Prof. Halil HAXHOSAJ:

 

DRAMË ME ELEMENTE

 

BIOGRAFIKE E ARTISTIKE

 

Brahim AVDYLI:

“Vetëvrasja e një poeti”,

dramë,

botoi

Shoqata e Intelektualëve “Jakova”,

 

Gjakovë, 2013.

 

Shkrimtari, Brahim Avdyli, pas disa veprave me poezi dhe shkrimeve të tjera të karaktereve e zhanreve të ndryshme, botoi dramën “Vetëvrasja e një poeti”, që paraqet një krijim tjetër interesant të këtij krijuesi, në të cilën gërshetohet në formë të drejtpërdrejt e të tërthortë linja kryesore e idesë, e cila fillon nga polemika për letërsinë, sidomos poezinë e lirikën në të gjitha hapësirat, sidomos në atë evropiane e deri te jeta e Kryepersonazhit të veprës,. Florian Meta, që është i njohur, por edhe i papërfillshëm e i papranueshëm për rrethin dha hapësirën ku jeton e vepron, andaj ai detyrohet të bëjë vetëvrasje, pasi nuk ka gjasa të kuptohet drejt, madje, as nga njerëzit e tij. Pas disa tentimeve të atentateve mbi të, të cilave u shpëton, vjen ndarja nga familja, nga të njohurit, nga kombi etj. Prandaj, ai vendos të bëjë vetëvrasje, pasi nuk mund t’i realizojë synimet dhe me këtë vetëvrasje do paraprakisht t`ua shkaktojë vrasjen e ndërgjegjes edhe simbolikisht okupatorëve të të gjitha kohëve e të të gjitha ngjyrave të kombit shqiptar. Kur vendos për këtë, atij nuk i mbetet gjë tjetër, pos besimit në Zotin e Madh, në Zotin Pellazg dhe në drejtësinë.

Drama hapet me disa thënie të figurave të njohura botërore e kombëtare, ndërsa prologu i saj është tepër interesant dhe më rëndësi, sepse si pjesë e artistike e ndërtimit të saj mund të jetë edhe një monodramë në vete. Në prolog gërshetohen pothuajse të gjitha nuancat e shtjellimit të konfliktit dramatik, i cili vepron në shtresim të mirë, mbase edhe duke e çliruar atë nga ndonjë teprim i padashur edhe i pa qëllim. Sidoqoftë, prologu është çelës artistik i mëvetësisë dramatike të kësaj vepre të autorit e krijuesit Brahim Avdyli, që e mbështjellë atë me petkun e shndritshëm autobiografik, i cili nga realja ngrihet në artistiken dramatike.

Ngjarja e dramës strukturoret nëpër disa pamje, që në realitet janë edhe akte, por që nuk janë të ngurtësuara. Diçka lëviz nëpër rrathët e tyre, derisa shthurin konfliktin dhe zbulojnë idenë, qëllimin dhe synimet e autorit të saj. Për t’i paraqitur të gjitha këto, autori Brahim Avdyli, në dramë, paraqet një seri personazhesh, të cilët mund të grupohen në artistikë, letrarë, por edhe religjiozë, mitologjikë, mistikë, fantastikë, realë, bashkëkohorë e të tjerë. Madje, secili nga ta ka kontakt, pothuajse në të gjitha pamjet e dramës me Kryepersonazhin, që në shkrimin artistik të dramës është Florian Meta, poet e shkrimtar, i cili në realitet është pasqyrim i jetës, punës, veprës dhe veprimtarisë së autorit e shkrimtarit, Brahim Avdyli.  

Personazhi kryesor i dramës “Vetëvrasja e një poeti”, poeti dhe shkrimtari Florian Meta, ka vendosur ta vrasë veten, natën, në një park. Ky akt i vetëvrasjes strukturoret në disa pamje, në të cilat shtjellohet ngjarja në mes tij e të Panjohurit, Tregtarit të Tregut të Zi, që është Djali i një oficeri të Rajhut të Tretë, i cili ia jep një pilulë (tabletë) të Cianidit për ta marrë, duke e lënë pa rrobe e pa para, në mes të parkut, në mesnatë. Në situatën e vetëvrasjes shfaqet Zoti i Madh Pellazg, me Ndihmëszotin, ia pamundësojnë vetëvrasjen, sepse i ka ende të pakryera veprat e veta. Kurorëzimi i kulminacionit dramatik arrihet në polemikën e zjarrtë në Studion e Televizionit Qendror ku Florian Meta, i ftuar nga Gazetari i Studios, nuk flet për vetëvrasjen reale, por për atë simbolike, e cila në realitet merr nuanca dhe trajton vrasjen e ndërgjegjes, sepse poezinë tij nuk dëshiron ta kuptojë njeri; trajton vrasjen e instancave policore të vendit nikoqir që e shantazhojnë; kritikon instancat ndërkombëtare; pastaj instancat mashtruese të armiqve të shumtë; nuk pajtohet dhe sqaron mashtrimet shkencore e pseudoshkencore të kohës, e shumë gjera të tjera.

Kjo nuancë e dramës “Vetëvrasja e një poeti”, paraqet anën ideore dhe qëllimore të veprës si tërësi artistike e letrare, sepse me poetin, shkrimtarin, publicistin, luftëtarin, atdhetarin, patriotin, dijetarin e shkencëtarin, Florian Meta, janë, përveç Zotit të Madh Pellazg, edhe Burri, Vajza e Vogël apo Engjëlli, Ndihmëszoti, Profesori, Gazetari, etj. Edhe personazhet  e tjerë si: Qeni, Macja, sorrat e zogjtë janë funksionale, përkojnë me zhvillimin dhe rrjedhën e saj strukturore, sepse janë në funksion të idesë artistike.

Drama përfundon me Epilog, që paraqitet me mbesat Ganimeten dhe Pranverën, të cilët kanë lindur më vonë nga Zoti i Madh. Kjo vepër mëton të ketë përmbajtje moderne. Dialogët e saj shpesh janë të gjatë, por janë funksionalë dhe jo të bezdisshëm. Kjo e shpejton rrjedhën e veprës, edhe pse, mbase, ka disa momente që duhet pasur kujdes gjatë leximit.Drama si gjini letrare nuk shkruhet për t’u lexuar, por për t’u shfaqur në skenë, sepse sipas teorive letrare shkrimi i dramës është skeleti i saj, ndërsa realizimi dhe shfaqja e saj në skenë janë shpirti i saj. Mbase një synim të tillë e ka pasur edhe shkrimtari, Brahim Avdyli, kur e shkroi dhe e botoi dramën “Vetëvrasja e një poeti”, e cila paraqet një begatim të dramës sonë bashkëkohore, pse jo, edhe repertorin e teatrove tona në këtë kohë e hapësirë letrare.