Nga libri i fundit:

 

QIELLI I PAPREKUR

 

 

"BREZI `81", Prishtinë 2012.

 

 

 

PËRGJËRIM

 

 

Të gjithëve ju fal

për të gjitha të bërat dhe të pabërat,

me lot në faqe u mbaj në zemër:

 

gjashtë vite të dala mendsh

shkuan për t`u ngritur përsëri në këmbë

 

e kush ma sjellë e ma merr bukën,

kush di t`i shtrojë teshat e mia,

kush do t`i japë përgjigje të panjohurës?!...

 

Mendja është shpërlarë tri herë në gjak

mezi e bëja gjysmën e punëjetës,

i njëjti thirrem në emrin e stërgjyshit

që ka zbrazë pushkën deri në Shkup

 

përtej vdekjes kam ardhur dhe po jetoj

po lëviz, po ngrihem, po flas

po qaj prej zemrës së plastë-

 

jam falës në shenjë të Zotit të Madh

jam falës edhe kur nuk kam bërë faj

se zemra më digjet nga dashuria,

 

ndaj, ju nuk keni faj

unë përgjërohem për to-

 

dhembjet më shtrëngojnë

deri në vdekje!

 

 

UJËVARAT E ZEMRËS

 

 

Zemra e hidhëruar në vetmi

ka pikuar vazhdimisht lot-

 

e fjalët kanë rrjedhur përtej heshtjes!

 

A e ka merituar zemra këtë dhembje

këtë dallgë të kohës së përdalë -

 

këmbët ia ngjeshi në brinjë

vetëm që ta nxjerrë nga kafazi.

 

Ka harxhuar së ngrëni idhshëm vetminë

e u bë magmë e zjarrtë vullkani,

 

tani shpërthyen papritmas

ujëvarat nga dhembja-

 

e fjalët kanë rrjedhur përtej këngës!…

 

 

PESHA E ZEMRËS 

 

 

E shtrydha zemrën të mos i mbetet

asnjë dhembje në damarë

e dhembjet nuk shteren asnjëherë.

 

Njëmijë herë të vdes

përsëri ndjehem gjallë-

papritmas e hedhë në peshojën e mendjes

të masë peshën e përhershme të saj.

 

Çudi, zemra dëshiron të jetojë,

ka ndenja të thella

sa një humnerë e paskajshme

 

pa fund dashuron

derisa i rrah

për të fundit herë

një damar-

 

peshën e zemrës e ngrehë toka

njeriu i mirë e udhëheq vullnetin

e lartëson mendjen

midis gjithësisë!

 

Tokën dhe qiellin i mbanë rreth vetes

hënën e yjet i dashuron kur bëjnë dritë,

ka edhe krahë të ngrihet drejt qiellit

si rrethi i lirisë,

 

zemra do dhe e zgjedhë dashurinë

qeshin sytë, qeshë shpirti-

 

se zemra rrah dhe jeton njeriu

dritën e fjalës e jep ndër vargje

 

dhe s`ka gjë që e matë peshën e saj!

 

 

UJËVARAT E DHEMBJES

 

 

Pse vajton me lot të kuq

moj zemra ime e madhe,

 

skrofëllijnë murmurimat e pandalura

nëpër natën e gjatë të dhembjes.

 

Të munduan infarktet për të ndalë dashurinë

askush s`të tha fol zemër se të dëgjoj

në bredhjen e verbët rreth teje…

 

Nëpër mundimet e tua të vetmisë

ato arterie janë shndërruar në ujëvarë,

dhembjen e derdhë nëpër librin e faljeve,

 

qenka vështirë të qashë

botën në një këngë

 

e ujëvarat e dhembjes të mos shterin!

 

 

Padovë, 1.7.2011

 

 

KUJTIMET E KËSAJ BOTE

 

 

Dal papritmas në breg të këngës

shoh Naimin të copëtohet për qiririn që digjet,

shoh Asdrenin që martohet me vetminë

                 për të mos e përsëritur veten,

shoh çajupin të nxjerrë zemrën

                 e të gjej Stefanin të gjallë

duke u martuar përfundimisht me dhembjen…

 

Migjenin e ndjej në veten time sikur të isha mësues

të më digjej zemra me leckat e Lulit të Vocërr

dhe hijen tonë që shet veten

               për pak qindarka nëpër botë

dhe botën e madhe të vendlindjes e lë me vetminë…

 

Unë, i njëqindti fyell i kësaj botë jam

nga Deti i Zi e deri në Oqeanin Atlantik-

Naim Beu, ti Asdren, i mjeri çajup

më pritni kur të vi me Migjenin e Vocërr për dore

 

e të qajmë së bashku kujtimet e kësaj bote!

 

 

NËNA TEREZË

 

1.

 

Kur e marr lapsin në dorë

e qes përpara fytyrën e Gonxhes

dhe mbes i mrekulluar.

 

Çuditërisht më bashkohesh Nëna Terezë

me pamjen e gjyshes sime si fëmijë

duke vrapuar pas fëmijëve

që të mos rrëzohen.

 

I ke të njëjtat duar, të njëjtën pamje

të njëjtin shikim plot pikëllim

por buzëqesh për një pikë të lartë

jashtë njeriut-

 

i shpërndanë buzëqeshjet e tua

deri sa të digjet shpirti

për një grimcë të vogël të fatit…

 

E vocërr është lulja por bëhet simbol

ti je nëna e madhe e shqipes kokulur

për të lumin Zot

dhe të dhënat e Tij

 

që bota e sëmurë pas kapitalit

kthehet vonë dikur t`a shohë

dramën e madhe të njerëzimit…

 

2.

 

Nisesh prej Shkupit

në Londër e kthehesh në Kalkutë

je dashuri e gjallë e zemrës shqiptare

 

dy metra trup

të bëjnë vigan përtej shekujve

 

e më del përballë

me nënëgjyshen

si bijë e veçantë e shqiptarisë-

 

je e njësuar me paqen nëpër botë

forcë magjike e përjetësisë

shembull i rrallë i frymëzimit

për dashurinë tënde të pasosur,

 

tokë e qiell i përmbledhë në fjalët e tua

dhe çdo gjë që jeton brenda tyre

ia jep shpresat që duhet t`i ketë

për ta përballuar dhembjen…

 

3.

 

Kur e marrë lapsin mbetem pa fjalë

po të ma hapin zemrën

do të të gjejnë-

zjarrin e zemrës sime e mbanë ndezur,

 

lëshon dritë të vaktë mbi njerëz

pushtetin e butësisë e forcën e dashurisë

e lëshon nëpër shekuj,

 

pa ty do të isha shumë i varfër

me ty ndjehem i vetmuar nëpër botë

 

frymëzimit i thërras me fjalët e tua

rriten prore nën kujdesin tënd

 

e vdes me dashurinë tënde të madhe!...

 

 

IU LUTA HADIT

 

 

1.

 

Iu luta Hadit

kur më dërguan te Ai

që të mos më dërgonte në Letë-

 

të vdekurit e pinin ujin

për të harruar krejtësisht të kaluarën

 

unë nuk do të dija për Dodonën

para së cilës lutesha në Dodonas,

tempullin e parë të Zeusit pellazg...

 

2.

 

Iu luta shumë Hadit

që më kishin dërguar me përdhunë

     në mes të jetës

pa ardhur Agimi, vëllai i Diellit

 

e nuk më kishin pyetur

për detyrat e mia të pakryera

 

3.

 

Thashë

këtu është Valbona, nuk është Letë

dhe Hadi e kishte për detyrë

                         të më kthejë në jetë-

pashë me sytë e zemrës si pinin të vdekurit.

 

Atje, lartë, rrinte Thina, perëndesha e urtë,

e gatshme të hedhë rrufetë nga hidhërimi

mbi mbretërinë e nëntokës

sepse nuk pajtohej me vdekjen time-

 

Agimi dhe Dielli do të vinin me vonesë

siç do të ngrihesha unë për LIRI!

 

 

TËRËSISHT TË PAVDEKSHËM

 

Nipit tim Patriotit

dhe mbesave të mia Gocës dhe Pranverës

që i marr tek unë

 

Nipi im i urtë, Patrioti

ulet pranë laptopit

m‘i kërkon t’ia gjej librat

e t’i vendosë syzet e mia

 

thotë se mendja e zgjuar

ka ditur ti pjellë të gjitha!

 

Mua më duken pak libra

për mendjen e zgjuar të fëmijërisë

dita duket e shkurtër

për jetën tonë të shpalosur.

 

Ai nuk di të shkruaj, por të vizatojë

dhe mi jep të gjitha t’ia ruaj

diku në bibliotekën time

 

aq i vogël di të vlerësoj veprat

të nxjerra nga mendja e shtrydhur

duke lozur me Gocën dhe Pranverën,

 

Patrioti e di të vërtetën e hidhur

kur koka nxehet e dhemb

kur qetësohet me një lajm të mirë,

 

kur duhet të vë syzat e mia

e unë t’ua bëj një fotografi

me aparat të dorës...

 

dhe të bëhen

tërësisht të pavdekshëm!

 

 

RRI ME DHEMBJEN TËNDE

 

 

Besarta Hamëz Jasharit

 

Erdha gjatë fillimit të shtatorit

të nëntëdhjetë e nëntës

të takoja gjallë dritën e Jasharajve,

 

ishe e vetmja që erdhi në shkollë

sytë n‘a pështilleshin në lot...

 

tërë Kosova përbirohej nëpër lotët tanë

për Shabanin, Hamzën, Ademin nuk mjaftonin fjalët

për fëmijët e Jasharajve, djemtë dhe gratë-

 

lotët tanë rridhnin nëpër përqafimin tonë

ngushëllimin që ta dhashë ishte ngushëllim për mua

derisa unë isha ulur në gjunjë para teje,

 

sikur përqafoja përnjëherë të gjithë Jasharët

sepse nuk do të vija tjetër herë në Prekaz

se më shkrinte të gjallë malli për ta...

 

Ta dhashë nëpër dridhjen e duarve librin tim

që të lexoje poezinë në gjuhën e dheut-

Hamza dhe Ademi aty ngjallen dhe jetojnë,

 

unë e mora dhembjen tënde me vete

të qajë kur t’më qeshet bashkë me të nëpër botë

pa u shkëputur nga Jasharët e vrarë,

 

do të vijë dita kur do ta them një fjalë-

koha do të dridhet nga frika e betimit tonë!...

 

 

VIZATIM I SHPËTUAR

 

 

Naim Frashërit

 

Çdo ditë të shikoj e të flas e qaj dhembjet e mia me Ty

derisa të kam vendosur në ballë të dhomës së ditës

ballë për ballë vitrinave të librave, tryezës së punës

çuditërisht të marrë në perëndim si gjënë time më të shenjtë-

si i vetmi paravizatim i mbetur gjallë nga klasa e shtatë,

 

nuk janë asgjë njëqind poetë për Ty nga Mehmet Gëzhilli

as monografitë e rralla të Rexhep Qosjes

                                                           dhe Dhimitër Shuteriqit

shkuarja ime deri te gropa e zbrazët e varrit në Stamboll-

 

shpirti i madh i poezisë digjet fort në sytë e tu

Bagëtia e Bujqësia të gjalla fushave dhe arave marrin frymë

Lulet e Verës, Histori e Skënderbeut, Qerbelaja pëshpëriten

                                                                                     të gjalla

Atdheu nuk ka mundur të frymojë pa Ty,

                                                      ai nuk është i tëri as sot!…

 

Unë çdo ditë të flas e të shoh të gjallë në kujtesë

i marr këshillat e vlershme të Abdylit, Samiut për Atdheun

Qiriri rri për të tretën herë në vitrinë-

                 bashkë me të gjitha shenjat e shenjta të Kombit!

 

Dhashtë fati të shpëtojmë në ketë banesë të varfër në Zvicër

me portretin tënd të lindur nga shpirti im

edhe pse janë djegur qindra vizatime dhe piktura në shtëpi-

 

Ti më jep forcë, më jep lëvizje, më jep moral

të punoj për Shqipen përsëri!...

 

 

PLAGËT E VJETRA

 

 

Asnjë fjalë s’ka qenë më e fortë se ti

u qëndroje mija plagëve të hapura në gjoks,

 

ti je sinonim i pandërprerë i qindra brezave

që ngrehën frymën e fundit pranë teje

siç e ngrehnin trupin e këputur zhgënjimesh.

 

Plagët tona të vjetra sa lindja e vdekja

më torturojnë me peshën e tyre të pa krahasuar-

 

nuk arritëm të krijojmë një vend të lirë, zog qielli

jemi shpërndarë nëpër dhembje të pashprehura me fjalë

e tretemi të humbur, të heshtur, në vetmi,

 

vetëm një buzëqeshje të shoh në sytë e fëmijëve

qaj e qesh të shpreh dhembjen me pak fjalë-

kemi humbur mija vjet pandërprerë

 

e shoh kombin tek pështynë veten në pasqyrë

ndjehet i huaj, flet gjuhë tjetër, por Zoti s’e njeh

fëmijët tanë i lamë pa ty, Atdhe

e i prumë të humbur nëpër botë

 

vendin e lamë me gurë të gurinave të gurëve tanë

plot varre dhe gurë të kalave të rrënuara

të gurëve të djegura si shtëpi-

 

pa filizat e lindura nëpër dhembje!

 

 

KUR VRITEN SHKRIMET [1])

 

 

Kur vriten shkrimet

këputet mosha në stinën e pakthim-

 

sa të dhimbshme fjalët e pa nxjerra

të mbetura në fyt me pamjen e tronditur

me tragjedinë e ngrirë nën dhëmbë!

 

S’dua ti shoh se më qanë zemra

ikin motivet e mia nga kënga

për t’u kthyer në vaj që s’pushon,

 

s’dua ti shoh kur vriten shkrimet

me rafale të kobshme si fëmijët

në një orë të njëjtë vdekjesh,

 

s’dua të më zhduken fëmijët

s’dua të më digjen këngët-

 

vite të tëra kanë ngrirë në heshtje

as dhembjen nuk mund t‘a nxjerrin për goje

me plot lot në sy…!

 

Tani shumë vjet u bënë

në tragjedinë e ngrirë të pa fjalë

 

e i shoh mija hije fëmijësh

përpiqem t’i përqafoj e asnjërin s’e mbërrij

dhe plas në tronditjen time të pafund!...

 

Mija fëmijë – vargjet e mia

më lënë të plakem për një çerek moshe,

 

pesë infarkte nuk kanë forcë ta shuajnë zemrën

për ta përpirë dhembjen e heshtur

në vdekjet e papritura fëmijërore!...

 

 

ËNGJËJT E VDEKJES

 

 

Disa herë më kanë ardhur pranë

kanë folur në gjuhën e pakuptueshme

dhe janë zhdukur përtej vegimit.

 

Athua, më tregonin engjëjt e vdekjes

se si është bërë vija e fluturimit

deri në oborrin e lartë qiellor,

 

unë i shihja duart e tyre të drejtuara

nën krahët e bardhë fluturak

kah ajo dritë e madhe qielli!…

 

Nuk e di se ç’më kanë rrëfyer engjëjt

në atë ankth të gjatë sa jeta

 

vetëm se isha fëmijë me flatra qielli.

 

 

TRI HYJNESHA[2])

 

 

Tri Moirat apo tri Fatitë

i pashë si fëmijë në të tretën ditë

të lindjes sime në holen e varur,

qëndronin pranë meje me buzëqeshje.

 

Më mashtruan me lëvizjet finoke,

nuk kisha kohë t’ua ktheja përgjigjen

t’ua di fundin e lojës së tyre.

 

Kishin ardhur nga Perënditë

në heshtje endnin fatin e njeriut

pëlhurën e fatcubit tim-

vuajtjet e mia të krijimtarisë.

 

Dhe tërë jetën nuk morën fund

as të çlodhem nuk pata kohë

tri Fatitë më morën me pëlhurën e jetës-

pëlhurë e fatit ishte vdekja ime në vargje.

 

I lumi Zot më shikon kur shqetësohem

nuk e dija se Ai më përcillte

i kërkoj pandarë tri Fatitë,

 

sepse do të dilja njëherë e përgjithmonë

nga pëlhura e vuajtjes së pafund.

 

 

LIS I VETMUAR

 

 

Lenat tua i kam ngrënë kur isha fëmijë

përskaj teje lozja me gjethet tuaja dhe i bëja kurorë

fresku i madh në atë botë të nxehtë më epte forcë

dhe Zotit i lutesha me botën e pastër fëmijërore

të më ruante nga bota e hidhur armike rreth nesh,

pesëdhjetë vite i sillem i vetmuar të njëjtit lis simbolik

thanë se Zoti është prezent nën hijen e padukshme

kur epërsia femërore është zëvendësuar me atë mashkullore

dhe grai-të u bënë grekë e sellanët u bënë hellanë

ku hyjnesha jote ishte hyjnesha më e madhe pellazge

që lisit i jep gjuhësinë iliro-pellazge kudo qofshin ata

disa herë e quanin Potnia, e ndonjëherë emra të tjerë

por lisi i vetmuar i dushkut ka mbetur prore lis i jetës

që degët plot gjethe i zgjaste kudo e nëpër shekuj...

Kaq gjatë ka qëndruar në këmbë druri yt i heshtur

ndonëse rreth trupit i mbështillet një shlligë e gjatë

e vetëtima e shekujve majën e lartë ia ka goditur,

papritmas e ngjallë syrin magjik në ballë të kohës

jetërat e shpenzuara kot gjallojnë si frymë e bardhë

gratë luanin rol të veçantë nëpër fshatrat pa djallëzi

fëmijët e pambrojtur i mbushnin me gas shekujt

derisa i shoh çuditërisht të varur në një degë lisi

pikon gjak të njomë e të çiltër të bijve të shqiponjës,

tragjedia u shpërngul e stepur në ikje skajeve të botës

nga lisi i dushkut luteshin popujt e tërë vetëm për ty

Dodona mbeti mija shekujsh bredhjesh nëpër Evropë

Druidët u ngrehën në lutje prej Francës deri në Irlandë

dhe askush nuk e dinte vendin tënd në Shqipërinë e Jugut...

Ti o lis i shenjtë je lisi më i vjetër i Dodonës sonë

ndjehesh i vetmuar me ngrysjen e mija ditëve rreth teje

lenat tua plot amidon i kanë ngrënë qindra tragjedi

me shekuj e gjykon qenien e gjallë rreth e përqark teje

aty ku ndodhesh ti është vërtetë kërthiza e botës-

qyteti i Dodonës së dytë erdhi nga Dodona e parë

Kroi i Shenjtë i çukës mbeti krua i vetmuar harrese

gjuhën tënde e flet nëpër fëshfërimat e pandalura të lisit

rrëfen për krijimin e frymorëve të parë hyjnor

që nuk kishin padrejtësi dhelpërore si grekët e shpifur

që vidhnin pranë teje qumështin e njomë të viteve...

Hyjneshat tua ishin gra, plaka dhe urtia që buzëqeshte

kur i thërras ato si fëmija fishkëllen dushku i lisit

fllad i lehtë vjen buzëqeshja e vaktë e nënave tona

rrëzë një kodrine nën malin e lartë Baba-Tomor...

 

e mi shpallë mija tragjedi dhune me sëpatë në dorë!

 

 

QIELLI I PAPREKUR

 

 

Të vodhën grekët, të vodhën

prej gjirit të urtë pellazg

ty, perëndeshë llërëbardhë

 

dhe të bënë Hera

           ndonëse menduan Hënën

në vend se të të thonë Era

duke mbllaçitur historinë tënde besnike

në dhjetëra forma dinake.

 

Tani kush e di të vërtetën mbi ty,

emrin pellazg e morën nga Akena

në Argos të kishte lindur Vullkani,

 

aty shërbeje si nënë e madhe e zotave

Marsin apo Aresin e ke rritur

me gjirin e shenjtë pellazg.

 

Rrëfimet për ty u kurdisën

sikur shkaktove garën e tri perëndeshave

mbi malin Ida, pranë Yllonit

sepse dashuronte Afërditën

 

shumë vonë e dhanë mollën e sherrit

për të futur sherrin midis zotave

e ta hodhën ndër duar sherrin e Trojës

 

të ngatërruan kot me Afërditën

që i shndriste bukuria ndër shekuj

por ti mbete kryehyjneshë e Kapitolit

mbrojtëse e pashoqe e martesës

 

ndonëse shumë adhurues

të vdisnin nëpër këmbë

për të bërat dhe të pabërat e Zeusit

 

duke ruajtur të paprekur Qiellin!...

 

 

AFËR ËSHTË DITA

 

 

Sa e bukur ishe,

të gjithë u çmendën pas teje

 

dashnor të parë e kishe Aresin

djalin e Herës apo Junonës-

 

nuk mund ta pranonte

kryezonja parë e qiellit

se të këndonte apoteoza i biri

ty, palma e dashurisë.

 

Të zgjodhën në bregun e shenjtë

dhe u bërë shkaktare

e shkatërrimit të Trojës

 

e mija gënjeshtra i shpikën

të të ulnin poshtë vetes,

 

thanë se u linde në Pafos të Qipros

nga shkuma e dallgëve të detit

e s`të lanë vend pranë Trojës

 

dhe u detyrove të largoheshe

përtej detit Romën të krijoje

nga deti i zemrës që gufonte

 

ndaj mbijetuam në Evropë

duke të kujtuar ty

se Afër është Dita

me Bukurinë!

 

 

E THëNA

 

 

Thina, e Thëna apo Athina

me mund u linde nga koka e Zeusit

kur kërkonte ndihmën e Vullkanit,

 

E THËNA ishte kalaja pellazge

dhe betejat kudo që kërkonte koha,

ndonjëherë ktheheshe në murtajë

kur nuk kishe si ti zhdukësh kundërshtarët.

 

Emrin tënd e mori qyteti-shtet,

ti e flisje pellazgishten e vjetër

dhe nuk i njihje aspak grekët

që u shpikën si pikë vese në mëngjes,

 

për Ty flijoheshin pra virgjëreshë

më tepër se kryezotreshës Hera apo Junonë:

kukuvajkat- për sytë e mëdhenj e të ndritshëm,

gjarpri- simbol i hyjnive të ferrit,

këndezi-për shpirtin tënd luftarak

dhe stërqoka- për jetëgjatësinë në Athinë.

 

Thina, kështu të thërrasin në Tiranë

plot nder dhe përvuajtshmëri-

simbolet tua mbetën ulliri dhe shega

që lulëzojnë e rriten në Shqipëri.

 

 


[1]) Kjo poezi e mori shpërblimin e parë „Agim Ramadani“, me 25 prill 2009, për poezinë më të mirë pranë Qendrës Kulturore Shqiptare, në Cyrih të Zvicrës.

[2]) Kjo poezi e ka fituar shpërblimin e dytë për poezinë e dërguar në Konkursin Letrar të LSHAKSH të Gjermanisë, në Orën e Madhe Letrare për Pavarësinë e Kosovës, në Koblenz, me 1.5.2010.

 

 

              E KAM HUMBUR LËMSHIN E ARIANËS

 

              E kam humbur lëmshin e Arianës

              diku në labirintin e jetës sime

              duke ikur me vrap prej Minotaurit

              me vargjet e shkruara për të nesërmen

              në një çantë të ruajtur pranë vetes.

 

              E liga sundonte aty ku nuk e prisja

              ma lëshoi të zezën mbi kurriz papritur

              gjysmën dem të çartur, gjysmën njeri të egër

              nëpër labirintin e mbretit Minos, babait të Arianës,

              birit të perëndeshës Evropë dhe Zeusit...

 

              Si të kap unë fillin e humbur të Arianës

              e të gjej udhën e mundimshme të daljes

              të bëhem Teze mbi ciklopin e çartur.

 

              Më janë zbardhur të gjitha flokët e kokës

              duke u sjellë vërdallë nëpër labirintin e jetës

              derisa kujtoj se kam mbetur pa zotat,

              i thërras por ata nuk duken brenda mureve.

 

              Tani nuk bashkohen trojet me fjalë të panxjerra

              me njërën dorë mbaj çantën plot vargje

              me tjetrën përpiqem të përsëris Tezeun.

 

              Ah, mos ta kisha humbur lidhjen me zotat

              dhe kurrë fijen e së dashurës Arianë!

 

 

              PASQYRA E DODONËS

 

 

              Ke mbijetuar

              nga vendi i Sellëve, në Epir

 

              e mbanë kokën lartë

              me duar të hapura

              dhe përpiqesh të flasësh,

 

              unë prore të shikoj

              nga shekulli i njëzet e një,

              përpiqem ti kuptoj fjalët

              që të dalin nga buzët e ngrira

              e shikimin poshtë-

 

              e madhe është Bota

              që shihet mbi kokën tënde

              nga shekulli i pestë para Krishtit

 

              ndoshta të detyruan

              të pasqyrosh të pavërtetën,

 

              ti e di kur të dogji greku,

              nuk je pasqyrë ku shikohet njeriu

              por shikohet populli

              që ta futi zjarrin

              me një kokë dhelpre

 

              je pasqyrë që tregon ndër shekuj

              kultin e lashtë

              e të mirës në Epir

 

              prandaj mbijeton

              nëpër njëzet e gjashtë shekuj

              t r a d h t i!

 

 

              ORËT E MALEVE

 

 

              Sa herë shëtis nëpër male

              pres të takohemi së bashku

              pas ndonjë lisi të gjatë

              pas ndonjë pishe

 

              ju, nimfave të Zeusit

              nëpër Iliri, Epir dhe Maqedoni-

              oreadat ua këndojmë në Shqipëri

              edhe në shekullin XXI.

 

              Tani, kur pi ujë e freskohem

              nëpër stërkalat e burimeve

              sikur dëgjoj pëshpëritjet tuaja

              nëpër vallëzimet magjike,

 

              sa të pushtetshme i keni kodrat

              sa të rralla shpellat e maleve

              sa të freskëta hijet e lisave...

 

              Merreni një sofër pishe

              diku në pishnajat e larta

              e silleni në Dukagjin

 

              të ulen këmbëkryq Zotat!

 

 

              JUSTINËT

 

 

              Viset e Dardanisë janë përplasur nga dhembja

              nëpër shkretimet e shumta sllave, nga barbarët

              që digjnin, shkretonin e vidhnin ku u shkelte këmba.

 

              Justina apo Prishtina e mbajnë emrin nga ju

              ndonëse dhjetëra tërmete shkatërruan Dardaninë

              fëmijët tuaj ishim ne, dardano-shqiptarët,

 

              prije pa ndërprerë në luftë të rreptë me barbarët

              për të mbrojtur të gjallë e të pathyer Ilirinë!

 

              Skifter mbi skifterat erdhi nipi yt nga Taurisiana

              të përtërinte emrin tënd, të ndërtonte kështjellat

              Justini i Madh që ngrehi Justinianën e dytë

              deri sa shkruante «Korpusin Juridik Civil»

              në qytetin kryesor shqiptar, në Konstatinopojë

 

              Justiniana, Shkupi, Skopje e njëqind emra të huaj

              Diellin e mbajnë sot në Flamur- simbolin ilir,

 

              prandaj, do të kthehem në Dardaninë e vjetër diku

              në Shkup, në Prishtinë, në Jonë e Selanik

              për të ngritur kalatë e paepura të fjalës Shqip!

 

 

              PEMA PELLAZGE

 

 

              Je bimë e hershme e rritur me gjakun tonë

              në themelet e shteteve të vona me trojet tua:

 

              Turqia, Greqia, Bullgaria dhe shtetet e tjera

              e thithin lëngun tënd çdo ditë dhe nuk të njohin-

              Dardania shtrihet nga Turqia e mes përmes Ilirisë.

 

              Ti pemë pellazge e gjuhëve indo-gjermane

              shpërthen sëmundjet e historisë të mbjella dhunshëm

              mbi trupin tënd të sakatuar mijëvjeçar

              e nxjerr pipat e tu plot gjethe pellazge,

              erë u jep vajzave tuaja nga Konstantinopoja

              nëpër Jonë, Selanik, Shkup, deri në Prishtinë.

 

              Tani je në tërë botën nëpër gjakun tonë

              kudo zgjohet e bie pjella e bukur e bardhë,

              ngjitem mbi botë dhe i shoh mbi tokë të gjallërojnë

              muzika e gjetheve tua u jep frymë e i mbanë gjallë.

 

              Edhe sa vite u duhen që ti të mbijetosh

              e të zhduken ata emra të shpifur mbi ty,

 

              me oksigjenin e damarëve e mbanë diellin lartë

              e i rritë gjeneratë pas gjenerate bijtë e tu në tokë

              që e përcjellin kur lind dhe perëndon pas maleve

              duke i dërguar kështu mesazhe Zotit të Madh.

 

              Je pemë e madhe pellazge e ujitur në gjakun tonë

              shtohu kudo me trupin tënd, me gjethet e tua

              frytet e tua shërojnë sëmundjet e kohës sonë

              gjethet tua e ruajnë mbi ne Ozonin të mos shqyhet

 

              unë mbështetem te trupi yt i lashtë

              që të vdes ëmbël, fryt iliro-pellazg!

 

 

              GANYMED, DJALË I TROJËS

 

 

              Ende je gjallë nga pellazgët e vjetër

              të përshëndes sa herë kaloj pranë teje

 

              prore qëndron e loz me shqiponjën

              nëpër miliona shekujsh Ganymed-

              djalë i më të vjetërit mbret në Trojë,

 

              kur shpëtoi njerëzimi në Atlantë

              Ain i thanë shqiponjës-germa e parë,

              Zeusi ynë dhe Pirroja atë e kanë-

              simbol i shenjtë për shqiptarinë.

 

              Ti je emër i rrallë për Burrin tonë,

              në vendin tim je Gani dhe Ganimet

              për femrat tona je Ganimete dhe poete

              apo motër e shokut tim të fëmijërisë...

 

              Të thith me Diellin në breg të liqenit

              kaloj pranë teje me të njëjtat mendime

 

              athua, a e dinë të gjithë kalimtarët

              historinë tënde nga gjenealogjia-

 

              dhembjen tënde të gjallë në përjetësi!...

 

 

              LUFTË ME YJE

 

 

              Një thërrmi e vogël jam

              e qenies së madhe njerëzore

              i braktisur nga të gjitha qeniet,

 

              zgjohem në pikë të natës

              qaj me zemrën time

              pse nuk e ndalën infarktet

              të bëhesha dritë bashkë me yjet

              në qiellin pa skaj...

 

              Ju dua yje

              në këtë natë pa numër-

              diçka u pëshpëris pa ndarë

              nga historia ime e pashkruar

              me një lot të ngrirë

              në cep të syrit,

 

              pastaj u shpalli luftë

              pse nuk më morët me vete

              dhe më latë të humbur

              në mes dhembjes torturuese

              dhe përpjekjeve

              të pa shpresë,

 

              u shpalli luftë

              dhe përpiqem t’ua përplas

              zemrën time në fytyrë

              për t’u zhdukur

              përtej dashurisë...

 

              Tani duhet të pushojë lufta

              dhe të rrjedhë gjak zemre!

 

 

              NËPËR PËRPLASJET E DITËVE

 

 

              Nëntëmbëdhjetë vjet kam vuajtur për familjen time

              nëntëmbëdhjetë vjet kam nxjerr zemrën në udhëkryq

              me përplasjet e ditëve për një shkëndijë të nesërme

 

              jeta më shtroi nën shqelmat e pandalura të dhembjes

              vetëm më la të braktisur nën mëshirën e nënës-njerkë...

 

              E mbaj në kujtesë Patriotin me këngë për Adrian Krasniqin

              në shëtitje me motrat kur dhembja ime merrte peshë

              apo vajin e veçantë në një ëndërr të paprekur me Sahitin,

 

              ai është mësuar kudo pas meje të nxirrte thëniet e tij

              apo të luajë në bibliotekën time dhe të vërë syzat e mia

              e të gjejë një pjesë të Atdheut simbolik për etjen fëmijërore,

 

              fëmijëri të lumtur nuk kishte jashtë vatrës prindërore

              herë luante në dhomë, herë i merrte vajtimet-

 

              rrugëve të perëndimit nuk ua plotësonte askush fëmijërinë!

 

 

              GURI I RRAHUR

 

 

              Në fjalorin e shpikjeve të kohës

              fjala gdhend gurin.

 

              Ngadalë shkohet përtej fjalës,

              guri i gdhendur

              fjalës i nxjerr bishta.

 

              A shkohet këmbë nëpër kohë

              me poezi a matet fjala?

 

              Guri i rrahur nga erërat

              nga koha e ligë

              mbetet prore i gjallë në fjalë!

 

 

              BALADA E VONUAR[1])

 

              Ecë, endem dhe vrapoj

              në mes të dashuruarve

              me vetminë time përskaj vetes,

 

              e ka vënë çuditërisht kapelën time

              askush nuk e vëren kur buzëqeshë idhshëm

              duke mos më lëshuar prej dorës së lidhur.

 

              Këtë magji të përdalur e kanë bërë ata që kanë fuqi

              të shterin puset e botës me etjen time-

 

              pesëdhjetë vjet endem poshtë e përpjetë

              pa e shuar aspak këtë dhembje

              që era e mallkuar i vjen nga fjalët

 

              pa grua më lënë, pa dashuri të shuar

              baladë që përsëritet është dashuria ime

              është vonuar të trokasë në derën time

              të më shohë të lidhur kur të vie në dhomë

 

              e ku t`i gjej me fillet e vajit

              që është kthyer në këngë e nuk ka lot

              se lotët janë tretur kaherë në këtë vajtim të bukur

              duke pritur që të vijë e buzëqeshur

              nën veladonin e nusërisë…

 

              Tani, mund t`a heqë dhe nuk çuditem

              me fytyrën e saj të çoroditur tej mase

              dhe nuk kam lot, por gufon zemra-

 

              nxjerr mallkimin për të gjithë ata që kanë faj

              nën aureolën e rrejshme të lumturisë!

 

 

              GJUHA E LULEVE

 

              1.

 

              Ju keni gjuhë të veçantë

              sa ngjyra të bukura keni

              nëpër fushat e paanshme të dijes

 

              kur i jepeni një gruaje e përmirësoni gjendjen

              nëse jeni trëndafil shprehet dashuria

 

              kur keni ngjyrë të verdhë

              e shprehni pak xhelozinë

              dhe kjo nuk thuhet me fjalë…

 

              2.

 

              Edhe burrave u dorëzohen për datëlindje

              me ngjyra të llojllojshme

              të bardha, të kuqe, të verdha, të kaltra

 

              aq sa vite i ka mbushur mblidhen në një vazo

              nëse nuk i ka kaluar të tridhjetat

              atëherë nuk i numërojmë vitet-

 

              lulet janë rritur me djersën tonë nëpër fusha…

 

              3.

 

              Me lule i dhurohet një miku të dheut tjetër

              mirëseardhja në tokën tonë

              sapo ta prekë me këmbë dheun

              si bimë e bukur e dhembjes sonë,

 

              bashkëshortes së fituesit mund t`i dërgohen

              duke e falënderuar për kënaqësinë

              që ua dha të gjithëve

              me mundin e shpenzuar nëpër jetë a vdekje

              në ndeshjen e papërsëritshme…

 

              4.

 

              Sa gjuhë të pavdekshme kanë lulet

              përtej gjuhës se fjalëve!

 

 

              NGA JETA MBI VDEKJE

 

 

              Dituri Deliajt,

              foshnjës njëmuajshe nga Abria e Epërme,

              duke thithur gjirin e prerë të nënës...

 

 

              Më kanë shterur fjalët

              më kanë shterur vargjet

              me ato tragjedi të vdekjes,

 

              e si ta nxjerrë nga zemra

              kur loton dhe nuk ka fjalë

              kur heshtë e pamjet më rëndojnë

 

              trishtimet plasin në kujtesë

              me ju që në mendje shtriheni

              përtej vajtimit të pëlcitur-

 

              vajin tënd e ndjej nga Abria

              nga vdekja përtej Kosovës

              të mbytur mizorisht nga serbët,

 

              helmin e hidhur të kësaj bote

              vazhdimisht e thithë

              derisa shkove

 

              nga jeta mbi vdekje

              e nga vdekja në jetë.

 

 


[1]) Edhe kjo poezi e ka fituar shpërblimin e parë për poezinë e dërguar në Konkursin Letrar të LSHAKSH në Gjermani, në Orën e Madhe Letrare për Pavarësinë e Kosovës, në Koblenz, me 25.04.2011.