
Brahim Ibish AVDYLI

Kësaj here, po ribotohet poema “Klithje në mesnatë”, e korigjuar pak nga libri i ndryshuar me qëllim prej origjinalit, nga ana e redaksisë së Ndërmarrjes Botuese “Rilindja”, në Prishtinë, më 1992, nga versioni i dërguar në vitet 1985 dhe 1987, e cila për shkaqe të njohura politike ka mbetur e pabotuar, deri në vitin 1992.
Dihet, se në vitin 1983, u botua me sukses përmbledhja e parë, «Në hijen e Alpeve», dhe problemi u intensifikua për ndjekje politike. Politika shtetërore komuniste insistoi edhe njëherë që të më dënonte, madje që ta mbledhte librin tim nga libraritë, por ajo fshifej nëpër disa librari, e nëpër të tjerat ishte shitur. Babai im, sot i ndjerë, atëherë ishte paraqitur për ta blerë këtë libër, në librarinë më të madhe të Gjakovës, me arsyetim, ndërsa kryeshitësi ia kishte dhënë nën dorë. Atij, i kishte thënë se libri ishte mjaft i mirë, dhe do të thoshte se “ndodheshim nën hijen e madhit- Jugosllavisë!”. Mos ta dijë askush se unë ta kam shitur...
Motoja e librit, e shkruar në Morinë, më 1982, pas demonstratave të vitit 1981, ishte aktuale:
“… erdha për fjalën tënde
Tokë me plis të bardhë!”
Unë, përherë mbeta në ndjekje politike, madje që prej gjimnazit, në Ponoshec, Gjakovë, Kosovë, e nëpër mërgatë. Libri tjetër, me vonesë mjaft të madhe, që prej vitit 1983 e deri kur u botua, më 1992, bëjnë rrafsh 9 vite. Kaq vite i bëri burg politik kujdestari i klasës së parë dhe të dytë të Gjimnazit “Hajdar Dushi”, miku im, profesori Mr. Muhamet D. Rogova. Unë e zgjodha rrugën e mërgatës, me demonstrata, dhunë, arrestime, përjashtime, si kudo. Ky libër, “Kur zgjohet Dodona” ishte botuar e shtypur siç dëshironte Redaksia e Botimeve “Rilindja”, me Ali Podrimën, si Redaktor, i cili nuk kishte arritur ta ndryshojë titullin e librit, ashtu siç dëshironte ai, nga titulli që e kisha vënë unë, “Kur zgjohet Dodona”, sepse e dija çka ishte për shqiptarët Dodona.
Gjurmët e përpjekjes së ndërrimit të titullit, kanë mbetur të shtypura, në fund të librit...
Në kohën kur është shkruar kjo poemë, për dy-tre muaj, gjatë vitit 1983, kam qenë i pa punë, i vetëm dhe mjaft i merzitur në banesë të bashkëfshatarit S.S. Sacha, në Zürich, i cili vinte nga Willi i St.Gallenit, çdo dy-tre ditë, për të mi blerë gjërat ushqimore, në Zürlindenstrasse, heret në mëngjes. Atyre dy –tre muajve do të shpërngulej në Will, sepse e lëshonte përgjithmonë atë banesë. Ndërsa unë nuk dilja shpesh, vetëm për ndonjë shetitje. Një vit më parë, mua ma kishte ndaluar rrebtësisht Kantoni i Luzernit, me Ligjin Federativ, që të mos jem askund në tërë Zvicrën, dhe ky ishte faji i spiunit shqiptar nga katundi (fshati) Firaja, e Kosovës. Tri ditë pa më ardhë garancioni për punë, në Hotel Central, në Sursee/LU, më kishte kapur policia...
Në këtë poemë pak dallohet pakënaqësija, dhembja, vetmia, trishtimi e melankolia, por jo dëshprimi, sepse unë ishte paralesht i ndjekur nga Kosova e nga Jugosllavija, por edhe nga Zvicra...
“Klithje në mesnatë” është një poemë e thuktë prej perëndimit, drejtuar faqes së errët të saj, pra botës reaksionare, që ishte e fuqishme, dhe mbahej me shtypësit serbo-sllav, kundër shqiptarëve. Prandaj, kjo poemë është e korigjuar pak nga “klithjet” e drejtuara Evropës, sepse autori mendonte për Evropën reaksionare, jo për Evropën përparimtare. Evropa ishte dy llojesh, që luftonin fytas, me njëra tjetrën, si autori, i rënë poshtë, rrafsh me tokë. Pra, autori i drejtohej Evropës reaksionare, dhe politika e Redaksisë në Prishtinë ishte tjetër, sepse të tërë ish-Jugosllavisë i konvenonte që ta “godiste” tërësisht Evropën, me dorën e autorit. Kështu që, në pak pika, sipas botimit të vitit 1992, poema “i kthehet” Evropës, duke menduar komunizmin, si “ngjyrë të kuqe”, por ngjyra e kuqe nuk simbolizonte komunizmin. Është diçka tjetër. Poema është e ripërmirësuar dhe ridrejtuar nga bota reaksionare. Ajo, si shkim letrar, është kompletuar shumë më vonë dhe është dorëzuar në versionin 1987, nga Zürich-u i Zvicrës, sepse redaksia e kërkonte këtë gjë, madje disa herë, së bashku me thirrjet e maskuara të komunistëve, për ta burgosur ose edhe për ta likuiduar…
Ndër shpjegimet që i japin, është emërtimi gjeografik „kosovar“, si një emër krejtësisht i rremë. Atë emër duhet ta mbrojë e ta mbajë edhe autori, dhe të luftojë për te, sikur të gjithë shqiptarët, sepse është një emër të cilin ia kanë lënë ish-Jugosllavët e të tjerat shtete sllave, ndërsa emërtimet e vërteta “dardan” dhe “alban” nuk i njohin shqiptarët deri në ditët tona ose më pak. Kështu që është fshehur emërtimi i vërtetë, Mbretëria e Dardanisë, nga fabrikuesit e rrejshëm të historisë nacionale. Kur e kishim ne “Mbretërinë Dardane”, Evropa jetonte më keq! Ndërsa “Zogjtë e lemeritur” janë këngëtarët, poetët, të pafajshmit, të vegjlit, vegjëlia, ëndrruesit e një jete të re, që nuk i kanë çerdhet e ndërtuara me mund, por që janë shkatëruar përdhé, pra ata kanë mbetur pa votër, pa “atdhé”. Këtu janë „Lisat e Drejtë“, që dallojnë nga “Lisat e gjatë”, sepse e ruajnë drejtësinë, ndërsa “të gjatët” i mbërrinë edhe pushteti, që t`ua prishë çerdhet...
“Kryengritësit“ janë demonstruesit, të cilët janë të edukuar nga shtresat më të vjetra dhe më të ngritur ndër “rrëfime pleqërishte”, pra me dije, dhe të mbajtur nga shtesat e pafajshme e punëtore, “barinjtë”, që i këndojnë ditëve të reja, zanave të maleve dhe demonstruesve...
Autorët duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm për ditët, të cilat patjetër do vijnë, dhe nuk duhet të jenë aspak të mashtruar. Kuptohet, autori i kësaj poeme, pra unë, nuk mund të fleja i qetë, madje as në Zürich, ilegal dhe i ndjekur, sikurse në ish- Jugosllavi. Ndërsa, reaksioni botëror janë “fuqitë e mëdha”, të cilat e sakatuan qenien nacionale të shqiptarëve, të copëtuara nën 5 shtete, prej të cilave janë katër (4) shtetet grabitëse: Mali i Zi, Serbia, Bullgarët e Maqedonisë Shqiptare, Greqia; e të cilat janë “themeluar” me të padrejtë, me tokat tona autoktone, duke i kulluar shqiptarët e këtyre copave “në qefina të bardhë”, pra në pajtimet vdekjeprurëse të gjeneralëve, e që kombi shqiptar të mbetet shumë më pak se sa është. Nga dhënja e rrënjëve të gjuhës simbolike, gjuhës shqipe, tërë botës, kombi shqiptar detyrohet që të mbetet ende “i pa njohur”..
Është reaksioni botëror, jo Evropa, që identifikohet me djallin apo kryedjallin, demonët e kryedemonët, nga të cilat janë bërë të njohura disa pjesë, të botuara më parë, madje edhe në antologjinë e gazetës “Bota e re”, e studentëve të Kosovës, në vitin 1983, me titullin “Demoni”, të cilët e paraprijnë vitin 1981. Në rrugën e madhe, në demonstratat e vitit 1981, me 30 maj të vitit 1981, në Gjenevë, para Kombeve të Bashkuara, në të cilat ishte edhe autori, dhe në ballë të tyre, me trakë të kuqe, në dorën e majtë, Evropa u detyrua që të ndëgjojë zërin e demonstruesve shqiptarë dhe të shohë padrejtësitë e tyre të mëdha në favor të okupatorëve barbarë, me tokat tona. Edhe nga teksti i poemës shihet mirëfilli se cilët janë tradhëtarët tanë, andej e këndej Shqipërisë, të cilët u bënë “zogj të pranverave të huaja”, e ndër ta, edhe Edi Rama, që do t`a shes Shqipërinë te ruso-serbo-grekët. Sikur ta dija, madje për vitin e ri 2020, do të ndëgjonim të gjithë spektatorët shqiptarë në televionet e Shqipërisë “muzikë serbe”! Po e themi shkurt: jo vetëm politika e Shqipërisë, e cila tradhëtoi shqiptarët, por edhe RTSH-ja u bë lëpirëse e të ashtuquajturës “muzikë serbe”.
Kjo është SKANDAL i madh i kreut politik të Shqipërsië!...
Por, është kori i pandalur i gjenocideve të serbe, me ne dhe fëmijët tanë, që nuk u ndal as në luftën e Kosovës për çlirim kombëtar nga zgjedha e pashpirtë e serbo-mëdhejve, në Kosovë, dhe është ende e freskët, që na vrajnë tani në shpirt! Me sytë e mendjes së autorit janë të para këto gjëra që prej fundit të viteve `70 e fillimit të viteteve `80, siç qe me të vërtetë, nga një luftërar i paepur i çështjes kombëtare mbarëshqiptare. Ngjyra e Kuqe, nuk është ngjyra e kuqe e komunizmit, sepse ai e ka drapërin e çekanin në ballë të saj, por është ngjyra e kuqe, kuq si gjaku, që është dhënë simbolikisht, pra ngjyra e flijimit nëpër shekuj, si ngjyra e kuqe e flamurit kombëtar të shqiptarëve; është vetë shenja e përjetësisë së shpirtit, si shkak i dhënjës së jetës gjatë flijimit, për idealin e lirisë.
Unë kam qenë gjithmonë ndër prijësit e revoltës së madhe të popullit shqiptar te Kosovës dhe më gjërë, gjithëshqiptare, i ndjekur nga pushtuesit dhe ndihmaqarët e tyre, me shumë prova të atentateve kundër meje, që nuk shkruajnë asnjëherë gazetat shqiptare dhe të huaja. Prova e parë, kur isha në klasët e para të Gjimnazit, në Ponoshec, ka qenë atentati i parë me tre plumba, në Pllanik, duke ardhur në Ponoshec, me revolën e dhënë pa leje ruajtësit të pyellit, nga fshati im, M.P. prej Shefit të Milicisë, Adem Shtanga, për të cilën më ndihmuan dhe më shpëtuan njerëzit e njohur dhe nuk më lanë as që ta paraqesë rastin, sepse e kishin parë ata vetë Shefin e Milicisë Adem Shtanga duke ia dhënë revolen për këtë qëllim, duke pirë kafe me te. Kishin vrapuar pas tij dhe në çast, ia drejtuan dorën lartë, se nën ata plumba isha i vdekur...
Gjithë jetën kam qenë disident, në Kosovë, Shqipëri e në Mërgatë. E prisja vdekjen lirisht dhe e dija se ajo do të vijë një ditë, por mallin nuk do të ma shuanin, as edhe një pikë e ujit të botës, pos ujit të bjeshkëve të mia (shikoni poemën paraprake, “Me shkrepat e vendlindjes”)...

KLITHJE NË MESNATË
(Poemë)
1.
Kësaj ndajnate
përsëri kthehesha
me peshën e rëndë
të Bukës mbi supe,
nën zbehtësinë e Hënës
paramendoja Diellin
e duke numruar bjezgat
mallkova kohën
mallkova shtigjet!
2.
Gardhet e kohës
fshihnin kthetra terri:
së pari e ndjeva
rënkimin e varreve
pastaj
ndrydhjen e eshtrave
së mbrami
i theu krandet e konvencave
vrulli im
e një hordhi qensh
një llavë ujqish
u zgjua në mua,
ndaj hyra
me thërrimet e jetës në një trastë
e Gunën e Klithmave
në Kujtesën e kësaj Nate!
3.
Hyra në skutën e fatcubit tim
me albumin e të gjitha
biografive
të një lëngate...
4.
Sa vështirë
shtatë germa si shtatë plagë
t`i bartësh në gjoks-
kurrë shtatë lule
kurorë si kisha
kurrë era lehtas s`m`i përkundi
era lehtas
kurrë nuk m`i përkëdheli!
5.
Tashmë i lodhur
pranë dritares
më copëtohet qielli
përmes grillave,
anët e horizontit
dhe mendimet
në tallje m`i përzien,
përtej telat
më fishkëllojnë,
ulurijnë trishtueshëm
poereve të munduara te qenies,
ëndërrimet-
dallëndyshe
maleve të fëmijërisë
më fluturojnë-
e në mua e zgjojnë
Hijen e Lisave:
6.
O Lisa të gjatë!
Aq shumë heshtët
tufaneve të shfrenuara!
Shoh pipat e përkulur
të mbllaqisin turpin
e të shkundin fletët
nga marrëzia,
shoh majet e këputura
të nxijnë nga marazi
duke vështruar lartësitë
me ballin e plasaritur,
e dëgë të çara
rrëzuar përdhé
do zogj të lemeritur
kërkojnë ëndrrat e veta
në disa çerdhe
që s`janë më!...
7.
O Lisa të Drejtë!
Qëndrimin tuaj
se ruaj më kot
në disa kujtime fëmijërore,
me sa rrëfime pleqërishme
me sa këngë barinjsh
me sa ëndërritje kryengritësish
me sa fëshfërima flokësh
të zanave të maleve...
S`e rrit më kot
pezmin e këtyre fjalëve,
apo ajo që është
është mashtrim i përkohshëm,
besoni
ma ka ënda
të më kenë gënjyer sytë!
8.
Qe,
e panumërta natë
që nuk mund të fle-
djep i llahtarshëm
është ky djepi i yt,
endem nëpër dhomë,
mllefi i mbedhur
shpërthen sërish:
-O botë e ligë
botë e prishtë,
në magje të kohës
gatove për mua
B u k ë p e l i n i,
e sa herë më blove
me kryqa të thyer
e sa herë më kullove
në qefina të bardhë
qindra yje të vrarë
pabesisht në pritë,
dhjetra kongrese
Londra... Berlini...
Gjeneva... Helsinki...
dhe sa të tjera mund të jenë
Kasap i Zi!
9.
Se ti i luaje
të gjitha skenat
e prapaskenat
në shpinë të Agimeve,
ndërsa mendimet tua
mushkritë e së ardhmes
po na i grijnë,
ti, botë-
“The Big Boss”!
10.
Plafin e errësirës së qytetit
egërsisht e shpërthejnë
gjarpërinjt e neonit,
në zemër të nates kobet
kalojnë në intermexo
për t`i fshirë krimet
nga duart
me atë plaf të pistë,
Qorrsokakët ndërrojnë maskat
e zhvishen lakuriq
nëpër metropole,
mesnata
tmerrshëm i rrahë
këmbanat e turpit!...
11.
O shekull Demon
fundërrinë e të gjitha kohërave
me ç`grabujë makrokozmike
mblodhe plehun e mileniumeve
në ç`laborator të tmerrshëm
i dhé frymë-
frymë mos pastë!
12.
Në oqeanin e shpirtit njerëzor
kurdise tërmete mijëvjeçaresh
që vijnë
që të marrë globi
fytyrën bastarde
vëllanë me vëlla drejton të vritet
malin me mal të rrokulliset
popullin me popull të çakërdiset
planetin me planet të batëdiset!...
Lanet paç,
njeriun e zhvesh
deri në shkallën e egërsisë sate,
i bren çdo çast
pak nga pak shpirt
memoare
bukuri
dhe krijon artin tënd
të shthurjes
tmerrit
kataklizmës!....
13.
Ja si kalamendet
në marrëzitë e tua
e mjerimin e vet
kjo turmë e dehur në trotuare
e nata, bishë e çmendur
me thikë të mprehur
e rjepë qosheve,
lavirja natë, instiktndezur
ua shet e blen
para portave gjymtyrët,
turma, racë hijesh
tretet në mugëtirë-
racë në metamorfozë!
14.
O hije të humbura në mugëtirë!
Ç`kënaqësi ndieni
duke hequr zvarrë
pjekurinë e vetëdijes së përmbysur,
kurorat e çoroditjes
e plagët e ndërdijes së harlisur,
ju fidane të rritës së brishtë
nën hijen frymëzënëse të pallateve
me ftohtësinë e frikës së pafund
dhe inferioritetin
ndaj kësaj nate,
pse të verbër
silleni rreth fatit
me cukla të lumturisë së krisur
nga shkretëtirat e shpirtit
duke nxjerrë
bizaritete e këngës së krisur?!
15.
O hije të zverdhura në mugëtirë!
Kjo skëterrë nate u zverdh
nga krimbat e dyshimit
të agujve të përflakur-
ndërsa hiqeni zvarrë trotuareve
shesheve
si fatazma të melonkolisë,
pa shpirt
pa ideale
pa fije shprese
me furtuna të shfrenuara të fantazisë,
ndërsa ndizeni e shuheni
me mundin e djegur e kthyer në hi,
me gjakun e shekullit
hijena reaksionare
të rritet, të rritet,... të rritet
e lirë!!...
16.
Tani,
ç`plasin nga dhembja
nga dashuria
damarët e mendimit
si damarë të globit
damarët që pëlcasin
nga dhuna e mendimi
nga tradhëtia,
sepse
i lodhur jam
duke e rjepur veten
për ta liruar dikur
nga koha e humbur
nga jeta
me dhelpra e ujq,
duke i nxjerrë vetes sytë
e pajtuar
këlyshët e djallit
me kokrra të dritës,
orekset e mallkuara
duke ua ngopur
me gjymtyrët e së qenmes!...
17.
Unë, fatin e kurdisur
as atëherë se yshta
po fushat e ballit
kish kohë shemtia m`i kulloste
krojet e durimit-
palcën e jetës duke ma shterrur,
shëmtia e paparë
me lëkurën e ariut
mbi shpinë...
18.
S`qe e vështirë ta dija
ku shpinin udhët e gjëmës
ç`fshihej pas çdo kthese fjalësh
ndërsa vendet e karrikeve
ndërroheshin
për skena të reja
të lojnave të dikurshme,
aty mu rjepën mua
lëkurët e moteve,
aty
si në puset e pafund
asgjë nuk merrej vesh
nga e vërteta!
19.
U tkurra përditë nga pak
dhe pëlcita sërish
me gjithë prushin e dhembjeve
dola në rrugë
ndonëse çmendurisht
janë shthurur gjërat-
zgjuar lakenj, hajdutë, lugetër
e orë të liga kundër nesh.
20.
Secila në mundësinë e vet
Hirin e shpifjeve
në drita të syve
ma hedh,
secila me gjuhën e vet
gjithë plehun e fjalëve
në fytyrë
ma përplas,
secila në formën e vet
më gërryen në indet
e shpresave të agimta:
21.
E PARA
“...Sa herë jeni përgjakur
duke gërvishtur lythat tuaja
e thyer pamëshirshëm
keni kurrizin
rrazhginave të kotësisë,
i shkruani citatet e dëshirave
me lëkurën tuaj
e u dilte prapë
e rjepeshit prore,
endacakë të përjetshëm
duke ikur nga harrimi
dhe vetvetja!”
22.
E DYTA
“... Ju zogjtë e pranverave të huaja
cicërimat e shitura
truallit ia latë,
në drizat e viteve
strofujt e smirnës keni ngrehur
e në sofrën e maleve
keni shtruar kobet
për shoqi-shoqin,
madhëruar jini
me mallkimin e mbjellë
në prag të vatrës
duke shprushur zjarrin e lakmisë,
e në këngë për jetën
rrallë keni mbërritur...
ju, zogjtë e pranverave të huaja!”
23.
E TRETA
“...po të mos ishit ju-
bimë e çuditshme
s`do të na rriteshin lisa droje
damarëve të qenies,
pëllumbat e fatit
në dritaren e së ardhmes
trëndafila agujsh do të qëndisnin
për ne,
po të mos ishit ju
më shumë ajër do të kishim
më shumë dritë
me shumë jetë...!”
24.
KORI I TË NJËJTËS NGJYRË
“...Këngët tuaja janë djepa
ku fantazmat rriten
sepse emri i juaj i thërret kobet
e në derë të të trokasin,
shekujt ia kemi zbritur
nëntokës së shenjtërimit
me etjen tonë për t`u dëlirur,
ndaj
durimin e flijuam ndër vite
duke pritur të sillej koha
e kosat tona të prisnin
shavarin e egër të ditëve...!”
25.
GARDA SAJ
“... Na dërguan mes jush
trungun barbar
t`ua shartonim,
i thyem pa pushim
pipat e rritës suaj kryeneçe...
e prapë e njëjta degë!
Nxorrëm
rrënjë frymëmarrjesh pagane
për hijen tonë zulmmadhe...
e papë i njëjti trung!...”
26.
E PANUMËRTA
“... Mërguat nga emri
sa herë ua mbollëm
farën e dështimit nën lëkurë,
e u varët në kthetra të mia
edhe kur e prisnit tjetër rrugë,
ndaj jeni gjithkund
e s`jeni askund
si pluhurin kur e merr era,
mërguat nga gjaku
sa herë u mbinë dëllinjat e lakmisë
nën qepalla
dhe kur s`u ngopët
përrockave të jetës
me grimca të dheut të përdredhur!...”
27.
Kur marr ta thërras
vetveten në emër
qindra etiketa
i gjëj në gji
me gunga në zemër
numëroj kafshimet
e natës bishë-
klith përsëri:
-në gjirin tënd
linde e rrite
vullkane kohësh
po me llavën e ftohur
gjithmonë suvatove
kalatë e mëkateve të vjetra!...
28.
E popujt bridhnin rreth tyre
me gishta në gojë
derisa këlthitnin
nëpër hone shekujsh
himnet e pabesisë,
që tymi
i mendimeve të mnershme
e bloza e katranit
mushkëritë e së ardhmes
t`i grijë,
syqeltësinë e kohëve
ta bjerrë
e blerimin e viteve ta nxijë!
29.
Bari
rritej e pritej
me çdo pranverë me çdo vjeshtë
e lulet e ëndrrave
çelnin e thaheshin
me çdo dimër me çdo ngricë
e shkrepat
përtypnin koret e viteve
lyer me djersë, lyer me gjak
përtypnin cuklat e tradhëtisë
të ngriteshin sërish
e të merrnin hak...
30.
Tani u mësuam
dhelpëritë t`i deshifrojmë
thërrimet e durimit
cuklat e dashurisë
t`i mledhim
vullnetet e fjetura
t`i zgjojmë nga gjumi
e mbi të gjitha
sërish do të jemi
Kala e Kuqe
në gjirin tënd!
31.
Se na mjafton ky gjak
që rrjedhë në damarë
ky prush në zemër
sa për ta pritur Agun
e Shekullit të Ri,
dhe ndonëse në fjalë
po kthehem i përgjakur
nga lakuriqet e terri
i puseve ujzeza
në bebëza
po vdes aroma
e z b e h t ë s i s ë!
32.
E ti moj Kosovë
merri këto shami
klithjesh nëpër natë
arrno me to
qiellin e grisur
që të mund t`i mbajë
kapilarët e Agut,
vetëm kur të gjdhijë
në mos qofsha gjallë
dhe në paça rënë
me ujë të bjeshkëve
kraharorin
ma fërko-
mallin të ma shuajë!

P.S.: Shpjegimi për “The Big Boss” është dhënë nga redaktorët dhe e kanë përshtatur nga gjuha angeleze „Kau i madh“.
Në realitet, do të thoshte “Shefi i Madh”, ndërsa kaut i thonë “Cow”¨, pra “The Big Cow”.
Poema është edhe sot aktuale, edhe pse është shkruar qe 37 vite, pra kur kam qenë 23 vjeçar...