
Brahim (Ibish) AVDYLI:
NOSTALGJIA E SHKRUMTË
E JETË-VDEKJES
(Elegji e dëshprimit dhe e dhembshurisë)

Njëzetë e dy vite përkundje ëndërrat e shuara të dhembjes
në djepin e pikëllimit simbolik të të gjitha nënave-bijave të shqipes
me sytë tuaj e pave vdekjen e parakohëshme të pesë djemëve të rrites
Meja e vuri në gojë të kohës trishtimin e Gjergjit të vogël-
herë i ngjante Gjegj të Madh, e herë të tjera vetë Gjegj Elez Alisë
më shtatë plagë e shtatë shitime të zanave të huaja nëpër kraharor
që po i qantë të gjithë bijtë e arbërit ndër pushkatimet e errëta
derisa buzëqeshja e jote e jetës ishte ngrirë në çdo pikë plubash,
në atë kohë të përdalur vrisnin paudhësitë demoniane të nëntokës
i lafshin miliona fish pashpirtësitë e turpeve të ngallura të kobit...
Servia ilire ishte bërë papritmas Serbia dhe fliste gjuhën e dalur bese
të cilën e kishin vënë kraheqafe fëlliqësia e dhunuesve të lirisë
çdo gjë e merrnin nga gjiri yt i shterruar për të nesërmen me Diell
prandaj të dogji dhembja e madhe e vaji i sakatuar njëzetë e dy vite
kur ishe fëmijë të thërrisnin Zojë dhe e ngrisje kokën si Zotneshë
që të shtosh në gjoksin e kallur nga një fitil drite të ndalur në filizë
bardhësia e shpresave duhet të ngritej mu si para datës 27 prill 1999
dhe u ktheve në një kufomë të gjallë të dëshprimit të rritës së prerë...

Lëndina e pikëllimeve po rritej në bebëzat tua të drejtuara kah qielli
lisat e mendimeve tua po i ngritnin degët e thara drejtë Zotit të Madh
te rrënjët e tyre mbaheshin duart e sakatuara të fjalëve të dëshprimit
në vend se të rriten në një fije dheu u dergjën në psherëtimet e fatit
e ajo u bë fatcubi i Bardhës së Prendit me një cohë të zezë të netëve
nga masakrimi i pashpirtë i jetës së brishtë nën breshërimat e rafaleve
e të marr ty nga njëqindmijë nënash të rëndomta të dardanisë sonë
për t`i mbledh të gjitha fijet e dhembjes së pështjelluar në fjalët tona
ti i lidh bistek në flokët lozonjare të vajzave të dhunuara të fatcubit
e një moshë e tërë na zbardhet nga goditjet e huaja të pashpirtësisë!...
Në tërë kohën reshin lotët curril prej Qiellit
të dhembjes së shkrumuar
ndonëse ty të pushoj shpirti me dy qershor nga djegia e dëshprimit-
rilind përsëri ndër elegji të bimëve tona të dhembshurisë magjike!...
Në Tretdhé,
2-5 qershor 2021
ELEGJIA E DYTË:
SHKËMB I PËRLARË I MALLIT
(Elegji e ndjenjës dhe e përkushtimit)
Kur ti me mungon, o bjeshkë guri e Alpeve tona
më mungon çdo gjë nga këngët e lezetshme të vuajtjeve
pikëllimi bëhet hije e trishtme e dhembjeve të fletës sime
nuk kam si të peshoj në tretëdhenë e këndimit të fjalëve
vaji është shtruar prej ditëve deri në një liqen të mendjes,
copëtohet zemra ndër gufimet e lodrave të rrejshme të zërit
kush e di si qanë fëmija i yt përmallshëm fyellit të kohës
me belbëzimet e notave nëpër fishkëllimet e dridhura të tingullit
kur dridhet qenia me bubullimet e largëta të thuarjeve
e vjen me frymën e teptisur deri te krojet e bardha të rrezeve...
Më larguan prej suprinës së shkëlqyeshme të dritës sate
deri sa prapa shpatit të larë të dhembjeve tua perëdonte rrezja
lëshoheshin deri në lëndinat e mallit xixëllonjat e shumta të fjalëve
bënin pak dritë në shtratin e lodhur të hallemadheve njerëzore
errësira dëshironte që të ulej gulshueshëm në lëndinat e dhembjeve
dhe shponin litarin e mendimeve të ruajtura kujdesshëm...

Kur ti më mungon në bebëzat e ëndërrave skofiare Shkelzen
shkrumohet dhembja ime përpëlitjeve të kohërave të paharruara
fluturoj drejtë mendimeve të lartësive të pararritshme të fjalëve
atëherë pikëllimi më derdhet njëherë prej sythit të vargjeve
e notat e thekshme më teptisen nëpër fjalët e dridhura të një kënge
ku je ti e ku jam unë në breg të liqenit të lotëve margaritarë
hapësira shtrihet nëpër diapazonet e mëdha të teptisjes së kohërave
ku nuk më ka mbetur asnjë vend i uljes pranë lisave të mendjes
flakë është djegur mosha ime e përpëlitjeve nëpër humbëtira të viteve
vetëm se e mbart frymëzimin e dhimbshëm që ma fali
lartësia e Dritës
nën sjetull ngarendjeve të thukta e kokën në duar...
Kur më mungon ti, o rrasë e larë e shkëlqimit të Diellit
as vend nuk më mbetet për të futur kokën e munduar të valëve,
majave të shëmbinjëve janë hipur mbi hapësirën e dhembjeve tona
lajkatarët gungaqë që e vjellin pështymën e nxirë të netëve
mbi hapësirat e surprinës së shterpësirave të trishtimit
e së treti papë afër dhembjeve të vargut u linda!...
Kush e di a do të humb dikund mëngjesi i fjalëve të Dijes
le të mbushet deti i lotëve me poret e mia të Këngës
do të jem fishkëllimë e fyellit të dhembjes së veçantë të qenies
druaj se pa ty do të zhdukem, o shkëmb i përlarë i mallit!...