Brahim Avdyli në gjuhën rumune

 

Dashuria për Kosovën është dashuri reale e poetit. Dheu i Kosovës për poetin është thesari më i madh i kësaj bote. Aty ai e gjen kuptimin e plotë të jetës dhe forcën për punë krijuese. Me një fjalë, në dheun e Kosovës poeti ndjehet Feniks dhe Ante i kohës sonë. (Kadri Rexha)

 

Shkruan: Baki Ymeri (Bukuresht)

 

E strukturuar në gjashtë kapituj (Nën hijen e Alpeve, Kur zgjohet Dodona, Pasqyrë e përgjakur, Gjuha e dheut tim, Klithje nga fundi i ferrit, dhe Baraspesha e humbur), libri i Brahim Avdylit që e doli këto ditë në Bukuresht, nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë,  është vepra e shtatë e një poeti kosovar që e sheh dritën e botimit në gjuhën rumune. Vëllimi antologjik Stelele Vesniciei / Yjet e Përjetësisë, që del në përkthimin tonë dhe korekturën e zonjës Marilena Lika, duke patur për redaktor poetin Mihai Antonescu, e pajis kulturën rumune me vlera të reja shqiptare. I pajisur me një serë vlerësimesh eseistike nga poetët Marius Chelaru, Kadri Rexha dhe Gëzim Ajgeraj, në 105 faqet e kësaj vepre defilojnë vjershat më të bukura të këtij autori kosovar me banim në Zvicër. Poezitë me tituj në të dy gjuhët, jepen në gjuhën rumune, ndërsa parathënia, shënimet për autorin dhe medalionet eseistike, jepen edhe në gjuhën shqipe, edhe në atë rumune.

Sipas autorit të parathënies, Marius Qelaru (rum. Chelaru), Brahim Avdyli është një tjetër emër nga galeria e poetëve kosovarë, të cilin Baki Ymeri ia propozon lexuesit të huaj. Një poet i cili vjen në gjuhën rumune duke ri/krijjuar një realitet të vetin, nga „materiali” „i jashtëm”, nga një botë e përmbushur me dhembje, mohime, frustrime e shtypje, dhembje e vuajtje,  nga një botë e ri/projektuar në fjalë. Me to, autori tenton të ri/krijojë një djep ëndërrrash të mërguara në „poezi”. Vargjet nuk janë të prekura nga plagët e luftës, sa janë të prekura nga „marrëzitë e kohës”, siç i sheh përmes syrit të tij, „janë fryrë nga dhembja” dhe jeta e njerëzve të vendlindjes në një natë të mbrapshtë, që e ndërron „ngjyrën dhjetra herë në ditë/ porsi kameleonët”. Prej këtu mund ta filloj analizën, që nga vetmijësimi, siç kam shkruar edhe për poetë tjerë të Kosovës, që nga një platformë e shkallëzuar e „ritërheqjes” në një skutë të shpirtit nga e cila mund të „shohë”), dhe nga njëfarë kërkimi të dyfishtë/ etje për liri të cilën e kuptojnë përndryshe njerëzit që vuajnë, njerëzit që e ndjejnë se u është vjedhur diçka.

 

Kosova digjet për një Fitil Drite

 

Dhembja në poezinë e Brahim Avdylit është e shumëllojshme, së pari e natyrës intime, personale, por sidomos ajo që ndërlidhet me dramën që prek vendin ku jeton: „Koha të kthehet në fundin e një drame” ngase „në horizontin e shekujve përsëri/ Kosova digjet për një Fitil Drite”. Duke e lexuar Brahim Avdylin dhe disa poetë tjerë kosovarë të përkthyer në gjuhën rumune, m’u përkujtua në një farë mënyre fakti se relacioni nuk është i rastësishëm, sidomos kur vjen fjala  për  njëfarë mënyre për ta kuptuar „realen”, edhe pse stilistikisht, do të ishte vështirë të flitet për ngjashmëri të mëdha mes vargjeve të tij dhe poetëve tjerë nga Kosova. Po qe se disa tentojnë ta shpiejnë „botën e brendshme” në „botën e jashtme”, duke e ri/krijuar atë, qoftë dhe në mendime, te Avdyli gjërat duken gjithësesi të një kahje tjetër: Ai kërkon të ri/krijojë botën e brendshme nga bota e jashtme, dhe prej këtu gjërat duket se ndahen.

 Për Brahim Avdylin ri/konstruktimi nga fjalët në poezi krijon një “botë” të përkufizimeve dhe margjinalizimeve, të shtypjes e dominimit, edhe pse dhembja gjendet gjithandej. Dhembja e kërkimit dhe pyetjeve, dhembja e ëndrrës dhe ëndjes së prekur nga dhembje të gulçuara që e shembin poetin personalisht dhe kosovarët e panumërt të tij. Një shembull tipik i një dhembjeje të këtillë që të shakmis është poezia Marr një grusht dhe: “Marr një grusht dhe Kosove,/ e përqafoj si fëmijën/ butësisht e plot mall!/ I flas si njeriut tim/ sepse ma zgjon hijen/ e atyre që ranë/ duke e mbrojtur”. Përndryshe, poeti tenton të nënvizojë faktin se shpeshherë dashuria ndaj truallit amtar është “një pjesë e altarit më të shenjtë”, ajo është : “Dheu për të cilin jetoj dhe marr frymë/ dheu për të cilin derdha lot/ për të cilin mund të vdes/ në çdo kohë/ brumin dhe plafin tim të përjetshëm”.

Gjithëçka mund të krijohet nga një fjalë, për Brahim Avdylin, ngase sa herë gjërat duken se po shemben nën shtypjen e reales, „një lulishte me fjalë/ rritet përsëri” dhe shndërrohet në varg.  Pastaj, në rast nevoje, poeti i thot vargut „tunde trungun e fjalës” „në dheun e dhembjes”, „nxirr vlastarë të  ri/ nga çdo plagë e shpirtit tim”. Për autorin „dashuria e pakufishme” don të thotë se atëherë kur do të bëhet dhe, e din se do të jetë „baltë e pluhur/ nën këmbët e brezave/ që shqip do të flasin”. Ndërsa fëmijët që do të lozin vendeve ku ka marrë frymë poeti, do t’i thonë fjalët më të ëmbla në gjuhën e tij.  Në këtë kontekst vlen të theksojmë se fjalët janë shumë të rëndësishme për autorin. Përndryshe, përmes një numërimi kemi konstatuar se fjalën „fjalë” e hasim rreth  25 herë në këtë vëllim. Fjalët mund të bluhen së bashku me ëndërrat, mund të piqen dhe nga to mund të bëhet një bukë e mirë. Gatimet e burrave mund të shndërrohen në det, mund të mugullojnë nga to vlastarë fjalësh, e kështu me rradhë.

Lirika e Brahim Avdylit është një poezi që kultivon imagjinatën dhe tropet në një formulë të veçantë, simbolet për t’i skalitur më shumë dhembjet, pyetjet, pritjet dhe shpresat e njerëzve të tij, se sa dhembjet, pyetjet, pritjet dhe shpresat e veta. Ajo që ka të bëjë me personalen vihet nën shenjën e njëfarë valence të dyfishtë, sidomos në poezinë Lirikë nga burgu im. Apo, ndryshe thënë, shkruan poeti: „e i kam lexuar të gjitha mendimet/ që jeta i shtroi mbi tryezën e ditëve” për ta pjekur „bukën  e fjalëve” e cila, në dritën e saj, në të cilën nuk ka vend për fjalë dashurie, por, „duhet thyer, përmbysur, hedhur nga kurrizi i valëve”, që të jetë e gatuar „Deti i fjalëve”, ku poeti thotë: „Buka e fjalëve deshi një det prej lotësh”.

 

Poezi me program të qartë artistik

 

Brahim Avdyli, sipas Kadri Rexhës, si poet, prozator dhe publicist militant, në letërsinë shqipe është i pranishëm me një varg veprash letrare të denja për admirim dhe vlerësim. Autori shkruan poezi me një program të qartë artistik dhe politik në shërbim të çështjes së shenjtë të atdheut. Liria e Kosovës për poetin është baza e lumturisë dhe çelësi i dinjitetit personal dhe kombëtar. Dashuria dhe malli për atdheun e robëruar, krenaria për të kaluarën, mjerimi i popullit dhe optimizmi për ditët që do të vijnë, hymnizimi i heronjëve të rënë në altarin e lirisë së atdheut, janë vetëm disa nga motivet e temës së tij tş preferuar. Dashuria për Kosovën është dashuri reale e poetit. Dheu i Kosovës për poetin është thesari më i madh i kësaj bote. Aty ai e gjen kuptimin e plotë të jetës dhe forcën për punë krijuese. Me një fjalë, në dheun e Kosovës poeti ndjehet Feniks dhe Ante i kohës sonë. Me këtë dhe të shenjtë poeti flet si me njeriun, këtë dhe ai e përqafon si fëmijën, në këtë dhe ai e ndjen frymën e atyre që ranë duke e mbrojtur, e sheh bimën e mbjellur të shpresës për të ardhmen.

Sipas poetit Gëzim Ajgeraj, Autori kosovar i rikënduar në gjuhën e Emineskut është „poet i dhembjes kosovare”: Në qoftë se kohës i ka humbur ekuilibri dhe kualiteti, poeti ndjehet mjaft i qetë në brendinë e fjalëve të veta, sepse ka mbrojtur kurdoherë të vërtetën, drejtësinë, pastërtinë, lirinë, gjuhën dhe kulturën e popullit të vet. Ndonëse kjo është e mbushur përplot me dhembje, dinjiteti nuk ka humbur asnjë cent. Pozia e Avdylit është simboli(sti)ka e dhembjes dhe qëndresës. Ajo është frymëmarrja e kohës sonë. Vargu i lirikës së tij mbetet dëshmi e veçantë e kohës, një këndvështrim poashtu i veçantë i realitetit jetik të shqiptarit, sikurse një pasuri e çmuar letrare dhe ideo-estetike. Autori i këtij vëllimi është poeti i dhembjes kosovare. E mbushur përplot me dhembje, me porosi e ndjenja, me figuracion të dendur që fillon nga metaforat e shumta e të goditura, deri te simboli, alegoria, personifikimi, sarkazmi dhe ironia, vepra poetike e poetit Brahim Avdylit dëshmohet si një pasurim i mëtutjeshëm i opusit krijues të poetit dhe i letërsisë shqipe”.

 

Kush është Brahim Avdyli

 

Brahim Avdyli i takon plejadës së shkrimtarëve të fundit të viteve shtatëdhjetë në poezinë shqiptare. Librin e parë e botoi në vitin 1983 (Në hijen e alpeve, Rilindja, Prishtinë), i cili i kandidua për një shpërblim letrar. Poeti u lind më 1960 në një familje fisnike fshatare të Malësisë së Gjakovës. Ka studjuar me korrespondencë Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe  në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë një nga penat e reja kosovare më të censuruara. Pas një pritjeje të gjatë, në vitin 1992 iu botua përmbledhja me poezi Kur zgjohet Dodona (Rilindja, Prishtinë). Më 1994 e pa dritën e botimit vëllimi Pasqyrë e përgjakur (Marin Barleti, Tiranë), i kurorëzuar me një serë vlerësimesh të larta nga kritika letrare. Pasojnë vepra tjera me vlera lirike si: Klithje nga fundi i ferrit (Onufri, Tiranë, 1997, botim i dytë: Jeta e Re, Prishtinë, 2000), Gjuha e dheut tim (Albin, Tiranë, 1999), Baraspesha e humbur (Qëndresa, Gjakovë, 2003). Përveç poezisë, merret edhe me prozë dhe publicistikë. Autori jeton në Zvicër ku ka drejtuar revistën Qëndresa (1990-1995). Pas veprave të Sali Bashotës, Miradije Ramiqit, Ibrahim Kadriut, Jeton Kelmendit, Mardena Kelmendit, Halil Haxhosajt, Vitore Lekës, Sarë Gjergjit, Leom Kolmnelës, Merita Bajraktarit McCormack,  etj., vepra të cilat qenë kurorëzuar me dhjetra reçensione të mirëfillta, vlen të përsërisim faktin se ky është libr i Brahim Avdylit, që e sheh dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë.

 

Moment poetik

ne zemer te Bukureshtit

 

Ne kuader te diteve te Festivalit Palabra en el mundo (Fjala ne Bote, edicioni i trete i programit nderkombetar Word in the world), ne Amfiteatrin Stoilow te Fakultetit te Matematikes dhe Informatikes, me 14 maj te ketij viti, para nje auditori te perbere nga studente, dashamire te artit letrar dhe kuadrosh universitare, u mbajt nje Moment poetik qe do te mbahet mend. Ne kete takim te poeteve me dashamiret e poezise, qe ka per mision afirmimin e forces se fjales, ishin te ftuar shtate poete te njohur nga Bukureshti, te gjithe anetare te Lidhjes se Shkrimtareve te Rumanise: Dan Mircea Cipariu, Horia Garbea (kryetar i Shoqates se Shkrimtareve te Bukureshtit), Elene Liliana Popescu, Ioan Rosca, Varujan Vosganian (senator dhe ishminister i Financave), si dhe autori i ketij shkrimi (B. Y.), i cili e joshi publikun duke krijuar admirim ndaj gjuhes shqipe dhe kombit shqiptar, duke lexuar vargje origjinale ne gjuhen rumune nga vellimi Drita e Dardanise, si dhe poezi te perkthyera ne gjuhen shqipe te disa pjesmarresve ne kete manifestim me karakter kombetar dhe nderkombetar.

 

Prezenca shqiptare

nË massmedian rumune

 

Revista Climate literare (drejtor Ion Iancu Vale) qe del ne qytetin Tergovishte, ne numrin e prillit te ketij viti hap shtyllat per afirmimin e vlerave shqiptare ne gjuhen rumune. Keshtu, ne faqet e saj, ne kuadrin e titullit Nen yje…vetem heshtjet tona (Sub stele…doar tacerile nosatre), eseisti Mihai Antonescu prezanton librin e Brahim Avdylit Yjet e perjetesise (Stelele vesniciei), qe e pa driten e botimit ne Bukuresht (2008), ndersa ne kuadrin e recensionit Kosova, hena ime e pushkatuar ne supe (Kosova, luna mea impuscata in umar), prezanton ditarin e Besa Salihut Pedeapsa divina (Ndeshkime hyjnore). Po ne kete reviste, Victor Sterom prezanton librin e Florentin Popescut Elegjia e kuajve te humbur (Elegia cailor pierduti), qe doli para nje viti ne edicion bilingv (shqip/rumanisht), ndersa autoret Gheorghe Bucura dhe Ion Iancu Vale i kushtojne nje faqe dy evenimenteve te rendesishme qe u mbajten gjate ketij viti, njeri ne Bukuresht (lansimi i romanit te Visar Zhitit “Funeralet e pafundme”) dhe Mbremja letrare dedikuar Frankofonise ne zemer te Dardanise. Vlen te theksohet ne kete kontekst edhe prezantimi i librit te Ali D. Jasiqit (Ochii campului/Syte e fushes) ne faqet e revistes Impact (nr.357, www.impactdb.ro), si dhe librit te Besa Salihut (ne te njejten reviste), duke patur per autor te recensioneve eseistin Victor Sterom. Victor Steromi prezanton ne Revista noua (nr. 4/2009) poetin kosovar Sali Bashota, me vleresime eseistike si dhe me poezite Ajo ishte vetem nje enderr, Bukuroshja e fjetur dhe A s’te thash valle e dashur. (Baki Ymeri)

 

Prezantime të reja shqiptare

në veri të Danubit

 

Bukuresht, Ditë e Bekuar e Kërshëndellave, 2008. Në spektrin e prezantimeve të reja në gjuhën rumune, gjatë këtij muaji vlen të potencohet revista e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë që del në Fokshan, Oglinda literara (Pasqyra letrare, drejtor: Gheorghe Neagu). Kështu, në numrin 84 (dhjetor 2008), kjo revistë prtestigjioze që botohet në 5 mijë ekzemplarë, boton vargjet e poeteshës Elda Kokoneshi nga Elbasani (Petale të kaltra, Manteli i dashurisë, Hëna dëshmitare, Simfoni e dashurisë). Revista letrare për të gjitha gjinitë dhe moshat Dor de Dor (Malli ndaj Mallit), e cila del në lokalitetin Dor Mërunt të Këlërashit (e themeluar nga poeti Marin Toma), pas prezantimit në numrin paraprak të poezive të Flora Brovinës, Bardh Frangut dhe Ilire Zajmit nga Kosova, në numrin e saj më të ri (42/2008), kjo tribunë letrare hap shtyllat edhe për vlerat letrare të dy poetëve tjerë kosovarë: Miradije Ramiqi (Ta zdesh këmishën e natës, Akti i mbrëmjes) dhe Ibrahim Kadriu (Kushdo që vjen gjurmave të vetmisë sime).

Në vazhdën e prezantimit të gjuhës shqipe në shtypin letrar të Rumanisë, vend me rëndësi zë edhe revista Poezia e cila del në Jash të Moldovës (drejtor Cassian Maria Spiridon). Numri 4 i këtij viti (Dimër 2008), mban moton “Poezi dhe sentiment”. Ndërmjet faqeve 89-96 defilojnë në gjuhën shqipe vargjet e shtatë poetëve rumunë të prezantuar në antologjinë Frumusetea frumusetilor/ Bukuria e bukurive: Varujan Vosganian, Victoria Milescu, Mihai Antonescu, Cassian Maria Spiridon, Florentin Popescu, Corina Matei Gherman, Marius Chelaru.

Një eveniment tjetër që e ndërlidh kulturën shqiptare me atë rumune është interesimi i Bibliotekës “Nichita Stanescu” të sektorit 6 të Bukureshtit, e cila ka filluar ti pasurojë raftet e saj edhe me literaturë shqipe. Kështu, në sajë të donacioneve me libra që kanë bërë dr. Luan Topçiu dhe autori i këtij shkrimi, siç na lajmëroi zonja Liliana Radu (funksionare), kjo bibliotekë pregadit terenin për inanugurimin e Kolekcionit Kadare (Colectia Kadare). Pas përurimit të librit Timpul imperfect (Koha e pakryer) të shkrimtarit Eduard Tonceanu (15 dhjetor 2008), ditën kur manifestohej 25 vjetori i vdekjes së poetit të famshëm Nichita Stanescu, para një auditori të përbërë nga nxënës, studentë, bibliotekarë, krijues të artit dhe oficialitete të Bashkisë së sektorit 6, u përmend edhe rëndësia e lidhjeve të lashta trako/ilire, respektivisht rumuno/shqiptare, dhe u lexuan disa poezi të Nichita Stanescut në gjuhën shqipe.

Në këtë kontekst vlen të përmenden edhe tri risi tjera që e transmetojnë dritën e fjalës shqipe në gjuhën rumune gjatë festave të shenjta të dimrit: Botimi i pardjeshëm i vëllimit Vis de furat (Ëndërr për ta vjedhur), i autorit të këtij shkrimi (Albert Voka, pseudonim letrar), botimi i antologjisë Cheia sufletului/Çelësi i shpirtit (me 6 poetë shqiptarë dhe 4 rumunë) që këto ditë del nga shtypi, dhe botimi (në gjuhën shqipe dhe rumune), i ditarit të Besa Salihut nga Kosova, që del në vigjilje të Vitit të Ri, dhe i cili mban titullin Ndëshkime hyjnore. Në të njëjtin kontekst vend me rëndësi zë edhe revista Bucovina literara (nr. 11/12, nëntor/dhjetor 2008) me reçensionin Urma cuvantului / Gjurma e fjalës të eseistit Marius Chelaru dedikuar vëllimit Stelele vesniciei/Yjet e Përjetësisë, të poetit kosovar me banim në Zvicër, Brahim Avdyli (botuar në gjuhën rumune në Bukuresht, 2008). (Baki Ymeri)