
URIME 28 NËNDORI I DYTË-
DITA E FLAMURIT KOMBËTAR SHQIPTAR!
SHQIPTARËT jetojnë kudo me flamurin tonë kombëtar: SHQIPONJËN KUQ E ZI.
Dy të tretat e qenies sonë jetojnë në trojet autoktone, të ruajtura me sakrifica të mëdha...
Zemra e tyre qanë veçanërisht në Kosovën Lindore apo në Kosovën Verilindore, sado me pak shqiptarë; sikurse në Epirin Jugor apo në Çamërinë e sakatuar nga shovinizmi i pafund i Greqisë megalomadhe. Me gjysmë zemre dhe me dhembje të thellë i ndjekim kudo cuklat e dheut tonë...
Shumë krijues shqiptarë kanë shkruar për te. Edhe unë isha shpeshherë me vargje ndër buzë e lot ndër faqe. Ju mund ta keni lexuar të shkruar nga zemra, mendja dhe dora ime këtë poemë, të botuar në revistën "Qëndresa", nr. 2/1990,apo në përmbledhjen poetike "Pasqyrë e përgjakur", Tiranë 1994.
Atëherë është quajtur "Bisedë me Nëntorin" dhe është futur në ciklin e poezive "Nëntori i tretë".
Me parë ishte botuar në revistën "Qëndresa" me titullin "Nëntori i tretë"...
KUR DO TË VIE NËNTORI I TRETË?
Lexone me kujdes:
BISEDË
ME NËNTORIN
1.
Nëntor,
muaj i meditimeve,
mendimet reshin
si gjethet e lisave,
s`mbetemi vetëm
me pipat e zhveshur nëpër erë,
era fryen edhe nëpër eshtra,
me ajrin e mbarsur
diçka vdes e rilind
nëpër poret e këngës
nëpër poret e vajit...
2.
Ti muaj i dhembjeve,
zgjohesh me to
si era mbi gjethet e thara,
grumbullon rreth vetes retë
e vrapon për të mbyllur
vrimën e fundit
në horizont,
i merr gjethet e rëna
në një vals vjeshtak,
lëkund pipat e zhveshur
duke i përkundur në hapësirë
ndër ninulla të pikëllueshme
3.
Kur fryn thekshëm era
ti i dridhë dritaret e zemrave
nga dëshprimi,
se pabesitë qenkan mbledhur
aty ku lind Dielli
sa një mal i paparë,
e s`e lëkan ende të dalë
s`e lëkan të ndrisë
s`e lëkan t`i lëviz stinët
ashtu siç ia do zemra e zjarrtë,
të përtërijë kohën në shpirtat tanë...
4.
Ja Kironët
përtej mjegullave,
bjerrin durimin e grishin tokën
të lëkundet,
ajo mund të lëkundet-
magmat po ndizen
të hapin gojën e tokës,
të vjellin kah qielli
arsyeshëm
llavën e mendimit,
a mund të qëndrojnë prandaj retë
para stinëve të zjarrta
apo do të pëlcasin
nga trishtimi që i mbars!?...
5.
Ti je ndonjëherë
parathënie dimri, Nëntor,
rreshtat e parë të reve
janë reklamë e zhurmshme
për dëborërat që duan të na vijnë...
ne e ndiejmë të akulltin mbret
të dhunshmin mbret
të trokasë në portat e ditëve,
me bastunin e tij prej histeriku
të trazojë mëngjeset,
ia ndiejmë
teshtimën e sëmurë
të fërshëllejë damarëve të enjtur
damarëve të inflamuar të ditëve.
6.
Rreshtat e fundit nuk do t`i presë
murlani i duhamëve tona njerëzore
do të shkrijë akullin
në shpirtin e gjërave,
a mund të qëndrojnë retë
para dridhjeve të prillit,
maji, i kuqi maj,
do të jetë largë, e dimë
sa një ëndërr mund të jetë larg,
megjithatë na rreshkë
me buzëqeshje prej lulesh!
7.
Ti, hambar pikëllimesh,
tash derdhë të idhtën limfë
mbi tokën e barin e thinjur.
Degët e plasin lëkurën
para kamxhikut tënd,
rënkojnë blerimin e humbur
e drejtojnë gishtërinjtë e rjepur
drejt kupës së nxirë...
9.
Sa të pamëshirshme
janë retë tua
kur lëvaren mbi qafën e degëve,
Duart e fatit s`paskan mbledhur
ate që kanë mundur
ndaj
nëpër pipat e thyer të degëve
pikon limfa e dhembjeve të mia
Nëntor.
10.
Se kush na i heq
shkallët para lindjeve
ndaj prore e përsërisim të nemurin Sisif
me Diellin e vrarë mbi kurriz,
mbesim shumë më poshtë se duam,
aty ku marimangat
derdhin hipokrizinë
duke thurur shallin e dimrit nëpër duar,
duke thurur
një shokë ulurimash
në zemër të dheut!
11.
O të mallkuarat marimanga
sa qenkan rritur,
krejt të lira bredhkan
pas pikave të gjakut.
Toka dridhet nëntor,
marimangat shndërrohen në rinoqerontë
në mishngrënës
dhe hanë pa u ngopur tepricën e durimit,
vjellin apokalipsa
aty ku munden-
qelbin e vrimave ku s`ka prekur Dielli!
12.
Dridhjet tua duhet t`i lëvizë
ajo që vdes
për të ringjallur poret e së qenmes.
Duhet të vijë ajo ditë
kur ti fryen damarët
e s`përfill shtratijet e lumenjëve,
kur bubullijnë duhitë,
kur furtunat tua
shqyejnë pelerinën e ndyrë të kohës
e kur shemben
të gjithë idhujt e rremë,
se ti je Nëntor
fundi i një segmenti
nëpër të cilin koha shtrihet e matet!
13.
Ti qindra herë na erdhe,
por ne s`korrnim pos zhgënjimin
fletëve tua të vyshkura,
ndaj s`të numronim.
Ne ishim ata pipa
që nga trungu i shekujve të prisnim
gjithmonë me rrema të thyer,
me majat e këputura
e me lëkurën e plasur,
pipa të zhveshur nga blerimi
edhe në pranverë-
ata që limfa u kullonte
faqeve të ditëve si lot!
14.
Ku t’i merrnin fletët
tokës si jorgan t`ia hidhnim
para se të binin ngricat,
para se të thanin fërfëllizat
rrënjët e barit.
Ne ruajtëm me xhelozi ëndërrën e blertë
nën lëkurën e plasur
përtypëm orë e çast
mallkimet e drizave
në kthetrat e të cilave
hapësira shkapërderdhej.
15.
E nëpër tallazet tua
mjaft bimë zemre
na ranë përdhe
Nëntor.
Ranë në vorbullën e ernave
për të mbetur kujtim i pashuar.
Treguan si sillet koha
në shpirtin e gjërave-
shembull i vetëm i së bukurës
ishin ato,
i mrekullive që zgjasin
vetëm për një çast.
16.
Kur vie ti
lisat e dashurisë sime
fërkojnë shkallët
me duart e degëve që kërcasin,
sa herë sopatat ua shterrën
nga një krua blerimi në shtat,
sopatat e egra
mprehur skutave ku qymyri i zi
lëshon blozën
e mushkërive të teptisura nga katrani,
duke u mbështetur nëpër degë të rëna
ato, të cilat,
lisat kryelartë i hedhin nga vetja
dhe s`i njohin!
17.
Herën e parë
erdhe mbi shpatën e zhveshur
të rrezeve të kuqe,
ishte një Ylber i zjarrtë
që lidhi zemrat
e mblodhi nga qielli i këngëve
të gjitha retë
dhe i përflaku,
i kulloi nëpër ngjyra
horizontet
dhe përtriu hapësirat e bardha.
Pastaj zbriti në tokë
vezullimin e madhështive
dhe me to mati trojet.
18.
Shtriu krahët e dritës
prej bregu në breg
e i lidhi
duajt e të korrave
me fijet e mirëkuptimit
dhe shëmbullin
që rrallë përsëritet.
Ne ,
mumrat i nisëm me atë stinë
dhe fëmijët
i rritëm me atë emër.
19.
Pastaj shumë herë
u ndrydhëm
nëpër të çarat e shkëmbinjëve
të vetmuar
të shpërndarë,
përpëliteshim mbi zallë
gjersa ditët plasnin nga të zitë,
prisnim bubullimat
e moteve të mbetura gjallë
të bubullinin papritmas
për të trandur dheun
te këmbët e lisave
që të kullonte sadopak
limfa e shpresave nëpër degë!
20.
Herën e dytë na erdhe i ngutshëm
s`patëm kohë t`i mbledhnim
të gjitha cuklat e jetës-
duhej të ngrehnim
me nguti
kasollën e së nesërmes
sa për të pasur vend
për sofrën e dashurisë
e djep
të rilindeshim sërish,
ta merrnim veten
para dimrave që i nxënin
karvanit të ditëve në ballë...
se “nëpër dyert
e tragjedive të mëdha
ndahej fati i popujve të vegjël”.
21.
Të tjera herë na erdhe
në dy fytyra
që dallonin si nata e dita,
prandaj kemi arsye
të bluajmë përpjekjet tona
në çdo stinë
për të gatuar veten
në Bukë të pathyer!
E kur të të sjellim të denjë
me kurorën e artë të rrezeve
Nëntor i tretë do të jesh,
s`do të bredhim kurrë më
pas bjeshkëve
me aventura të tmerrshme
të këngëve!...
22.
Në këtë kohë
karnevalet gjallojnë kudo
e përpiqen të ngjyrosin ajrin
në pikturë gëzimi,
ndaj dola të shoh botën.
Turbullohem nga pamjet tua
të pavërteta, Nëntor,
nga nënshkrimet e gabuara,
si mund ta shpjegoj
gazin tënd kur duhet të qash
vajin tënd kur duhet të qeshësh
hakërrimin kur të duhet durimi
e plogështinë
në çastet e lëvizjes së nevojshme.
Në botë paske vënë
shumë ngjyra të shthurura,
të papëlqyera,
ngjyra të kurdisura karnevalesh!
23.
Daullet tua vjeshtake
m`i plasin gurrat e lotëve
nën qepallat e pagjumta
duke menduar për dhembjen
në një karneval të pazakontë
atje tej malesh.
Assesi të vë rregull në zemër,
dritaret janë thyer pastaj
duke dashur të nxjerrin dashurinë
nga grilat e një gëzhoje që s`durohet!
24.
Se të ngjitesh
në një kodër mendimi
e ta shohësh botën-
ajo i ngjan
një ngatërrimi të tmerrshëm:
pranë bukës-uria,
pranë paqes-dhuna,
pranë dhembjes-kënga
pranë këngës tragjedia,...
por mos të flasim me fjalor të ndaluar,
mund të na futen kukuvajkat
në palcën e eshtrave,
ec e dije atëherë
kush thërret nga vetja-
edhe ashtu
dhembja është monopol për vegjëlinë
ku askush s’tenton ta vëjë dorën!
25.
Ti pra, Nëntor-
duhet të nxjerrësh rezyme
nga të gjitha fletët e shkruara
të jetës që lind
në shpirtin e gjërave
dhe të bëhesh
Nëntor i papërsëritshëm,
era të na i marrë
dallgët e shpirtërave,
të bëjë me to një zjarr prej këngësh
një kurorë frymëmarrjesh të pastërta!...
Vetëm kështu mund të jesh
datëlindja e jonë e tretë -
Nëntor i pavdekshëm!
(Zürich, 1989-1991)