PARATHËNIA E REDAKTORIT:

 


 

Prof. Halil HAXHOSAJ

 

 

NUANCA KOMBËTARE, FAMILJARE DHE AUTOBIOGRAFIKE NË VARGËZIMET POETIKE

 

  

Shkrimtari dhe krijuesi i njohur Brahim Avdyli, së pari është i njohur si poet, sepse për herë të parë para lexuesve doli me përmbledhjen e poezive “Nën hijen e Alpeve”, e cila, sipas kritikës dhe analizave të kohës u prit mirë, jo vetëm nga lexuesit. Ky shkrimtar, opusin e vet krijues e pasuroi, duke shkruar edhe vepra të zhanreve të tjera si: studime për prejardhjen shqiptare, publicistikë, prozë, drama e të tjera. Pothuajse në secilën vepër tek lexuesit ka zgjuar kërshërinë, duke sjellë elemente të reja të pajisura me ndonjë risi që vetëm ky krijues di ta shtjellojë me aq afinitet e besnikëri artistike, poetike e të tjera.

 

Vepër me nuanca poetike kombëtare, autobiografike e familjare

 

Vepra poetike “Shtegtimi i lirisë”, e Brahim Avdylit, shpërfaq në tërësinë e vet elemente që janë paksa risimtare në poetikën e tij. Poetika e vargjeve të kësaj vepre kapërdihet nëpër figurat që ngjyrosen me domethënie e karakteristika me aromë kombëtare shqiptare, autobiografike e kryesisht familjare. Kjo shihet qysh në vargjet e poezisë së parë “Në vend të dashurisë”, që është çelës i hapjes së strukturimit të veprës duke u sistemuar në qerthullin “Prologu im”, në vargjet e të cilës, poeti Brahim Avdyli, thuajse parashtron një parantezë të prologut të vet poetik, që do të shtrihet në thellësinë, gjerësinë, formën, subjektin lirik, artistiken e pse jo edhe në figurat poetike. Këtë synim, ai e arrin duke bërë gërshetimin e duhur dhe të suksesshëm të të gjitha nuancave nëpër shkallët e ngritjes së realizimit artistik e poetik. Hapja e shtresës poetike nuk mëton të jetë e shkapërderdhur, por as e ngurtë apo e hermetizuar. Kjo hapje frymon nëpër të gjithë rrathët e strukturimit të veprës pa ndonjë qëllim tjetër. Aty burojnë filizat e frymëzimit të latuara në formë, figurë e rrjedhë nga përvoja krijuese e poetit Brahim Avdyli, e pse jo edhe nga poetika e tij mjaft e latuar dhe e krehur artistikisht. Kështu, simbolikisht, poeti, shpreh mllef që shpesh në jetën e tij, por edhe të subjektit lirik, në vend të dashurisë i duhet të vargëzoj për dhimbjen, mllefin, mërzinë, madje edhe për luftën, vdekjen, gjakun e derdhur për liri e të tjera. Që në fillim shtresimi poetik rrjedh nëpër disa fusha të ndjenjave, që, fatkeqësisht, shtrihen pranë lumit të gjakut. Edhe atje diku lartë në bjeshkë çdo gjë duket e errët dhe nëpër errësirë nuk duket asgjë, sepse plafi i saj e ka mbuluar natyrën. Kjo errësirë lemerisësh, madje edhe mbytet dhe e mbushur me gjak, i ngulfat edhe vargjet e paralajmëruara ende pa u ndërthurë e shkruar.

Kështu, të gjitha poezitë e kësaj vepre strukturoren nëpër katër qerthuj poetikë, që janë: 1. “Ujëvarat e mallit”, 2. “Flatrat e qiellit tim”, 3. “Krahët e hapësirës” dhe 4. “Lejleku i ëndrrave të mia”, që përmbyllën me poezinë “Fryma e fundit”, e cila sistemohet në “Në vend të epilogut”. Kështu, lirisht mund të konstatohet se vepra me poezi “Shtegtimi i lirisë” ka strukturim të shtrirë në katër qerthuj poetikë dhe në dy të tjerë që kanë rolin e prologut dhe të epilogut. Nëpër të gjitha këto njësi strukturore janë të paraqitura gjithsej dyzet e tri poezi të veshura me nuanca poetike kombëtare, autobiografike, familjare, e pse jo edhe të ndonjë aspekti paksa më të veçantë.

Derisa në qerthullin e parë, poeti shpalos një gurrë frymëzimi paksa më të ambientuar tematik, në të tjerët hasen shtresime paksa më të veçanta. Këtu, pra në qerthullin e parë janë të pasqyruara tetë poezi, të cilat frymojnë me qasjet e autorit për poetin mik, por sidomos për të vetët, pra anëtarët e familjes, duke filluar nga fëmijët, nipat e mbesat deri te prindërit, babai e nëna.

 

Sa keq

që s’mund të të gëzoj më shumë

pos me ndonjë këngë

nipa e mbesa

 

dhëntë fati

e të buzëqeshë Dielli

ndonjëherë!

 

shkruan në këto vargje të poezisë “Vargje për nënën”.

Në këto vargje, përveç dashurisë, shprehen edhe nuanca të tjera që janë shtresime bukur interesante për këtë vepër të Brahim Avdylit, sepse ai këtu pasqyron edhe elemente të domethënies së mbiemrit “Avdyli”, të cilin e shpjegon me fusnotë. Fusnotat i përdorë edhe në disa poezi të tjera, apo thënë saktësisht, poeti Brahim Avdyli, në veprën “Shtegtimi i lirisë” i përdorë njëzet e një fusnota.

Frymëzimi përkushtues i poetit nuk ndalet vetëm në gjirin familjar, por shtrihet edhe më tej. Ai shkruan poezi edhe për pellazgët e ilirët, si edhe për shqiptarët dhe prejardhjen e tyre, duke e veshur me petkun e figuracion artistik dhe duke mos vargëzuar me vargje patetike. Edhe kjo ka rëndësi për poetikën e tij, sepse kështu ruhet stili dhe forma e këtij poeti me të gjitha veçantitë dhe nuancat e veta. Andaj ai shkruan poezi përkushtuese tashmë edhe për poetin Din Mehmti, e cila mund të jetë edhe një poemë e llojit të vet, për Agim Ramadanin, për tre martirët, patriotët e dishepujt e njohur të kauzës kombëtare të vrarë: Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën ku ndër të tjera thotë:

 

Kam shkruar

këtë letër të gjatë

deri në fund të këngës

 

për të vazhduar:

 

E kush ka guxuar

t`u vrasë

 

me gojë të mbyllur

kanë mbetur miqtë

pranë thirrjeve tuja

 

as klithja nuk u dëgjohet...

 

Në embrionin e këtyre vargjeve, përveç dhimbjes, tragjikes e mallit gufon edhe krenaria në njërën anë, por edhe urrejtja e mllefi në tjetrën, që vishen me tisin ende të pasqaruar të enigmës së autorit atentator të kësaj vrasje makaber. Rrjedhjet e këtilla poetike shpërfaqen edhe në vargje të tjera të kësaj vepre dhe shtrihen gjerë e gjatë në tërë opusin e saj. Duke lexuar vargje të këtilla lexuesi, por edhe të tjerët, do të përkujtojnë këto figura, veprimtarinë dhe kontributin e tyre dhe do t’i kujtojnë e rikujtojnë sa herë që dëgjohet emri dhe vepra e tyre.

Synimet poetike të poetit Brahim Avdyli sa vijnë dhe e strukturojnë edhe më mirë autoktoninë e tyre. Këtë ai e arrin duke mos rrëshqitur nga stili dhe mënyra e tij e vargëzimit poetik.

 

Figuracioni dhe simbolika poetike

 

Edhe në këtë vepër, poeti Brahim Avdyli, e shfrytëzon figuracionin, madje edhe shprehjen simbolike e metaforike si njërën ndër format më të preferueshme të vargëzimit të tij. Që në fillim mund të konstatohet se ai këtë e bën lirshëm, pa ndonjë ngurrim apo ngufatje vetëm për ndonjë shkak artistik, të rimës, të figurës e të tjera, por këtë e ka formën, madje edhe mënyrën e shprehjes së vet artistike dhe të poetikës së tij. Madje, mu për këtë ai i qëndron besnik kësaj dhe e krijon uniformën e vet, e cila është disi tjetër me nuanca e me elemente paksa dalluese dhe tjetërfare. Kjo shihet më shumë në qerthujt e tjerë të veprës, sepse shtresimet e figuracionit janë më të dendura dhe më të pranishme. Mbase kjo bëhet edhe për të shpalosur poetikisht, pra me vargje, prejardhjen e shqiptarëve, trojet dhe shtrirjen e tyre, pastaj vendet e shtrirjes e të jetës së pellazgëve e ilirëve. Kështu, poeti Brahim Avdyli, tashmë për lexuesit e vet ndërton, pra poetizon edhe vargje me tematikë të tillë, e cila fatmirësisht nuk është aspak deklarative, madje as hermetike dhe e tepërt e monotone. Madje, kjo formë dhe kjo tematikë bëhet lehtë dhe interesante për lexuesit, sepse disa gjera shpjegohen edhe me fusnota. Kështu, në poezinë me titull “Qepallat e kujtesës”, i shkruan edhe këto vargje:

 

Tani Casablankën e lash pas vetes

Buri Finanzberatung nuk e di prejardhjen

pellazgët kanë ardhur këtu para lindjes së Krishtit

njërën germë të mbiemrit e ka humbur

në kush e di në cilën skaj

derisa me serbë luante symbyllas

 

Ndërkaq, në poezitë ku përdorët simboli i lejlekut në vargëzimin e tyre shihen disa elemente të tjera që disi janë të koordinuara mirë dhe me sukses edhe me figuracionin tjetër që përdor ky poet.

Disa elemente poeti, i gjen edhe në traditën tonë popullore, por këto ai i ngrit në nivel të lartë artistik, madje i vesh me poetikën moderne dhe japin frymë tejet të shijshme figurative. Kjo shihet në poezitë “Zogu i nëmur prej qiellit”, “Zogj të pikëlluar”, “Koka e Luanit”, “Kur e pashë në ëndërr Luanin”, “Ora e shtëpisë”, “Qyqja e maleve tona”, “Loti i qyqes”, “Lulja e qyqes” e të tjera.

Dhe krejt në fund mund të thuhet së kjo vepër e poetit Brahim Avdyli, shënon përsëri diçka të re në poetikën e tij në njërën anë dhe bën një avancim strukturor, tematik, figurativ dhe empirik, në anën tjetër.

 

Gjakovë, 27.09.2014