
Mr. Muhamet ROGOVA:
DRAMA “ VETËVRASJA E NJË POETI“
DHE DISA VETI TË SAJ
Poeti, prozatori, studiuesi dhe autori i një varg veprash, Brahim Avdyli kohëve të fundit ka nxjerrë në dritë një dramë që konsiderohet si njëra prej gjinive mjaft të vështira të artit të të shkruarit. Drama e mban titullin “Vetëvrasja e një poeti”, një titull sa simbolik aq edhe provokues për kohën kur e shkruan.
Ndonëse në këtë dramë mund të merren mjaft elemente autobiografike, shpesh kalohen në përgjithësime të njeriut tonë e mërgimtarëve shqiptarë, që situata i detyroi të braktisnin vendet e tyre dhe të merrnin rrugën e hidhur të mërgimit nëpër shtete të ndryshme të Evropës, qoftë për shkaqe politike apo për të kërkuar një jetë më të mirë dhe për të siguruar ekzistencën e tyre, por duke vepruar pa u ndalur për lirinë e Atdheut. Vendi i tyre nuk iu ofronte atë. Në fakt, autorin dhe kryepersonazhin e këtij libri e ndjek fati i të mërguarit politik. Pasi ishte i përndjekur nga organet shtetërore të kohës për aktivitetin e tij politik e kombëtar, ai ishte i detyruar të merrte rrugën e vështirë të mërgimit për t’i shpëtuar burgosjeve dhe persekutimeve nga organet shtetërore të kohës, por edhe me shpresë se atje do të gjente kushte më të mira dhe hapësirë më të përshtatshme për të zhvilluar aktivitetin kombëtar si intelektual, bashkë me bashkatdhetarët e tij të shumtë që jetonin atje. Si hije të zeza e ndjekin agjenturat e ndryshme ku për asnjë moment nuk e lënë të qetë dhe ia bëjnë jetën ferr, disa herë edhe organet qeveritare të kantoneve të ndryshme të Zvicrës, që bëjnë përpjekje për ta dëbuar nga Zvicra si person “non grata”. Kryepersonazhi i kësaj drame heq të zitë e ullirit për të jetuar aty dhe për të siguruar një ekzistencë minimale, por kurrë pa hequr dorë prej aktiviteteve të tij për çështjen kombëtare, se kur populli i tij vuante, as ai nuk mund ta ndiente veten të qetë dhe komod duke e kërkuar vetëm qetësinë dhe lumturinë e tij personale. Fati i Kryepersonazhit është i lidhur ngushtë me vetë fatin e popullit, të cilit ia kushton tërë jetën.
Drama “Vetëvrasja e një poeti” sa është dramë personale, aq është edhe dramë kolektive përmes së cilës përpiqet ta gërshetojë fatin e tij nopran me vetë fatin e popullit. Duke kaluar qaste të hidhura dhe duke parë se idealet e kombit dhe të popullit të tij nuk po ecnin ashtu si kishte parashikuar për të cilin ishte përpjekur tërë jetën, jo vetëm ai, por edhe pjesa më e madhe e aktivistëve të cilët kishin sakrifikuar çdo gjë për ta siguruar një liri dhe një mirëqenie ashtu si e meritonte, kishte rënë në depresion dhe zhgënjim të thellë. Në pjesën e pare të dramës përshkruhet një monolog i gjatë përmes të cilit përshkruan zhgënjimin e thellë që përjetonte dhe shembjen e idealeve të tij, që shkon deri në atë shkallë sa në një mbrëmje del prej shtëpisë dhe kërkon një vend të qetë ku nuk e sheh askush me qëllim për t’i dhëne fund jetës së tij, që në ato raste nuk gjente shtegdalje nga ajo gjendje shpirtërore që kishte rënë. Aty i ulur në një ulëse të parkut në terr i sjell ndërmend të gjitha të këqijat që i kishin ndodhur. Kryepersonazhi, gjatë këtyre kohëve të fundit, duke i përshkruar të gjitha ato ngjarje që i kishte kaluar, i cek të gjitha ligësitë dhe intrigat që ia kishin përgatitur armiqtë e popullit, por edhe të tij personale, derisa e kishin futur në armiqësi edhe me anëtarët e familjes, me vëllezërit, por edhe me gruan e tij, se gjoja, ai i kishte harruar dhe i kishte braktisur një herë e përgjithmonë. Të gjitha këto ishin trillime të ulëta, të cilat lan pasoja shumë të rënda dhe kishin çuar deri te ndarja e gruas së tij që aq shumë e kishte dashur. Në këtë monolog ai i kujton me dhimbje të madhe të gjitha këto të zeza që i kishin rënë mbi kokë, por edhe me peripecitë që kishte pasur me qeveritarët e shtetit ku kishte shkuar për të kërkuar strehë dhe mbrojtje, të cilët të cytur prej njerëzve të sigurimit jugosllav, ia kishin bërë jetën ferr dhe kërkonin shpesh edhe ta largonin prej shtetit të tyre. Nga veprimtaria e dendur politike me të cilën merrej, armiqtë e tij të cilëve iu kishte bërë hale në sy, disa herë ishin përpjekur të bënin edhe atentat mbi të, por mrekullisht kishte shpëtuar. Tani atij iu kishte mbushur kupa e helmit dhe nuk gjente shtegdalje përveç se t’i jepte fund jetës së tij në kohën kur të gjithë e kishin braktisur, bile edhe anëtarët e familjes. Ky që tërë jetën ia kishte kushtuar popullit e në mënyrë të veçantë familjes, që aq shumë ishte i përkushtuar për ta, tani as që donin të dëgjonin më për të. Aty, në atë park të vetmuar e shoqëronte vetëm një qen dhe një mace, që dukeshin se janë të vetmet qenie që po ia kuptonin brengat dhe hallet e tij me të cilët nganjëherë e zhvillonte nga një dialog, por pa marrë përgjigje prej tyre.
Në të vërtetë, kjo dramë është e ndërtuar në mes të reales dhe areales. Edhe personazhet janë të tillë. Në atë gjendje në të cilën ndodhej, paraqitet një person matrapaz, bir i një bashkëpunëtori të Hitlerit, i cili në shkëmbim të një hapi, cianidit, për t’ia lehtësuar vetëvrasjen, ia merr të gjitha teshat e trupit, por edhe paratë që i kishte, duke përfshirë edhe konton bankare. Ky personazh që ishte sinonim i së keqes, duket se ka dalë nga thellësia e tokës. Asgjë nuk kishte me realitetin. Autori ishte përpjekur tërë jetën për të gjetur gjenezën dhe rrënjët e popullit të tij që nga lashtësia e mugtë parahistorike apo mitike, pellazgët por edhe perënditë e tyre për të vërtetuar se populli shqiptar nuk është një popull pa identitet, ashtu si përpiqeshin të na paraqitnin armiqtë tanë si popull barbar dhe pa identitet, por që jemi populli më i lashtë në Evropë dhe i kemi dhënë aq shumë kulturës mbarënjerëzore. Prandaj në këtë dramë ai kontakton edhe me personazhe nga historia e lashtë e popullit shqiptar, si me Pirro Molosin, mbretin e Epirit të lashtë dhe një vajzë që ishte engjëlli i tij mbrojtës e që ia sjellin edhe gjërat e plaçkitura një natë më parë nga ai matrapaz i ndyrë, por që e ushqejnë edhe me kurajë për ta vazhduar jetën. Gjatë asaj nate kritike që po kalonte Kryepersonazhi, në mes të ëndrrës dhe zhgjëndrrës, fluturon lartë në qiell dhe kontakton edhe me Zotin, pra me Zeusin, Zotin pellazg dhe me ndihmësin e tij me të cilët e zhvillon një dialog. Përmes dialogut paraqitet tërë e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar ku Zeusi i jep shpresë se për popullin shqiptar do të vijnë ditë më të lumtura dhe do ta zë vendin që meriton në mesin e popujve të qytetëruar. “Prej jush, thotë Zeusi, ka filluar kultura dhe lavdia, dhe një ditë prapë te ju do të kthehet.” Këto fjalë inkurajuese Kryepersonazhit i japin kurajë dhe shpresë se edhe për popullin tonë do të vijnë ditë të bardha dhe nuk do të mbetemi përherë të braktisur, të përbuzur e të shpërndarë nëpër botë. Skena e katërt paraqitet në një studio të televizionit qendror. Mjetet e informimit kishin paraqitur me artikuj të ndryshëm tentimin e poetit për të bërë vetëvrasje. Tani interesimi i mediave ishte shtuar për të mësuar më tepër për shkaqet që e kishin shtyrë poetin për të bërë vetëvrasje. Prandaj, kanali kryesor i televizionit kishte organizuar një emision për të mësuar më shumë për shkaqet që e kishin shtyrë poetin për të kryer një akt të tillë. Në studio janë të ftuar kritiku, një profesor dhe vet Florian Meta për ta sqaruar para publikut këtë rast. Kritiku, një burrë fodull, që tërë jetën ishte ushqyer me propagandë antishqiptare të publikuar nga propaganda e armiqve të popullit shqiptar, e që ishte shumë larg nga realiteti objektiv i historisë dhe i realitetit shqiptar, nuk kursen fjalët më të vrazhda për t’i akuzuar shqiptarët dhe vetë poetin si pjesëtarë i atij populli, kurse poetin e trajton si një njeri pa vlerë, pa shkollë dhe pa profesion të caktuar apo dembel e parazit. Për ndryshim të tij, profesori ishte një njeri me kulturë dhe që kishte lexuar me mijëra libra përmes të cilave kishte mësuar në hollësi për gjenezën dhe lashtësinë e popullit shqiptar, dhe që përmes atyre leximeve kishte fituar një simpati për këtë popull. Ai përmes fjalëve të tij e merr në mbrojtje popullin shqiptar, por edhe vetë poetin, duke i paraqitur kualifikimet e tij të shumta, shkollimin superior, por edhe si një ushtarak i kualifikuar në Legjionet franceze. Pas bisedave të gjata dhe analizave që i bëjnë situatës dhe arsyeve që e kishin shtyrë poetin për ta realizuar aktin e vetëvrasjes, vijnë në përfundim se poeti nuk kishte ndonjë arsye personale për ta kryer atë akt, por atë donte ta bënte në shenjë proteste kundër të gjithë armiqve të popullit shqiptar e të tij dhe vetëvrasja duhej të kuptohej si një akuzë drejtuar atyre dhe për ta vetëdijesuar botën për padrejtësitë në mënyrë të vazhdueshme që po i bëheshin këtij populli. Arsyetimi që doli prej fjalëve të profesorit dhe të Florian Metës- poetit, u prit me brohoritje dhe duartrokitje nga spektatorët si shenjë triumfi i ideve të tij. Në skenën e fundit Kryepersonazhi paraqitet i lumtur duke shëtitur me mbesën që i ngjante aq shumë vajzës engjëll të skenës së parë dhe nipave të tij. Dhe mbyllet me optimizëm se drejtësia do të triumfojë jo vetëm për poetin, por edhe për të gjithë popullin shqiptar.
Prandaj konsideroj se autori përmes kësaj drame ia ka arritur qëllimit për të shkruar një vepër me vlerë dhe është treguar i suksesshëm ashtu sikurse edhe me veprat dhe gjinitë të tjera letrare, të cilat i ka lëvruar me sukses. Në prerje të vijave diakronike dhe sinkronike të ideve të kësaj drame, prej mitologjisë deri te aktualiteti, na shpallet një dramë e vërtetë e një populli. Këto vija nisen prej prologut e përfundojnë deri në fund. Prologu fillon me një polemikë të rangut botëror për artin dhe poezinë dhe epilogu na lë me shpresa të mëdha të një jete të këndshme...
Drama, si e tillë, e meriton leximin në tërësi. Krijimi i parë i autorit ka qenë një dramë. Autori i kthehet përsëri dramës, e cila ua hap rrugën veprave të mëtutjeshme. Më shumë, nuk do të themi me këtë rast.
Lexojeni me kujdes!...
Gjakovë, 01.09.2013.