Mr.  Nexhat Maloku:

 

 

 

 

ORAKULLI I PAGABUESHËM I LIRISË

DHE (MOS) ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE

 

 

 

(Pjesë nga punimi i magjistraturës)

 

 

 

Një prej poetëve më të spikatur dhe më karakteristik të mërgatës shqiptare në Zvicër është padyshim Brahim Avdyli. Karakteristik, sepse pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së tij e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim; i spikatur, sepse vepra e tij poetike tridhjetëvjeçare,  me vlerat e saj ideoartistike, ia jep këtë epitet pa pikë dyshimi.

 

Brahim Avdyli u lind në fshatin Morinë të Malësisë së Gjakovës në vitin 1960. Malësia e Gjakovës, e njohur për qëndresën kundër pushtuesve në shekuj, do t’a mbrujë djaloshin e kësaj ane që në moshë të re me dashurinë e pakufishme për vendlindjen, për Atdheun. Duke e jetuar moshën e rinisë në këtë pjesë neuralgjike të Atdheut, ai do të edukohet që në fëmijëri me legjendat për qëndresën e popullit tonë në hullitë e shekujve.

 

Brahim Avdyli perfundon shkollën e mesme të gjimnazit në Gjakovë dhe pastaj regjistrohet në Fakultetin Teknik, Dega e Arkitekturës në Univesitetin e Prishtinës. Por në vend që të merret me studime, ai do të ballafaqohet me krajatat e ndryshme jetësore. Veç i ndjekur që më parë nga regjimi jugosllav dhe i ballafaquar edhe me gjendjen e rëndë sociale, Brahim Avdyli detyrohet që në moshë të re të marrë udhët e mërgimit, për të siguruar mbijetesën. Detyrohet të ndërroj drejtimin e studimeve nga Dega e Arkitekturës, për të kaluar me  korrespondencë në Fakultetin Filologjik, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe.  Edhe me këto ndryshime, ai nuk do të mund të qëndrojë në Prishtinën e tij të rinisë, por do të detyrohet të emigrojë përfundimisht në vendin helvetik- në Zvicër,  ku jeton edhe sot.

 

Brahim Avdyli që në moshë shumë të re do të fillojë të merret me zejen poetike- e cila do të jetë gjithnjë bashkudhëtari më besnik i tij. Ai ka pasur fatin të jetë pjesë e një gjenerate të studentëve të rinj të Univesitetit të Kosovës të fundit të viteve ’70, për të cilët poezia nuk ishte vetëm art për të ushqyer shpirtin estetikisht, por për sishokët e Brahimit, ishte në rend të parë klithmë e kushtrim për lirinë e munguar, thirrje për çlirim nga zgjedha pushtuese jugosllave. Dhe kjo poezi e tillë, nuk mbetej vetëm kushtrim i çastit, por ishte udhërrëfyese për të ndjekur  rrugën e lirisë. Dhe pikërisht pse ishte e tillë, kjo poezi ishte edhe e ndjekur e luftuar nga armiqtë e lirisë. Dhe armiqtë e lirisë kishin të drejtë ta luftonin këtë poezi nga këndvështrimi i tyre, sepse ku ka liri më të bukur e më të çmuar se sa liria e cila vjen si plotësim i ideve të poezisë atdhetare.

 

Poezitë e para të Brahim Avdylit, të botuara në gazetën studentore “Bota e re” apo “Zëri i rinisë” do të tërheqin vëmendjen e artdashësve dhe të kritikës letrare. Këto krijime të para poetike po paralajmëronin lindjen e një poeti të ri i cili do t’i bashkohej plejadës së poetëve të asaj kohe si Tahir Desku, Basri Çapriqi, Abdullah Konushevci, Sabit Rrustemi etj., të cilët po sillnin një frymë të re në poezinë shqipe të Kosovës.

 

Brahim Avdyli në këtë periudhë do të jetë në shoqëri të vazhdueshme të vargjeve poetike të poetëve të njohur shqiptarë si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Din Mehmeti etj., të cilët ishin bërë “ushqim” i pashmangshëm i kësaj gjenerate. Në orët letrare që mbaheshin në atë periudhë, e ku Brahim Avdyli do të jetë pjesëmarrës i rregullt, deri sa ishte në Kosovë, jepej mesazhi i lirisë, i cili do të jetë udherrëfyes i fuqishëm i këtij brezi.

 

Për dallim nga poetët e tjerë të gjeneratës së vet, Brahim Avdyli do të detyrohet të mërgojë përgjithnjë. Kjo tragjedi e tij individuale do t’a ndikojë krijimtarinë e tij poetike në mënyrë të jashtëzakonshme. Kurse lexuesve do t’u japë krijime të bukura artistike, pikërisht edhe përmes kësaj tragjedie të tij personale, e cila nuk ishte e vetme, por ishte bërë tragjedi popullore. Vetëm një shpirt poetik i kalibrit të Brahim Avdylit do të mund të përçojë aq fuqishëm përmes vargjeve poetike tek lexuesit jetën e mërgimtarëve shqiptarë, vështirësitë e tyre në tokën e huaj. Duke qenë krijime poetike të cilat vijnë si rezultat i përjetimeve personale të poetit, poezia e Brahim Avdylit përpos pasqyrimit të realitetit jetësor, do të paraqes në njërën anë jetën e vështirë  të cilën e jeton ai, dhe në anën tjetër do të “prishë” idenë e mjaft njerëzve atëbotë, të cilët mendonin se jeta në mërgim është një parajsë.

 

Brahim Avdyli edhe nën këto rrethana të pavolitshme nuk do të ndalet në rrugën e shkollimit. Do të mësoj gjuhën gjermane, do të ndjekë arsimime të ndryshme në fushën e hotelerisë, informatikës, diplomacisë. Do të fillojë të merret edhe me shkrime publicistike dhe nga viti 1990 deri në vitin 1995 do të nxjerrë në Cyrih revistën “Qëndresa”, me qëllimin kryesor për të ndihmuar luftën e popullit shqiptar për liri. Por, edhe gjatë gjithë kësaj periudhe jetësore poezia, para se gjithash do të jetë vokacioni i tij kryesor.

 

Pas një tufe poezish të botuara nëpër shtypin e kohës,  Brahim Avdyli do të vijë para lexuesve me përmbledhjen e parë poetike me titull “Në hijen e Alpeve”,  botuar nga Rilindja,  në vitin 1983,  në Prishtinë.  Kjo përmbledhje poetike, fillon me poezinë, që do të identifikojë profilin e tij, “Opingave të mia”, ku poeti përmes opingës si simbol i shtresave të ulta do t’u drejtohet poetëve të mëdhenj pa frikën se ndoshta nuk do ta pranojnë, sepse ai mbështetet te një taban tjetër, për të më i rëndësishëm, tek toka:

 

 

       Poetët e mëdhenj do të qeshin

 

       me këto vargje për ju

 

 

       do të neveriten nga era e djersës

 

       dhe era e baltës

 

 

       s ka gjë

 

       (...)

 

 

       le të na pranojë kjo tokë

 

       ku hapin e lëshojmë pa drojë

 

       me estetikën tonë kryeneçe![1]

 

 

 

Kjo poezi,  në njërën anë identifikon prioritetet e poetit, të cilat bien ndesh me një plejadë të poetëve të mëhershëm të cilët ishin mbërthyer në botën e poezisë hermetike, dhe në anën tjetër sikur paralajmëron se kush do të jenë lexuesit, të cilët do ta pëlqejnë poezinë e tij- lexuesit e thjeshtë, ata që poezinë e tillë e kanë këngë të shpirtit të tyre.

 

Pas kësaj përmbledhjeje poetike, Brahim Avdyli edhe pse i mërguar do të vazhdojë të merret intenzivisht me artin e poezisë. Pas një kohe të shkurtër ai do të dorëzojë librin e dytë me poezi, Kur zgjohet Dodona, por ky libër poetik do ta shohë dritën e botimit tek në vitin 1992, botuar nga Rilindja, Prishtinë. Nuk ishte e papritur kjo vonesë kur lexojmë vargjet e kësaj përmbledhjeje. Në oborrin e mecenatit punonin pandërprerë gjelatët e poezisë atdhetare dhe doemos që ata nuk donin të lejonin që kjo permbledhje të shohë dritën e botimit. Por pas ndryshimeve të mëdha që ndodhën jo vetëm në planin kombëtar, por para se gjithash në atë ndërkombëtar, u hap rruga që lexuesi të këtë në dorë edhe poezitë e poetëve që ishin dënuar nga pushteti jugosllav si rrezikues të indoktrinimit kundërrevolucionar të masave popullore.

 

Është me rëndësi të theksohet se Brahim Avdyli në vitin 1990, në Cyrih të Zvicrës, boton poemën me titull simbolik “Buka e kuqe”, në kuadër të Bibliotekës “Dielli i Lirisë” të Shoqatës “Atdheu”. Përmbledhja tjetër që do të shohë së shpejti dritën e botimit, është “Pasqyrë e përgjakur”, nga Shtëpia Botuese Marin Barleti, Tiranë, 1994. Poashtu në Tiranë, në vitin 1997, në kohën kur populli shqiptar, po rrezikohej më së shumti siç thotë poeti nga vetvetja, del përmbledhja e poezive me titull “Klithje nga fundi i ferrit”, botuar nga Onufri, për të vazhduar me daljen e përmbledhjes  “Gjuha e dheut tim”, nga shtëpia botuese Albin, Tiranë, 1999. Përmbledhja e fundit poetike e Brahim Avdylit është “Baraspesha e humbur”, botuar nga Shtëpia Botuese Qëndresa, në Gjakovë, në vitin 2003.

 

Përpos në fushën e poezisë, Brahim Avdyli në vitet e fundit doli para lexuesve edhe me dy përmbledhje me tregime. Libri me tregime “Vragat e një kohe”, u botua nga Shtëpia Botuese Faik Konica në Prishtinë, në vitin 2005, kurse libri tjetër me titull “Lëvozhga e vdekjes”, nga po e njejta shtëpi botuese, doli në vitin 2007.

 

Brahim Avdyli është poet i cili është i lidhur ngushtë me tokën, me historinë,  me popullin e vet. Ai i ka vënë vetes një mision të cilin e shpreh qartë edhe përmes vargjeve poetike. Në poezinë “Trajektorja e fatit”, ai shkruan:

    

 

                   U linda në malësi

 

                   E u treta në mërgim

 

 

                   Duke djegur veten

 

                   Me vargje nëpër buzë

 

                   E kokën e lënë

 

                   Peng për të nesërmen

 

 

 

                   Për besë

 

                   Kudo shpërndava

 

                   Dhembjen time të zjarrtë

 

                   E mbolla ëndrrat-

 

     Thirrjet për Lirinë![2]

 

 

      Edhe pse pakëz deklarative, kjo poezi identifikon qartë misionin jetësor të luftëtarit dhe njëkohësisht të poetit. Ky mision nuk është i lehtë, sepse luftëtari  ka marrë përsipër të ndjekë rrugën e lirisë, rrugë kjo e cila ishte e përshkruar me shumë vëshrirësi e rreziqe, kurse poeti do të djegë veten me vargjet për të nesërmen. Kjo rrugë lirie, do të bëhet edhe brumi kryesor i poezive të Brahim Avdylit. Kemi të bëjmë këtu me një bashkëdyzim harmonik të rrugës jetësore me vargjet poetike. Këto vargje, nuk janë vetëm pjellë e fantazisë krijuese, por në rend të parë janë edhe pasojë e përjetimeve të poetit në rrugën e lirisë. “Poezia e Brahim Avdylit është refleks i krajatave jetësore të njeriut, i cili fatin e vet e ka lidhur përjetësisht me fatin e popullit të vet. Sikurse te Din Mehmeti, Azem Shkreli dhe poetët e tjerë të këtij profili, subjekti lirik është këpuja që lidh të përgjithshmen me individualen, shoqëroren me intimen dhe që krijon një baraspeshë midis tyre, tipar ky që ky poet e ruan pak a shumë që nga libri i parë deri tek libri i fundit për të cilin bëjmë fjalë” [3], thekson kritiku i njohur i  letërsisë sonë Dr. Agim Vinca, në vështrimin e tij për poezinë e Brahim Avdylit. Këtë fat Brahim Avdyli e ka zgjedhur vetë, sepse është fati i një njeriu që do të jetë vetëdijshëm pjesë e bërjes së historisë së popullit të vet.

 

Një dëshmi për këtë bashkëdyzim harmonik mes veprimit patriotik dhe krijimit poetik është poema “Buka e kuqe” e cila hapet me një shënim të autorit, ku thekson ndër të tjera se poemën ia kushton protestës gjithëpopullore kundër dhunës jugosllave dhe nderimit për të rënët dëshmorë në protestat e organizuara në Gjakovë,  ku vetë poeti i kthyer nga mërgimi gjatë  periudhës dhjetor 1989 e deri ne mars 1990, ishte ndër organizatorët kryesorë të tyre.

 

Është kjo periudha kur populli shqiptar ishte ngritur në këmbë për të fituar lirinë e nëpërkëmbur. Poeti i drejtohet Kosovës me vargjet:

 

 

                   Unë t’i njoh moj

 

                   Të gjitha përgjakimet tua, [4]

 

 

     Për të vazhduar me dhembjen që ndien për fëmijët e Kosovës sepse për këta fëmijë është privilegj t’i kenë prindërit në shtëpi:

 

 

                   Eh fëmijët e Kosovës

 

                   Janë zogj të përndjekur.

 

 

 

                   Asnjë pip të qetë s’ua lënë korbat

 

                   Asnjë kënd të ngrohtë s’ua lënë retë

 

 

 

                   Asnjë rrobe te pagrisur

 

                   S’ua lënë drizat e fatit

 

                   Asnjë fushë me lule kosat s’ua lënë,

 

 

 

                   Po po,

 

                   Fëmijët e Kosovës

 

                   Janë të predestinuar[5]

 

 

 

Poeti përdor metaforën zogj të përndjekur për fëmijët e Kosovës, për këta fëmijë të cilët edhe në fillimin e njomë të jetës së tyre korbat (armiqtë) nuk i lënë të luajnë në fushat e tyre. Por dhembja më e madhe e poetit është për të rënët, për ata që u flijuan, sepse ata 

 

 

 

                   Ranë të puthin Tokën

 

                   një grusht dhe të shtrenjtë

 

                   për një buzëqeshje fëmijërore,[6]

 

 

 

Kjo poemë e botuar në një kohë kur indi i kombit shqiptar ishte në një udhëkryq të rrezikshëm të historisë së tij, përmbledh në mënyrë të fuqishme shpirtin liridashës të Kosovës, sepse “Kosova është tempull i flijimit për të vërtetën” shkruan ai. Poeti këtu sjell një nga pikat qendrore për të cilën një popull duhet t’i dalë zot vetvetes,  për t’i bërë ballë furtunave të kohës, gatishmërinë për tu flijuar  për të vërtetën, për këtë të vërtetë, që interpretuar do të thotë për të drejtën legjitime për të jetuar i lirë dhe i pavarur në tokën e vet. Kjo poemë tek mërgata shqiptare në Zvicër e më gjerë, është lexuar me një frymë dhe ka përçuar pikërisht atë dëshirën e poetit të theksuar më lart për të mbjellë ëndërrat tek bashkëkombësit e vet për lirinë.

 

Pikërisht për të sjellë të vërtetën për të drejtën legjitime të popullit tonë, poeti Brahim Avdyli në përmbledhjen e poezive me titull “Kur zgjohet Dodona” kthehet në periudha të hershme të historisë dhe Dodona si pjesë e një qytetërimi të hershëm pellazg, mbi të cilin do të lindë qytetërimi i mëvonshëm helen, i shërben atij për të nxjerrë të vërtetën mbi lashtësinë mijëravjeçare të popullit shqiptar. Poeti Brahim Avdyli,  përmes kësaj poezie, të cilën e shkroi që në vitin 1978, në moshën 18-vjeçare, në vigjilie të përkujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngrihet kundër harresës, kundër globalizimit që fshin nga faqja e dheut historitë e popujve të vegjël. Edhe pse në moshë të re, poeti arrin që t’a zhvendos trajektoren e historisë në kohën e sotme, duke i pasqyruar  permes figurave të qëlluara artistike fenomenet e shpërbërjes, dhunës, tradhëtisë, ndërrimit të dhunshëm të emrave, fenomene këto që e kanë përcjellë tragjikisht popullin tonë deri në ditët tona. Poeti përmes  tragjedisë së këtij qytetërimi të lashtë  jep kushtirmin për zgjimin e Dodonës, për qëndresë kundër zhbërjes, harrimit për ngjeshje të rradhëve për të jetësuar idealin e poetit-bashkimin e popullit shqiptar.

 

Në këtë ngjeshje të radhëve, poetin do ta therrë në zemër humbja e shokëve të idealit Jusuf Gërvallës e Kadri Zekës, të cilët poeti i quan vëllezër dhe shton:

 

 

 

                   varret në zemër na i lanë

 

                   dhe ca fjalë të fundme-

 

                   si themele që s’tunden!

 

 

 

                   Në një pishë emrat i shkrinë

 

                   e na i lanë peng të përjetshëm

 

                   të ecim drejt Diellit,[7]

 

 

 

Humbja e tyre dhe e luftëtarëve të tjerë të çështjes kombëtare, do të trajtohen gjerësisht në krijimet poetike të Brahim Avdylit. Edhe pse poeti nganjëherë nuk mund t’u ikë fjalëve të mëdha, të shumtën e herave ato e gjejnë vendin e duhur në trupin e poezisë. Poeti bën thirrje për të ndjekur rrugën e tyre, për të mos u dobësuar, nga humbja nga dhembja, por për të sendërtuar idealin e tyre. Poezia e tillë krijon mundësinë që të bashkëdyzojë në një afërsinë dhe distancën, ndoshta më shumë se artet tjera. Poezia e Brahim Avdylit vjen nga forca e përgjithshme e brendshme, ajo nuk e merr përsipër detyrën për të fshehur dhimbjen, përkundrazi e bën atë të qartë, në mënyrë që lexuesi ta shohë,  ta ndjejë  atë, sepse kjo e bën njeriun të shpresojë të mos dorëzohet dhe të shoh më tutje drejt Diellit.  Sepse poeti  është në mes të vuajtjes,  dhembjes dhe klithma e tij është jo vetëm pasojë e tyre,  por,  në rend të parë e urdhërit për të ndryshuar këtë gjendje:

 

 

                   Kur do t’ju shoh ashtu siç dua

 

                   o fushat e helmit tim

 

 

 

                   se plasa duke shpënë

 

                   dheun tuaj

 

                   gjyqeve të botës

 

 

 

                   duke ua thithur helmin

 

                   nëntorëve të vrarë mbi ju

 

                   (...)

 

                   tash o kurrë

 

                   tash o kurrë,  heu...!![8]

 

 

 

Kjo anaforë mëton të thotë pa ekuivoke imperativin e luftës për liri. Dhe klithma popullore heu, jep kushtrimin, i cili nuk do të vonojë dhe do të vijë. Poeti është orakulli i pagabueshem  i lirisë.

 

Në të gjitha përmbledhjet poetike, poeti shpreh një dashuri të pakufishme për vendin e tij. Në periudhën e viteve ’80 ai këtë dashuri do të jetë i imponuar ta paraqesë në mënyrë lakonike nganjëherë edhe përmes një titulli që më shumë do të ishte në pamje të parë poezi me motiv erotik, siç është poezia me titull “Intime” me një nëntitull “I kushtohet Sh.” (Shqipërisë) i cili kushtim u hoq nga poezia nga cenzura e kohës. Poeti përmes një gjuhe të bukur artistike shpreh dashurinë e pakufishme për Shqipërinë, edhe pse nuk mund t’a përjetojë atë, vetëm mund t’a ëndërrojë, edhe pse e kishte aq afër gjeografikisht, dhe e mbyll poezinë me vargun:

 

 

 

Së paku aty

 

Përmallshëm bashkohemi! [9]

 

 

 

Kjo dashuri zgjerohet në poezinë “Bisedë me nëntorin” në të cilën poeti shpreh dashurinë për nëntorët duke i cilësuar:

 

 

 

                   Herën e parë

 

                   erdhe mbi shpatën e zhveshur

 

                   të rrezeve të kuqe,

 

                   (....)

 

                   Herën e dytë

 

                   na erdhe i ngutshëm

 

                   s’patëm kohë t’i mbledhnim

 

                   të gjitha cuklat e jetës,

 

                   (....)

 

                   E kur të të sjellim

 

                   me kurorën e artë të rrezeve

 

                   nëntor i tretë do të jesh

 

 

 

Ky nëntor i tretë, për poetin do të jetë përmbushje e ëndrrës së tij dhe e brezave, për t’a parë popullin shqiptar të bashkuar. Ky nëntor i tretë do të jetë kurorëzim i përpjekjeve shekullore të shumë patriotëve të të gjitha trojeve shqiptare, të cilët dhanë jetën që të realizohet nëntori i papërsëritshëm, sepse atëherë ky nëntor do të sublimojë plotësisht edhe dy nëntorët e parë.

 

Në poezinë e Brahim Avdylit nuk trajtohet vetëm çështja kombëtare, por poeti është i preokupuar edhe me ngjarjet që ndodhin në botë. Ai shpreh shpesh fijen e dyshimit ndaj Evropës, ka frikë se mos përsëri populli ynë përsëri do të hajë “bukë pelini apo se do të mashtrohet përmes “paqes dinake”. Poeti e trajton edhe tragjedinë e Srebrenicës, në të cilën gjelatët serb pushkatuan mijëra boshnjakë të pafajshëm, në prezencën e helmetkaltërve të cilët i krahason me kalin e Trojës.

 

 

Në krijimtarinë e gjithmbarshme poetike të Brahim Avdylit, një vend të spikatur e zënë padyshim poezitë më motiv kurbeti. Nga poetët e mërgatës shqiptare në Zvicër, Brahim Avdyli, ka arritur si rrallë kush që të portretizojë kurbetçarin përmes figurave të goditura artistike dhe njëkohësisht të sjellë shpirtin e tij të trazuar, vetminë, mllefin, dhe vuajtjen e pakufishme për atdheun. Kurbetçari i vargjeve poetike të Brahim Avdylit i ngjan Sizifit, i cili i ikën vdekjes; i dënuari i cili duhet të ngjitë gurin lart, çdo ditë,  por Sizifi  ka një fat me të mirë se poeti, sepse për poetin guri është Atdheu, është gjuha. Trotuareve të qyteteve të Evropës poeti e bart çdo ditë këtë gur, sepse ekzili është një përvojë e jashtëzakonshme e poetit. Dhe, edhe pse i stërlodhur, ai nuk heq dorë të realizojë qëllimin e tij, edhe kur ai qëllim duket i parealizueshëm. Kundërthëniet e ekzistencës së poetit në “tretdhe” janë shumë të dukshme:

 

 

 

derisa unë

 

këngëtar i shkretë

 

marr e jap një jetë të tërë

 

dhe s’lëviz nga vendi

 

gurin e dhembjes!... [10]

 

 

 

Mërgimi, para se të jetë një jetë e qetë, është një jetë e mundimshme, është një torturë e mendjes, e ndjenjave, e idealeve “të tradhtuara”, është shkëputje nga trungu, është theqafje “atje ku bren miza hekur shprehje popullore kjo, të cilën poeti e fut me sukses në trungun harmonik të poezisë si dhe mjaft shprehje të tjera të marra nga gurra popullore. Kurbeti, është dhembje, para se gjithash e brendshme, dhembje mendimi, dhemje zemre, dhembje e përcjellur me një vetmi monotonie vrasëse. Ashtu si Noli i “Anës së lumenjve”, poeti shprehet:

 

 

 

                   E tërë jeta ime dënimit i ngjan-

 

                   Pranë syve kalon gëzimi dhe s’e mbërrij,

 

                   Pranë gojës kalon jeta dhe s’e shijoj

 

                   Pranë shetit e vërteta dhe s’më njeh

 

                   (.....)

 

                   As i mbytur jam as i shpëtuar

 

                   (....)

 

                   I syrgjynosur së gjalli, ja kështu në ferr-

 

                   Shpirtin plot dritë e përreth vetëm terr!

 

 

 

Ky shpirt plot dritë- poeti- nuk i mbyll sytë para kësaj gjendjeje, sepse është njeri i vuajtjeve dhe njeriu i vuajtjeve është i prirur t’i japë hapësisë shpresës, idealit të lirisë. Poeti i jep udhë shpirtit të mbrendshëm, i jep udhë guximit për të thënë, sepse ky guxim është të jesh vetvetja, të jesh identiteti në një botë ekzili, i jep udhë guximit për t’i shkruar mendimet, guxim ky i cili është dëshmi se poeti nuk qëndron oportun, dhe krejt në fund guximi për të besuar në lidhjen me lexuesin, sepse poezia është para se gjithash komunikim. Poeti Brahim Avdyli dëshiron që  lexuesit të vet t’ia përcjell me nota realiste jetën e kurbetçarit- jetën e tij- përvojën e tij në mërgim. Në një numër të madh poezishë me temë mërgimin, që nga përmbledhja e parë “Në hijen e alpeve” e deri tek ajo e fundit “Baraspesha e humbur”, poeti Brahim Avdyli jep me nota të zymta fatin e mërgimtarit shqiptar udhëve të Evropës. Ky mërgimtar jo vetëm që vuan, është i papunë, nuk pranohet nga shoqëria vendase, por bart mallin për vendlindjen, për gurët, për fëmijët e lindur e të paparë në Atdhe. Në poezinë “Jashtë atdheut” poeti shprehet kështu:

 

 

                   Jashtë trollit të tij njeriu s’paska forcë

 

                   (....)

 

                   Midis njerëzish ndihesh i huaj, në qytet i panjohur[11]

 

 

 

Në këto krijime poetike të shkruara në një periudhë të rëndë shpirtërore kur poeti është i detyruar të punojë punë të rënda fizike në Slloveni e më vonë të kërkojë strehim në Zvicër, s’ka se si të mos shfaqen fjalët bosht si dhembja, vetmia, malli, trungu i shkëputur, shqiponjë e mërguar, përbuzja, klithje nate etj., të cilat janë pjesë përbërëse e jetës së tij, e njëkohësisht edhe fati i qindra-mijëra refugjatëve shqiptarë të mërguar sidomos në periudhën e viteve ’90. Në poezinë “Një nga njëmijë letrat e një kurbetçari dërguar Atdheut” ashtu sikurse Naimi dikur edhe poeti digjet për Atdheun, ai e do aq shumë atë sa nuk mund ta shohë me lot dhe shton:

 

 

 

                   ndaj rri dhe tretem, digjem përsëri

 

                   vij apo nuk vij-

 

                   të kam e më ke në gji [12]

 

 

 

Si rrallëkush në poezinë shqipe të mërgatës, Brahim Avdyli me këto vargje e shtron dilemën hamletiane të mërgimtarit vij apo nuk vij, përmes së cilës në njërën anë pasqyron gjendjen shpirtërore të mërgimtarit, e në anën tjetër dilemën e cila e përcjell secilin  mërgimtar edhe sot me mendimin të kthehem apo të mos kthehem.

 

Vëllimi poetik “Klithje nga fundi i ferrit” është një cikël poezish të shkruara në Cyrih të Zvicrës, në të cilat portretizohet jeta e mjerueshme e “azilantëve” siç i quanin vendasit refugjatët e ardhur nga vende të ndryshme. Se sa ekstreme është kjo jetë, e shpreh poeti në poezinë “Jetë rezilantësh” të cilën kur e lexojmë,  shohim se sa i përdhosur ishte dinjiteti i një refugjati, apo më mirë të themi strehëkërkuesi në atë periudhë:

 

 

 

                   Azilant je, rezilant

 

                   Nichts, niemand,

 

                   Eine flecke in Europa!...[13]

 

 

 

që përkthyer do të thotë një refugjat është asgjë, askush, një njollë në Evropë. Për të qenë sa më autentik me mendimin, poeti i shkruan këto fjalë në gjermanisht.

 

Poeti Brahim Avdyli nuk i ngjan poetëve të shumtë që dalin në ekzil për të krijuar në një ambient të qetë, pa andralla pa halle për popullin prej nga vjen. Jo, ai është poet i cili në rend të parë ka një mision, ka një lidhje të drejtpërdrejtë me të dhe kjo shprehet aq fort në poezinë “Dreka ime famoze”:

 

 

 

                   Marr një copë buke e një bratwurst breg rrugës

 

                   Rruga zgjatet gjer në Kosovë-

 

                   Udhëtim i tmerrshëm kafshoresh

 

                   Gjer te fëmijët e mi,

 

                   E unë kam dy milion fëmijë

 

                   Dy milion thika në mushkëri,

 

 

 

                   Ndaj bëhem vetë fëmijë para syve të botës

 

                   Nga qepallat më rigon shi...

 

 

 

                   As ta përtyp as ta vjell dhembjen e pafund!![14]

 

 

 

Në këto vargje shihet se sa është i lidhur poeti me Atdheun, me dramën kolektive të tij.  Vetë titulli i poezisë është ironik, sepse poeti vetë është i varfër dhe për vendin ku jeton kjo drekë është më tepër se modeste, por edhe modestia është e tepruar përballë tragjedisë së popullit të vet. Për poetin kur jeton larg Kosovës “zemra digjet si eshka mbi gur”  dhe e përmbyll poezinë me vargun lapidar “mjer ai që vdes pa lirinë tënde”.

 

Në krijimet e tij poetike, Brahim Avdyli nganjëherë më parë se një poet, është një luftëtar i çështjes kombëtare. Poezia e tij është njëkohësisht rruga nëpër të cilën kalon populli i tij. Duke qenë në një rol të tillë, herë-herë poezia e tij humb në kualitet artistik, sepse bie në tabanin e rrëfimit politik e deri propagandistik, por kjo nuk e dëmton atë si poet- luftëtar, sepse ai është zëdhënës i një kohe, është një luftëtar për lirinë e atdheut.

 

Brahim Avdyli për pesë vjet udhëhoqi revistën “Qëndresa”, në të cilën revistë tema bosht ishte mbrojtja dhe internacionalizimi i kauzës kombëtare, dhe nganjëherë ky vrull luftarak depërton edhe në poezitë e tij dhe i bën ato deklarative. Se sa ishte ky rol dominues, shihet edhe nga fakti se në gjithë krijimtarinë e tij, ka mjaft pak poezi më motiv dashurie, dhe edhe kur shkruan poezi të tilla janë më shumë meditative, plot brengë me pikëllim.

 

Brahim Avdyli ka arritur të inkorporojë me mjaft sukses lëndën popullore në krijimtarinë e tij artistike. Kjo lëndë të shumtën e herave i jep një ngjyrim të veçantë poezive të tij, në anën tjetër, këto figura e paraqesin lidhshmërinë e përvojes jetësore të poetit me brumin e pashterrshëm popullor, brum i cili ka pasur shumë ndikim në formimin intelektual të tij.

 

Figura të dashura nga gurra popullore si dragoi, kreshnikët, kaçakët e malit, orlat etj., figura këto që personifikohen me të mirën, heroiken i ndeshim në shumë poezi.

 

Pastaj figura si lugetërit, kau i zi, djalli, bushtra, shtriga, Bajlozat, kuçedra e verdhë, korbat etj., të cilat personifikojnë të keqen, armikun,  poeti i përdor në funksion të përshkallëzimit të paraqitjes së armikut të popullit.

 

Brahim Avdyli në krijimimet e tij poetike i shfrytëzon edhe figurat mitologjike si Anteun, Kalin e Trojës, Sizifin, Kainin, Mbretërinë e Hadit, Afroditën etj., të cilat i transformon me mjeshtri duke i vënë në funksion të ideve artistike. 

 

Duke e shikuar në tërësinë e saj, mund të themi lirisht se krijimtaria poetike  e Brahim Avdylit tashmë zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi. Brahim Avdyli ka krijuar botën e tij poetike, e cila tanimë është vlerësuar jo vetëm nga lexuesit e shumtë, por edhe nga kritika letrare.



         [1]   Brahim Avdyli: Në hijen e Alpeve, Rilindja, Prishtinë, 1983, faqe 5

         [2]  Brahim Avdyli,  Klithje nga fundi i ferrit, Onufri, Tiranë, 1997, , faqe 22

         [3]  Agim Vinca, Pasthënie për librin  Baraspesha e humbur, Qëndresa, Gjakovë, 2003, faqe 125

         [4]   Brahim Avdyli, Zogu i këngës (poezi të zgjedhura), ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 51

         [5]   Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 56

         [6]   Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 58

         [7]   Brahim Avdyli,  Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 105

         [8]   Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 109

         [9]   Brahim Avdyli, Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 68

        [10]  Brahim Avdyli, Klithmë nga fundi i ferrit, Onufri, Tiranë, 1997, faqe 13

        [11]  Brahim Avdyli,  Baraspesha e humbur, Qëndresa, Gjakovë, 2003, faqe 43

        [12]  Brahim Avdyli,  Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 113

        [13]  Brahim Avdyli,  Klithje nga fundi i ferrit, Onufri, Tiranë, 1997, faqe 43

        [14] Brahim Avdyli,  Zogu i këngës, ShB Pjetër Bogdani, Has, 2009, faqe 123