Prend Ndue BUZHALA

 

 

 

PROFILI I LIRIKUT ME ESTETIKË KRYENEÇE

 

(Poezia e Brahim Avdylit: nga vëllimi në vëllim)

 

 

 

 

Kur më 1983 Brahim Avdyli paraqitej me librin e parë poetik "Nën hijen e alpeve", i botuar nga shtëpia prestigjioze botuese "Rilindja", hapi i parë që bëri ishte i sigurt: u prit mirë nga lexuesit dhe kritika, dhe vazhdoi të mirëpritej edhe në dekadat në vijim. Është kjo shenjë e mirë për një krijues që të jetë i lexuar në secilën kohë.

 

1. Poet i një gjenerate me figuracion e diskurs lirik  modern  

 

Këtë mirëpritje leximi dhe vlerësimi, ai e ka siguruar edhe me vëllimet tjera poetike që i botoi gjatë viteve '90 të shekullit që e lamë pas e këndej, duke i botuar ato në Cyrih, Tiranë (shtëpitë botuese Onufri e Marin Barleti), Prishtinë (Rilindja, Jeta e re, Brezi `81, Faik Konica dhe Meshari), Gjakovë (Qëndresa), Has (Pjetër Bogdani). Përmendim ndër to vëllimet "Buka e kuqe" (1990), "Kur zgjohet Dodona" (1992), "Pasqyrë e përgjakur" (1994), "Klithje nga fundi i ferrit" (1997), "Gjuha e dheut tim" (Tiranë, 1999), "Baraspesha e humbur" (2003), "Vragat e një kohe" (2005), -"Zogu i këngës" - (poezi të zgjedhura  2009), Shtegtimi i lirisë" (2014) dhe, i fundit, vëllimi "Arena e e dhembjeve". Dy vëllime janë përkthyer e prezantuar rumanisht dhe gjermanisht, por ka dhe përkthime që i janë bërë italisht dhe anglisht. Ka një prezantim nëpër një numër të konsiderueshëm antologjive e përmbledhjeve poetike të autorëve të shumtë, si dhe i shpërblyer me çmime letrare.

Përpos poezive, Brahim Avdyli ka botuar dhe drama, publicistikë dokumentare, si dhe publicistikë të shkencës së popullarizuar.

Ashtu sikundër mund të shihet nga vitet e botimeve dhe nga titujt, nga zhanret që ka krijuar dhe nga vendet ku ato i ka publikuar, na dëshmon se ky krijues e ka mbajtur vazhdimisht të pandërprerë lidhjen komunikuese me poezinë dhe me rrethin e lexuesve e të leximit kritiko-letrar që e kanë vlerësuar veprën e tij.

Ndonëse me shkrime ishte marrë që herët, në vitet '80, kur ky poet paraqitet me vëllimin e parë, sado që mbretëronte një kohë e zymtë e dhunës serbo-jugosllave mbi popullin shqiptar, mbi arsimin, kulturën dhe letërsinë, megjithatë, edhe kjo kohë i pati shpërthimet e veta, kur në skenën letrare vjen një brez krijuesish që i japin emër letërsisë, Ramadan Musliu, Basri Çapriqi, Tahir Desku, Sali Bashota, Abdullah Konushevci, Ibrahim Berisha, etj. Prandaj që në hyrje të këtij vëllimi, poeti do të këndojë:

 

le të na pranojë kjo tokë

ku hapin e lëshojmë pa drojë

me estetikën tonë kryeneçe-

 

Dhe këtë estetikë kryeneçe e këtë lidhje me truallin amë, ai nuk do ta braktisë asnjëherë, por do ta thellojë. Vargu vinte i prerë, i shkurtër, me figuracion modern (figura si ylli, agu, sirenat, torzoja, pasqyra, apo temë-motive metafizike si shpirti, ëndrra, e deri te temë-figurat e objekteve të përditshmërisë: cigarja, gota, shporta, kërruta, guri i mullirit, apo ato të peizazhit modern: gurra, liqeni etj). Nga mërgimi, ku gjendet, poeti shkëput poetikisht këndime e fletë, shëtitje, shtegtime zogjsh, shtigje... vargje dashurie e atdhesie, por edhe lirika që ngërthehen brenda një monologu unik të thënies, gati ishte një varg që kufizon me proverbin lirik, njësoj si te estetika refuzuese e kohës te poetët tjerë të rinj, por edhe te fryma poetike e Ali Podrimjes, Azem Shkrelit etj. Kësisoj, meqë mërgoi jashtë atdheut, edhe krijimtaria e tij bart shenjat e mërgimit. Me mërgimin vijnë malli, kujtesa e dhimbja, por vijnë edhe interesimet e forta autoriale për qenien shqiptare e identitetit shqiptar, pikërisht në kohën e lëvizjeve të pandalshme shqiptare të viteve 90) e deri në çlirimin e Kosovës.

 

 

 

2. Koha e çlirimit tematik

 

Vëllimin e dytë “Buka e kuqe” e boton në Zvicër dhe tani poezia lirohet edhe tematikisht. Kjo do të thotë se tani ai shpërthen në vargje proteste edhe të zemërimit fisnik, duke iu ligjëruar poetikisht "Protestës gjithëpopullore shqiptare kundër politikës nacionaliste, hegjemoniste dhe diskriminuese të Serbisë, kundër terrorit shtetëror, dhunës dhe krimeve të pafalshme të Jugosllavisë" mbi popullin shqiptar e posaçërisht të rënëve dëshmorë, sikundër thotë vetë autori te teksti përkushtues. Koha është e rëndë, si nël rrathët danteskë, prandaj edhe vargjet vijnë me përshkrime të zymta e të shkoqura të situatës dramatike kombëtare. Por vijnë edhe me dashurinë e sakrificën e pafund për Kosovën.

 

Ajo

në sofrën e Zemrës

shtronte pogaçen e shpirtit

kuq si Diellin e ëndërrave të veta,

 

u lutej Zotrave

të mos ia hidhnin plafin e muzgut

pa një mik,

pa një yll në qivurin e bjeshkëve

për t`u bërë dritë

 

Porse lirika e tillë, përpos këndimit zemërak dhe kaq përkushtues, merr edhe figura nga antika e nga Dante, si Megera apo rrathët e ferrit, për t'i karakterizuar figurativisht dhunën e helmin e urrejtjes sistematike kundër këtij trualli e kombi (poema "Brumi i lirisë").

Vitet '70 zgjojnë hapur dhe arketipin e lashtësisë shqiptare, autoktonisë, sikundër vjen dhe Brahim Avdyli  me librin poetik „Kur zgjohet Dodona” (1992), kur e ripërtërin me forcë të re poetike këtë mitikë të lashtë shpresëdhënëse, pikërisht në ato dekada kur e vërteta për ne mërgohej e fshihej, sulmohej me të gjitha mjetet:

 

Njerëzit

ndërruan emra ndërruan kahet

ndërruan ëndrrat

 

Se ora

maste kohën gabimisht!

 

Arketipi lirik-mitik për Dodonën, jo vetëm si vend rrënjësh bukurie e lashtësie, por sidomos si lirikë e vetëdijes së zgjuar të kohës, do të zgjerohet nga libri në libër. Ndryshe, përballë një shfarosjeje gjenocidale, nuk ke se si të mos veprosh ndryshe, si te poezia  "I të diferencuarve në kuptim praktik", e sintetizon me forcë fatin e shqiptarit në këtë kohë: "e çka mbeti tjetër pos për të vdekur për Liri" e përmbledhjes “Pasqyrë e përgjakur” (1994), e që vjen me të njëjtin tip të diskursit lirik. Te këto dy vëllime, vargjet tashmë na e zbrazin kupën e hidhur të helmit të përbirë. Aq e rëndë ishte kjo kohë, sa poeti klith: "A do t’i mjaftojmë së vërtetës!?" Tashmë edhe biografemat lirike marrin trajtë akuzuese për kohën, për shkak se jeta e poetit u bjerr në rravgime e shtegtime, duke mos i gëzuar edhe fëmijët e familjen për shkak të "dramës së përditshme". Ishte koha kur plasën rrathët e ndalesave totalitariste në Shqipëri, dhe kur libri ynë mund të botohej lirshëm edhe në Tiranë, e ku për Kosovën mund të këndohej me vajin e përparshëm:

 

Në horizontet e shpirtit tim

Kosova digjet për një fitil drite,

koha kthehet në fillin e një drame.

 

Ashtu siç na vjen me poezitë: " Diferencimi i të diferencuarve në kuptim praktik", "Portret i demagogut", "Në kohën e tashme", "Mjerë ai që vdes pa lirinë tënde" apo "Lirikë nga burgu im".

 

Barkat e mendimeve të mia

nisen sërish mbi liqe

me ëndërrën e hapësirave të lira.

 

Sakaq

zemra më bëhet pëllumb

e do të shpërthejë kafazin -

 

s`i mban dot më

këngë e vaj përbrenda !...

 

E pra, tashmë poeti vjen me një lojë tjetër artistike (ai e quan të fundit), ku ekzibicionet figurative më nuk vlejnë për ta mbërthyer fjalën e artit në litarë errësimi.

 

3. Strukturimet moderne: poezia si qenësi kohe

 

Tashmë na vjen një fazë e re krijuese me vëllimin „Klithje nga fundi i ferrit“ (Onufri, Tiranë 1997). Strukturimet moderne të vargut, depërtimet refleksive në qenësinë e kohës e të individit (si te poezia "Asgjë nuk është jashtë rregullave"), tashmë ato përthellohen, duke rikënduar poetikisht me figurat e Argusit, Akeronit, Kalit të Drunjtë, Hektorit, orakujve të rrejshëm cezarëve tiranikë e nderi te përdorimi biblik i figurave të  përshpirtshme, mbi fatin nopran të popujve në pritje të shpëtimtarit ("Ikja e Krishtit"), gjithnjë në orkestrim me figura të tjera si satanai, mesia etj. Tashmë "Trajkejtorja e fatit" vjen më e thelluar, më refleksive, kurse vargjet kanë fatitn e krijuesit, si mbijetesë e tej-jetesë, por edhe si socialitet i rëndë ("Dritarja e një refugjati"). Në vetminë e mërgimtarit, krijuesit s'i mbetet gjë tjetër, përpos të zbrazet pambarimisht nëpër monodrama vetmie, duke shfaqur pamjet e përditshmërisë si "i huaj dhe i humbur". Porse poeti nuk e pranon vdekjen as të qenies atdhetare e as të shuarjes së vargut si zgjim shpërthyes.

Pas çlirimit të Kosovës vijnë librat e rinj, ku poetët e të mërguarit të dhunshëm, arrijnë ta prekin dheun e Kosovës. Sa nostalgji ka në këtë prekje:

 

Marr një grusht dhé Kosove,

e përqafoj si fëmijën-

butësisht e plot mall!

 

Vijnë edhe vargje për përjetësinë e të rënëve, vargjet e pranvershme, por edhe një tis lirike refleksive që vjen si jehonë e librave të përparshëm. Porse për poetin është e prekshme kur edhe kjo kohë del nga shtrati i saj ("Baraspesha e humbur, 2003), ose për shkakum se traumat e luftës rëndojnë si plagë e ftohtë që therin gjithnjë e më shumë ("Vragat e një kohe" 2005), prandaj dhe blatimet e jetës së poetit ishin ato që dhuruan gjithçka dhe tani ai është stërngarkuar nga dhembjet nëpër shtigje fati, ekzistimi e mbijetimi ("Shtegtimet e lirisë" 2014).

 

Nëntor 2017