximi, mendjemprehtësia dhe porositë, që ua përcillte brezit të tij nëpërmjet vargjeve “kryeneçe”, që në hapat e parë i shkaktuan kokëçarje. Në vend të përgëzimit dhe të mbështetjes për punën e mirë intelektuale dhe për gdhendjen me durim e me mjeshtëri të vargut poetik, suksesi, që nuk i mungonte, i ofronte vështirësi, pranga e birucë, që shumë talente i kishin provuar para tij. Me gjithë ballafaqimet dhe rreziqet Brahim Avdyli nuk e ndryshoi qëndrimin. I shtrënguar nga diskriminimi politik, si shumë bashkëvendës të tij, shkoi në dhe të huaj, në Slloveni, në Itali dhe në Zvicër. Atje iu bashkëngjit vargut të shumë intelektualëve që në vitet 80 të shekullit të kaluar, për të mos rënë në burgjet e Jugosllavisë, për shkak të kërkesave për liri më të mëdha, detyroheshin të dilnin në botën e jashtme. Edhe pse larg, shpirtërisht do të jetë shumë afër me Kosovën e tij të dashur, që kishte filluar të ngjallej, sepse kishte ardhur koha të mos e duronte më pozitën e të shtypurit.
Poeti i ri kurrë nuk e nëpërkëmbi misionin fisnik, që e kishte proklamuar që në vargjet e para të vjershës së tij “Opingave të mia”, me të cilën hapet përmbledhja “Nën hijen e Alpeve”. Titulli i kësaj përmbledhjeje është mjaft domethënës. Alpet, që në jetën e përditshme, me hijen e tyre freskuese, janë madhështore, të rëndomta dhe të kapshme për të gjithë, në poezi na dalin me plot simbolikë. Majat e tyre të larta, që edhe verës mbajnë borë, shpatet e tyre të veshura me pyje plot bukuri, gjelbërim e freski, paraqesin bardhësinë, çiltërsinë, gjerësinë e shpirtit, madhështinë dhe patundshmërinë e karakterit të njeriut. Hija e tyre, që poeti e lakmon, nuk e josh sa për ta larguar vapën me freskun e saj, por për të marrë fresk e vrull, për t’u shfaqur me gjithë madhështinë e tij artistike para lexuesit, ashtu siç dinë të shfaqen madhështore Alpet me bukuritë e veta para syrit të atij që i shikon nga larg e nga afër. Kujtimi për Alpet do ta përcjellë këmba këmbës, ditën dhe natën, në vendlindje dhe në mërgim – kudo në jetë dhe nëpër botë. Me fuqinë e tyre magjike do t’ia prangosin në zemër dashurinë për atdheun dhe për popullin, sepse ato vetë janë atdheu dhe populli i poetit, pa të cilët ai nuk paraqet asnjë vlerë. Ai kishte vendosur të shkruante për këto Alpe, do të thotë për atdheun dhe për popullin e përvuajtur, edhe pse ishte i vetëdijshëm se do të përballej me të papritura të shumta, që do t’ia bënin të pamundur të qëndronte e të jetonte pranë tyre. Alpet, me freskun magjepsës, përpos forcës poetike, i dhanë mbështetje dhe guxim për t’iu kundërvënë së keqes, që ndër shekuj i kishte rënë në qafë popullit të tij. Duke i pasur të gjitha këto parasysh, poeti nuk mund të devijonte dhe të mos i përkushtohej me mish e me shpirt misionit të tij, që e kishte shpalosur nëpërmjet fuqisë magjike të fjalës së shkruar.
Që në hapat e parë duket qartë se autorit nuk i interesojnë kurorat me dafina, që, për shkak të sukseseve në vargëzim, mund t’i kishte që nga fillimi, as të mirat materiale, që do t’i gëzonte po t’u shkonte pas avazit pushtetmbajtësve, që me pishë në dorë kërkonin servilë. Nëpërmjet fjalës së shkruar ai kishte vendosur ta pasqyronte jetën e vështirë të popullit të vet dhe të ndikonte për ta përmirësuar pozitën e tij dhe për t’u çliruar përgjithmonë nga çizmja e rëndë e robërisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi Brahim Avdyli ishte i vetëdijshëm se vargu i tij duhej të dallonte nga vargu i poetëve që shquheshin për art, por jo edhe për trajtimin e çështjeve jetike të popullit e të atdheut. Në vjershën “Opingave të mia”, me të cilën hapet përmbledhja “Nën hijen e Alpeve” ai pohon se vargu i tij, që ngërthen në vete papajtueshmëri dhe ironi, ushqehet me vuajtjet dhe dashurinë e atdheut e të popullit: Poetët e mëdhenj do të qeshin / me këto vargje për ju / do të neveriten nga era e djersës / dhe era e baltës”.
Si një poet lirik, Brahim Avdyli, në vargjet e tij trajton motive sociale, politike, patriotike e meditative. Për shkak të çështjeve të ndjeshme që i trajton, duke filluar që nga përmbledhja e parë dhe në ato që pasuan më vonë, u pa me sy të keq nga pushtetarët e kohës dhe u detyrua ta merrte rrugën e mërgimit. Masa e diferencimit që pushteti i Serbisë e zbatonte e kishte privuar shqiptarin nga të gjitha të drejtat elementare: “për të folur”, “për të punuar”, “për të dalë në rrugë”, “për të menduar me kokën e vet”, “për të materializuar ekzistencën, frymimin e vet”, “për të qenë me duar të zgjidhura / sepse ishte shqiptar”. Shqiptarit nuk i kishte mbetur tjetër pos “për të vdekur për liri”, shton ai në vargun e fundit të vjershës “Diferencimi i të diferencuarve në kuptimin praktik”. Meqë ende nuk ishin pjekur kushtet për një akt të tillë, Brahim Avdyli, si një shqiptar i diferencuar, iu bashkëngjit vargut të shumë mërgimtarëve bashkëkombës, që për shkak të dhunës dhe të padrejtësisë ishin detyruar t’ia mësynin vendeve të Evropës Perëndimore dhe të kontinenteve të tjera për ta siguruar kafshatën e gojës, për t’u strehuar dhe për t’u ndihmuar familjarëve të tyre. Ai që në Ballkan e kishte të vështirë të frymonte si shqiptar, në dhe të huaj has në vështirësi të tjera. Në këtë botë të industrializuar, ku interesi material e shkel pamëshirshëm altruizmin, krahas mallit përvëlues për vendin dhe për njerëzit e tij, ballafaqohet me përbuzjen, me punën e mundimshme fizike dhe me barriera të shumta në jetë. Në vjershën “Një letër e jashtëzakonshme”, në të cilën në vend të letrës për të shkruar, ai në “faqet e zhubravitura të fatit” i thotë të birit “Dramën time të përditshme / s’ta dëshiroj biro”.
Vuajtjet në dhe të huaj, ku nuk dëshiron të mbetet për gjithnjë, janë të mëdha, por shpresat për kthim edhe më të mëdha. Në poemën “Bisedë me Nëntorin”, bisedon me Nëntorin, që herën e parë, në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kishte ardhur “mbi shpatën e zhveshur / të rrezeve të kuqe”, herën e dytë, më 1912, me Shqipërinë e cunguar, “na erdhe i ngutshëm”, sa për ta ngritur “kasollen e së nesërmes / sa për të pasur vend / për sofrën e dashurisë / e djep / të rilindeshim sërish”, kurse “Të tjera herë na erdhe / me dy fytyra / që dallonin si nata e dita”, pra na premtoi liri e na solli robëri, siç ndodhi me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. E lut Nëntorin të nxirrte mësime nga përvoja e hidhur, të bëhej i papërsëritshëm dhe t’i jepte fund padrejtësive historike: “Vetëm kështu do të jesh / datëlindja jonë e tretë - / Nëntor i pavdekshëm!”.
Në dhe të huaj ku çonte jetë të padinjitetshme, siç shprehet në vjershën “Jetë rezilantësh” azilant je rezilant / nichts, nimand / eine Flecke in Euorpa! ...”, vetëm shpresa për Nëntorin e lirisë, që duhej patjetër të vinte, dhe poezia, mikja më e dashur që ia mëkon shpresat për kthim në Kosovën e tij dashur, i japin vullnet për jetë. Se sa dashuri ushqen për Kosovën dhe për lirinë e saj, mjafton t’i referohemi vjershës “Mjerë ai që vdes pa lirinë tënde”. Nën këtë titull, që shpërthen si një dhembje therëse nga thellësitë e shpirtit, pasojnë vargjet antologjike, që në vete ngërthejnë mallin dhe dashurinë e pashoqe për atdheun: Asnjë varg pa shkelur dheun tënd / nuk lind i bukur / asnjë metaforë pa ujin e gurrave tua / asnjë flutur vargjesh / pa lulet e egra të luadheve / pa erën e lule-çajit rogave të malit”.
Dhembjen e vargut Brahim Avdyli e kishte ndier në shpirt që herët. Si një shkulm ajo ia çante gjoksin kur censura e pushtetit ia ngushtonte hapësirën dhe e pengonte të shprehte atë që i vlonte në gji. “Ju lind dhe ju rris të gjymta / për ta bartur tërë jetën / brengën e fjalës së pathënë / peshën e fajit që më përvëlon”, shpërthejnë si lavë vullkani vargjet e poezisë “Torzo e shpirtit tim”. Për shkak të peshës së pështirë të censurës gati dhjetë vjet përmbledhja e tij “Kur zgjohet Dodona” nuk doli nga shtypi. Vërtet ai i lind dhe i rrit vargjet të gjymta, por nënteksti i tyre flet shumë. Figuracioni, nëpërmjet të cilit mundohet ta nxjerrë fjalën e pathënë i ka kushtuar shumë. Brahim Avdyli edhe në Kosovën e tij të dashur, ku kishte lindur e ishte rritur, për shkak të mendimeve të guximshme, nuk mund të kthehej lirisht. I ftuar, kishte udhëtuar nga Zvicra, ku punonte, për të marrë pjesë në një orë letrare që klubi letrar “Jeronim De Rada” i Fakultetit Filozofik të Prishtinës e kishte organizuar. Nga droja se do ta pësonte, po t’i ziheshin nga policia serbe, poezitë, që donte t’i lexonte, vendosi, në atë orë letrare, ato t’i thoshte përmendsh. Me këtë rast, aty për aty, i shpërthyen fuqishëm vargje e pakta të vjershës “Përpëlitje”: Ç`dhembje më e thellë / oj Nënë / se dhembja e asaj që s`mund / ta them?! Këto vargje të mbrujtura me dhembjen e shpirtit u pritën me duartrokitje frenetike nga dashamirët e fjalës së lirë poetike, që ishin të pranishëm. Për poezitë që i deklamoi mori shpërblimin më të mirë të jurisë, por të nesërmen, në faqet e shtypit, veglat e pushtetit, vargjet e tij i krahasuan me shpërthimin e një granate dore dhe i cilësuan si thirrje “armiqësore” “të një irredentisti” dhe “të një nacionalisti” për “Kosovën Republikë”.
Që nga ditët e para e deri më sot Brahim Avdyli na del si një poet i revoltës dhe i protestës. Papajtueshmëria e tij me robërinë dhe me padrejtësitë në përgjithësi, nga kushdo qoftë që vijnë ato, në krijimtarinë e tij vazhdimisht shënon ngritje. Vargjet e përmbledhjeve “Kur zgjohet Dodona” (1992), “Pasqyra e përgjakur” (1994), “Klithje nga fundi i ferrit” (1997), “Gjuha e dheut tim” (1999) dhe “Baraspesha e humbur” (2003) bëhen trumbetuese të ideve dhe të papajtueshmërisë së tij që kalon në revoltë. Më 2009 e botoi edhe përmbledhjen “Zogu i këngës” , në të cilën nuk na sjell poezi të reja, por poezi të përzgjedhura nga librat “Nën hijen e Alpeve”, “Kur zgjohet Dodona”, “Pasqyrë e përgjakur”dhe poemën “Buka e kuqe”, e cila është botuar edhe si libër i veçantë më 1990 në Cyrih. Përfshirja e krijimeve të tij nën një titull të përbashkët e ka qëllimin e vet. Nëpërmjet ribotimit, edhe pse nuk e thotë, ai na çon në të kaluarën, që të mos e harrojmë përvojën e hidhur dhe na e bën me dije se edhe në rrethana të reja padrejtësia është padrejtësi që duhet të luftohet, siç ishte luftuar edhe më parë.
Edhe pse Kosova më 1999 u çlirua nga pushtimi hegjemonist serb, ai ua tërheq vërejtjen pushtetarëve të rinj, se nuk do të kursehen nga fshikullima e vargjeve të poetëve që i kanë vënë vetes për mision të mos pajtohen me padrejtësitë. Në poezitë “Vargu im”, “Burim i shterur”, “Pamundësia”, që janë përfshirë në këtë përzgjedhje vërehet një dozë zhgënjimi. Mospërmbushja e premtimeve dhe keqpërdorimi i pushtetit, nga pushtetarë të rinj, i shkaktojnë vuajtje të reja shpirtërore. Poeti kishte menduar se me ardhjen e lirisë vargu i tij do ta ndryshonte përmbajtjen, do t’i këndonte një jete të re e të lumtur, por e reja, sado që nuk përkonte me të kaluarën e hidhur, nuk po i shpërfaqej ashtu siç kishte pritur. Në vjershën “Vargu im” ai klith me një dozë zhgënjimi: Dhe mendoj se të kam çrrënjosur / nga trualli i dhembjeve / e ti, sërish nxjerr pipa të rinj / nëpër çdo plagë shpirti.
Për ta shfaqur papajtueshmërinë me realitetin, me të cilat ballafaqohet me guxim, poeti Brahim Avdyli gjurmon mjete shprehëse edhe në botën e lashtë mitologjike. Me anë të Argusit, Megerës, Dodonës, Sizifit, Moisisë, Krishtit, Uliksit, Hektorit etj., që janë bërë simbole universale, i lufton dukuritë negative të shoqërisë bashkëkohore. Argusit të tij sybukur, i mbufaten sytë nga hipokritët e sotëm që shtiren si engjëj. S’ishte e lehtë / të përpije gjithë këtë pleh /që shitet për ar / midis bebëzave, klith me shpirt në këtë poezi.
Brahim Avdili herë pas here është paraqitur me vjersha të përkthyera në gjermanisht, italisht, frëngjisht, anglisht dhe rumanisht. Është hera e parë që para lexuesit zviceran – në përgjithësi para atij gjermanofolës paraqitet me një përmbledhjeje poezish të përzgjedhura nga krijimtaria e tij.
Nëpërmjet këtyre poezive lexuesi joshqiptar ka mundësi ta njohë portretin poetik të Brahim Avdyli, që njëherësh është anëtar edhe i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Autorëve (Autoreve) të Zvicrës (AdS).