Dr. sc. Besim MUHADRI:

 

 

POEZIA SI AKT I QËNDRESËS

DHE I PËRKUSHTIMIT ATDHETAR

 

 

 

Në vend të parathënies

 

 

Poezia e Brahim Avdylit erdhi në një kohë kur në artin poetik të Kosovës kishin shpërthyer edhe një numër krijuesish të talentuar, si Basri Çapriqi, Tahir Desku, Sali Bashota, Abdullah Konushevci, Milazim Krasniqi etj., të cilët sot janë bërë emra të shquar të letërsisë së gjithmbarshme shqiptare, jo vetëm si poet, por edhe si studiues dhe historianë letërsie.

Ndonëse që në moshën e hershme të rinisë i mërguar larg vendlindjes, larg atdheut, poeti Brahim Avdyli asnjëherë s’pushoi së krijuari dhe së vepruari si poet dhe si atdhetar. Në poezinë e tij, jo rrallë, ndihet pesha e mungesës së atdheut. Ai është i ngërthyer nga malli, dhimbja, por edhe vetmia dhe kujtesa që përshkohet nga një shqetësim përmanent, i cili më pas shkrihet në artin poetik të këtij poeti. Shpirti dhe mendja e poetit të mërguar, është e lidhur fort në idealin e çlirimit të atdheut dhe të bashkimit të trojeve shqiptare, të ndara padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të kaluar (XX).

I preokupuar vazhdimisht me këtë çështje, nuk është çudi se në pjesën dërrmuese të krijimeve të këtij poeti dominon tema e madhe e Atdheut, tema e mungesës së lirisë dhe tema e çlirimit. Poezia e Avdylit na del edhe si një poezi kushtrim, një poezi në të cilën dominon ideja e atdhetarizmës, ku sublimon ideali i lartë për një atdhe pa ndarje, në të cilën shqiptari do të jetonte me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tij të mohuar.

 

Mërzia e këngës së shkruar larg atdheut

 

Sa të thjeshta, aq edhe komplekse, vargjet që ndërtojnë poezinë e Brahim Avdylit brenda vetes bartin një mesazh të fuqishëm poetik dhe atdhetar. Thjeshtësia dhe kompleksiteti i vargut të këtij poeti vërehet që në poezinë e parë me titull Opingave të mia, e cila i paraprinë librit të tij të parë “Nën hijen e Alpeve”. Poeti nuk mërzitet për atë që do të thonë poetët më me përvojë për këto vargje, të cilave “u vjen erë djerse e balte”, sepse ata, siç thotë ai “le të kërkojnë nëpër libra fjalë të mëdha”. Pra, siç shihet, kjo poezi shpalos “programin poetik” të Brahim Avdylit, i cili e merrr frymëzimin nga thjeshtësia dhe nga dlirësia e maleve të vendlindjes, përkatësisht nga Alpet e bukurua shqiptare, rrëzë të cilave shtrihet vendlindja e poetit. Këtu shihet ndikimi i poetit të Devollit, apo i “poetit të tokës”, siç është vlerësuar nga kritika letrare Dritëro Agolli. Ashtu si Agolli që “merrte me vete baltën e Devollit që ta sillte në Lidhjen e Shkrimtarëve”, ashtu edhe Brahim Avdyli merr me vete erën e djersës së punës dhe të baltës së Alpeve, për ta futur në poezinë e tij, sepse ai ishte i bindur se kjo do ta shpiente drejt suksesit, drejt cakut që synonte. Kjo do të thotë se poezia e Avdylit është një poezi e krijuar nga forca e tij origjinale krijuese.

Autenticiteti krijues e këtij poeti bën që vargu i tij të tingëllojë bukur, thjesht dhe shqip:

 

               le të na pranojë kjo tokë

               ku hapin e lëshojmë pa drojë

               me estetikën tonë kryeneçe

 

shprehet poeti, pa çarë kokën nëse do ta pranonin apo jo poetët e tjerë pararendës.

 

Shqetësimi poetik i Brahim Avdylit është permanent. Vargu i tij tejet komunikues, është një varg i brumosur nga një figuracion i qëlluar poetik, në të cilin fshihet metafora e kërkimit të lirisë dhe ajo e çlirimit të tokës së tij, e kësaj pjese të gjakut të tij. Vargjet poetike të Brahim Avdylit, që nga libri i tij i parë, janë vargje që tingëllojnë qartë dhe që kanë mesazh dhe “mision” të caktuar: Atë të komunikimit me masën për të cilën shkruan. Poeti nga vargjet e tij kërkon trasnparencë. Kjo kërkesë nga krijuesi i tyre na del edhe si lutje që duhet të “zbatohet”:

                          

               A mund të komunikoni gjë me njerëzit

              unë dhe koha ju gjymtojmë ngapak –

               pjesët e copëtuara veç unë ua shoh 

 

Për poetin vargjet “të cilave vetëm ai ua njeh pjesët e gjymtuara” janë torzo e shpirtit të tij, të cilat, si të tilla, e lëndojnë në shpirt, ngase nuk mundet t’ua falë bukurinë, për shkak të së vërtetës së hidhur, për shkak të një realiteti të njohur kohor, shoqëror e historik:

 

               Kështu siç ju shoh

               vetëm mua më lëndoni në shpirt

               pse s’ua fala bukurinë –

               e vërteta është e hidhur si vetë ju!

          

Në poezinë e Brahim Avdyli haset pikëllimi, përpjekja, vetmia dhe harrimi:

 

               Faqeve të biblës së re

               harrimi pikturon fytyrën

 

               mendimet rrjetë marimangash

               bardhësitë dergjen në vetmi

 

Poeti, në këtë rast është një vrojtues i përkushtuar i asaj që ngjan në brengën e kombit të tij, të shtërnguar si asnjëherë më parë nga prangat e ndryshkura të mesjetës. Kjo e bën poetin më të shqetësuar, me këmbëngulës në kërkimin e rrugëve që të shpiejnë kah liria e atdheut. Por nëpër këto rrugë ka vështirësi dhe pengesa që trupit të atdheut i bëhen gangrenë. Poeti i kthehet historisë, në të cilën fshihen tragjeditë e mëdha që vazhdojnë të përseriten në formë legjendash.

Në trupin e atdheut të poetit gangrena bën kërdinë. Lëndinat e lotëve rriten nëpër shekuj, derisa gjaku ynë mori botën në sy. Shpërngulja dhe braktisja e atdheut është një shenjë që tregon për tragjeditë që kishin pllakosur vendin e mbushur erozion. E gjithë kjo kishte ardhur për shkak të rënies në robëri të gjatë, qindravjeçare. Poeti është i vetëdijshëm për këtë, ndërsa koha kur ai “rrëfente” për këtë tragjedi ishte në kulmin e shtypjes. Poezia që trajton këtë temë (Përtej malesh), është një poezi e shkruar në vitin 1980, vetëm pak kohë para demonstratave të vitit 1981, të cilat siç dihet shënuan një kthesë të fuqishme në historinë më të re të shqiptarëve që në atë kohë jetonin nën ombrellën shtypëse të perandorisë jugosllave. Në këtë poezi vërehet guximi intelektual dhe krijues i një njëzet-vjeçari. Shfaqja me kaq vrull dhe guxim të papërmbajtur ishte një shenjë që në letrat tona po shfaqej një krijues që nuk do të ndalej, i cili në letërsinë tonë do të shënonte kthesa.

“Poezia e Brahim Avdylit, në radhë të parë, imponohet si poezi që sintetizon një përvojë të poezisë së përparshme, dhe, këtë arrin t’ia nënshtrojë individualitetit të vet prej krijuesi, sa nga ajo të nxjerrë një dimension të ri, përmasën e aktualitetit poetik”[1], do të shkruhej në kritikën e kohës, në kohën kur poeti ende nuk kishte dalë me libër, por që ishte prezent vazhdimisht nëpër faqet e periodikut letrar të asaj kohe.

Në këto kohë poeti shkruante dhe prekte atdheun nga larg. Si kurbetçar që ishte, ai e kishte të vështirë t’i shpëtonte mungesës së atdheut, qoftë edhe të robëruar. Kjo vetmi dhe mërzi, gati të shndërruar në klithmë mosdurimi, reflektohet edhe në poezi:

 

               zgjas duart të të mbërrij –

               gishtave të mi

               pikon vetmia

               heshtja vret fjalën e pathënë mbi buzë-

 

Larg atdheut poeti digjet dhe fiket si qiriu. Dielli në dhe të huaj ishte i akullt. Poeti i ri tashmë po përballej me të vërtetën e hidhur. Atë që e kishte mësuar dikur në literaturë, tani po e shijonte në shpirt e trup:

 

               ka diell në botë

               që ndrit e nuk të nxen...

 

Këto vargje të përngjajnë në një klithmë të dhimbshme që jehon e nuk dëgjohet, në rrugën “që të merr e nuk të kthen”. Megjithatë, rrugëtimi i poetit vazhdon. Forca e thirrjes së vendlindjes është më e fuqishme se sa forca e ndalesës së gjatë. Poeti kthehet në atdhe, në tokën “me plis të bardhë”, ashtu si heronjtë e baladave të moçme, që të ngjitet shkallëve të gjakut, me historinë e fjalës së kuqe dhe baladën e dashurisë së zhuritur.

Poezia e librit të parë poetik të Brahim Avdylit, “Nën hijen e Alpeve”, është një poezi plot mërzi kënge që shkruhet nga largësia. Në këtë mërzi largësie, të quajtur mërgim, poeti krijon vargje që të kujtojnë një poet në formim. Edhe pse të shkruara me zjarrin djaloshar të poetit të mërguar, ato janë vargje plot estetikë dhe meditacion poetik, që e bëjnë një poezi të qëndrueshme për kohën dhe reflektuese edhe për kohët që do të vijnë. Ndërkaq, libri i parë u mirëprit edhe nga ana e kritikës letrare. Njëri nga kritikët dhe bashkëkohësit e poetit, Milazim Krasniqi, në mes tjerash do të shkruajë: “Poezia e Brahim Avdylit më shumë është projektim i realitetit të jetuar, reagim gati spontan i tij si subjekt krijues ndaj gjendjes e situatave jetësore ekzistenciale sesa kërkim pas formave të realizimit të objektit të imagjinuar në tekstin poetik e karakterizon një notë e theksuar subjektive personale, por edhe një lirizëm efektiv, i cili e faktorizon unitetin ideo-stilistik të tekstit si tërësi”.[2]

 

           

Buka e kuqe dhe brumi i lirisë

 

“Brumi i lirisë” është titulli i poemës në të cilën poeti shkruan kundër dhunës, politikës hegjemoniste dhe diskriminuese të Serbisë. Me një fjalë, kundër terrorit shtetëror dhe krimeve të pafalshme të Jugosllavisë që ushtronte mbi popullin shqiptar. Aspak nuk janë të rastësishme edhe fjalët dedikuese, në të cilat poeti thotë se ia kushtoj të gjithë atyre që u sakrifikuan dhe u flijuan në altarin e lirisë.

Në vragjet e kësaj poeme, ashtu sikurse edhe në vargjet e shumë krijimeve të tjera të këtij autori ndihet pesha e vuajtjeve gjatë atyre ditëve të rënda që ranë pamëshirsshëm mbi shqiptarët e pambrojtur, tek të cilët sa vinte e rritej revolta e mosdurimit dhe vetëdija për të hequr zgjedhën e robërisë së gjatë:

 

               Helmi i tyre

               terapi e pazkontë-

 

               sa shumë ta shtuan dozën

               në palcën e durimit

               rezistenca, qëndresa të rritej

 

Poeti, Kosovën, në brumin e ditëve të të cilës shtrigat vjellin helmin e urrejtjes, e koncepton si një “bimë që s’vyshket” dhe një “trung që s’thahet” apo edhe një “fjalë e pathënë gjer në fund”. Në trupin e atdheut poeti sheh plagë të panumërta dhe dhembje kënge . Poema “Brumi i lirisë” është një sintezë e fuqishme e një kohe, nëpër të cilën vërtitet fati i atdheut të poetit dhe i njerëzve të ndrydhur të tij. Ajo është një reprodukim real i gjendjes në Kosovën e viteve nëntëdhjetë të shekullit XX, të arritur gati në zgripcin e zhbërjes së saj.

Për poetin si një vrojtues besnik i atyre ngjarjeve, por edhe si një luftëtar i denjë i kauzës kombëtare “Kosova e thotë fjalën /pa iu dridhur buza/ dhe vdes/ te këmbët e mendimit të vet/ si para lterit”. Ndërsa të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë - shkrinë ngjyrën e gjakut me brumin e ditëve që po vijnë, që të gatuajnë me tërë qenien Bukën e Kuqe të Lirisë.

 

Refleksioni i shpresës së rizgjimit kombëtar

 

Në vitin 1992 Brahim Avdyli botoi vëllimin poetik me titull “Kur zgjohet Dodona”[3], një libër që vjen pothujase dhjetë vjet pas botimit të librit të parë. Ndonëse ishte shkruar shumë më herët dhe ofruar për botim po ashtu shumë vite më parë, ai arriti të shohë dritën e botimit vetëm në këtë vit, kur në skenën kombëtare dhe ata ndërkombëtare kishin ndryshuar shumë gjëra. Muri i Berlinit tashmë kishte rënë, por kishte rënë edhe regjimi komunist në Shqipëri. Federata jugosllave po ashtu kishte filluar të zhbëhej, ndërsa në hapësirën e kësaj perandorie, të quajtur edhe si burg i madh kombesh, kishin filluar luftërat. Autonomia e Kosovës po ashtu ishte suprimuar, ndërsa vendi kishte rënë në një shtypje dhe pushtim klasik të Serbisë dhe regjimit kriminal të Millosheviqit.

Ndonëse poezitë ishin shkruar vite më parë dhe për shkak të arsyeve subjektive libri nuk ishte botuar, shihet se poezitë e këtij libri janë të përshkuara nga sekëlldia e mërzisë dhe e mallit për atdheun. Poeti ende është larg atdheut dhe në vargun e tij gjithmonë mungon apo mbetet diçka e pathënë. Ai tashmë kishte zgjedhur të shkruante për një diçka që i kujtonte historinë e harruar dhe të nëpërkëmbur siç ishte Dodona. Për këtë qendër të rëndësishme kulti, ndër më të vjetrat e pellazgëve, e shkatrruar dhe e humbur gjurmësh me shekuj të tërë, për të cilën kishin shkruar shumë autorë të lashtë, që nga antikiteti e këndej. Brahim Avdyli i kthehet kësaj teme të madhe, e cila mund të konceptohet edhe si tema e rizgjimit të kujtesës sonë historike. Tema e Dodonës dhe e zgjimit të saj nga legjendat e mbuluara nga pluhuri i harresës, është një nga temat rrallë të trajtuara në atë kohë, prandaj Brahim Avdyli mund të konsiderohet ndër të parët që trajtoi këtë temë, apo i cili iu rikthye trajtimit të saj. Kthimi në temën e zgjimit të Dodonës, ngërthen në vete rikthimin në tema me rëndësi në një kohë relevante të historisë sonë.

Përmes metaforës së zgjimit të Dodonës, poeti shpërfaq simbolikën e lirisë së humbur dhe atdheut të nëpërkëmbur. Poezitë e vëllimit poetik “Kur zgjohet Dodona” janë poezi që të ngjallin asociacione të larmishme artistike. Trajtimi i temave të veçanta, përzgjedhja e figuracionit poetik si dhe guximi prej poeti tashmë të formuar, janë elemente që shoqërojnë në vazhdimsi poezitë e këtij vëllimi. Poeti është në kërkim të asaj që është zhdukur dhuntisht nga të tjerët, për të fshehur një të vërtetë të madhe, siç është përcaktimi i etnogjenezës së shqiptarëve:

  

               Që shtatë shekuj shtoj e heq

               Të njëjtën Dhembje, Shpresë

 

               Apo:

 

               Bota! Fjalë absurde bota!

               Shpeshherë më doli si dredhë për ty

 

               Dhe pyet:

 

               Athua

               pas sa dredhash do të dalësh në dritë

  

Poeti është në kërkim të asaj që ishte zhdukur, që ia kishin marrë, grabitur pa të drejtë. Këmbëngultësia e poetit që të gjejë dhe të shfaqë në siperfaqe atë që ishte zhdukur me shekuj, është një përpjekje sizifi, në një kohë kur ndrydhej mendimi. Zbulesa poetike e Avdylit është më tepër se një dilemë dhe thirrje për të ecur në rrugën e pandalur të kërkimit të lirisë së humbur. Të rikthimit dhe të bashkimit të tokave të ndara shqiptare nga fuqitë e mëdha. Plaga e ndarjes dhe e zhbërjes së atdheut fshihet edhe brenda metaforës së quajtur Zgjimi i Dodonës, me zhdukjen e së cilës, njerëzit ndërruan emra, kahet dhe ëndrrat:

 

               Fryen rrugëve të Dodonës

              erë e marrë,

               baltë e dhe hodhi mbi lulkuqe

 

Dodona është shpresa dhe dhimbja e poetit. Është pikëllimi i madh dhe humbja e dinjitetit kombëtar për shekuj me radhë:

 

               Njerëzit

               iknin nga qyteti

               njerëzit vdisnin të vetmuar

 

              

              Urat e gurit

               përditë ngapak i shembeshin në gji

               nën karvanet e dhembjes...

 

Poezia “Kur zgjohet Dodona” është shkruar në vitin 1978, në njëqindvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në këtë kohë poeti ishte vetëm 18-vjeçar. Poezia e tij, si për nga tematika, formulimi i saj artistik, por edhe për nga mesazhi i qartë që bartë me vete është një poezi që të kujton se është shkruar nga dora e një poeti me përvojë krijuese e jetësore, sado që poeti ende ishte në fazën e parë të krijimtarisë. Vetë tema të cilën e zgjedh për trajtim, flet për një diçka të humbur që moti, e cila po zgjohej. Po ripërtrihej. A s’ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit një zgjim i vetëdijes së fjetur të shqiptarëve, një Dodonë e zgjuar dhe e shpluar nga thellësia e shekujve. 100-vjetori i kujtimit të kësaj ngjarje, ishte një tjetër zgjim i shqiptarëve të Kosovës, që u pasua nga kërkesat e tyre për liri, vetëvendosje dhe pavarësi.

 

Rikthimi në fillimin e një kënge

 

Brahim Avdyli vazhdmisht është në kërkim të lirisë. Klithjet e tij, qoftë “në mesnatë” apo edhe në pikë të ditës, janë klithje që kanë kuptim. Mesazhi i tyre është një mesazh i bukur, një mesazh për brezat. Poeti, shpesh i dëshpëruar, pi kupën e hidhur të vetmisë. Vetmia atë e bren si një erozion tronditës. Dhe në mes kësaj vetmie tronditëse, i kthehet poezisë, ashtu si i dehuri që i kthehet gotës së ngushëllimit:

 

               I zemëruar kthehem te ti, poezi

               Se gjëra të ëmbla

               Të t’i dhuroj s’kam

 

I rënë gati në dëshpërim, poeti mezi arrin të përballojë aktin e quajtur krijim. Poezia e tij sikur ngarkohet me bagazhin e një krijimi dëshpërimi, që i vjen në momentin kur ai mendon se pak kishte bërë për vendin, për tokën e tij. Këtë mesazh kanë edhe vargjet:

 

               Kurrë s’thamë tërë atë që u desh

               kurrë s’e mbrojtëm tërë atë që u tha

 

               Ndërkaq, shprehja metaforike:

 

              Lisat e mendimeve të mia              

               Po i shkundin gjethet e iluzioneve të zverdhura

 

shpërfaq trishtimin e poetit para realitetit jetësor e kohor. I ngopur nga mungesa fizike e atdheut, i ndrydhur diku në skutet e vetmisë e të dhimbjes, poeti mbushet trishtim. Në mes këtij trishtimi, atje në vetminë e të mërguarit, dhembja bëhet edhe me madhe, atëherë kur poetit i vriten vëllezërit, frymëzuesit e idealit të tij: Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, të cilët siç dihet u vranë në acarin e natës së 17 janarit të vitit 1982. Vargjet që poeti shkruan për këtë tragjedi shqiptare, të vrasjes së tre patriotëve në zë, janë vargje që të kujtojnë humbjen e kolosëve të mëdhenj. Edhe kjo poezi, e shkruar në një kohë të caktuar, të kujton guximin intelektual, por edhe përkushtimin atdhetar të poetit, që mund t’i kushtonte edhe me eleminim fizik.

Por, pa dyshim, një nga krijimet më relevante të Brahim Avdylit është edhe poema Pasqyrë përgjakur, që ngërthen në vete shpirtin e poetit, të shpërndarë në njëmijë letrat dërguar atdheut. Në kohën kur Kosova digjej “për një fitil drite”, poema në fjalë është edhe një rikthim në fillimin e një kënge; në fillimin e një tragjedie, të një dhembje dhe të një plage.

 

               Një copë bukë e një bratwurst

               Një kafshore e një mendim

               Një kafshore dhe një dhembje më shumë

               Një dhembje e një det hapsire

               As ta përtyp as ta vjell

               Dhembjen e pafund!?

 

Shtrohet pyetja: Pse e tërë kjo dhembje, kjo vetmi dhe e tërë kjo ndrydhje shpirtërore e poetit. Poezia e Avdylit sikur lëngon pashërueshëm në shtratin e dhembjes dhe të vetmisë individuale, por në tërë këtë vetmi fshihet edhe dhembja dhe vetmia kolektive. Fati i poetit është i lidhur me fatin e mërgimtarit shqiptar që bredh nëpër botë për një kafshore buke, të cilën siç e thotë, s’e lënë ta përtypë. Fati i poetit është një fat i pazgjidhur, një nyje e lidhur që kërkon vazhdimisht zgjidhjen e saj. Poeti është kërkues i gjetjes së kësaj zgjidhjeje që i thonë LIRI. Dhe klithma :

 

               O burra ,

               E çka mbeti tjetër pos për të vdekur për liri

 

është një klithmë jo vetëm personale e tij. Sepse liria është synim i përhershëm edhe i kolektivitetit dhe ajo ndihet në tërë poezinë e këtij poeti, që mund të cilësohet edhe si poet i lirisë apo poet i klithmave për liri.

Poezia e Brahim Avdylit i kthehet edhe të kaluarës. Jo rrallë ajo është edhe një përkujtimore, e cila troket tingëllueshëm në kujtesën historike. Poema “Bisedë me nëntorin”, është një sintezë e fuqishme e rrjedhës sonë historike. I asaj që ka ndodhur dhe i asaj që do të ndodhë. Poeti kujton nëntorin e parë, atë të ardhjes së Skënderbeut në Krujë dhe të bashkimit të shqiptarëve në luftë kundër pushtuesve:

                             

               Ti qindra herë na erdhe

               por ne s’korrnim pos zhgënjimin

               fletëve tua të vyshkura,

               Ndaj s’të numëronim

 

               Apo

 

               Ne ishim ata pipa

               Që nga trungu i shekujve të prisnim

               Gjithmonë me rrema të thyer

 

Është një poemë sintezë, siç e thamë edhe më lart, e historisë shqiptare, i asaj të resë dhe të vjetrës. Nëntori i parë për poetin erdhi “mbi shpatën e zhveshur të rrezeve të kuqe”. Herën e dytë ai “erdhi i ngutshëm”, sepse sipas poetit “spatëm kohë t’i mbledhim të gjitha cuklat e jetës”.

Arsyen e kësaj “ngutje” të ardhjes dhe të pranimit kështu të këtij nëntori, që nënkupton shpalljen e pavarësisë së gjysmës së Shqipërisë, poeti e sheh te rreziku që i kanosej vendi për zhbërje. Prandaj ai erdhi ashtu, sepse:

 

               Duhej të ngrehnim kasollën e së nesërmes

               Sa për të pasur vend

               Për sofrën e dashurisë

               E djep

               Të rilindeshim sërish.

 

Nëntorët e tjerë, ata që s’i numëron, në poemën e Avdylit janë nëntorë që vijnë me dy fytyra. Ata të cilët nuk kanë rëndësi, sepse nëntori i vërtetë, i treti, për poetin do të jetë ai i cili do të sjellë aktin e shumëpritur - aktin e ribashkimit të trojeve të ndara padrejtësisht. Akt të cilin poeti e paralajmëron që në krijimin e tij të pagëzuar “Zgjimi i Dodonës”:

 

 

               E kur të të sjellim të denjë

               Me kurorën e rrezeve

               Nëntor i tretë do të jesh

 

Kështu shpreson poeti, shpirti i të cilit zhuritet larg atdheut. Madje në këtë zhuritje, ai i drejtohet Kosovës:

 

    “Mjer ai që vdes pa lirinë tënde!”

 

Që është një varg, i cili tregon përmasën e përkushtimit atdhetar të Brahim Avdylit:

 

               Heu larg teje Kosovë

               Zemra digjet si ashka mbi gur

               Mjer ai që i largohet hijes së lisave tu

               Që s’e ndien erën e barit tënd

               Që s’di për buzëqeshjet e rralla

               Të hënës mbi mal,

               E që s’e mat dheun

               Me trupin, me këmbën me gjakun e vet

               Mjer ai që vdes pa lirinë tënde

 

Këto vargje të Brahim Avdylit, të shkruara me loçkën e zemrës, të kujtojnë një poet që poezinë e ka vokacion të vetin shpirtëror, përmes së cilës shprazë ndjenjën e zemërmit, përkushtimit dhe të kushtrimit. Brahim Avdyli është një poet që nuk mund të heshtë para mesjetës së vonuar, që do të thotë para paradokseve kohore dhe historike, të cilat janë një gangrenë e pashërueshme për popullin dhe atdheun e tij. Kuajt e hazdisur të mesjetës rrapëllojnë me patkonjtë e tyre të rëndë. Ata vijnë në tokën e poetit dhe shkelin rëndë-rëndë, ashtu si vetë robëria. Ata në poezinë e këtij poeti simbolizojnë të keqen, dhunën: policinë serbe. Prandaj poeti tëreq vëretjen:

 

               Kujdes po vijnë!

 

Poezia e Brahim Avdylit mban vulën e një poeti me koncept të formuar dhe të veçantë, që e dallon gjithsesi nga poetët e brezit të tij. Ndonëse i ndikuar nganjëherë nga poetët e tij të preferuar, ai asnjëherë nuk është mbetur rob i ndikimeve, sepse rruga krijuese dhe ajo e formimit të tij si poet ka qenë një rrugë krejtësisht tjetër nga ajo e pararendësve të tij.

Duhet të themi se poezia e Brahim Avdylit në tërësi, prandaj edhe kjo e këtyre katër librave, në veçanti është një poezi e brumosur me ndjenjën e të shkruarit larg atdheut. Pesha e mallit dhe e dashurisë për atdhe për këtë poet të talentuar janë akte të një drame të dhimbjes e të qëndresës artistike të shkrirë në shiritin e artit poetik që mban vulën e një poeti e të një atdhetari të dëshmuar, të lidhur fort me fatin e atdheut e të kombit.

 

     Gjakovë, 28 nëntor 2008.



[1] Sabri Beqiri; “Bota e re”, 15 qershor 1982.

[2] “Zëri i rinisë”, Prishtinë 1983.

[3] Brahim Avdyli, “Kur zgjohet Dodona”, “Rilindja”, Prishtinë 1992.

 

 

 

 

 

Gëzim AJGERAJ:

 

SIMBOLIKA E DHEMBJES

DHE E QËNRESËS KOMBËTARE

 

Brahim AVDYLI: ”Baraspesha e humbur”, poezi,

botoi Shtëpia Botuese “Qëndresa”, Gjakovë, 2003

 

 

Në vend të hyrjes

 

Ajo që më së shumti të bie në sy duke lexuar vargjet e poetit Brahim Avdyli, është ndjenja e fuqishme e dhembjes për fatin dramatik të shqiptarit dhe përkushtimi i përhershëm për të ushqyer qëndresën kombëtare, pra për të ngadhnjyer mbi këtë dhembje. Mjafton të lexohen tre librat e fundit të tij, me poezi “Klithje nga fundi i ferrit” 1997, “Gjuha e dheut tim” 1999 dhe “Baraspesha e humbur” 2003 që të përceptosh këto dy aspekte të poezisë së poetit Brahim Avdyli, që të bëjnë të meditosh vorbullën e madhe të fatit të shqiptarit dhe përpjekjen e tij të pandalur për të ngadhnjyer mbi Të Ligën. Dhembja nuk i ndahet shqiptarit asnjëherë nëpër kohë, por qëndresa e tij është poashtu e vazhdueshme, deri në sendërtimin e aspiratës shekullore për liri, që për poetin nënkupton zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare.

Në fakt, të gjithë librat poetik të këtij autori janë dëshmi e fuqishme e dhembjes për kombin dhe fatin e tij, sikurse e ushqimit të qëndresës sonë deri në mbijetesë. Fati i poetit identifikohet me fatin e popullit të tij që kaloi padyshim nëpër katrahurat e tmerrshme të kohëve. Klithmat e poetit janë klithmat e ndërgjegjes së popullit të tij që shtresohen deri në fund të ferrit, nëpër të cilin kaloi populli i ynë. Vetë poeti i takon Brezit `81, brezit që përgaditi ngjarjet e mëdha të këtyre dy decenieve, brezi që u godit pamëshirë nga dhuna, përndjekja, armiqtë e lirisë së kombit shqiptar dhe veglat e tyre, por që me ndërgjegje të lartë njerëzore dhe qytetare u bëri ballë të gjitha këtyre sfidave dhe ushqeu pandërprerë qëndresën tonë kombëtare, sikurse luftën për liri.

Prandaj vetëkuptohet se gjuha e dheut të poetit, është parasegjithash gjuha e dhembjes, është gjuha e qëndresës, është gjuha e luftës për vetëmbrojte, për liri, me të cilën mbijetuam nëpër kohë.

 

Frymëmarrja e kohës sonë

 

Koha për të cilën flet poeti në librin e tij “Baraspesha e humbur” 2003, është koha brenda të cilës sot përpëlitemi. Poeti ec në hap me kohën, me ngjarjet dhe dukuritë që e karakterizojnë atë. Ndjenja e tij e ndërgjegjshme lufton dukuritë e shëmtuara të kësaj kohe, ndërsa në pasqyrën e shpirtit të poetit rekflektohen sinjale të fuqishme të së ardhmes sonë të mundshme dhe të dëshiruar.

Është vizioni i poetit busolla orientuese nëpër kohë, me të cilin vargu i tij e mat kohën dhe na sugjeron se kah duhet të shkohet, për ta mundur Të ligën. Është vendosmëria poetike e një vizioni të pastër, i cili, pavarësisht nga ligësitë që e përcjellin popullin e tij, poetin dhe vargun e tij, me vendosmëri të pathyeshme, përballet me kohën, sado e ashpër dhe e pabesë që të jetë ajo. Janë virtytet e larta njerëzore dhe kombëtare ato që mbrujnë vargun e këtij libri, sikurse të librave para tij.

Ky varg buron pikësëpari nga fryma liridashëse e popullit shqiptar, të shkelur me dhunë, të ndarë e të persekutuar, të nëpërkëmbur e të shpërngulur nga trojet e veta legjitime përgjatë shekujve, por kurrë të nënshtruar tërësisht, nën asnjë pushtues dhe nën asnjë shovenizëm barbar, madje as nën politikat mashtruese. Qëndresa e tij ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e mbijetesës, boshti rreth të cilit është zgjuar kurdoherë ndërgjegja e tij kombëtare, është ngritur vetëdija, është ngjallur përkushtimi për liri. As nëpër kohërat kur dhelpra plakë është caktuar të bëjë ligjin, kohëra këto që paralajmërojnë ligësi të reja, si kjo e sotmja, nuk ka vend për letargji.

“Qëndro i pafjetur, deri sa të gdhijë, Agu që nuk ngryset”- porositë poeti, shpirti dhe fjala e të cilit bëjnë roje mbi fatin e hidhur të Atdheut e të popullit të tij “ në mendimet e gjalla, për të nesërmen e lirë!” (Rojtar i ditëve, 115).

Shtegtimi i poetit është shtegtimi i përpjekjeve për liri. Përmasat e këtij shtegtimi shtrihen nga e kaluara e hidhur, atëherë kur sundonte tërësisht E liga, deri në ditët tona të “lirisë së cunguar”. Ky shtegtim, me të gjitha alternativat e këngës, zhvillohet me një synim të lartë njerëzor e kombëtar, apo siç thotë poeti, për të ndihmuar ëndërrën e njeriut tonë “që të mbijë e gjelbërt/ në fushën e hapur të përpjekjes”, duke vrapuar:

 

…“ ditë e natë përmbi dallgë

me këmbët e qullura të këngës

diellin e fshehur për të zënë

përtej reve të mbarsura në vetëtima!”

 

(Përmasat e shtegtimit, fq. 16-17).

 

Nuk do mend të kuptohet se ky shtegtim promethean është bërë për të ardhmen e lirë të kombit shqiptar. Brenda vargut të këtij libri merr frymë e sotmja, me të gjitha dukuritë që e karakterizojnë atë. Poetin e shqetëson me të drejtë kuaziliria, nëpër të cilën po marrim frymë dhe për të cilën u bënë aq sakrifica të dhimbshme. Përqëndrimi i poetit nuk tejkalon asnjë dukuri me peshë e që duhet fshikulluar, për të arrirë në epiqendër të një realiteti të hidhur, në të cilin, Kryedemoni:

 

…”përsëri po shitet

nën petkat e orakullit!…”

 

ai që:

…”mjegullën e verbërimit

e quan shteg të urtisë

duke dashur të na kthejë

në stinën e kaluar

të dhembjes së pafund…”.

 

(Kryedemoni, fq. 43)

 

Duke e përjetuar këtë kohë, ashtu siç është dhënë, me detaje të gjalla e të zgjedhura, lexuesi e ka të patjetërsuar të meditojë mbi shtigjet e nëpër të cilat mund të sendërtohet ëndërra jonë e madhe: liria, bashkimi kombëtar, e ardhmja më e bukur dhe më e sigurtë. Lexuesi duhet të mendohet përse ka humbur baraspesha, drejtëpeshimi edhe në këtë kohë, çka i mungon të sotmes që nuk është ashtu siç e kemi dëshiruar, që nuk ka ardhur ashtu siç e kemi pritur, ashtu siç ka qenë dashur të vie. Të gjitha këto enigma i zbulon plot ngjyresa poezia e këtij libri. Përmes tyre koha jonë merr dimensione të gjalla dhe kjo na bën të mendojmë më realisht, më racionalisht.

 

Ngjyrat e dhembjes

 

Brenda vargut të poetit Brahim Avdyli shtrihet dhembja dhe bukuria e fjalës artistike. Me to rritet kopshti i dashurisë për popullin e tij, për dheun e shenjtë të tokës stërgjyshore, për Atdheun, i cili frymon fuqishëm kudo nëpër vargjet e poetit. Kjo dashuri e pashuar është lajtmotiv kryesor i vargut poetik, është motivi që poetin e nxitë të thurë vargje, të shpalosë përmes tyre dhembjen e popullit të tij, dëshirat, aspiratat, synimet, me të cilat ngrihen shpresat e pashuara për një të ardhme të lirë, të bukur e të përparuar. Është pikërisht ndjenja e pastërt e dashurisë ajo që e bën të përjetojë e të shpreh dhembjen, ajo që me këtë dhembje e nxit poetin të ushqejë qëndresën, ajo që e shtyn të prekë ndërgjegjen e shqiptarit apo të atyre që vendosin për fatin e tij, që e bën të klithë e të protestojë. Klithja e vargut të poetit është klithmë e dhembjes, është zë i fuqishëm i protestës, që vie plot logjikë mbi dhembjen, është thirrje për qëndresë. Kjo klithmë është kilthma e vargut të rritur në truallin e gjakut, që i mund dhembjet, që nuk pajtohet me ngecjet në rrugën e fatit të shqiptarit.

Në varg ka dhembje sepse populli vuan, ka çaste pikëllimi sepse plagët e shqiptarit janë ende të freskëta, janë ende të mëdha, por ka etje sepse etja për të ardhmen e lirë është një ndjenjë e fuqishme, është një ndjenjë tejet e natyrshme për shqiptarin dhe poetin që përcjellë hap pas hapi fatin e tij. Kur populli vuan, vuan dhe poeti. Dhe populli vuan edhe për shkak të gjeografisë së cunguar të trollit të vet. Cungimi, rrudhja, ngushtimi, copëzimi janë plagë të thella të tokës shqiptare, të cilat kushtëzohen nga cungimi i të drejtës themelore të lirisë së tij- bashkimit.

Janë plagët ato që shkaktojnë dhembje, përjetimi i sinqertë i të cilave ushqen patjetër qëndresën, nëpër energjinë e të cilës prodhohet drita e shkëlqyer e lirisë. Sepse ajo nuk është vetëm një përjetim i bukur, i ëmbël. Liria është mbijetesë, drejtësi, ekzistencë. Liria është synim, ideal, detyrë, aspiratë. Ajo kërkon energji të caktuar për sendërtim. Liria është kurorëzim i tërësishëm i përpjekjeve shekul-lore të shqiptarit, që ndërlidhet me të drejtat e tij themelore. Poeti revoltohet mbi faktin se dikush merr guximin të pengojë, zvarrisë, nëpërkëmbë sendërtimin e tërësishëm të aspiratës më të ligjshme e më të natyrshme të popullit të tij- Lirisë, dhe pyet:

 

…“ç`kuptim i mbetet

kësaj fjale të vënë

vetëm sa për të thënë

në fjalorin e çoroditur

të mashtrimit!?”

 

(Cungimi i lirisë II, fq. 57).

 

Dhembja është përherë e ndërlidhur me qëndresën, bërthama e të cilës me vete e bartë përtëritjen tonë, mbijetesën. Kjo bërthamë e ka mbajtur gjallë “prushin e këngëve të pavdekshme”- thotë poeti-“nëpër dimrat e egër të dhembjeve”, dhe “ kërcyellin e ka ngjeshur… në murin e qëndresës sonë” (Dega e përtërirë, fq. 105). Ndërgjegjësimi vie nëpër dhembje, për të ushqyer qëndresën, “duke gëlltitur lotin e plasur… e zgjuar mendimet për të nesërmen” (Kasneci i zgjimit, fq. 101). Kjo përkon me të vërtetën historike, sepse shqiptari asnjëherë nuk sulmoi të tjerët, nuk shkaktoi gjakderdhje për shkak të bindjeve të veta apo grykësisë. Shqiptari u ngrit në luftë kur ishte i sulmuar, i shtypur, kur dhembja e tij arrinte kulmin.

Hulumtuar nga këto elemente që e ndërtojnë vargun e poetit Brahim Avdylit, ngjyrat e dhembjes e ngrisin vargun e tij në shkallën e një vetëdijësimi të plotë mbi realitetin jetik të shqiptarit, për të shtruar jo vetëm pamjet më tronditëse, por me simbolikën e një qëndrese të natyrshme për të trasuar shtigjet e lirisë. Këto dy dimensione të vargut të tij, pa e hulumtuar bukurinë e fjalës, elementet tradicionale që e ndërtojnë fjalën poetike, figuracionin, stilin etj, e ngrisin edhe më lartë vlerën e vargut poetik. Dhembja, si ndjenjë e fuqishme që e përcjellë atë, brenda të cilës pipon e rritet “kopshti i bukurisë”, është vet fati i njeriut tonë. Kjo dhembje vie të shumtën si përcjellëse e hapave të shqiptarit nëpër kohë, por ndonjëherë edhe si burim i shterrur udhëve të fatit. Nuk është vetëm fati i poetit që e kanë katëndisur vitet “në një pikë vetmie”. Rrotullimi ynë “Rrathëve të ferrit”, kalon doemos pranë ndonjë burimi të shterrur dëshirash, zbrazëtirave të së cilit janë rritur vetëm “drizat e egër të etjeve!” (Burim i shterrur, fq. 12 ). Aq më tepër kur ndonjëherë mbijetesa na vie më tepër si fat, se sa vetëdije e formuar dhe e ngritur kombëtare.

Ecja jonë alternative nëpër rrathët e ferrit, jo rrallë kush mbarë e kush së prapthi, përjetohet me pikëllim të thellë nga poeti, që vie si rrjedhojë e kësaj ecje, brenda të cilës, nuancat poetike e vëzhgojnë kohën në kornizat e një baraspeshe të humbur. Është e natyrshme që ky ekuilibër i lëkundur ndërlidhet me ndjenja të pikllueshme. Poetin nuk e shqetëson vetëm ajo që po ndodhë, por fati dhe fatkeqësia e kombit në tërësi. Për atë që e peshon me përgjegjësi dhe ndërgjegje të plotë kohën, ka peshë jo vetëm ajo që ndodhë, por edhe ajo që do të duhej bërë e nuk është bërë. Derisa lëngon tërësia gjeo-grafike e Atdheut, lëngon natyrisht shqiptari dhe shpirti i poetit.

Në situata të tilla, duket sikur:

 

…”As vrimë nuk gjen

për ta plasur lotin-

 

rrjedha e ditëve bëhet

kortezh i pangjyrë

i hapësirës së ndrydhur…”

 

(Lëvozhga e pikëllimit, fq. 14).

 

Është ecja alternative ajo që herë herë gjeneron krizën, nga e cila vuan jo vetëm mendimi, veprimi, por edhe arti. Poezia, thotë poeti:

 

“Është krasitur nga metaforat,

nga përkushtimet serioze

të mendimit për të nesërmen…”

 

(Kriza e poezisë, fq. 15)

 

Kjo gjendje padyshim zgjon dhembje, keqardhje, shqetësime. Megjithate, ai nuk ma-shtrohet “nga vezullimet/e përkohshme/në hapësirën e ndrydhur”. Ai mbetet vigjilent, për të mos u pajtuar me ligësinë e kohës, “duke ndjellë Agun /me frymën e pëlcitur / fletëve të territ”. (Alternativa I, fq. 18). Shpesh ecja jonë përceptohet si lëvizje që ndryshon nëpër kohë. Ajo ka qenë jo rrallë lëvizje alternative. Energjia e përpjekjeve të shqiptarit shpesh nuk ishte e koncentruar dhe me të njëjtin intensitet. Ndoshta edhe për këtë arësye nuk kemi arritur të sendërtojmë aspiratën shekullore të lirisë e të bashkimit kombëtar. Sepse, jo rrallë është cenuar tërësia nën petkun e mjegullt të domosdoshmërisë, konsideron poeti. Karrierizmin e sëmurë të “ndërtuesve egoistë të prapaskenave” nëpër të cilat është cënuar liria dhe dinjiteti i shqiptarit, apo tërësia e përpjekjeve të tij, autori e fshikullon pa mëshirë, i bindur se:

 

…” koha do t`i shembë

patjetër një ditë

idhujt e fitores së paqenë!…”

 

(Baraspesha e humbur IV, fq. 38)

 

Poeti gjithmonë përpiqet për realizimin e dëshirave, aspiratave, ëndërrave shekullore të popullit të tij të shumëvuajtur. Me nuancat e vizionit të tij, përmes përjetimit dhe transmetimit të një realiteti të kapshëm e konkret, arrin në këtë përfundim që duhet të jetë kurorëzim i të gjitha këtyre përpjekjeve. Forma kulmore e paraqitjes së këtij realiteti është pasqyra më e saktë e transmetimit të parashikimeve, të porosive, me peshë të madhe për sendërtimin e idealeve njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve.

Por, pamundësia e ndërhyrjes direkte të poetit në sendërtimin sa më të shpejtë të këtyre idealeve, na jepet përmes një ndjenje tejet të sinqertë e të fuqishme të keqardhjes, të shfajësimit të tij. Ai dëshiron dhe përpiqet pa ndërprerë për këtë ideal, vuan e përpëlitet në vazhdimësi, e përjeton dhe e fshikullon fuqishëm ligësinë e kohës, por nuk mund të bëjë të pamundurën për Atdheun, për kombin, për faktin se shpesh fjala e tij, sado e sinqertë dhe e kuptueshme, nuk përfillet nga të tjerët:

 

…”vështirë të ngrehësh

bjeshkë mendimesh

që s`i dridh tërmeti-

 

aty ku s`përfillet,

ku s`të pranohet fjala…

 

Edhe baltë të jesh

është vështirë

 

kur të shkelmon E liga!

 

(Pamundësia, fq,25).

 

Drejtëpeshimi dhe sfidat

 

Kjo është një nga arësyet më të forta që e bën poetin të ndjehet i shqetësuar. Koha nuk pret. Ajo ikën me shpejtësi. Rrëshqitja e mundësive për sendërtimin e idealeve kombëtare, për përmbushjen e amanetit të mija dëshmorëve që ranë nëpër shekuj në altarin e Lirisë, e godet pamëshirë poetin. Ndër ne shpesh nuk përfillet fjala e sinqertë dhe e drejtë, ajo fjalë që do të kishte ngritur padyshim “bjeshkë mendimesh”. Për këtë arësye, E liga ngritet “shtyllave të paturpësisë” e bredhë “nën petkat e rrejshme të lirisë”, ndërsa Juda qëndron prapa Diellit me sopatë në dorë (Baraspesha e humbur II, fq. 36), duke mos na lënë të marrim asgjë nga shporta e ditëve.“Në panteonin e shëmtisë, po vihet shtylla e mbramë”- thekson poeti (Përmbyllja e një fillimi tragjik, fq. 48-49). Konseguenca e plotë mbi kohën e bën atë jo vetëm të shqetësohet, por të denoncojë të pandërgjegjshmit, fajtorët, e të klithë deri në revoltë, në thirrje. Sepse:

 

…”babilonitë e përmbytura

nuk mund të ringjallen

mbi kockat e tretura të kombeve!”-thekson ai.

 

(Baraspesha e humbur III, fq. 37).

 

Në këto raste drejtësia vihet në sprovë, ndërsa nën emrin e saj fshihen maska të pudrosura të cilat me përpjekje dinake e kërkojnë nënshtrimin tonë. Forca të caktuara përpiqen të na kthejnë “në stinën e kaluar / të dhembjes së pafund”- konsideron poeti (Kryedemoni, fq. 43), derisa “lakejtë e dehur / të krenarisë së tepruar” belbëzojnë pakuptueshëm “në tryezën e shëmtisë” (Gogësimat e shëmtisë, fq. 53). Klasa e verbër nuk e dikton “paradën e suvatimit /nënqiellit të montuar / me xixëllimat/ e dritës së vjedhur / nga yjet e ëndrrës sonë!” (Përmbyllja e një fillimi tragjik, fq. 48-49). Për ironi, me politikë merren ende ata që poetit dhe brezit të tij ia nxorrën “shtatë dredhë mbi kurriz” (Pa titull 2, fq. 62) duke përzier “çorbën e mendimeve” apo “tepricën e fjalëve” në “kazanin e ditëve” (po aty). Zhvillimet që po ndodhin mbi themelet e lirisë, kanë përmasat e një shkëlqimi të rremë. Kohëve të turbullta, dihet fare mirë se përfitojnë vetëm ligësitë që ngriten shtigjeve të paturpësisë. Kjo është:

 

…”kohë e dreçit të verdhë

me fasadën e rrejshme

të bukurisë

që të gllabëron

 

e të përtyp ngadalë!…” – sinjalizon kuptueshëm poeti.

 

(Dreçi i verdhë, fq. 64).

 

Është e pamundur të jesh poet dhe të qëndrosh larg këtyre zhvillimeve dinake. Është drejtësia misioni poetik që i vë në baraspeshë këto zhvillime dhe i fshikullon pandërprerë. Poeti, duke qenë vigjilent dhe i ushqyer nga ky mision i lartë njerëzor dhe kombëtar, me penën e tij i lufton ligësitë, proklamon një dritë tjetër, dritën e vërtetë- Agun që nuk shuhet! Vetëm duke qenë besnik ndaj këtij misioni, mund të lëkunden shekujt “mbi honet e thella të mesjetës!” (Baraspesha e humbur II, fq.36), duke pamundësuar që të kthehemi sërish “te fillimi i një ëndërre”, ku më parë “ripej i gjallë njeriu (Letër e vonuar Ernesto Çe Gevarës, fq. 47).

Ruajtja e drejtëpeshimit nëpër kohë të tilla, qëndrimi besnik ndaj idealeve dhe synimeve të larta kombëtare, qëndresa përballë të gjitha sfidave të kohës, denoncimi efikas dhe me syqeltësi i ligësive që sjellin kohërat e turbullta, nxjerrja në shesh e anëve të errëta të zhvillimeve të sotme, ngritja e vetëdijës kombëtare dhe njerëzore në nivel më të lartë, qartësimi i shtigjeve nëpër të cilat mund të sendërtohet Liria, sinjalizimi i rreziqeve që na kërcënohen, etj. janë disa nga dimensionet ideo-estetike të librit poetik “Baraspesha e humbur” e poetit Brahim Avdyli.

 

“Ende gjuha e zjarrit

me profil tufanesh

kullën e nderit tonë

e mbështjell,…

 

ende tymos

kulmi i dhembjeve tona

nën qiellin e ngrysur

të stuhive,

 

ende po shemben

trarët e qëndresës së brishtë

nga goditjet e papritura

të rrufeve…”- na përkujton ai.

 

(Krenaria e rrënimit, fq. 45).

 

Liburnia jonë nuk u shpëton dot “kazmave të erës së përdalë”, e cila, e mbështjellë me profil tufanesh, përpiqet ta shpëtojë “shtyllën e ëndrrës së vet”, sepse Poseidoni ia ndërsen vazhdimisht dallgët “nga ishulli fqinjë i tradhëtisë” (Në vorbullën e ditëve, fq.29). Vetëkuptohet që nuk është e lehtë të ruhet drejtëpeshimi nëpër kohëra të tilla, sepse “ndonjëherë njeriu / humbet në pyjet e panjohura të mashtrimit”, apo nëpër labirinthet “e kështjellës së rafinuar të maskave” (Maskat e drejtësisë, fq. 32-33). Por, poeti i paralajmëron fuqishëm “ata që ndërtojnë diga / nëpër truallin e qenësisë” se “lumi i gjakut” prap mund të vërshojë “nëpër fushat e guximit/ e të përmbysë vdekjen dinake” (Lumi i shpresës, fq. 104). Ai e di se “shpirti i paepur” e mund “kryezotin e prapësive” dhe detet e lotëve i kapërcejmë me “fuqinë e frymëmarrjeve/ të ruajtura pastërt” (Shpirt i paepur, fq. 99-100). Prandaj, ndonëse i mërguar, i papërfillur sa duhet, apo i shtypur si çdo mërgimtar “në ishullin e vetmuar”, atje ku shpesh të “vi-dhet rinia e ëndrrave” apo “shtigjet e këngës mbyllen” (Dhembja e kohës së vdekur, fq. 31), poeti dëshmon se:

 

…“kapitullimin

për të gjallë

nuk e pranoj!”

 

(Luftë e humbur, fq.65).

 

Ky është boshti mbi të cilin ngrihet qëndresa. Shqiptari duhet të mbrojë çështjen e lirisë së tij me konseguencë, me fanatizëm, me qëndrueshmëri të patundur. Vetëm në këtë mënyrë ai do të jetë në gjendje të mposhtë përfundimisht Të ligën. Popujve që nuk e mbrojnë me fanatizëm të drejtën legjitime të tyre, historia u bëhet njerkë dhe i shkel përgjithmonë. Në fakt, ajo është treguar shekuj me radhë njerkë e pamëshirë për shqiptarin. Ne duhet të mbesim “fjalë e përtërirë” dhe “tërësi e ëndërrave për të nesërmen”- sinjalizon me të drejtë poeti, sepse “më i shejti diell/ është dielli që digjet në zemër!” (Shpirt i paepur, fq. 99-100).

 

Rrënjët e thella të mbijetesës

 

Kështu, pavarësisht nga prapësitë dinake që koha i shtroi nën këmbët e fatit tonë, da-shuria për dritë është e vulosur në shpirtin e paepur e të etur të shqiptarit. Kjo ndjenjë e fuqishme dhe e pashuar, është busolla përmes së cilës, një ditë, edhe të humburit do ta gjejnë rrugën e diellit. Dashuria ndaj dritës, agut të pashuar, lirisë, nuk është vetëm një ndjenjë. Ajo është lajtmotiv i veprës, është zgjim krijues, zgjim që përtërinë çdo gjë, madje edhe vetë qëndresën. Sepse dhembja që mbijetohet “duke e gëlltitur lotin e plasur, përpëlitjeve kur nuk del fjala” (Kasneci i zgjimit, fq. 101), është zgjim që thërret qëndresën “për të zgjuar kohën e fjetur/ mëngjeset të mos vriten në pabesi” (po aty). Me cuklat e shpresës, zogu i këngës e hap shtegun e guximit dhe fluturon qiellit të këngës, për të hapur vrimën e cicërimës së lirë:

 

…”duke mundur heshtjen e lidhur

lëmsh në fyt

nga vdekja e përpirë…”

 

(Zogu i këngës, fq. 102).

 

Kjo nuk është kënga e heshtjes. Është kënga e mbijetesës së vështirë, por të bukur. Ajo është kënga që ka përpirë vdekjen, të lidhur lëmsh në fyt, duke e mundur heshtjen.

Ky është feniksi shqiptar. Atëherë kur armiqtë presin të shkatërrohet, të përfundojë përgjithmonë, ai e përpin vdekjen dhe mbijeton. “Se gjallë na kishte mbajtur/ një fitil i pashuar kënge”- thotë poeti, sepse “damarëve të jetës së ndrydhur /orakujt mbollën ca vargje” (Mbijetesa, fq. 103). Pra, në djepin e bukur të këngës që mposht dhembjet, ngrihet kulla e qëndresës sonë. Kjo përkon me kulturën dhe mendimin historik të popullit shqiptar. Kënga dhe pushka kanë qenë kurdoherë të ndërlidhura në jetën e tij. Kënga e mbijetonte dhembjen, ndërsa pushka qe shndërruar në gjymtyrë.

Doemos, poeti ka të drejtë kur thotë se kështu u ngrit shkalla e parë e guximit. Guximin qytetar e ushqeu prore një këngë e vuajtur, e përndjekur, por kurrë e heshtur e lirisë. Me këngë jemi rritur, me këngë kemi mbijetuar. Me këngë e kemi ruajtur edhe gjuhën e shenjtë shqipe. Kënga e poetit është këngë e mbijetesës, këngë që nuk heshti as kur dhembjet apo furtunat e çmendura të dhunës e përgjakën (Zogu i këngës, fq. 102). Sepse ajo është këngë e etjes së madhe për liri, është gjuha e rrjedhës së natyrshme që flet “me njomësinë e ringjalljes së ngadalshme, por të sigurtë”, që krijon gjollin e vet edhe aty ku nuk rrjedh syri, përtej digave të liga të thatësisë, që të “ për-tërijë bimën/ e mbetur peng/ në shkretërirën e heshtjes!”(Gjuha e ujit, fq. 106-109).

Është etja jonë që rrjedhë me simbolikën e ujit dhe “flet me begatinë e kristaltë/ e të tejdukshme/ të Rrjedhës së pa fund”. Uji është vetë jeta, shpresa, dëshira, përtërirja, krijimi, “fjala kryesore në vijën transformuese të bukurisë”, është mbijetesa. Sepse:

 

…”Vetëtimat e ngjeshura nga etjet

janë dalldisjet e plasura të durimit

për freskinë që mungon

hapësirave të djegura!”…

 

(Gjuha e ujit, fq. 106-109).

 

Geni i mbijetesës është në gjakun tonë. Edhe përtej detit “gjymtyrë e mbajtur gjallë/ ende shqipton … mirëmbrëma shqip” dhe rrëfen “me thesarin e shpirtit/ origjinën e gjakut të vet”. Populli shqiptar nuk mund të shuhet. Ai i ngjanë vërtetë feniksit. Për poetin atdhetar, populli është “gjithçka e shenjtë që kemi”( Shpjegimi i një fjale, Prova e parë, fq. 75). Pavarësisht nga furtunat e liga të kohëve, ai diti ta ruaj trashëgiminë e pasur e të rrallë kulturore, identitetin dhe gjuhën, traditën dhe një mori thesaresh tjera të shpirtit e të mendimit. Është pikërisht kjo shtytja që poetin e bën të shpjegojë fjalën “popull”, përmes dymbëdhjetë provash, duke shfrytëzuar intenzivisht filozofinë e tij, për të sinjalizuar klasën politike që thirret në interesat vitale të tij apo që priret ta përfaqësojë, duke ua përkujtuar se:

 

…”Populli

i ngjanë fëmijës:

 

gëzohet me pak,

mashtrohet lehtë,

rrëzohet shpeshë

e ngrihet pyersëri,…

 

e kur durimi i shterron

nuk ndalet

pa e gërvishtur

 

fytyryen e prishur

të Kohës së Ligë!”...

 

(Shpjegimi i një fjale, Prova e dytë, fq. 76).

 

Duke i patur parasysh sprovat e shumta që i bëhen atij, poeti i shpjegon ato në formën e simbolikave krahasuese, brenda të cilave shtrohen shumëngjyrat e një kohe. I ballafaquar me sprova të shumta e të llojllojshme, shqiptaria i ngjanë hyjniut që duron e fal me devotshmëri, por kur nuk arrinë më të fal padrejtësinë, “qiell e dhe/ me një dorë i përpjek!” (Prova e pestë, fq. 79). Sepse populli është vetë kujtesa- thotë poeti. “Asgjë nuk harron/ edhe nëse hesht”. Andaj porositë: “Ruajuni mallkimit/ kur e shqipton/ me gjithë zemër!”( Prova e dhjetë, fq. 82).

Nuancat poetike shtresohen njëra pas tjetrës duke përdorur me sukses mjetet gjuhësore dhe stilistike. Populli i ngjanë tërmetit që zgjeron rrathët e pakënaqësisë “nëntokës së dhembjeve”, duke përgaditur në heshtje dridhjen e fuqishme që shembë mbretëritë; i ngjanë kulmit prej të cilit, ata që rrëzohen mbeten përgjithmonë të çalë; i ngjanë lisit që përballet me stuhitë, por i druhet sopatës që mbanë për bisht degën e tij; është si deti, nëpër të cilin “lundrojnë kusarët/ e s`i përmbyt/ derdhen lumejtë/ e i përpin/ lundrojnë peshkaqenët/ e nuk shihen/ mbarsen tufanet/ dhe sërish/ i zbraz në gji…”, të cilit mund t`i dalësh në çdo anë, por “s`i shihet bregu!” (Prova e tetë, fq. 77).

Rrënjët e mbijetesës janë pikërisht në gjirin e tij. Çdo përpjekje, çdo sakrificë e bijve dhe bijave të tij më të denjë, e shtresave të ndërgjegjshme, ndërlidhet me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. “Populli është ëndërra e bukur e të nesërmes”- thotë poeti- “është gjaku i shenjtë i lirisë/ që nuk guxon të shkilet” (Prova e parafundit, fq. 83). Kush është ai që guxon të nëpërkëmbë të drejtat dhe interesat e tij, tingëllon më në fund zëri qortues dhe paralajmërues i poetit, që vuan, shkruan, e nuk flë, deri sa të gdhijë “Agu që nuk ngryset”; që i lufton të gjithë “orakujt e shëmtisë”; që interpreton çdo zbehtësi të kohës sonë; që fshikullon çdo padrejtësi; që pikëzon çdo njollë të zezë dhe i fshinë nga tryeza e ditëve, për hirë të së ardhmes së ndritur të kombit shqiptar.

 

Përmbyllje

 

Përmbyllja e udhëtimit brenda kohëve të baraspeshës së humbur, shtrihet në prehrin e një dashurie të pa fund, për kombin shqiptar, të ardhmen e tij, fjalën e bukur poetike, të vërtetën, lirinë dhe të mirën e brezave që do të vijnë. Poeti e ndien të lumtur veten, se të paktën, me penën e tij, e ka “mbrojtur të vërtetën”, duke mos e thyer kurrë besën e shenjtë të Atdheut, madje “as në ditët më të liga/ kur s`më përfillej fjala!” (Besë e pathyer, fq. 113/114). Përkundër të gjitha përpëlitjeve, poetin e gëzon fakti që do të jetë baltë e pluhur nën këmbët e brezave, që shqip do të flasin, ndërsa me kockën e tij, të gjetur në shesh, nipi i stërnipit do të gugasë “si një pëllumb i bardhë, ... duke thyer lëvozhgën/ e dashurisë së pafund” ( Dashuri e pafund, fq. 119).

Në qoftë se kohës i ka humbur baraspesha, ekuilibri, kualiteti, poeti ndjehet mjaft i qetë në brendinë e fjalëve të veta, sepse ka mbrojtur kurdoherë të vërtetën, drejtësinë, pastërtinë, lirinë, gjuhën dhe kulturën e popullit të vet. Ndonëse kjo është e mbushur përplot me dhembje, dinjiteti nuk ka humbur asnjë cent. Vargu i këtij libri mbetet dëshmi e veçantë e kohës, një këndvështrim poashtu i veçantë i realitetit jetik të shqiptarit, sikurse një pasuri e çmuar letrare dhe ideo-estetike.

E mbushur përplot me dhembje, me porosi e ndjenja, me figuracion të dendur që fillon nga metaforat e shumta e të goditura, deri te simboli, alegoria, personifikimi, sarkazmi dhe ironia, libri poetik “Baraspesha e humbur” i poetit Brahim Avdyli dëshmohet si pasurim i mëtutjeshëm i opusit krijues të poetit dhe i letërsisë shqipe.

 

 

 

Ali D. JASIQI:

 

 

BALLAFAQIM ME REALITETIN

 

Brahim Avdyli gjer më tani ka botuar pesë përmbledhje poezish. Librin e parë “Nën hijen e Alpeve” e botoi në vitin 1983 në edicionin e Shtëpisë botuese ‘’Rilindja” në Prishtinë. E njëjta Shtëpi botuese ia botoi edhe përmbledhjen e dytë me titull “Kur zgjohet Dodona” nëntë vite më vonë, pra më 1992. Prej kësaj kohe ai nuk mundi të vijë në Kosovë, por qëndroi e punoi në Zvicër. Andaj u detyrua që veprat tjera t’i botoi në Tiranë. Kështu, përmbledhjen e tretë me titull “Pasqyrë e përgjakur” në botim të “Marin Barletit” e botoi në vitin 1994, kurse librin e katërt, të cilin e ribotoi revista letrare “Jeta e re” e Prishtinës. Më 1997 Shtëpia Botuese “Onufri” në Tiranë, ndërsa veprën e pestë më radhë, përmbledhjen e poezive “Gjuha e dheut tim” e botoi po ashtu në Tiranë, në vitin 1999 Shtëpia Botuese “Albin”. Ribotimin e kësaj përmbledhje autori ia ofroi revistës letrare “Jeta e re” i bindur se do të pritet mirë nga lexuesit kosovar, të cilët i kishin pritë me interes edhe dy përmbledhjet e tij të parë të botuara para sa vitesh. Besojmë se kjo do të jetë e vërtetë dhe se lexuesit tanë do ta shfletojnë me kureshtje këtë vepër, që për shumë arsye është interesante dhe tërheqëse, aq më parë kur kemi të bëjmë me një krijues serioz, çfarë është autori i përmbledhjes “Klithje nga fundi i ferri”.

Edhe në këtë përmbledhje të poezive Brahim Avdyli e vazhdon rrugën e filluar dhe të dëshmuar në përmbledhjet e tij të mëparshme, si poet poezia e të cilit ngërthen në vete tema e motive kryesisht shoqërore e politike nga jeta e rëndë e popullit shqiptar, i cili vite të tëra u ballafaqua me dhunën sistematike të barbarëve serb. Poezia e tij na e zbulon mjaft mirë dinamikën e jetës së këtij populli dhe ballafaqimin e tij me peripecitë, me baticat dhe zbaticat nëpër të cilat ka kaluar populli i shumë-vuajtur nëpër valët e jetës, për të qëndruar gjithmonë stoik e kryelartë, për të mos u dorëzuar asnjëherë. Të këtillë atë e ka bërë natyra, ajo shkëmbore në të cilën është rritë dhe edukuar, por edhe vetë qenia e tij e trashëguar nga stërgjyshërit.

E shkruar me mjete të zgjedhura artistike, me një fjalor të pasur e me figura të zgjedhura stilistike poezia e tij është larg asaj që do të mund të quhej poezi politike. Ajo para së gjithash është poezi artistike që rrah çështjet më të ndjeshme të njeriut të këtij trualli. Jeta personale e autorit shprehen edhe ne krijimtarinë e tij artistike, në poezi veçanërisht. Ajo do të jetë e vlefshme nëse autori arrin që preokupimin e vet ta ngrit në përjetim mbarë njerëzor. Brahim Avdyli ka kohë, ka vite që ndodhet larg vendlindjes, në mërgim. Andaj është fare e natyrshme se në veprën e tij të reflektohet edhe kjo e dhënë. Fati i shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit, kudo qofshin ata, është gati tragjik. Sepse ata janë të detyruar të kërkojnë punë herë ke një e herë ke tjetri pronar, i cili edhe mund të sillet në mënyra të ndryshme ndaj punëtorëve që gati se nuk kërkojnë lëmoshë nga ai. Të jesh i pa punë në dhera të huaja është tepër vështirë, sepse askush nuk ta shtrin dorën e ndihmës. Të jesh i tillë, do të thotë, të përplasësh nga njëmijë herë në një minutë, sepse nuk ka më vështirë se të mendosh vazhdimisht se si duhet të veprosh për të mbetur gjallë. Mërgimtar dhe i pa punë, do të thotë, të digjesh i gjallë në fund të ferrit, atje ku klithmën tënde askush nuk e dëgjon - do të shprehet autori i përmbledhjes “Klithmë nga fundi i ferrit”. Edhe më vështirë është kur lind fëmija derisa prindi është në mërgim dhe për shumë vite ata nuk e shohin, pra as nuk e njohin njëri tjetrin.

 

Të atin e njeh

vetëm nga fotografia

varur në mur

 

(Fëmija i lindur pas emigrimit)

 

në këtë mënyrë ata pothuajse janë të huaj për njëri tjetrin. Madje ndodh që dikush t’ia shaj prindin e dikush tjetër mund të thotë ndonjë fjalë të mirë për te si baba të rrejshëm, të cilin nuk njeh fare, sepse nuk e ka parë asnjëherë.

Brahim Avdyli ka një gjuhë të pasur dhe të pastër shqipe. Ai me mjeshtri di t’i shfrytëzojë lokalizmat, fjalë këto që e pasurojnë fondin e fjalëve shqipe. Por fjala më e shpeshtë që e hasim në poezinë e tij është dhembja. Dhembja për mërgimtarin, dhembja për foshnjën që rritet gati si jetim, me babanë në mërgim, dhembja për vetveten si mërgimtar, dhembja për Srebrenicën e shkatërruar nga serbet, që në një mënyrë është ngjashme me jetën e popullit të të cilit i takon edhe autori. Dhembja, më një fjalë, shpreh ndjenjën më të ndjeshme të njeriut e që për poetin është dhembje shpirtërore që shpërthen edhe në vargjet, veçanërisht kur kemi të bëjmë me krijues që janë të ndjeshëm, që e përjetojnë në shpirt fatkeqësinë e njeriut të thjeshtë, siç jemi mësuar ta quajmë njeriun tonë të jetës së përditshme.

Si e këtillë kjo përmbledhje besojmë se do të pritet mirë nga lexuesit dhe do të lexohet me kureshtje. Nga se është një ndër veprat e suksesshme, që e pasuron fondin e poezisë sonë me një vepër që do të lë gjurmë në jetën tonë letrare.

 

 

Mr. Kadri Rexha:

 

POEZI ME PROGRAM TË QARTË

 

Brahim Avdyli, poet, prozator dhe publicist militant, me këmbëngulje po ecën në rrugën e nisur letrare duke shkruar poezi me motive shoqërore dhe politike, poezi me një program të qartë në shërbim të çështjes së shenjtë të atdheut të robëruar. Dhe, nisur nga ky rrafsh, parabola krijuese e këtij koncepti poetik të autorit gradualisht ka ardhur duke u ngritur në nivelin artistik si dhe duke u zgjëruar në aspektin tematik, motivor dhe ideoemocional.

Edhe pse librin poetik “Gjuha e tokës sime” autori e ndan në pesë cikle, tematika patriotike, shoqërore dhe ajo intime e poezisë në këtë vëllim është dominuese, herë si motiv i veçantë e herë si motiv i mpleksur, i pandashëm. Dashuria dhe malli për atdheun e robëruar, urrejtja për armikun shekullor të shqiptarëve, thirrja për bashkim, kushtrimi për luftë çlirimtare, demaskimi i kalorësve të rrejshëm aktual dhe i veprimtarisë së tyre destruktive, krenaria për të kaluarën, mjerimi i popullit në robëri, optimizmi për ditët që do të vijnë, hymnizimi i heronjëve të rinj të rënë në altarin e lirisë së atdheut..., në këtë vëllim, janë vetëm disa motive të temës së madhe të atdheut. Dashuria për Kosovën është dashuri reale e poetit. Dheu i Kosovës për poetin është thesari më i madh i kësaj bote. Aty ai e gjen kuptimin e plotë të jetës, aty ai e gjen forcën për punë dhe për luftë. Me një fjalë, në dheun e Kosovës poeti ndjehet Feniks dhe Ante i kohës sonë. Me këtë dhe (tokë) poeti flet si me njeriun, këtë dhe ai e përqafon si fëmijën, në këtë dhe ai e ndjen frymën e atyre që ranë duke e mbrojtur, e sheh bimën e mbjellur të shpresës për të ardhmën. Në altarin e shenjtë të këtij dheu poeti përkulet si para hyjeve, si para Zotit fuqiplotë:

          Ah, sa mall, e mbaj midis grushtave

          dheun për të cilin jetoj e marr frymë

          dheun për të cilin derdha lot,

          për të cilin mund të vdes

          në çdo kohë –

          brumin dhe plafin tim të përjetshëm

 

Dashuri, mall dhe betim ky i mpleksur në nje ideal. Në idealin e madh të dashurisë për jetën në liri. Dhe, e tëra kjo mund të tingëllonte emfazë dhe patetizëm poetik sikur poeti të mos gjendej në mesin e luftëtarëve të lirisë, me pushkë në dorë, si mbrojtës i nënës tokë. Për poetin është moral i dyfisht dhe hipokrizi të kërkosh nga të tjerët e vetë të bësh sehirë nga kulla e fildisht. Me këtë veprimtari Brahim Avdyli qëndron në vazhdën e traditës së rilindësve dhe si i këtillë nuk është shëmbull i vetëm.

Dashuria për Kosovën në poezinë e këtij libri është dashuri konkrete dhe si ideal lidhet me luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. I ngopur nga fjalët pa mbulesë, i ngopur nga veprimtaria përçarëse dhe antikombëtare e partive tona politike, që pridikonin se liria dhe pavarësia e Kosovës do të vijnë vetëvetiu, se liria dhe pavarësia do të zbresin me lutje nga qielli mbi tryezë, me kusht që populli të rri urtë e butë, në gjumë, pra, i ngopur nga fjalët bosh, poeti nuk mund të heshtë si kufomë e gjallë, ndaj lëshon kushtrimin:

          ”Nuk ka rrugë tjetër që të nxjerr nga ferri

          veçse flaka e pushkëve trimërore”.

 

Dhe vazhdon me të njëjtin patos:

          “Po digjet Kosova,

          ku jeni o bijtë e dashur të saj,

          a mos kur të zgjoheni, do të jetë tepër vonë”.

 

Shihet qartë, poeti i beson mrekullisë së fjalës poetike, i beson mesazhit të saj të çiltër, ndaj poezisë së tij i jep një funksion dhe mision të caktuar. Poeti në këtë rast nuk shkruan poezi të angazhuar, por poezi që angazhon dhe mobilizon. Dhe, për të qenë efekti i saj hala më i madh, poeti e nxjerr në log të luftës shëmbullin personal: si luftëtar i orëve të para ai u bashkohet çetave në mal, me besimin e patundur në vetëvete se:

          “Vetëm në front vdiset burrërisht”

 

Poeti vlon dhe nuk përmbahet nga shqetësimi. Klithma e atdheut me thikën e shkaut deri në asht ngritet deri në kupë të qiellit:

          Nuk e duroja dot trishtimin e robërisë

          dhunën që lodronte pa fre

          fushave të nderit tonë...

 

Liria e Kosovës për poetin është baza e lumturisë dhe çelësi i dinjitetit personal dhe i atij kombëtar. Nëse ka ende të atillë që nuk e ndjejnë këtë realitet, le t’i hedhin sytë për një çast mbi gjëmën e tragjrdisë më të re të Kosovës. Prandaj, me të drejt poeti merr zjarr:

          “Për të vlen të vdiset, të përgjakemi

          asgjë nuk matet me vlerën e saj, as jeta”.

 

Tema politike, e trajtuar në shumë poezi të këtij vëllimi, poashtu, realizohet e pashkëputur nga problemi i luftës. Poezitë me këtë temë frymëzohen nga aktualiteti. Në patriotizmin e masave të gjëra poeti e sheh forcën që do ta sjell fitorën definitive. Prandaj, edhe thirrjet për masivizim sa ma të madh të luftës janë shprehje të momentit historik, që në histori nuk përseritet shpesh. Poeti e fton popullin që të ngritet në luftë për liri, ndonëse është i bindur thellë se rruga e luftës kalon nëpër gjak dhe sakrifica të mëdha. Kur këngëton për dëshmorët e rinj të kësaj kohe, poeti i zgjedh fjalët më të mira dhe, duke i ngritur në piedestal, ata i bën shëmbull për rininë dhe mbarë bashkëkombësit se si duhet vdekur për të jetuar përjetësisht populli dhe atdheu. Në anën tjetër, bajraktarët modern, poeti i sheh si mishërim të tradhtisë, të pabesisë dhe të degjenerimit moral. Për ta poeti nuk e kursen kamxhikun, ironinë dhe sarkazmën e rreptë:

          Tash, me çka do t’i mbuloni paudhësitë tuaja,

          me çka do ta shpaguani tradhëtinë –

          edhe sikur t’u ndjekim përtej ferrit

          nuk përmirësohet tragjedia

          mjer populli që u besoi dredhive tuaja.

 

Me gjithë vlerat e mëdha ideo-estetike, këtij vëllimi poetik mund t’i bëhët edhe ndonjë vërejtje e vogël në aspektin e realizimit artistik. Libri vaun nga përseritjet e temeve, nga përdorimi i mjeteve të hargjuara artistike, nga narracioni i zhveshur e deri diku edhe nga ngurtësia e formës. Por, botimi i këtij libri gjithësesi e arsyeton vetëveten. Libri ka mision mobilizues. Poezia e këtij vëllimi është e frymëzuar nga momenti aktual dhe gjithësesi do t’i ketë lexuesit e vetë të shumtë.

 

  

 

 

Adem Gashi:

 

     JETËSHKRIMI SI HARTË SHPIRTËRORE

 

Kur lexon prozën e një poeti ke ndjesinë se lexon dhe dëgjon këngëvajin e burrit humbëtirave të kohës. Së këndejmi zë fill traseja e veprës, madje që nga titulli: Vragat e një kohe. Ndoshta mbi një këso baze filozofi Shopenhauer prirej  të konstatonte se titulli i një vepre duhet të shërbejë si monogram i saj, i përmbajtjes së saj. Ka raste kur një veprim i tillë është akt i ndërgjegjshëm i autorit sikundër që, jo rrallë, mund të jetë edhe shfaqje imanente e logjikës së krijimit dhe e lëndësisë së veprës. Mund të ndodh më në fund të jetë një  gjetje e beftë, me shkas ose pa të, siç ngjet me emrin e një fëmije. Nuk e di se cilës kategori i përket titulli i këtij vëllimi me tregime, një dyzinë sosh, por e di saktësisht se vragat e një kohe janë jetë-shkrime autoriale që vijnë e bëhen hartë shpirtërore.

Brahim Avdylin lexuesit shqiptarë e kanë njohur në harkurën e viteve të ’70-ta – ’80-ta kur nëpër faqet e revistave dhe të gazetave u dukën poezitë e tij të para. Një zë i kthjellët, origjinal me një mbushje lirike që nuk të linte të qetë, që të imponohej. Nuk u desh shumë kohë që vokacioni i tij të stolisej meritueshëm me epitetin poet.

Sistemi i motivacionit dhe struktura tematike e vargjeve të tij kishin gjetur ekuivalentin ideoestetik të artit të fjalës. Tema e atdhedashurisë, mërgimi  dhe brenga sociale, aspirata për lirinë përbëjnë trinomin e fuqishëm të verbit poetik të tij, ngja-shëm me tri harqet e një ure grandioze. I zura ngoje këto elemente për të dëshmuar ambiguitetin e tyre. Në të vërtetë këtë veti ua jep atyre autori. Duke i sjellë tashti në rrafshin e prozës tregimtare, Avdyli na bind ngjashëm me sivëllezërit e tij shkrimtarë se akti i shkrimit letrar s’është veçse autobiografia që shndërrohet në paradigmë.

Artet në përgjithësi dhe letërsia në veçanti janë shëmbëllime të jetës, të strukturave dhe të prototipeve të saj. I ndër-gjegjshëm për këtë teori autori shkruan kryesisht tregimin realist. Realizmi i tij, ndërkaq, nuk shndërrohet në dogmë e kli-she, nuk ia merr të drejtën dhe lirinë që kur e tek autori t’ia hapë portën edhe shfrimeve ekspresioniste, aventurave simboliste e surrealiste siç ndodh në tregimin Kthimi i papritur. Këtu madje hidhen paralele edhe me arketipin, me personazhin e gojëdhanave e të legjendave. Vetja, personazhi flet e vepron si qenie konkrete, ndëkohë që ai s’është veçse shpirt, frymë që ka ardhur nga bota e përtejme të hedhë dritë mbi misterin e vrasjes së tij, t’i denoncojë vrasësit dhe krimet e tyre.

Forca e dëshmuar e ironisë në prozën bashkëkohore ka gjetur hapësirën e vet edhe në tregimin Ngjarje në rrugën „Le-nini“ të këtij vëllimi. Jo rrallë ironia kulmon me satirë e sarkazëm. Dhe s’ka sesi të ndodhë ndryshe kur autori portreton karaktere në situata sprovash të vijës së moralit. Në këtë „ek-ran të ndërgjegjes“, siç i pëlqen Avdylit të shprehet nganjëherë figurshëm, shpalohen veset dhe virtytet njerëzore.

Në qoftë se teoricienët e letërsisë na kanë bindur se nga-njëherë vetë tema merr atributet e personazhit, siç ngjet me temën e luftës, të vdekjes e të tjera, në këtë libër do të thosha se është pikërisht mërgimi temë – personazh. Jo vetëm se kap hapësirën më të vëllimshme, por se edhe realizohet me fuqi-shëm artistikisht duke shpaluar shtresa e nënshtresa të shpirtit që tujgën me lotët e mallit vrasës. Është përvoja personale e Brahim Avdylit që i ka dhënë dorë njohjes së shumanshme të atij realiteti për ta ndërtuar tregimin e mrekullueshëm Lëndina e mallit. Shkathtësia narrative e bën këtë prozë lehtësisht të përceptueshme. Si vlerë të veçantë të këtyre tregimeve shoh monologun e brendshëm dhe, sidomos, dialogun. Këto elemente karakteristike të dramës janë xhevahire me vete. Autori nuk nguron të pohojë se disa prej tregimeve janë mbindërtime të teksteve dramatike, të djegura nga falanga serbe gjatë luftës së fundit. Kohëshkrimi i kësaj vepre i korrespondon fillimit të dramës dhe të tragjedisë shqiptare të Kosovës.

Nuk besoj se lëndohet autori në qoftë se  them se, megji-thatë, proza e tij tregimtare mbetet larg nën hijen e poezisë.

Jetëshkrimi është bërë tashmë hartë shpirtërore. Mbi këtë reliev nesër do të hidhen piketat e thesareve të nëndheshme minerare të botës shpirtërore e artistike të Brahim Avdylit.

 

 

 

Mr. Muhamed ROGOVA:

 

 

      VUAJTJET ELEMENT SHPREHËS

      NË VEPRËN E BRAHIM AVDYLIT

 

 

Brahim Avdyli hyri mjaft i ri në letërsinë shqipe si poet me prirje dhe talent të veçantë dhe mjaft premtues. Me përmbledhjen e tij të parë poetike “Nën hijet e Alpeve” filloi rrugën e tij si poet dhe krijues për të vazhduar me disa përmbledhje poetike por edhe me shkrime në prozë të botuara kohë pas kohe në Prishtinë, në Tiranë por edhe në Perëndim.

Që në hapat e parë të krijimtarisë së tij dallohej për talentin dhje shpirtin krijues që premtonte shumë. Me botimin e përmbledhjes së parë poetike u prit mirë nga qarqet letrare dhe intelektualët e Kosovës me bindjen se nga ky djalosh do të na dilte një shkrimtar me perspektivë. Ashtu edhe ndodhi. Në të gjitha botimet e mëvonshme vërehej ngritja e nivelit të vlerave poetike dhe letrare duke trajtuar tema nga më të ndryshmet të realitetit tonë. Në pjesën më të madhe të krijimeve të tij përpiqet të paraqesë shqetësimet e brendshme të cilat diti t`i artikulojë dhe përgjithësojë duke paraqitur përmes tyre fatin, shqetësimet, brengat dhe preokupimet e popullit e në mënyrë të veçantë të rinisë kosovare të kohës.

Brahim Avdyli tani së fundi na vjen me këtë përmbledhje tregimesh “Lëvozhga e vdekjes” me një profil të ri letrar dhe me një pjekuri më të lartë krijuese.

Në këtë përmbledhje tregimesh autori na sjell trembëdhjetë tregime përmes të cilave paraqiten trembëdhjetë pamje të ndryshme të jetës së tij, të rrethit ku jetonte dhe të vetë popullit tonë në një kohë kur jetonte në mes të shpresës dhe të zhgënjimit të thellë, në mes të shpresës për liri dhe të dëshpërimit nga papunësia, varfëria, përndjekjet, burgosjet dhe vrasjet e shpeshta nga ana e pushtuesit, ikja masive e rinisë së Kosovës drejt Perëndimit me shpresë për të gjetur një jetë më të qetë e më të mirë , gjatë viteve tetëdhjetë e nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

Një pjesë e mirë e këtyre tregimeve ka karakter autobiografik, ashtu si e thekson edhe vetë autori në tregimin hyrës të kësaj përmbledhje, “Topitja”, por përpos përpunimit artistik që i bën autori Brahim Avdyli arrin të paraqes në mënyrë artistike fatin e një pjese të mirë të popullit tonë gjatë atyre viteve të vështira, sidomos të asaj pjese të popullsisë që ishte e lidhur me fatin e atdheut tonë dhe që i kishte rënë rrisku i vuajtjeve, i burgosjeve, i leçitjeve, përballja me varfëri e kurbet të hidhur ku përherë e ndiqte ai fat nopran.

Në pjesën e parë të kësaj përmbledhje, në tregimet “Topitja”, “Gështenja përballë diellit”, “Ngushtica”, “Buzëqeshja e tretur e një gruaje”, “Rrënjët e gjakut”, autori trajton fatin e rëndë të atyre familjeve të fshatrave tona në ato vite të vështira që e kishin lidhur jetën e tyre me fatin e atdheut dhe kishin ndonjë pjesëtar të tyre nëpër burgje. Ato familje jo vetëm që ishin të përndjekura nga ana e pushtetit pushtues, por përjetonin shpeshherë edhe një bojkot nga ana e të afërmve dhe rrethi familjar e pengesat më të mëdha i kishin sidomos prej njerëzve që ishin vegla të pushtetit e që fatkeqësisht nuk ishin të pakët. Në tregimin “Buzëqeshja e tretur e një gruaje”, autori me mjeshtëri arrin të paraqesë vuajtjet e një familje, sidomos të një nëne, djalin e së cilës e kishin burgosur dhe këtë grua fisnike por shumë fatkeqe në vend se ta ngushëllonin ose t`i ndihmonin në ndonjë formë, bashkëfshatarët, e sidomos ata që ishin të lidhur me pushtetin, hapë pas hapi e ofendojnë, e përbuzin dhe në fund edhe e dhunojnë në mënyrë të turpshme, të ndihmuar nga njerëzit e pushtetit me uniforma. E shkreta grua, në pamundësi për të mbrojtur nderin e saj para atyre bishave apo për t`u hakmarrë kundër njerëzve të pushtetit dhe hyzmeqarëve të tyre, vetëm derdh mallkime, e vetmja mundësi që i kishte mbetur.

Në tregimet “Ngushtica” dhe “Rrënjët e gjakut”, autori ngjarjet i shtrin në dy dimensione; në të kaluarën e lavdishme dhe heroike të të parëve të tij dhe në zvetënimin moral, kombëtar e social të kohës kur ai jeton. Në këto tregime autori me mjeshtëri artistike diti t`i gërshetojë elementin e reales dhe të ireales, ëndrrës dhe realitetit, takimin e të gjallëve me të vdekurit që ua përkujtojnë të kaluarën e fisit të tyre. Në bisedën që zhvillon me stërgjyshin e tij dhe me njeriun e mirë që i paraqitet me një mjekër të bardhë e të gjatë i rrëfejnë për heroizmin e brezave të përparmë dhe e këshillojnë për të vazhduar rrugën e tyre. Biseda që zhvillon me një femër, qenie mitologjike, e bukur, e veshur me të bardha e me flok deri në tokë të cilën personazhi i tregimit e quan “motër qiellore” ia përkujton luftërat, vuajtjet dhe vështirësitë e kaluara të të parëve të tij. Kjo formë e përshkrimit të përkujton realizmin magjik të kultivuar nga shkrimtarët latinoamerikanë. Autori ia ka arritur të paraqesë artistikisht elementin e reales dhe të ireales në shërbim të paraqitjes së idesë kryesore të tij, si “Gjurmët mbesin vetëm aty ku kanë qenë rrënjët e gjakut, aty ku shëtit hija e atyre që ranë për t`i mbrojtur trojet”.

Në një pjesë të mirë të tregimeve të kësaj përmbledhje paraqet fatin e rëndë dhe të hidhur të mërgimtarëve tanë nëpër shtete të Perëndimit, ku kishin qenë të detyruar të strehoheshin. Nëse Perëndimi reklamohej si vend i luksit dhe i mirëqenies, si parajsë për të rinjtë tanë të pashpresë, me qëllim të shpërnguljes sa më të madhe të tyre autori mund të themi se mbase është ndër të rrallët që e trajton këtë temë duke e paraqitur edhe anën e kundërt të medaljes: vuajtjet, përndjekjet, diskriminimin dhe poshtërimin që u bëhet mërgimtarëve tanë në Perëndim.

Viktima më të shpeshta ishte ajo pjesë e rinisë shqiptare që ishte e shtrënguar nga varfëria apo përndjekja e pushtetit për shkak të ndonjë aktiviteti kombëtar që kishte zhvilluar në vendin e vet. Me sakrifica të shumta duke u paguar para të majme agjencive turistike që kishin shpërthyer si kërpudhat nëpër tërë Kosovën, i drejtoheshin Perëndimit me shpresë se atje do të gjenin qetësinë, punën dhe mirëqenien për vete si edhe mundësinë për t`u ndihmuar familjarëve që kishin mbetur për shkak të robërisë fare pa mjete jetese. Këta të rinj që shfrytëzonin mënyra të ndryshme për të shkuar dhe shkonin pa dokumentet e nevojshme i priste një kalvar i vërtetë duke qëndruar ilegalisht dhe të shumtën pa punë. Zhgënjimi për personazhin e tregimit “Takimi me një engjëll të bardhë” shkon deri në atë shkallë sa ai vendos t`i japë fund jetës së vet me vetëvrasje.

Por ai vend i “luksit” nuk ishte i rëndë dhe i vështirë vetëm për azilantët apo “rezilantët” siç shprehet autori me ironi, por edhe për një kategori të vendësve. Këtë autori e shpreh artistikisht shumë bukur në tregimin “E vetmja natë me Rozën”, në të cilën përshkruhet takimi me një femër fatkeqe vendëse po shumë e varfër e cila kishte rënë në një zhgënjim të thellë nga realiteti i hidhur i asaj shoqërie të kalbur ku zot ishte bërë paraja dhe kishin humbur plotësisht ndjenjat njerëzore. Aty njerëzit i lidhte vetëm interesi.

Tregimi “Nëpër kthetrat e djallit” dhe ai “Në gojë të gjarprit autori paraqet vështirësitë pa mbarim të asaj kategorie mërgimtarësh, të cilët përveç punëve që bënin në ato vende, merreshin edhe me veprimtari kombëtare, të rinj që merrnin rrugën e mërgimit të shtyrë nga varfëria dhe mjerimi që kishte pllakosur vendin tonë gjatë asaj periudhe të rëndë kur pushtuesi po zbatonte masa të jashtëzakonshme në të gjitha fushat e jetës. Vështirësitë në të cilat hasin atje, që janë ndër me të ndryshmet, por edhe udhëtimet e tyre për në Perëndim ose anasjelltas ishin një golgotë e vërtetë për ta. Prandaj autori ndalet më shumë në përshkrimin e anëve të errëta të një jete të tillë të mërgimtarëve gjatë atyre viteve të rënda. Në të njëjtën kohë krahas morisë së vuajtjeve e të vështirësive të paraqitura nëpër këto tregime aty këtu shihen edhe xixat e para të një revolte të organizuar që nuk do të zgjasë shumë e do të shpërthejë edhe në Kosovë.

Autori me një pjekuri artistike ia arrin të realizojë këtë vepër letrare duke paraqitur një mozaik të tërë personazhesh dhe karakteresh nga më të ndryshmet në një periudhë shumë të rëndë historike përmes të cilës kaloi populli ynë. Përmes tregimeve të përmbledhura këtu me titull “Lëvozhga e vdekjes” autori prek në ndërgjegjen e të gjithë atyre njerëzve që u bënë urë e sistemit, kurse njerëzve të rezistencës iu ngreh një lapidar në kujtesën e popullit.