
Nga libri i pestë (dhe i shtatë) poetik
„Klithje nga fundi i ferrit“,
Onufri, Tiranë 1997
dhe, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë 2000.
KËNGA IME[1])
Kënga ime- jeta ime e shastisur
t`u përgjakën gishtërinjtë e të ranë dhjetë lëkura
së renduri pas diellit me një strajcë ëndërrash
me një strajcë dhembjesh, dëshirash që pëlcasin
pa britmë e pa vaje, por që s`pushojnë së renduri
pas pulëbardhave në fluturim horizonteve të ngrysura...
Zgjaten shtigjet tua, zgjaten e kurr nuk sosen
gjithnjë e më pak jam unë- çdo gjë ta kam falur
bonjakja ime- këngë, bimë e etshme gjaku;
s`di ç`të bëj me dhembjen që të çel në çdo rremb
s`di ç`të bëj me pikëllimin tënd pipave të tharë
s`di ç`të bëj me lulet e vyshkura- jeta ime e vrarë
kur dridhen sahatkullat ndër shtërgata motesh,
pa plang e pa shtëpi jemi, ne, endacakë të përjetshëm
ikim nga harrimi, mashtrimet, dhuna, nga vdekja...
por askund fundi i kësaj odiseade, askund Itaka
me buzëqeshje të na shkrijë akujt ankthit e të mallit-
duart t`i ngrohim pranë vatrës- kurrë të braktisur,
të na përtërihet durimi, ty- zëri i shterur
nga fundi i ferrit duke klithur, lëndinës së shtrigave...
T`i mbledhim, moj, cuklat e dashurisë e kujtesën e grisur
edhe me gjysmë mushkërie mund të ecim kah e nesërmja
tash e dimë përmendësh pse u nemën bjeshkët
dhe mësuam të zbresim në det, të ngjitemi kah dielli
udhën e shkronjave e mësuam, shtigjet e fjalës
fanarët e shpirtit t`i ndezim tej- përtej oqeanit
qiell e dhé je për mua- prush e hi jam për ty
djep i ëndërrave të mia- rrita ime je ti,
ndaj të pëshpëris çdo natë dhe të shtrëngoj si fëmijë
jeta ime e shastisur, vdekja ime- poezi!...
PËRPËLITJE
Ç`dhembje më e thellë
oj Nënë,
se dhembja e asaj që s`mund
ta them?!...
UNË DHE SIZIFI
Unë dhe Sizifi
nga të dy skajet e kohës
shekujt i masim
e pesha e dhembjes
si dënim i përjetshëm
na rëndon.
Më duket se ai
ka më shumë fat
meqë zbret në fund
të përsëritë lojën-
sa herë i rrokulliset guri
derisa unë-
këngëtar`i shkretë,
marr e jap një jetë të tërë
dhe s`lëviz nga vendi
gurin e dhembjes!...
LUGETËRIT
E FJALËS
Sa herë flas
më thonë të hesht
sa herë hesht
nën dhunën e tyre
më yshtin të flas
vetëm po të lëviz
nofullat nga dëshprimi
ngërdhuzen tmerrshëm
matem t`i pështyj
më gërvishtin në fytyrë
dhe fshihen
përpiqem t`i harroj
kur dalin papritmas
plot egërsi...
O të mallkuar,
a do të kishte kuptim
ferri pa ju!
ORAKUJT
E RREJSHËM
Ei,
edhe poetët ditkan të bëjnë lajka,
të përhapin mashtrime,
të mbështesin Çezarin
e të lavdërojnë tiranët-
në emër të luftës për Liri!
Edhe poetët ditkan të jenë
si të gjithë të tjerët,
të yshten me të holla,
me shpërblime ndërkombëtare,
e të bëhen zëdhënës
të një të çmenduri tiran
maje Froni,
t`i mbulojnë tragjeditë
me perdet magjike të fjalës,
t`i kurdisin dramat e dhimbshme
të shekujve-
kur blihen!!...
O burrani,
mos u besoni kurrë
orakujve të rrejshëm-
krijuesve oborrtarë!
SYTË E ARGUSIT
Sytë e tu, Argus
i ka fryrë dhembja-
freskinë ua kanë tharë
marrëzitë e kohës.
S’ishte e lehtë të shije botën
duke ndërruar ngjyrë
dhjetë herë në ditë
si kameleoni,
s’ishte lehtë të shihje
demonë të nderuar si hyjni
dhe hyjnitë që grisnin munshkëritë
për të dëshmuar
shejtërinë,
s’ishte e lehtë
të përpije gjithë këtë pleh
që shitet për ar
midis bebëzave
e të masje
dioptrinë e hirësisë
çthjurjen e shekullit
pa guxuar të nxjerrësh
të vërtetën-
Argus,
sytë e tu i vrau shëmtia
në një kohë të pa kohë!*)
*) Kjo poezi e ka fituar shpërblimin e dytë të Konkursit letrar të „Zërit të Kosovës“ për poezinë më të mirë të botuar më 28. Nëntor 1997.
TRAJEKTORJA E FATIT
U linda në malësi
e u treta në mërgim
duke djegur veten
me vargje nëpër buzë
e kokën e lënë
peng për të nesërmen.
Për besë,
kudo shpërndava
dhembjen time të zjarrtë
e mbolla ëndërrat-
thirrjet për Lirinë!
Sa keq,
vështirë po na lëshon
kllapimi e vdekjes-
ndaj na ndjekin
këmba pas këmbë të Ligat!
SOFRA JONË
Sa bukur jemi mbledhur
rreth zjarrit të fjalës
në këtë natë,
zhishkë pas zhishke
këngë pas kënge
lidhni të gjitha hallkat e dashurisë
se plafin e errësirës
si dora perden
Rrezja
ka për të mbledhur-
sapo të fekset në zemra
Agu i Përjetshëm!
Prishtinë, 1986.
MBIJETESA E VARGJEVE
Më të bukurat
humbën nëpër ndjekje-
bukurinë ua vodhën lubitë!
Më të zjarrtat
s’munda t’i mbaj-
zjarri i tyre përvëllonte kohërat!
Më të shtrenjat
si t’i nxjerr nuk pata-
bota qe mbushur plot kusarë!
Megjithate,
me ngjyrën e shpirtit
nëpër fletë gjurmët i lashë-
që të mos na shuhet Emri!...
GJURMËT E FJALËS
- (Kontrolli)
Duke dëgjuar çka flas
duke dëgjuar çka flasin-
përditë shikohem në pasqyrë.
- (Pasqyra)
Po të mos ishe ti-poezi,
çdo gjë do të shkëlqente
nga paturpësia!
- (Kontrolli)
Përpëlitem,
copëtohem për njeriun
e njeri dorën s’ma zgjat!
- (Ngushëllimi)
I vetmi ngushëllim
për zgalemin është
karvani që i shkon pas!
NË ORËN 22 TË NATËS
Në orën 22 të natës
bishat e shetisin njeriun nëpër rrugë,
e nxjerrin nga banesa
për të shkundur dhjamin e foteleve
dhe morrat e një qytetërimi të zvetnuar.
Në orën 22 të natës
vetëm unë i bie prapa qytetit
me laps në dorë-
asnjeri nuk ma kthen përshëndetjen
pos qenëve që ngërdhuzën
drejt meje!...
Në orën 22 të natës
koha e zbulon fytyrën e fshehur të ditës,
unë i vetmi lëviz midis qenve
dhe mas njerëzoren e lidhur për litar.
Ec pak më shpejtë biro, se ra mesnata
dhe s’mbetet kohë për ëndërrën tënde
-më flasin shkurt
shtyllat e dritës,
derisa mendohem
si mund të gdhijë
shekulli i ri?!...
SHQETËSIMET E NJË QYTETARI
TË RENDIT TË TRETË
Hyj në tramvajë dhe dua të ulem
kur padashas ia shkel bishtin një qeni.
Futem në zyren e banesave
të zgjedh (ndoshta) hallet e mëdha të banimit,
dhe shkel padashas bishtin e një qeni.
Futem në një varr modern, 3 me 2 metra,
përpiqem të marr frymë dy herë lirisht
fillikat me vetveten,
por, padashas ia shkel bishtin një qeni.
Dal me të dridhurat e një shpirti të trembur
dhe vrullshëm futem në restorantin e lagjes
sa për të qetësuar mendjen nga të lehurat-
kur prap një qeni bishtin ia shkel...
Oh, botë e qenosur,
si të shpëtoj nga të lehurat e tua?!
Zürich, gusht 1991.
PËRTEJ AKERONTIT
E tërë jeta ime dënimit i ngjanë-
pranë syve kalon gëzimi dhe s`e mbërrij,
pranë gojës kalon jeta dhe s`e shijoj,
përpara shëtit e vërteta dhe s`më njeh,
anash gjallëron bota dhe s`më sheh,
prapa kurrizit bie fati, dhe s`më merr...
E tërë jeta ime një tmerri i ngjanë,
edhe pse kështu nuk vendosën hyjnitë
se vetë më dhanë ata brumin e zemrës,
demonët më vodhën një ditë pabesisht
e më shpien të lidhur përtej Akerontit...
Më lanë përherë në një vorbull deti-
as i mbytur isha, as i shpëtuar;
më lanë të vetmuar në një maje mali-
plot thirrje kisha, por i padëgjuar;
më mbyllën thellë në një shpellë guri-
pranë e kam zjarrin e dridhem vazhdimisht
i syrgjynuar së gjalli, ja kështu, në ferr-
shpirtin plot dritë e përrreth vetëm terr!
ASGJË NUK ËSHTË
JASHTË RREGULLAVE
Gjithçka që më ngjet, më ngjet se nuk njoh djallëzi
derisa djallëzia ka përlarë të dukshmen e të padukshmen;
gjithçka që më ngjet, më ngjet kur veproj ndershëm
sepse pandershmëria ka pushtuar hapësiarat e ditës
nëpër të cilat sot nuk kalohet me trëndafil në dorë;
gjithçka që më ngjet, më ngjet duke mbrojtur të vërtetën
pasi e pavërteta është bërë një dinosaur mishëngrënës
dhe rrezikon njeriun- të jesh a të mos jesh është çështja;
gjithçka që më ngjet, më ngjet me paramendim
dhe është pjesë e një strukture të zhytur në ligës...
pra, asgjë nuk është jashtë rregullave të lojës, or bir,
as edhe përmbytja që duhet të vie një ditë, patjetër!
QYTETI I VJETËRUAR
Kryq e tërthor i rashë qytetit
me ethet e halleve të mia-
kryq e tërthor të gjitha mendimeve
për të mos dalur mendsh.
Nga të gjitha rrugët
shtëpitë e plakura hijerëndë vështrojnë,
çatitë e zgjatura sa s’më pështyjnë-
ndër blloqe ka shterruar
damari i fundit i mirëkuptimit,
e asnjë pikë uji s’pikon
nga zemra e gurëve...
Kot e bjerrkemi rininë këtu
për tre franga në ditë,
dy sharje dhe biletën për të ikur
prapa diellit!...
Altstätten, dhjetor 1992.
DRITARJA E NJË REFUGJATI
Parmaku prej dërrase
është nxirë nga fjalët e pa thëna-
rrezet i ka ndryshkur shkrumi i zemrës,
qëkrur midis tyre koha është ngrysur
sytë e xhamit më dritën s’e panë!
Me pështymën e nxirë në skaj të dritares
merimangat i kanë tjerrur ditët-
kornizat i brejnë krimbat pa pushim
deri sa ëndërrat zverdhen
mbi një gozhdë të ndyshkur në mur...
Kur ndonjëherë
thekshëm fërshëllejnë fërfëllazat
trarët e shtëpisë zënë të kërcasin
sikur thonë: „lene të qetë njeriun“-
me gjuhën e urtë të plakut.
Por, nëpër të çarat e dërrasave
vetëm thashëthemet rrjedhin
bashkë me përshpëritjet e përbuzjes së fqinjëve,
ato më të rrezikshmet
presin të hapet parmaku
që si koktejl shpërthyes të hidhen brenda!...
Wittenbach, mars 1993.
MONODRAMË VETMIE
Shikoj pandarë sipërfaqen e shtrirë
deri atje- të malet e maleve-
nën mjegullën e hirtë të një dite vjeshtake
një botë e tërë zhgënjimesh trandet.
Nga bregu tjetër lodhshëm nisen zogjtë
mbi llamburitjet e vazhdueshme të liqenit,
sikur bartin me vete frymën time-
bregu i shpesës fare nuk shihet,
është vjeshtë, është fund, është dhembje...
Oh, ç’vekje e rëndë shtrihet mbi sipërfaqe
e tërë mosha në ngjyra vjeshte derdhet,
vetëm nëpër shigjetat e frymës sime
dhe ajri sikur pëlcet ashtu në heshtje
velin e trishtimit duke ua hedhur valëve!
Rorchach, tetor 1993.
PAMJA NËPËR TË CILËN KALOJ
Deri sa u kaloj pranë
blloqeve të betonit-
peshën e tyre ma hedhin kalistrok
vetëm sa për t’më vënë në lojë.
Vitrinat e dyqaneve
më pështyjnë e më shajnë
për këpucët e shqyera
dhe rrobat që përditë i vesh.
Kalldrëmi lëviz
e përpiqet t’më rrëzojë
për të mos i ecur mbi kurriz
me gjithë shqetësimet e kësaj dite..
I huaj dhe i humbur
midis pëshpëritjes së rrugëve
që s’më përshëndetisin fare
dhe kokën e kthejnë mënjanë
për t‘mos më parë-
ja, kjo është pamja e përditshme
nëpër të cilën kaloj!
MONOLOGU I HEKTORIT
PARA SE TË VDISTE
1.
Kur e prunë
Kalin e drunjtë
mos i hapni dyert
i shqetësuar thashë
se në te fshihet
shkatërrimi ynë.
Të verbërit u ngritën
ik nga Troja, më thanë.
Mos u bë shkaktar
që sërish të derdhet
gjak mbi bedena,
derisa e shenjta paqe
në derë po troket!
2.
Dola vetëm
për të vrarë Akilin
midis atyre bishave
që ulurinin tmerrshën
pranë themeleve
të lirisë
dhe e pashë
në minutat e fundit
si po i digjte mashtrimi
kullat e Trojës!
3.
O Zot,
as plagët e mia
as zvarritja nëpër gurë
s’më kanë turpëruar
më shumë
se mallkimi
që nëpër duart tona
po futej n’kështjellë!
IKJA E KRISHTIT
U ngrit përsëri
lakuriq nga varri
ku të llangosur e shtrinë
pas kryqëzimit.
Nuk e panë
të ikte nëpër natë
nga „toka e shejtë“
për në Kashmir!
S’mund të qëndronte
mes atyre që kryqin
gozhdat e dhunën
për të shenjta i mbanin
nëpër duar,
andaj iku
dhe i la të kërkonin
dymijë vjet
shpëtimtarin!
PËRTEJ BRIGJEVE TË DHEMBJES
Ordi trishtimesh
janë ngjeshur mbi Adriatik,
vetëm sa s`kanë shtrydhur retë e dhembjes,
era thekshëm kaliron hapësirës së trazuar
e dimri shndërrohet në një suferinë të gjallë.
Dëborë nuk ka,
se dëbora nuk zë mbi valë,
pikëllimi ka ngrirë në shkallën tridhjetë nën zero
e s`kam fuqi të zgjoj ëndërrat e pritura të lirisë
s`kam fuqi t’i jap zë vargut që ka ngelur nëpër buzë-
se kënga më tretet në hapësirën e ngrysur të një dite!...
Ordi trishtimesh
janë ngjeshur sërish mbi Adriatik,
askund s‘e takoj Odiseun, as nuk ëndërroj Penelopën,
prej skajit në skaj përpëlitem papa Itakës sime
derisa përpiqem të marr me mend një Liburnë ilire
mbi dhembjen e pafjalë Poseidoni dallgët m‘i ndërsen!
Shtërgata të fuqishme ndjenjash m`i grisin velat e shpirtit,
kam frikë mos Ilirisë së përmbytur m’i zhduken gjurmët
duke i rënë detit anë e përtej me diellin e mërguar
dhe Itakën e lënë në pikëllim-
atje, përtej brigjeve të dhembjes që nuk duken!...
Adriatik, dhjetor 1995
FËMIJA I LINDUR
PAS EMIGRIMIT
Të atin e njeh
vetëm nga fotografia
varur në mur
që s’i përgjigjet
as kur i përlotur
i qëndron përballë.
Kaq i njomë
ka mësuar të mendohet,
ta shohë botën në sy
e vëllain e madh
të cfilitur...
Sidoçoftë,
i ka mbushur ca vjetë
por s’i kujt duhet
t’i përngjasë-
pasi dikush ia shanë
dikush ia lavdëron
babanë e rrejshëm
varur në mur!...
ORDITË E SATANAIT
Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
qiellit të vendlindjes shpërthejnë rrufetë,
pandarë godasin portën e zemrës sime!
Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
kurrizit të vendlindjes kalërojnë lubitë-
shtatë lëkura ia zveshin ditës,
ia krisin unazat për ta ndrydhur palcën
e nervit që mbanë gjallë emrin shqiptar!
Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
orditë e Satanait i bien Kosovës
të gjithë përnjëherë, si t’i binin lodrës,
befasohen që u mbetet gjallë
midis duarve të përgjakura!...
Sikur s’do të mjaftonte vetëm një dhembje
çdo çast vjen nga një klidhmë e nëndheshme-
sa toka më dridhet nën këmbë nga trishtimi!
DY VARGJE
PËR LUGËN TIME
Me ty u lëpi
qeni i shekujve,
gjithmonë në racionin tim.
Shpesh iu dridhe në duar
megjithate, ai të lëpiu
si sot, si gjithnjë-
gajë nuk pate të qaheshe ti!...
Unë,
gabimisht u ula
në një tryezë me te!
RADIO PRISHTINA
Skutë më skutë kërkoj valët e tua
në asnjë kanal zërin s’ta dëgjoj
në më të thellin pus të fjalëve
t’u mbyt zëri vallë, durimi jo- kënga, dashuria!...
Klith një herë të paktën
vetëtima e klithjes ta qajë natën
deri në zemër të Evropës-
s’kapërdihet dot ky lëmsh rropullish mbi ty
pika sa nuk më bie për një këngë me çifteli,
athua forcë s’ke më
athua, s’ke zë?!...
PAFATËSIA
A T D H E,
ti djepi i të gjitha dhembjeve
ti- gasi dhe helmi im
e vetmja, e vetmja, e vetmja dashuri!
Në ty-pa fëmijëri
në botë-pa qetësi,
u çmenda larg teje pa hapësirë, pa liri-
dhe mijëra fjalë
mijëra mendime
të pashprehura më shuken në gji!...
PA TY
Pa ty, Kosovë
i ngjaj asgjësë që zvarritet
e s’arrin përtej hiqit!
Pa ty, fjala ime s’ka peshë
e sillet vetëm rreth humnerës!
As vaji, as kënga s’kanë zë
dhe s’dëgjohen përtej honit
që më rrethon si gojë ferri!
Pa ty, jeta dhe vdekja
e kanë të njëjtën ngjyrë-
vetëm dheu i yt më jep forcë
që ta mund të keqen!
Ndizni magmat e zjarrta
të zemrës sate, pra,
më ndihmo të shpërthej
mjegullën që na ndan!
VDEKJA
QË SE PRANOJ
Asnjë vdekje nuk e pranoj
asnjë vdekje që nuk është rënie
pranë altarit të fjalës,
pranë altarit të lirisë-
as vdekjen mbi lule,
as vdekjen mbi mëndafsh!...
Më e liga vdekje
kjo vdekje e përditshme,
as i gjallë as i vdekur tërësisht,
midis kërmës që të kafshon
dhe fjalës që të vdes nëpër buzë!...
KLITHJA IME
Klithja ime
është më tepër se dhembje
por kuje nuk është-
nuk e lënë të nënshtrohet
zemra e gjërë e Dukagjinit,
as maja e larë e Shkëlzenit të Gashit
mbi të cilin prekë
më së pari Dielli !
Klithja ime- vetëtimë që lëshohet
sa qel e mbyll sytë
mbi kokë të shtrigave,
gjëmim shungullues
i drangojve të malësisë
nëpër njëmbëdhjetë rrathët e ferrit!
Klithja ime
nuk është belbëzim frikacak
i atyre që dridhen nga hieja e vet-
është thirrje që zgjon
edhe ata që ranë
me fjalën liri nëpër buzë,
është kushtrim
për kush është trim
e ngrihet pip në këmbë
me peshën e gjakut të patretur !
ODE ZGJIMI
-Një popull që fle, vdes!
Ismail Qemali
Mbi krahërorin tënd Arbëri
Babiloni i dhunës muret i ka shtrirë,
në pesë pjesë zemrën ta ka ndarë!
Në njëren, vdekja tmerrshëm kaliron
palcën e jetës duke shkelur pa mëshirë,
në tjetrën, dhembja fuqishëm të mbërthen
sa herë e mbledh trupin e shkallmuar
dhe zemrës ndër fjalë i jep shpresë!...
Dhembjet tua, moj, edhe gurin e çanë,
bjeshkët i plasi durimi i tepruar-
mblidhe si Anteu fuqinë e shpirtit,
me gjakun e përtërirë munde agoninë-
toka e qielli do ta përfillin fjalën tënde,
sepse për hirë të lirisë pishat rriten në lartësi
dhe zogjtë fluturojnë- lumejtë degdisen kah deti,
nën dëborë kur gjëmojnë bjeshkët
nga zemra e gurëve po këtë fjalë e nxjerrin,
fëmija kur qan, qan sepse mungon ajo,
kohës i dalin thinjat pa dorën e saj
dhe jeta i mbyll kornizat e fatit
nëse në altarin e Lirisë nuk bien dëshmorë!...
LUTJET E MESIAS
MBI KALANË E SHKODRËS
O zot, fale këtë popull
nga mëkatet që bën vazhdimisht
mbi vetvetn,
por mos ia premto tokën e shenjtë
se tokë të shenjtë e ka Shqipërinë!
Dashuri fali për dheun e vet,
dashuri për gjakun
që po i shpishet,
shpëtoje nga coptimi
orakujt e rrejshëm
dhe përmbytja...
se tempullin e parë e ndërtoi për ty,
tempullin e parë për Liri!
SHPJEGIMI I TË KEQES
Vetëm një ngjyrë e keqja nuk e ka-
vetëm një formë dhembja që zgjon ajo,
Si kameleonit i ndërrohen ngjurat,
si reve të mjegullës- forma!
Dhe emra ka sa të duash dhuna-
emra që ta thajnë fjalën në gojë,
dhe duar që të godasin pa mëshirë
por nënshtrimin kurrë nuk e mbërrijnë ato!...
DIALEKTIKË
Sa më fuqishëm godet
dhuna, krimi, tradhëtia
aq më zëshëm jehon kushtrimi-
aq më e shenjtë,
me e nevojshme bëhet Liria!
SI MUND TË HYHET
NË SHEKULLIN E RI
Nuk hyhet
me gjuhën e Don Kishotit
as me Rrosinantin e Sanços
nuk hyhet
as me Kalin Trojan
dhe hingëllimen e tij të kobshme.
Shekulli i ri
nuk është arenë ku vriten gladiatorët
për të kënaqur Satananë !...
Nëpër trajektoren e tij
hyhet me zemrën e qelibartë
dhe Diellin e zbritur
në shuplakë të dorës,
hyhet vertikalisht
me guximin qytetar
për të mbrojtur të vërtetën !
[1] ) Kjo përmbledhje, për poezitë e lexuara në Takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001, ka fituar „Penën e artë“.

Nga libri poetik
„Gjuha e dheut tim“
Albin, Tiranë, 1999
MARR NJË GRUSHT DHé
Marr një grusht dhé Kosove,
e përqafoj si fëmijën-
butësisht e plot mall!
I flas si njeriut tim
sepse ma zgjon hijen e atyre që ranë
duke e mbrojtur,
atyre që ndërruan jetë
duke mbjellur në te
bimën e shpresës për të nesërmen!
Kur më flet,
më flet me gjuhën e djersës dhe gjakut
të etërve që mbuluan
eshtrat me te;
me gjuhën e bimëve
dhe çdo gjëje që rritet
me thërmijat e tij...
ndaj i përkulem si hyjniut
sepse është pjesë e altarit më të shenjtë!
Ah, sa mall të mbaj midis grushtave
dheun për të cilin jetoj e marr frymë,
dheun për të cilin derdha lot,
për të cilin mund të vdes
në çdo kohë-
brumin dhe plafin tim të përjetshëm!
Morinë, 1998
L I R I A
Për Te e vlenë të vdiset, të përgjakemi,
asgjë nuk matet me vlerën e saj, as jeta;
kush i ka fëmijët më të shëndoshë se ne
që duhet të rriten të lirë nën flatrat e saj?!
Është e vetmja gjellë shpirtërore e të vuajturve;
ëndërra, shpresa, gjakimi për të nesërmen;
është gjaku që rrjedh damarëve, zemra që gulçon
për ta parë dritën e bardhë në shuplakë të dorës!
Ajo ka kuptimin e vuajtjes dhe të shenjtërisë
pranë altarit të së drejtës dhe të së vërtetës;
është limfa që u ep gjallëri edhe shekujve
kur maten me të keqen, dhunën e ligësinë!
Liria është kudo, edhe nëpër të imtat bimë
kur luhaten nga era dhe mbahen për tokë;
është në gjethet e malit, gjelbrimin e stuhinë
dhe në çdo tipar të shënuar mbi fytyrën e globit!
Ndaj frymojmë e lëvizim të gjithë; veprojmë;
djersën, gjakun as fjalën nuk i kursejmë për te
që ta bëjmë ate kurorën e të gjitha përpjekjeve-
frytin më të shijshëm në kopshtin e ëndërrës sonë!
Liria është Alfa dhe Beta, tërësia në çdo kuptim,
litari që lidh fuqishëm të gjallën dhe të vdekurën,
që mbanë midis nesh kujtimin e atyre që ranë
për t`i gëzuar pasardhësit gjithë të mirat e saj !
Nuk përshkruhet me fjalë, s`e kap dot poezia;
është i vetmi gjenerator që ka lëvizur kohërat;
kudo që godet pamëshirëm dhuna e tradhëtia
shndërrohet në të vetmin kuptim jetik- Ajo!...
St. Gallen, 1997
TELALLXHIU I MBRETËRISË SË HIDHUR
Të bardhën e nxinë
me fjalorin e diktuar,
nga tupani i tij tymnajën e nxjerrë
sa herë godet lëkurën e terur të ditëve
të zezën e suvaton
me bardhësitë e plaçkitura
nga shpirti i popullit
deri sa në gijotinë e shtrydhin tradhëtitë
kështu mbretëria
nxjerr para nesh lavirën e synimeve,
asnjëherë s`kuptohet
ç`ngjyrë fshihet pas bebëzave të pudrosura...
Tash edhe kasneci i çmendur
emrin e ka humbur
nëpër të rrahurat e kurdisura
rrugë më rrugë,
e askund sheshi
me at përmendore të rrënuar,
askund shpëtimtari
që t`a lirojë Prometeun!
ZEZONË E MALLKUAR
As hirin nuk ma lënë të mblidhet
te urnat e ditëve,
kanë frikë se ngjizet e ndizet!
As dheun nuk ma lënë të bashkohet
te kodra e kohëve,
kanë frikë mos përtërihet e blerohet!
As lumejt e gjakimeve s`mi lënë të rrjedhin
nëpër shtratin e viteve,
kanë frikë mos vërshojnë dhe prishin
arat e mbjella me bimën e së keqes!...
Zezonë e mallkuar,
kur do të përmbytet ligësia jote,
dinosaurët tu t`a vjellin për hundësh
pranverën e gëlltitur,
u bëfshin fosile të djegura
nën detin e lotëve tanë!
ZGAFELLA E ZEMRËS SIME
Nën urat e larta të ndjenjave
rridhte lumi i gjakimeve të mia
në mes të fushës së bleruar të mendimeve
ngritej kalaja e ëndërrave
drejtë qiellit-
dorën e ndruajtur prore e shtrinte
të prekë me bedene rrezen e ngrohtë,
e nuk di kush i ndërseu gjithnjë furtunat
kush me tërmete m`i shembte muret
sa herë i afrohesha diellit...
Ajri i përmjegullt me hilet e Kainit
m‘a vodhën paturpësisht dashurinë
edhe atëherë kur mendoja
se do të mjaftonin troshkat e saj
tash, në sheshin e tymosur
kulla e ëndërrave më është djegur-
frymëmarrja ime i ngjanë
një lisi të zhbiruar
me i zgafellë të madhe futë në gji!
PERSIATJE MBI VDEKJEN
Kur vdiset vetëm, në mesudhë
vdiset dhimbshëm, pa fitore në dorë
me ankthin e dyshimit për të nesërmen!
Kur vdiset i coptuar nga hijenat
toka gjëmon dhe nuk e duron plagën,
zemra e trollit rrudhet
e limfa e ditëve thahet nga trishtimi!
Kur vdiset i vrarë pas kurrizit,
i prerë në fyt; i shpuar në hekur...
dielli e mbulon fytyrën nga turpi i dhunës
e mezi e shikon botën e çmendur
poshtë vetes!...
Vetëm në front vdiset burrërisht
për ta ushqyer me shpresa drejtësinë
se një ditë e keqja do të marrë fund!
PRANVERA E VARGJEVE
Kjo stinë vie atëherë kur shpirti dhemb
e nënqiellit të ndjenjave rigon mjaft shi
sa të mugullojë mendimi pipave të fjalës.
Vie vetëm kur nuk pajtohesh me heshtjen,
kur gjelbrimi shpurdhë në brendësinë e gjërave
nxitur nga etja për të lënë gjurmët e veta
në hapësirë.
Pranvera e vargjeve është ridefinim i kohërave
kur e qena dhe e paqena masin njëra-tjetrën;
kur e liga dhe e drejta përleshen fytas
e në vazhdimësi;
kur brumi i shpirtit formësohet në fushë të bleruar,
në lisa kryelartë e në bjeshkë mendimesh-
në tërësinë e asaj që njësohet me të bukurën!...
PËSHPËRITJET
E NJË GJETHI TË THARË
Vështirë pranoj të zverdhem nga gjelbrimi
kur më soset fryma e ditëve të mia
duke kulluar ajrin dhe fshirë hapësirën
nga thërmijat e imta të vdekjes
ngjyra më shpenzohet ngadalë e padiktuar
me at gjoll murtaje në zemër...
Sa lehtë më shkëput dora e kohës
e m`lëshon përtej kujdesit të vet
mbi tokën e lagur të dhembjeve,
prap u rri te këmbët degëve të mia
nën dëborën e heshtjes e rrëketë e pikëllimit
dhe pleh i bëhem trungut kryelartë
për t`ia ushqyer blerimin e stinëve që vinë!
MOTIV I LASHTË KOSOVE
A do të vish në dasmë
si në motet e përgjakshme
valles së krismave
t`ia marrim,
Nusen pa tjetër do ta sjellim
oxhakun ta rrisim
e Kulla të shndërrisë-
ajo Diellin e ka në ballë
si e Bukura e Dheut
në mitet mijëvjeçare,
Ti patjetër do të vish
në dasmën e lirisë, o burrë-
t`i plasim hijenat
me vallen e krismave!
DËSHIRË E VETME
E LUFTËTARIT TË LIRISË
Sikur të kisha
shtatëmijë duar,
çdo njëren do t`a ngritja
kundër armikut;
sikur të kisha
shtatëmijë jetë,
asnjë s`do t`më dhimbsej
për lirinë;
sikur të kisha
shtatëmijë zemra,
prap do t`më digjeshin
për bashkimin;...
sikur të jetoja
ndër shtatëmijë mrekulli,
të gjitha do t`i lija
për Atdheun!
YJE TË PËRJETËSISË
-Dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës
në betejat e përgjakshme me okupatorët serbë!
Juve më të mirëve u zgjodhi amshimi
që lisat e krenisë të kenë hapësirë të mjaftueshme
për t`u rritur në bebëzat e njoma të fëmijëve tanë,
që nënat tona t`i përtërijë shpresa
e të kenë motive të pashterrshme ninullash
deri sa përkundin nipat në djepat e kohëve,
që baballarët ta mundin pleqërinë me kujtimin tuaj
e ndër oda të flasin për ju si për legjendat e moçme-
plisin ta kenë edhe më të bardhë se thinjat e tyre!...
Juve më të mirëve u zgjodhi pavdekësia
sepse tokën e Atdheut e deshët më shumë se veten,
vetëm ju e shpaguat burrërisht qumshtin e nënave,
fytyrën ia latë trollit me dorën e shpirtit të bardhë;
vetëm ju e shpaguat ujin e kristaltë të krojeve-
me kristalin e ndjenjave tuaja
yje të ëndërrave tona u bëtë nëpër qiell!
Kosovës i ratë te këmbët plot dinjitet e njerëzi,
plagët e hapura ia shëruat me afshin e gjakut tuaj,
dhembjet ia mblodhët nga balli
me dorën e fuqishme të luftëtarit...
dhe të nesërmes ia bëtë kurorë frymëmarrjet e fundit!
LAGJA E TRIMAVE
-Familjes heroike të Shaban Jasharit të Prekazit të Drenicës
dhe bijve të nderuar të saj,luftëtarëve të paepur të lirisë-
Hamëz e Adem Jashari dhe të gjithë bashkëluftëtarëve e dëshmorëve
tjerë të kësaj ane!
Ju e përflakët dëborën e Janarit,
akujt e shpirtit na i shkritë me prushin e zemrës
shkurtit ia shkurtuat ditët me krisma
e marsi e thirri pranverën e këngëve
nëpër gunën e klithjeve tona!
Lagja juaj u rrit nëpër dhembjen tonë
kur buzëqeshjet e njoma të fëmijëve ia bëtë kurorë lirisë,
djepi i këngëve tona prore do t`i përkundë
me i plagë të madhe në zemër ditët që do vinë!
Me ju qëndresa e vuri edhe njëherë veten në sprovë,
piramida e dhunës u rrënua me at gur
që e hodhët ju në ballin e paturpshëm të kohës-
edhe nëse fryma u ndal, karvani u nis
me Jasharajt krushq të parë e fishkekun në grykë
kah dielli i shpresave tona!
Kur të na kthehet do të vie me shpirtrat tuaj
të shndërruar në rrezet e shndërritshme të përlindjes
krismat tuaja shënuan lëvizjen e ditëve,
kushtrimi burrëror e zgjoi Kosovën deri në Dukagjin-
tash, gjaku i juaj do kthehet me flamur fitoresh në dorë!
STILISTIKË
1. Anafora
E kam kërkuar në xhepat e shkyer të kohës
e kam kërkuar në rrjedhën e mnershme të fatit
e kam kërkuar në thinjat e mia maleve
e kam kërkuar në shënjestër
blerimin e vjedhur shumë stinë.
E gurët shënuan përgjakimet e mia në palcë
e gurët dëshmuan suferinën e dhembjes.
2. Simploka
O unë do ta zbres ylberin në brigjet e ëndërrës
do ta mbjell lulëkuqen në brigjet ëndërrës-
në këtë kryqëzim hekurash dhëmbët do t`i mprehë koha
në këtë kryqëzim hekurash do të varen maskimet!
3. Anadiploza
E pra vejushë e përdalur, kthema yllin tim
yllin e syrgjynosur në "puthjet" e tua-
vetëm unë e njoh "ledhatimin" tënd
"ledhatimin" tënd me dhëmbët e ujkut në faqe!
Heu, s`i dua shekujt në vizitë muzeumeve
kurrë si Laokonti
si Laokonti me gënjeshtrën kraheqafe!

Nga libri poetik
“Baraspesha E humbur”
Qëndresa, Gjakovë, 2003
FIDANET E FJALëS
Urdhëroni kohëra
bimët e shpirtit tim
rritur me vështirësi
në truallin e gjakut!
Nuk keni nevojë
të shpjegoni bukurinë-
mund t`a shijoni
në tërësinë e dhembjes që zgjon,
nga bërthama
e përtërirjes sonë
një kopsht fjalësh
është rritur përsëri-
digjet me etjen
e truallit në shpërthim
për ajrin e pastërt
dhe hapësirën e lirë!
VARGU IM
Të gropos thellë ndër damarë
e mbinë përsëri nëpër dhembje
atëherë kur më së pakut të pres,
të hedh përtej harresës
e rikthehesh me një kujtim të përtërirë
në gjolin e lotëve të mi,
të shkund për kërcyellin e fjalës
dhe mendoj se të kam ç`rrënjosur
nga trualli i dhembjeve
e ti, sërish nxjerrë pipa të rinj
nëpër çdo plagë shpirti...
BURIM I SHTeRuR
Me hapat
që lëkunden nga malli
kthehem çdoherë
te një burim i shterur
i këngës sime...
As lotë nuk dalin
nga damarët e vargjeve
që kanë tretur stinët,
as gjama e ngrirë
në gëzimin e tharë
nuk dëgjohet!…
Shekuj paskan kaluar
në një pikë vetmie-
pranë kohës së heshtur
e zbrazëtirave
të lindjes së dështuar
janë rritur
drizat e egër etjes!
RROTULL
U ramë rrotull
e të përgjumur
rrathëve të ferrit,
të gjitha cerberëve
u ramë në kthetra
dhe u përgjakëm
deri në palcën
e dhembjes së madhe!…
Fati na ndihmoi
më shumë se dija,
se vetëdija
dhe shpëtuam
nga vetvrasjet
e shumëpritura!…
LËVOZHGA E PIKËLLIMIT
Frymën t`a ndalë
po të mbështuall
në embrionin e dhembjes
nëpër buzë fjala të vdes
para se të shqiptohet,
ëndërrat e humbin
ngjyrën e shpresës-
durimi shndërrohet
në njollë të trishtë
të vetmisë që tallet
e krimbur pranë teje,
as vrimë nuk gjënë
për të plasur lotin-
rrjedha e ditëve bëhet
kortezh i pangjyrë
i hapësirës së ndrydhur…
Vetëm kënga e grisë
lëvozhgën e mallkuar!
KRIZA E POEZISë
Është krasitur nga metaforat,
nga përkushtimet serioze
të mendimit për të nesërmen,
në një lumë psherëtimash
qenka shndërruar poezia-
aventurat, përshtypjet e çastit
kanë vërshuar nëpër fushë
nën të cilat prore lëngon
faqja e blertë e bukurisë!...
Kjo është kriza e artit të fjalës,
zbritja në pikënisjen e ultë-
personifikimi, simboli, alegoria
nëpër fërfllizë më vinë
e më trokasin në portë!...
Këtu zë fill përgjithësimi
i vargut që përbiron
shqetësimet e zgjedhura të ditëve!
PËRMASAT E SHTEGËTIMIT
Kam ecur pafund
nëpër shtegun e shqetësimeve
për ta gjetur njeriun e humbur
dhe kam ndihmuar ëndërrën e tij
që të mbijë e gjelbërt
në fushën e hapur të përpjekjes.
Nuk e di kush ka vrapuar më shumë
ditë e natë përmbi dallgë
me këmbët e qullura të këngës
diellin e fshehur për të zënë
përtej reve të mbarsura në vetëtima!
Shpesh kam braktisur vetveten
e shembur jam nga ankthet e mbledhura
nëpër skutat e ferrit
por kotjen e kam ndjekur nga sytë
vetëm gjumi të mos na zë
në prehrin djallëzor të dështimit!…
Nuk di kur jam nisur së pari,
nuk di kur jam ndalur së fundi
për të qetësuar unin e cfilitur,
zemrën e kam lëshuar prore në fluturim
që të vizatojë diellin e shpirtit
me krahët e praruar të dashurisë
në mes të horizontit
dhe ndjekur e kam pastaj nëpër kohë
deri në pikën e panjohur
të ngarendjes së pafund!…
RRËFIM INTIM
Bulevardi i të dashuruarve
shëtit gjithnjë pa mua
bulevardi im është mbushur me gjethe të rëna-
sa herë ka shëtitur për dore kohën e vrarë
është rrahur stuhishë
e lidhur në grykë
nga degët e zhveshura të dhembjes!...
Bulevardi im nuk ka ndërruar dy hapa gëzimi
pa ia ngrehur koha
një kurthë të fshehtë nëpër këmbë,
edhe nëse ka mbledhur
ndonjë shkëndijë në bebëza
qielli është shembur mbi kokë
duke na vënë nën shqelmat e egër të ditëve!
Një dëshirë e mbetur peng prore qanë në mua
derisa njerka kohë ma vjedhë
bulevardin e gëzimit,
përse vallë kjo dorë demoniane
m`i ndjek gjithnjë
zogjtë e lodhur të shpresave
nga nënqielli i ngrysur i shqetësimit?!…
PAMUNDëSIA
Vështirë të ndërtosh
kullat e shpresave
me rërën e zhgënjimit
dhe ëndërrat e bjerrura
t`ua bësh dritare,
vështirë të ngrehësh
bjeshkë mendimesh
që s`i dridhë tërmeti-
aty ku s`përfillet
ku s`të pranohet fjala;
uragan të jesh
pa valë që të ndjekin,
pa zemrën e madhe të detit!...
Edhe baltë të jeshë
është vështirë
kur të shqelmon E liga!
Në VORBULLëN E ditëve
Ashpër ndeshen valët
në vorbullën e ditëve-
velat e përpjekjes
lundrës kryeneqe
ia shqyejnë pa mëshirë,
shpresat i përmbyten
në pafundësinë e harrimit.
Anija me profil dhelpre
përvidhet nëpër furtunë,
me zhdërvjelltësinë
e gënjeshtrave
krihët e vdekjes mashtron.
Liburnia e mbështjellur
në profil tufanesh
shtyllën e ëndërrës së vet
përpiqet ta shpëtojë,
harron Poseidonin
që dallgët i ndërsen
nga ishulli fqinj i tradhëtisë
ndaj, nuk u shpëton
kazmave të erës së përdalë
as ndërgjegjes së vrarë
të pashpirtësive!…
DHEMBJA E KOHËS SË VDEKUR
Kur të vidhet mjeshtërisht
rinia e ëndrrave
e shtigjet e këngës mbyllen,
kur të thahet njomësia e ditëve
dhe të syrgjynojnë kot
në ishullin e vetmuar
të dhembjes që pëlcet,
kur vitet t`i vjedhin
e t`a të lënë vetëm skeletin
e një kufome të pështirë
të kohës së vdekur…
çka vlejnë konventat,
ligjet dhe të drejtat njerëzore
të mykura ndër sirtarë?!
Koha vdes edhe atëherë
kur prej saj nuk mund të nxirret
fryti i gëzimit,
kur prej saj nuk rrjedh
kënga dhe fjala e lirë
apo kur dashuria mungon!
ENGJUJT E HIDHËRUAR
Nuk i prek më vaji i nënave
për kufomat e zhdukura të fëmijve,
nuk i prek rënkimi i etërve
për bijtë e zhdukur nga lubitë
asaj nate të kobshme
mbi trojet e përgjakura të lirisë,
nuk i pikëllon as gjama
e atyre që ranë papritur
në zjarrin e çmendur të ferrit
që nën cytjet e Satanait mori frymë!
Nuk i pikëllon asgjë e dhimbshme
nga njëmijë dramat shqiptare,
madje as thirrjet e parreshtura
të atyre që mbijetuan të gjymtë
në emër të drejtësisë së pritur!…
Prandaj, nuk e di pse priremi
t`i shohim me flatra të bardha
ata që buzëqeshjet i kanë ngrirë
hapësirës së futur në kornizë
dhe vazhdimisht pështyjnë
mbi ëndërrën tonë të lirë!…
KRYEDEMONI
Përsëri po shitet
nën petkat e orakullit
aureolën e shkëlqimit
vetvetes duke ia ngritur-
kryedemoni dhelparak!
Tërë natën pastaj
kurthat e dredhisë
vrushkujve të dritës ua ngre
e vret e pret
duke fshirë me kujdes
gjurmët e ndërgjegjes së vrarë!
Mjegullën e verbërimit
e quan shteg të urtësisë
duke dashur të na kthejë
në stinën e kaluar
të dhembjes së pa fund,
ndërsa nëpër duar
ditët e vrara i rrjedhin
e kohës i digjen mushkëritë!...
Përsëri po shitet
nën petkat e engjullit
kryedjalli i tradhëtisë,
por, e nesërmja e këndellur
shtatë palë qiej
do t`ia shembë mbi kokë!
KRENARIA E RRËNIMIT
Ende gjuha e zjarrit
me profil tufanesh
kullën e nderit tonë
e mbështjell,
ende përtypin
gojët e çmendura të flakës
dritaret tona të brejtura
nga krimbi i kohës që shkoi,
ende tymos
kulmi i dhembjeve tona
nën qiellin e ngrysur
të stuhive,
ende po shemben
trarët e qëndresës së brishtë
nga goditjet e papritura
të rrufeve...
Ndaj, vetëm ai-
i vetëshpalluri profet
i shpëtimit tonë
ka mundësi të dehet
me krenarinë e paturpshme
të rrënimit!
UDHA E SUKSESIT
Vie një zanë përëndimi
e ndërron vendin e gurëve
në votrën e pafajësisë fëminore
të vendlindjes sime.
I thotë hirushës sonë
se do ta bëjë mis bukurie
në mes të kodrave të tejkaluara
të konkurencës së plakur,
se do t`ia hapë udhën e suksesit
në tunelin e pafund të botës!...
Kjo ishte ëndërra e saj
që të dalë në mesin e margaritarëve
pa leckat e nderit
të së kaluarës që ka ndërruar
pamjen e mendimit.
Tani, në pasqyrën e ditëve
fytyrën e grisur të shpresave
e shiqon plot dhembje-
përtej xhamit oshëtinë
kaosi i fjalëve
që pikëpyetjet i gëlltit…
nuk e gjënë dot çelësin e kohës
për të hapur
kutinë e kujtimeve të ndrydhura,
ndaj, lotët i bien
në hirin e psherëtimave
dhe tretet ndër shqetësime
shtigjeve të përpira nga hapësira!
CUNGIMI I LIRISË (IV)
Liria
nuk guxon të jetë
rrokje e këputur,
torzo e fjalës
as klithmë
e ndrydhur në mes !
Liria
nuk guxon të jetë
ëndërr e bjerrë,
as kalë trojan
që futë tradhëtinë
në kalanë e djegur
të shpresave!…
Liria
nuk guxon të jetë
plaf i argjendtë
i mjegullave
që ulen mbi fushë
për të mbuluar
bjeshkët e rrënuara
të mendimit,
as cung i cunguar
i gjysmë këngëve
që këndohen
së prapthi!...
DREÇI I VERDHË
Së pari e futi bishtin
pastaj kokën dhe trupin
në shtëpinë tonë,
me buzëqeshje të shtirur
zu vend ballë oxhakut,
gjarprin e shtëpisë
e përpiu menjëherë
dhe strofullën mbaroi
në sytë e botës…
Pa i lodhur duart
më rrahu për vdekje
e më hodhi për dritare,
më përzuri përtej detit
tek brenë miza hekur!…
Me dy hapa më zuri
edhe në skaj të botës,
këlyshtë e saj tani
batërdisin qetësinë time
të fundit-
kohë e dreçit të verdhë
me fasadën e rrejshme
të bukurisë
që të gllabëron
e të përtypë ngadalë!…
LUFTË E HUMBUR
Pa dyshim
e kam humbur luftën
që kur djalli u fut
në shtëpinë tonë-
as mirëkuptim
as ndihmë nuk gjën
nga shpirtërat
e atyre
që paska pushtuar
e Liga!…
Pa dyshim
e kam humbur luftën,
por kapitullimin
për të gjallë
nuk e pranoj!
KASNECI I ZGJIMIT
A e patë të bredhë shesh më shesh
me zemrën e shndërruar në tupan
e mushkëritë e bëra rrëshiq
për të zgjuar kohën e fjetur
mëngjeset të mos vriten në pabesi,
duke gëlltitur lotin e plasur
përpëlitjeve kur nuk del fjala
duke zgjuar mendimet për të nesërmen
nata pa i ndrydhur nën shqelmat e territ?!
Ai gishtat i shtorri duke u rënë ditëve
për t`i shkundur nga kujtimet e hidhura
nga dhembjet e çasteve të vjedhura!...
Merreni përdore pra kasnecin e zgjimit
e shpjereni t`a ndjejë ngritjen e diellit
në altarin e pavdekësisë,
që t`i njohë shenjat e para të thirrjeve
në detin e harrimit të mos vdesim!
zOGU I KËNGËS
Rob e patën zënë
drizat e stinëve të ndrydhura
të shterpëzimit,
dhembjet e përgjakën
furtunat e çmendura të dhunës
dhe etja e këngës...
ndaj, me cuklat e shpresës
e hapi shtegun e guximit
në strofullën e kërcënuar,
të mbledhur sa një vezë
në gojë të gjarpërit.
Qiellit të këngës fluturoi
duke mundur heshtjen e lidhur
lëmsh në fyt
nga vdekja e përpirë,
me sqepin e tij të vogël
shpoi në qiellin e fatkeqësisë
vrimën e cicërimës së lirë
nëpër të cilën rrjedhin
vrushkujt e dritës!...
MBIJETESA
Damarëve të jetës së ndrydhur
orakujt e dritës mbollën ca vargje,
ndjenjat e mbijetuara
i ngritën në këmbë
gjymtyrët e mbetura gjallë
nën shqelmat e pamëshirshëm të dhunës
dhe formësuan bërthamën
e këngës së pavdekshme!...
Kështu u ngrit shkalla e parë e guximit
për të ndërtuar kullën e qëndresës
e për t´ua zënë pritën
stuhive të çmendura!…
Tani mund të themi lirisht
se nuk vdiqëm tërësisht
se nuk qemë të humbur,
se gjallë na kishte mbajtur
një fitil i pashuar i këngës!
DASHURI E PAFUND
Mbi të gjitha përpëlitjet
dhe zhaurimat e brendshme
një mendim guduliset
poreve të lodhura të qenies.
Një ditë, do të lodhet penda
dhe vrapi do të ndalet
që të prehet në djepin e heshtjes.
Nuk kam shkruar shumë
por kam mbrojtur të vërtetën
dhe jam fare i qetë
në brendinë e fjalëve të mia.
Kështu, më gëzon fakti
që do të jem baltë e pluhur
nën këmbët e gjalla të brezave
që shqip do të më flasin
mbi poret e tretura të qenies.
Është kënaqësi të jesh baltë
apo kockë e gjetur në shesh
me të cilën do të lozë fëmiu
i nipit të stërnipit tim
dhe fjalët e para do të gugatë
në gjuhën tëndë të lashtë
duke thyer lëvozhgën
e dashurisë së pafund!…

Poezi të zgjedhura
nga katër librat e parë
ZOGU I KËNGËS
Shtëpia Botuese
“PJETËR BOGDANI”,
Has, 2009
ZOGU I KËNGËS
I.
Ia kanë plasur zemrën
ngricat e shpirtit
e bora e përbuzjeve
mbi strofkën e vetmuar,
gjarpërinjtë e shëmtisë
e kanë nxënë
kotjeve pas stuhish
e vetëtimat ia kanë vrarë
tingujt në sqep
sa herë e ka filluar
të lumen këngë!
II.
Kur i është qarë
Tokës-
lisat e shpresave
ia ka tharë në rrënjë!
Kur i është qarë
Qiellit-
si pasqyrë e thyer
gurrat e durimit
ia ka shterrë!...
E tash sa kohë
klith e nuk jepet
I lumi Zog!
KËNDEJ AKERONTIT
Ç’më shikon o bir i Eolit
nga thellësia e shekujve,
mua jo, ... Tezeu s’më ngau
dhe mortjen s’e lidha dot-
Falarit ia shkriva zgafellën e bronztë
po desh më dogj në brirë
Demi i Agrigjentit!
Ndonëse ortekun e ëndrrave
e shtyj përsëri
mbi Pegas do të fluturojë
prapë Belerefonti
Kimerën do ta shporrë
e Klio do t’i hapë portat nga Persefona-
dhëntë fati e kësaj radhe
mos iu rrit mendja
e të mbetemi këndej Akerontit!
KLITHJE NË MESNATË
(poemë)
1.
Po kthehesha
kësaj ndajnate
me peshën e rëndë të bukës mbi supe,
nën zbehtësisnë e Hënës
paramendova Diellin
dhe duke numëruar bjezgat
mallkova kohën
mallkova shtigjet!
2.
Gardhiqet e kohës
fshihnin kthetra terri:
së pari ndjeva rënkimin e varreve
pastaj ndrydhjen e eshtërave
së mbrami
vrulli im i theu krandet e konvecave
e një hordhi qensh
një llavë ujqërish u zgjua në mua
ndaj hyra
me thërrmijat e jetës në një trastë
e Gunën e Klithmave
në Kujtesën e kësaj Nate!
3.
Hyra në skuten e fatcubit tim
me albumin e të gjitha
biografive
të një lëngate…
4.
Shqiptar,
sa vështirë
shtatë germa si shtatë plagë
t’i mbartësh në gjoks-
kurr shtatë lule
kurorë s’i kisha
kurrë era lehtas s’m’i përkundi
era lehtas
kurrë s’mi ka përgëdhelë!
5.
Tashmë i lodhur
i afrohem dritares-
përmes grillave
qielli më copëtohet
anët e horizontit dhe mendimet
në tallje m’i përzien
përtej telat fishkëllejnë,
ulurijnë trishtueshëm
poreve të munduara të qenies,
ëndërrimet bëhen dallëndyshe
e fluturojnë maleve të fimijërisë-
e zgjojnë në mua
Hijen e Lisave!
6.
O Lisa të Gjatë!
Aq shumë heshtët
tufaneve të shfrenuara!
Shoh pipat e përkulur
të mbllaqitin turpin
e të shkundin fletët
nga mërzia,
shosh majet ekëputura
të nxijnë nga marazi
duke vështruar lartësitë
me ballin e plasaritur,
e degë të çara
rrëxuar përdhe
do zogj të lemeritur
kërkojnë ëndërrat e veta
në disa çerdhe
që s’janë më...
7.
O Lisa të Drejtë!
Qëndrimin tuaj
S’e më kot
në sa kujtime fëmijërie:
me sa rrëfime pleqërishte
me sa këngë barinjsh
me ëndërritje kryengritërish
me sa fëshfërima flokësh
të zanave të maleve...
S’e rris më kot
pezmin e këtyre fjalëve,
apo ajo që është
është mashtrim i përkohshëm
besoni,
ënda (ëndja) ma ka
të më kenë gënjyer sytë!
8.
Qe,
e panumërta natë
që s’mund të fle-
endem nëpër dhomë,
ulem,
mendohem
mllefi i mbledhur
shpërthen sërish:
-Evropë moj, Evropë!
Në magje të kohës
gatove për mua
b u k ë p e l i n i
e sa herë më blove
me kryqa të thyer,
e sa herë më kullove
në qefina të bardhë!
Lodra... Berlini...
Gjeneva... Helsinki...
dhe qindra yje
të vrarë në pusi!...
9.
Se ti i luaje
të gjitha skenat, prapaskenat
në shpinë të Agimeve
ndërsa mendimet tua
mushkëritë e së ardhmes
grinin...
Ti Evropë-
“The Big Boss”!*
10.
Shikoj qytetin:
plafin e errësirës
egërsisht e shpërthejnë
gjarpërinjtë e neonit,
në emër të natës
kobet
kalojnë në intermexo
për t’i fshirë
krimet nga duart
me atë plaf të pistë...
qorrsokakët ndërrojnë maskat
e zhvishen lakuriq
nëpër metropole baresh
e mesnata
tmerrshëm rrah
kambanat e turpit...
11.
O shekull Demon
fundërrinë e të gjitha kohëve
me ç’grabujë makrokozmike
mblodhe plehun e mileniumeve
në ç’laborator të tmerrshëm
i dhe frymë-
frymë mos pastë!
12.
Në oqeanin e shpirtit njerëzor
kurdise tërmete mijëvjeçarësh
që vijnë
që të marrë globi
fytyrën tënde
vëllanë me vëlla drejton të vritet
mallin me mal të rrokulliset
popullin me popull të çakërdiset
planetin me planet të çakërdiset...
Lanet paç,
njeriun e zhveshe
deri në shkallën e egërsisë sate
ia bren çdo çast
pak nga pak shpirt
memoare
bukuri
dhe krijon artin tënd
të shthurjes
tmerrit
kataklizmës...!
13.
Ja si kalamendet
në mrrëzitë e tua
e mjerimin e vet
kjo turmë e dehur mbi trotuare,
e nata – bishë e çmendur
me thikë të mprehur
e rjep qosheve...
Lavirja natë-
instiktndezur
ua shet e blen
para portave gjymtyrët!
Turma, racë hijesh
tretet në mugëtirë-
racë në metamorfozë.
14.
O hije të humbura në mugëtirë!
Ç’kënaqësi ndieni
duke hequr zvarrë
pjekurinë e vetëdijes së përmbytur
kurorat e çoroditjes
e plagët e ndërdijes së harlisur
ju, fidanë të rritës së brishtë
nën hijen frymëzënëse të pallateve
me ftohtësinë e frikës së pafund
dhe inferioritetin
ndaj kësaj nate.
Pse të verbër silleni rreth fatit
me cukla të lumturisë së grisur
nga shkretëtirat e shpirtit
duke i nxjerrë
bizaritetet e këngës së krisur?!
15.
O hije të zverdhura në mugëtirë!
Kjo skëterrë nate u ka lindur
nga krimbat e dyshimit
të agujve të përflakur-
ndërsa hiqeni zvarrë trotuareve
shesheve
si fantazma të melankolisë
pa shpirt
pa ideale
pa një fije shprese
me furtuna të shfrenuara të fantazisë
ndërsa ndizeni e shuheni
me mundin e djegur kthyer në hi
me gjakun e shekullit
hijena Evropë
të rritet, të rritet... të rritet
e lirë!!
16.
Tash,
ç’pëlcasin nga dhembja
dashuria
damarët e mendimit
si damarët e globit
e damarët e revolucioneve
nga dhuna, mashtrimi
nga tradhëtia,
e jam lodhur
nga koha e humbur,
nga jeta me dhelpra,
ujq, derra,
duke ia nxjerrë sytë vetes
e pajtuar me këlyshët e djallit
me kokrra të dritës,
orekset e mallkuara
duke ua ngopur
me gjymtyrët e së qenmes!..
17.
Unë, fatin e kurdisur
as atëherë s’e yshta
po fushat e ballit
kish kohë shëmtia m’i kulloste
krojet e durimit-
palcën e jetës duke ma shterrur,
shëmtia e paparë
me lëkurën e ariut
mbi shpinë...
18.
S’qe e vështirë ta dija
ku shpinin udhët e gjëmës
ç’fshihej
pas çdo kthese fjalësh
ndërsa vendet e karrigeve
ndërroheshin
për skena të reja
të lojnave të dikurshme.
Aty m’u rjepën
lëkurët e moteve
aty
si në puset e pafund
asgjë s’merrej vesh
nga e vërteta!
19.
Ndaj, u tkurra përditë nga pak
dhe pëlcita sërish-
me gjithë prushin e dhembjeve
dola nëpër rrugë
ndonëse çmendurisht
janë shthurur gjërat-
zgjuar janë
lakenj, hajdutë, lugetër
e orë të liga kundër meje!
20.
Secila në mundësinë e vët
Hirin e shpifjeve
në drita të syve
ma hedh
secila me gjuhën e vet
gjithë plehun e fjalëve
në fytyrë
ma përplas
secila në formën e vet
më gërryen në indet
e shpesave të agimta...
21.
E PARA
“...Sa herë jeni përgjakur
duke gërvishtur lythat tuaja
e thyer pamëshirshëm
keni kurrizin
rrazhginave të kotësisë
i shkruanit citatet e dëshirave
me lëkurën tuaj
e u dilte prapë
e rjepeshit prore
endacakë të përjetshëm
duke ikur nga harrimi
dhe vetvetja!”
22.
E DYTA
“...Ju zogjtë e pranverave të huaja
cicërimat e shitura
truallit ua latë
në drizat e viteve
strofujt e smirës
e keni ngrehur prore
e në sofrën e maleve
keni shtruar kobet
për shoqi-shoqin,
madhëruar jini
me mallkimin e mbjellë
nën prag të vatrës
duke shprushur zjarrin e lakmisë
e në këngë për jetën
rrallë keni mbërritur...
Ju, zogjtë e pranverave të huaja!”
23.
E TRETA
“...Po të mos ishit ju,
bimë e çuditshme,
s’do të na rriteshin lisa droje
damarëve të qenies,
pëllumbat e fatit
në dritaren e së ardhmes
trëndafila agujsh do të qëndisnin
për ne,
po të mos ishit ju
më shumë ajër do të kishim
më shumë dritë
më shumë jetë...!”
24.
KORI I SË NJËJTËS NGJYRË
“...Këngët tuaja janë djepa
ku fantazmat rriten
emri i juaj i thërret kobet
në derë nesër të trokasin
shekujt i kemi zbritur
nëntokës së shejtërimit
me etjen për t’u dëlirur
ndaj durimin flijuam ndër vite
duke pritur të sillej koha
ashtu si deshëm
e kosat tona të pritnin
shevarin e egër të ditëve...!”
25.
GARDA E SAJ
“...Na dërguan mes jush
trungun barbar
t’ua shartonim,
i thyem pa pushim
pipat e rritës suaj kryeneçe
e prapë e njëjta degë!
Nxorrëm
të frymëmarrjesh pagane
për hijen tonë zulmmadhe
e prapë i njëjti trung!...”
26.
E PANUMËRTA
“...Mërguat nga emri
sa herë ua mbollëm
faren e dështimit nën lëkurë
e u varët në kthetrat tona
edhe kur prisnit tjetër rrugë.
Ndaj, jeni gjithkund
e s’jeni askund
si pluhurin kur e merr era,
mërguat nga gjaku
sa herë u mbinë dëllinjat e lakmisë
nën qepalla
dhe kurr s’u ngopët
përrockave të jetës
me grimcat e dheut
të shkapërderdhur!...”
27.
Kur marr ta thërras
vetveten në emër
qindra etiketa
i gjej në gji
me gunga në zemër
numëroj kafshimet
e natës bishë-
klith përsëri:
-Evropë moj, Evropë!
Në gjirin tënd
linde e rrite
vullkane kohësh
po me llavën e ftohur
gjithmonë suvatove
kalatë e mëkateve të vjetra!
28.
E popujt bredhin
rreth tyre
me gishtërinj në gojë
derisa këlthisnin
nëpër hone shekujsh
himnet e pabesisë,
se boshtin e fatit
sjell vërdallë
Super-Bushtra-Lubi
që tymi i mendimeve
të mnershme
e bloza e katranit
mushkëritë e së ardhmes
t’i grijë,
syqeltësinë e kohëve
ta bjerrë
e blerimin e viteve ta nxijë!
29.
Bari i së vërtetës
rritej e prehej
me çdo pranverë me çdo vjeshtë
e lulet e ëndërrave
çelnin e thaheshin
me çdo dimër e me çdo ngricë
e shkrepat përtypnin
koret e viteve
lyer në djersë, lyer në gjak
përtypnin cuklat
e tradhëtisë
të ngriheshin sërish
e të merrnin hak...
30.
Tash u mësuam
oj bushtra kohë
dhelpëritë t’i deshifrojmë
thërrimet e durimit
cuklat e dashurisë
t’i mbledhim u mësuam-
vullnetet e fjetura
t’i zgjojmë nga gjumi,
ndaj mbi të gjitha
sërish do të jemi
Kala e Kuqe
në gjirin tënd!
31.
Mjafton ky gjak
që rrjedhë në damarë,
ky prush në zemër
sa për të pritur Agun
e Shekullit të Ri
ndonëse në fjalë
po kthehem i përgjakur
nga lakuriqët e terri
i puseve ujëzeza
në bebëza
po vdes aroma
e zbehtësisë!
32.
E ti moj Nënë
merri këto faculeta
frymëmarrjesh të pëlcitura
e klithjesh nëpër natë-
arno me to
qiellin e grisur
që të mund t’i mbajë
kapilarët e Agut,
vetëm kur të gdhijë
në mos qofsha gjallë
dhe në paça rënë
me ujë bjeshkësh
kraharorin
ma fërko-
mallin të ma shuaj!...
Zürich, 1983
PËRVOJË KOSOVARE
Kemi parë në këto vite
rrenën klluqe dhe s`e kem` njohur,
kemi parë të vërtetën dhe s`na ka njohur,
kemi parë të gjitha koleksionet e përçmimit
në treg marrëzirash duke u shitur,
edhe na kanë vjedhur rrugës,
edhe na kanë qethur në emër të idesë,
na kanë bërë të qajmë kur na qeshej
e të qeshim kur na qahej,
fjalët nëpër gojë mundosheshin
për të na i nxënë pa i nxjerrë,
na kanë futur nëpër vrimë të miut
e nëpër kokë gjilpëre...
por, prapë kemi mbetur gjallë e të këndojmë
nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat,
nga jugu në veri...
lirisht, ilirisht, gegërisht DARDANI!
OPERACION POETIK
NË TRI BETEJA KRYESORE
(BETEJA E PARË)
Asnjë fitore më e madhe
se ta ruash barin rreth vetës!
(BETEJA E DYTË)
Të gjitha ia lë natyrës
dialektikës, ligjshmërisë-
pos veprimit!
(BETEJA E TRETË)
Lulja lules, dita ditës, çasti çastit
i përngjet
vetëm se i njëjti s`është!
NËNFLETË TË HISTORISË
Nuk ka filluar Lufta e Madhe
në vitin dyzet e një,
as në vitin tetëdhjetë e një,
nuk ka filluar
as me pesëqind e pesëdhjetë –
edhe para Mesharit
kishte Agron, Teutë, Ilirë!
Nuk ka filluar as në vitin zero një
ligjërimi i fjalës Bukë, Ujë, i fjalës Liri!
E kush tha se mund të përfundojë
në vitin e mbrapshtë- nëntëdhjet e dy,
mbi vargje shekujsh
mbi varre të të parëve
mbi kopshte lulëkuqesh, trëndafilash,
do të fluturojnë Shqipet
deri në frymën e fundit të fjalës Njeri!
etj. etj.